Data : 20 09 2018
KryeTitujt :

Dita e Mësuesit, apeli: Shoqëria të mos kujtohet për shkollën vetëm në 7 mars

Dita e Mësuesit, apeli: Shoqëria të mos kujtohet për shkollën vetëm në 7 mars
FORUM/ Flasin për 7 Marsin, Ditën e Mësuesit, pedagoget Nevila Xhindi dhe Zamira Çavo, si edhe intelektualet e njohura, Natasha Lako dhe Zhuliana Jorganxhi 

7 Marsi, e njohur si Dita e Mësuesit, përkujton ditën kur 131 vjet më parë, më 7 mars 1887, u hap në Korçë, Mësonjëtorja kombëtare shqipe. Një shkollë kjo, me karakter kombëtar dhe laik (jofetar), ku të gjitha mësimet jepeshin në gjuhën shqipe. Drejtues të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare, si Pandeli Sotiri, Petro Nini Luarasi, Nuçi Naçi, Thoma Avrami etj. Sot, Dita e Mësuesit përkujtohet si një festë jo vetëm për punonjës të arsimit shqiptar, por edhe për nxënës e studentë dhe që vjen si një traditë e bukur, e krijuar ndër dekada tek populli ynë. Një ditë vërtet e rëndësishme për arsimin shqiptar… Por sot si duhet ta kujtojmë dhe cili është mesazhi real i saj? A po çohet në vend amaneti i rilindasve për shkollën shqipe?Rreth këtyre pyetjeve, “Albanian Free Press” ka marrë opinionin e disa personazheve të njohura në fushën e arsimit, si pedagoget Nevila Xhindi dhe Zamira Çavo. Por edhe të intelektualeve të njohura, Natasha Lako dhe Zhuliana Jorganxhi…

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 

Poete, skenariste

 

NATASHA LAKO: Për shqiptarët, drita e arsimit ka qenë e shenjtë

 

 “Fati i shqiptarëve ka qenë që të kenë si mësues të parë Naim Frashërin, si edhe gjithë hartuesit e parë të evetarit shqip dhe teksteve shkollore, për të cilat u vranë dhe u përndoqën, madje një pjesë e tyre deri në fund të shekullit XX. Kjo bëri që mësuesit të kenë një vend nderi dhe një rol kombëtar, që nuk e ka pasur në këtë vend askush tjetër. Ëndrrat e tyre krijuan enciklopedinë e parë shqiptare, si konkurrues të mëdhenj me latifondistët (si askund tjetër). Ata ishin më të nderuar se çdo tregtar i madh dhe se çdo politikan, pasi kishin në dorë edukimin dhe fatin e brezave të tërë. Për shqiptarët, drita e arsimit ka qenë e shenjtë. Ky respekt për mësuesit dhe kjo festë e rrallë shqiptare tregon veçoritë e një populli, që mund të jenë të papërsëritshme në të gjithë Europën dhe që vunë bazat si askund tjetër për arsimin dhe shoqërinë laike. Njëkohësisht, kjo histori e arsimit shqiptar me mësuesit më tepër se shteti, në krye krijuan tipare të veçanta për të forcuar dhe mbrojtur arsimin publik, si konkurrues të mëdhenj me latifondistët”.

 

 

 

Poete

 

ZHULIANA JORGANXHI: Mësuesi, një nga edukatorët kryesorë në formimin e njeriut”

 

Znj. Jorganxhi. Çfarë sinjifikon për ju dita e 7 Marsit?

 

Kjo datë më çon larg në vite, që kur u vendos të festohet. Pas prindërve dhe të dashurve të familjes mendoj që çdo njeriu i vjen pranë figura e mësuesit të klasës së parë dhe gjithë portretet e dashura të mësuesve, pedagogëve në vite. Mësuesi është një nga edukatorët kryesorë në formimin e njeriut. Unë për mësuese të klasës së parë kam patur kushërirën time të parë, vajzën e xhaxhait tim Aleks, të ndriturën Vasilika Fshati (jorganxhi), e cila ka qenë një nga mësueset e para pas çlirimit të vendit dhe në vazhdimin e rrugës së mësueseve të para të gjuhës shqipe, si Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi etj. Rruga e dijes tek ne është një rruge shumë e gjate dhe e vështirë, dhe brezi im pati fatin të njohë nga afër shumë nga mësueset e para të gjuhës shqipe. Mbaj mend që Abetarja e atyre viteve (’50) ishte e mbështetur mbi didaktiken e rilindësve tanë. Me të ishin marrë kolosët e gjuhësisë, si i ndrituri Aleksandër Xhuvani, Mahir Domi, Sterjo Spasse, Dhimitër Shuteriqi, Shaban Demiraj etj. Ajo ishte një Abetare larg çdo lloj politizimi dhe që në librat e parë të këndimit ndihej fryma e iluministëve të Rilindjes sonë kombëtare, si Samiu, Naimi etj.

 

Respekt dhe nderim të madh kam për gjithë mësuesit e mi të shkollës 7-vjeçare dhe gjimnazit, për të gjithë pedagoget e Fakultetit Histori-Filologji dhe përulem para tyre me respektin dhe mirënjohjen më të madhe.

 

Si do ta vlerësonit rrugën në të cilën ka ecur deri më tani arsimi shqiptar, si i tillë?

 

Rruga e alfabetit tonë është larë me gjak. Pranë rrugicës sime dikur në Korçë, që mbante emrin e rilindasit Vasil Trebicka, ishte një rrugicë tjetër, ku ndriste emri i të madhit martir të gjuhës shqipe, Petro Nini Luarasi. Por në rrugicat afër shtëpisë ku banoja, ndrisnin edhe emrat e rilindësve të ndritur Naum Veqilarxhi, Thimi Mitko etj. Brezi im u rrit me leximin e librave të shkruara nga Mihal Grameno, edhe ky një nga figurat e ndritura të qytetit tim, Korçës. Neve, mësuesit, qysh të mitur na kanë folur mbi përpjekjet e gjithë atyre patriotëve, që luftuan me pushkë e penë për mëmëdhenë. Qysh fëmijë, ishim njohur me figura të ndritura si Papakristo Negovani,  me martiret Barmashët, Themistokli Germenjin, Spiro Ballkamenin etj. Por figura të ndritura mbeten për mua edhe motrat Sevasti dhe Parashqevi Qiriazi, të cilat unë i mbaj si idhuj të grave shqiptare në luftë për liri, gjuhën shqipe, kulturë, përparim dhe emancipim të gruas dhe vajzës shqiptare. Ne jemi rritur me këngët patriotike, që këndonte grupi “Lira”, “Nderi i Kombit”, teksa më ndjekin pas ndër vite vargjet e të ndriturit Gjerasim Qiriazi të këngës “Dituria”: “O vëllezër shqiptarë/ Lidhuni ndë dashuri/

 

Ardhi koha e mësimit/ Të fitojmë dituri!”…

 

 

 

Pedagoge

 

NEVILA XHINDI: Mësuesit jetojnë mes dashurisë së profesionit

 

Znj. Xhindi, si një përfaqësuese e sistemit të lartë arsimor në vend, si do ta përkufizonit ju ditën e 7 Marsit?

 

Mësuesit jetojnë mes dashurive të mëdha dhe kënaqësisë që prodhojnë ato. Dashurisë së profesionit, sepse pa e dashur atë profesion aq të veçantë, nuk je dot mësues. Dhe mësuesit që e duan mësimin, përcjellin tek nxënësit dashurinë për të mësuar. Një mësues i mirë e ndjen që nxënësit e tij, shoqëria e së ardhmes është në duart e tij sot dhe ai është misionari, ndaj edhe shoqëria duhet ta vlerësojë atë që ai të ndihet i tillë. Dashuria e nxënësve. A mund të harrohet dashuria dhe respekti që ne të gjithë kemi për mësuesin e klasës së parë? Jo! Sepse është figurë qendrore, themeltare jo vetëm në memorie, por edhe në edukim, në vlerë.

 

Cila është merita e mësuesit sipas jush në jetën e një nxënësi?

 

Mësuesi i mirë bën që edhe nxënësi më i dobët të ëndërrojë, një mësues i mirë të hap mendjen dhe të fal dashuri shpirti e profesioni pa kushte. Por ne mësuesit përjetojmë kënaqësinë shpirtërore që sjell rezultati kur këto dy dashuri së bashku, përkthehen në një vlerë: atë njeriun që do ndërtojë të ardhmen e këtij vendi!

 

Përse ka nevojë sot vendi ynë mbi arsimin?

 

Kjo Shqipëria jonë e vogël ka nevojë, më shumë se kudo, të promovojë shembujt e mësuesve të mirë, t’i mbështesë ata financiarisht e moralisht, sepse vetëm kështu i inspirojmë studentët e mirë të kërkojnë të studiojnë, që të bëhen mësues dhe ta duan këtë profesion, se është i shenjtë, ka në dorë jetën e brezave: si nëna.

 

 

 

Pedagoge

 

ZAMIRA ÇAVO: Mësuesi sot, një gjysmëarsimtar dhe një gjysmëedukator”

 

Znj. Çavo, sot në Ditën e Mësuesit, si do ta vlerësonit ju  situatën e arsimit në vend? Cilat janë problematikat e tij?

 

Ka mbi  një çerek shekulli që arsimi në vendin tonë ka marrë tatëpjetën. Me fjalë të tjera, arsimi në Shqipëri sot është në krizë të thellë forme dhe përmbajtje. Pavarësisht ndonjë arritje anësore në këto vitet e fundit, thelbi i krizës në arsim mbetet i njëjtë: cilësi e dobët, analfabetizëm në rrije dhe edukim anarkik! Shkolla shqiptare në të gjitha ciklet e saj sot vuan nga disa problematika që mesa shoh unë, sa vijnë e agravohen. Së pari, shkolla nuk janë muret e bankat, shkolla janë programet, mësuesit e edukimi brenda tyre. Fatkeqësisht në gjithë këto vite, qeveritë shqiptare janë marrë me ndërtesat (dhe këto janë një diskutim më vete) e nuk janë marrë me përmbajtjen e tyre. Nëse do ta shikojmë në detaje, do të vinim re se në nivelin makro të arsimit kemi rritje të analfabetizmit në terma klasikë, por dhe të analfabetizmit funksional në terma realë. Pra, përmbajtja e dobët e procesit të arsimimit ka sjellë dhe jam e bindur se do sjellë edhe më shumë, pasoja të kësaj natyre.  Programet shkollore të bëra dhe ribëra sipas kohës politike, me liberalizmin ekstrem të teksteve dhe alterteksteve e kanë çorientuar në thelb arsimin parauniversitar.

 

Qeveria e Rilindjes thotë se i ka kushtuar një vëmendje të veçantë arsimit dhe se ka ndërmarrë dhe kuadrin e duhur ligjor. Ju mendoni se sërish gjendja nuk ka ndryshuar?

 

E dini sa herë janë ndryshuar ligjet mbi arsimin në Shqipëri? Kjo do të thotë se implementimi i ligjit asnjëherë nuk ka dhënë rezultatet e pritshme dhe kjo e ka bërë situatën në arsim të rrëshqitshme. Dhe qeverisja e Rilindjes nuk është se ka shkuar më tej në këtë drejtim. Mbyllja e disa institucioneve private në arsimin parauniversitar nuk e zgjidh problemin. Ndaj sot që është 7 marsi, ka shumë për të thënë për mësuesit. Rilindja ofroi portalin “Mësues për Shqipërinë” me synim disiplinimin e punësimeve në arsim. Por ka me dhjetëra “mësues” të pakualifikuar që vazhdojnë të “mësojnë” fëmijët në vend. Ka shumë me arsim të mesëm. Nëse do shikonim degët e mësuesisë në universitetet tona, do të shikonim se prej gati 20 vitesh, në këto degë shkojnë nxënës me mesatare të ulët që mezi kalojnë dhe që rikthehen në sistemin arsimor si edukatorë. Më tej akoma, duke u përpjekur të kopjojmë të tjerët, modelin anglo-sakson, po përpiqemi ta bëjmë modelin tonë të arsimit, por pa menduar se kushtet historike, politike dhe ekonomike të shqiptarit ndryshojnë kryekëput nga ato britanike apo amerikane. Është absurditet sot të kërkojmë që edhe në rastin më të mirë mësuesi të update-ohet me të rejat e lëndës që ai shpjegon. Jo vetëm se nuk ka një mekanizëm orientues në këtë drejtim, por dhe sepse me eksperimentet” allashqiptarçe” i kemi gjetur punë mësuesit të mbushë letra pa fund dhe të mos gjejë kohë për cilësinë e tij profesionale. Mësuesit nuk i kërkohet cilësi, por i kërkohet burokraci, i kërkohet performancë, e cila përmblidhet në “askush nuk mbetet në klasë” dhe të gjithë marrin nota të mira! Nëse do ta përkufizoja gjendjen e mësuesit shqiptar në vitin 2018 do të thosha: një gjysmëarsimtar e një gjysmëedukator! E di që mund të tingëllojë keq, por kjo është e vërtetë. Dhe ai brez arsimtarësh që vazhdojmë ta mbajnë me “thonj” atë çka kanë dashur t’i japin profesionit të tyre të nderuar, sot ndjehen keq pasi askush s’e vlerëson punën dhe përkushtimin e tyre, madje jo rrallë shihen si njerëz që “nuk marrin vesh” nga të rejat e arsimit. Kur them gjysmëedukator, besoj do kem mirëkuptimin dhe të armatës së të gjithë mësuesve. Si shoqëria ashtu dhe familjet sot e shikojnë mësuesin si një njeri që vetëm me edukimin e fëmijëve s’ka pse merret. Dhe në çdo rast nxitohet të dënohet “mësuesi”!

 

Çfarë ka humbur sipas jush shkolla shqiptare në këto vite?

 

Shkolla shqiptare ka humbur dy elementë të rëndësishëm të arsimimit: edukimin me dije sistematike dhe edukimin me qytetarinë! Kjo e dyta, po duket se e ka humbur fare betejën me kohën. Shoqëria sot kujtohet për shkollën vetëm në 7 mars ose kujtohet individualisht, kur interesat e tyre i çojnë pranë dyerve të shkollës. Sa për pushtetin kam qenë dhe jam e bindur se pushtetarëve të të gjitha krahëve nuk u intereson arsimi i shëndetshëm, ndaj e degraduan në këtë gjendje. Arsyeja është e thjeshtë: Një popull të arsimuar nuk mund ta vërtitësh e mashtrosh sipas qejfit. Kjo është fatkeqësi kombëtare. Për mua, e ardhmja e kombit qëndron në klasën e çdo mësuesi! Sepse çdo mësues ka në dorë të ndryshojë faqen e botës. Ne jemi një popull që u kemi mbijetuar kohërave pa gjuhë të shkruar, pra pa shkollë. Kjo na ka bërë të mos kemi ndonjë lidhje shumë të fortë me dijen. Po ti shtojmë kësaj trashëgimie edhe faktin sesi qeverisje i mëshojmë fort formës dhe aspak përmbajtjes, kërkojmë me çdo kusht të diplomohemi, pra të kemi një shkollë si stoli dhe jo si instrument të pazëvendësueshëm të ndërtimit të jetës sonë. Kjo do të thotë se problemin e arsimimit ne duhet ta trajtojmë më shumë seriozitet dhe të mos e degjenerojmë më një festë si kjo e 7 marsit, apo me disa “parada” suksesesh, që qeveritë e kanë zakon të paraqesin në analizat e tyre absurde. Dhe kjo është një paraqitje shumë skematike e nevojave për t’u shprehur në ditën e 7 Marsit.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit