Data : 14 12 2018
KryeTitujt :

Debati publik për ndërtimin e teatrit, pro dhe kundër

FORUM/ Teatri Kombëtar, artistët sërish të ndarë: I vjetri duhet si muze; i riu i duhet kohës
Nuk ndalet debati publik për ndërtimin apo jo të një godine të re për Teatrin Kombëtar. Artistët vazhdojnë të japin mendimin e tyre rreth tij, të ndarë në dy grupime: Pro dhe kundër. Flasin sot për “Albanian Free Press”, artistët: Kujtim Gjonaj, Ferdinand Hysi, Përparim Hysi, Bashkim Kozeli, Nikolin Gurakuqi, Çlirim HoxhaNdërsa kanë paralajmëruar së fundmi se do të futen edhe në grevë urie, për të parandaluar shembjen e godinës së Teatrit Kombëtar, artistët vazhdojnë të jenë të ndarë rreth kësaj çështje.“Albanian Free Press” ka marrë edhe sot mendimin e disave prej tyre, duke i kërkuar secilit se përse është pro apo kundër shembjes së kësaj godine. Disa shprehen se ajo duhet të ruhet, që të shërbejë kështu si një muze për të treguar trashëgiminë e së kaluarës së këtij institucioni simbol të kulturës shqiptare. Ndërsa të tjerë janë të mendimit se e reja kërkon progres e në këtë rast, edhe një Teatër të ri Kombëtar. Por të gjithë në fund, kanë një mendim të përbashkët: Çështja po politizohet jashtë mase

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Z. Zholi

 

 

 

KUJTIM GJONAJ, Regjisor, skenarist:

 

Pse duhet ruajtur një ndërtesë pupuliti tejet e amortizuar?”

 

“Nëse flasim për vlera, unë mendoj se teatri duhej të ruhej. Nëse ne kishim të ruajtur Tiranën e vjetër me shtëpi karakteristike dhe Tiranën moderne ta ndërtonim ndoshta në rrëzë të Dajtit, apo diku tjetër. Për fat të keq, aty ku pati pronarë lindën dhe u rritën si “misri me kubik” kullat e larta në çdo hapësirë të qytetit, duke prishur ndofta jo vetëm shtëpi karakteristike, por edhe shumë parqe dhe lulishte. Pra, përfundimisht përpjekja për të ruajtur Teatrin Kombëtar si një relike e traditës, më duket e paarsyeshme, kur ne nuk kemi të ruajtur bie fjala Pazarin e vjetër të Tiranës, që mund të ishte simbol i qytetit, Nuk kemi të ruajtur dy kishat me vlerë në fillim të Rrugës së Dibrës, aty ku sot është hapësira e 15- Katëshit, pra, kishën katolike dhe atë ortodokse. Nuk kemi të ruajtur hapësirën e Rrugës së Dibrës, apo atë të Barrikadave, që dikur quhej Rruga Mbretërore, apo rrugicat e bukura që lidhnin dikur Rrugën e Elbasanit me atë të Radio Televizionit, rrugë të bukura këto me vila dy dhe tre katërshe, etj. Pra, kur kanë humbur gjithë këto vlera, përse duhet ruajtur një ndërtesë pupuliti tejet e amortizuar, e ndërtuar në vitet ‘40 si “dopo lavoro” nga italianët?! Natyrisht, që neve nuk na pyet njeri se ç’do të bëhet, por mendoj se një teatër i ri me anekset dhe hapësirat përkatëse rreth tij dhe jo i mbytur nga qiell gërvishtëse rrotull tij do të ishte një vepër dinjitoze, e cila do t’ia shtonte vlerat artit teatror shqiptar”.

 

 

 

FERDINAND HYSI, Dramaturg:

 

Teatri duhet të ruhet, thjesht si muze

 

“Teatri Kombëtar për mua, nuk duhet prishur. Me një rikonstruksion, ose të mbetet muze, ose teatër i një historie vlerash, ku të ketë repertorin e vet. Dhe në këtë funksion,  njëkohësisht edhe ndërtimi i një teatri të ri me të gjitha parametrat e duhura, duhet të jetë prioritet sa më i afërt, e natyrisht, jo aty. Ai teatër ka vlerat e tij historike, muzeale dhe mendoj që duhet të ruhet. Thjesht muze. Mbase kështu të gjitha palët do të bien në një mendje”.

PËRPARIM HYSI, Shkrimtar:

 

Aktorët kolliten politikisht. Nuk po u heqin profesionin

 

“Mos pyet fare. Është si një fshat që duket dhe nuk do kallauz. Ku është gjendur kund, të pyeten nëpunësit, ta bëj apo mos ta bëj një ndërtesë të re?! Ata, aktorët, janë nëpunës si të gjithë ne. Unë duhet të protestoj pse prishën shkollën e vjetër. Aktorët kolliten politikisht. Nuk po u heqin profesionin. Po u presin kostume të reja dhe ata protestojnë se “me rroba të reja i marrin mësysh”! Ja,kështu, more mik. Ky është mendimi im dhe kaq!”.

 

 

 

BASHKIM KOZELI, Dramaturg:

 

Të ndërtohet i ri, duke ruajtur si muze kujtesën e së shkuarës

 

Të ndërtohet një teatër i ri dhe brenda atij mjedisi, të ketë edhe një muze me maketin e ndërtesës së dikurshme dhe me relike, dokumente, foto drejtorësh, apo edhe të autorëve që u janë vënë dramat në atë teatër, botime dhe tekste dramash të vëna në skenë me platformat e tyre regjisoriale, me foto ose buste të aktorëve më të shquar, etj, etj. Ai Teatër Kombëtar ka historinë brenda, por në atë gjendje nuk mund të ecet më tej. Koha kërkon zhvillime dhe modernizime. Të ndërtohet i ri duke ruajtur si muze brenda kujtesën e së shkuarës.

 

 

 

NIKOLIN GURAKUQI Regjisor:

 

Politizimi i skajshëm, po e dëmton çështjen

 

“Çështja e teatrit është shumë e komplikuar dhe arsyet e vërteta gjithmonë mbeten pa u zbuluar. Tirana e meriton një teatër të ri kombëtar të prozës. Por ky teatër nuk duhet të prishet, por të rikonstruktohet dhe të bëhet muze për vlerat historike që ai mbart. Teatri i ri të ndërtohet diku tjetër. Problemi është se politizimi i skajshëm, po e dëmton çështjen. Në Shqipëri, edhe algat e detit politizohen”.

 

 

 

ÇLIRIM HOXHA Shkrimtar, dramaturg:

 

Nuk mund të mbahet më një karakatinë ushtrie

 

“Mendoj se nuk mund të mbahet më në këmbë një karakatinë e kapanoneve të ushtrisë italiane, në afërsi të një sheshi modern si Sheshi “Skënderbej”, pedonales, apo objekteve të tjera. Godina e teatrit ekzistues kombëtar duhet të shembet dhe t’i hapet rruga një godine bashkëkohore shumëfunksionale.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :