Data : 20 07 2018
KryeTitujt :

Dashuri, dhimbje, enigma – tregim Nga Albert Z. ZHOLI

Dashuri, dhimbje, enigma

Albert Z. ZHOLI

 

Ai çapitej në lagjen e tij të vjetër duke parë gjithçka me kërshëri. Pallati i shkrimtarëve kishte mbetur e njëjta ngrehinë, dhe pse ishte lyer me ngjyra. Sinani u ndal në cep të trotuarit dhe hodhi një sy rreth e qark. Në atë hapësirë të padimensionuar, përballë trotuarit ku ai vendodhej, kohë më parë më parë shtrihej mapoja e madhe e kryeqytetit dhe një sërë dyqanesh që tani nuk kishin më as nam e nishan. Dalloi një tabelë ku shkruhej fjala disko dhe për një copë herë u hamendësua në idenë e këtij vendi ku harlisej rinia, dhe ndërsa nuk po e lidhte mungesën e një ndërtese, krejt papritur i erdhi në mendje se mund të ishte nëntokë. Pak më tutje dalloi Teqenë e vjetër, me disa mure të ngjyera me të verdhë nga lëngjet e shkarkimeve njerëzore në natyrë, dhe më pas një hapësirë e paanë me bar të shkretuar dhe me disa pemë të thara që tek tuk ishte shkretuar e thartuar si s’ka më keq. Pas shumë përfoljesh nëpër gazeta, televizione dhe organika politikanësh ishte mbyllur dhe gropa e Hajdin Sejdisë duke hequr mbeturinat e kioskave por duke i dhënë një pamje jo të hijshme një prej zonave më të rëndësishme të kryeqytetit. Dikur në atë vend shtriheshin disa pallate të vjetra ku banonin familje të tëra varfanjakësh, të ardhur në Tiranë gjatë viteve të para të pasçlirimit.

Instinktivisht nisi të kruante kokën. Në atë vend kishte shumë ngjarje, shumë ndodhi, por ai shpërvoli disi buzët sepse kishte ndërruar çdo gjë. Hodhi sytë në anën tjetër të rrugës së gjerë ku shtriheshin nëntë katëshet, të zhytura në atë ngjyrën gri dhe psherëtiu. Makinat viheshin në radhë pas njëra tjetrës në rrugët e sapoasfaltuara dhe njerëz të zinte syri pak. Asgjë nuk i erdhi ndesh dhe pse atë ditë, si për dreq kishte dalë kastile nga ato anë, ndoshta i zhgënjyer nga ajo jetë e përditshme, gjithnjë e mbushur me të njëjtat rite pse jo dhe nga një dëshirë e fortë për ti ndodhur diçka. Ishte po ai Sinan, me trup të drejtë, shpatulla të gjera, pa bark, me hundën e drejtë dhe pak kockëmadhe, me mollëza të dala mbi faqet e ngrëna. Nuk mbante syze, përveçse për të lexuar gazetat ose ndonjë libër kujtimesh. Gjithnjë një burrë i mbajtur mirë, me këmbë të drejta, i veshur me pantallona teritali të hekurosura dhe me një këmishë të futur me kujdes nën pantallona. Flokët i ishin thinjur disi, por nuk i kishin rënë. Në atë bluarjen e tij të mendimeve, mendoi se kishte pritur shumë. Në vendin e tij, pikërisht aty ku dikur shtrihej pema e tyre, nuk iu përplas askush. Ai thithi për pak ajrin e rëndë dhe ndjeu në hundë gudulisjen e pluhurit. “Smog nga të gjitha anët!” Tha me vete dhe bëri të lëvizte. Ndaj dhe nxitoi hapat dhe u ndal pak metra më tutje, përballë lagjes së tij të vjetër. Hyrja e rrugicës kishte ndërruar dhe aty ku dikur kishte qenë e famshmja librari “Flora” shtrihej një varg dyqanesh të vjetra që kishin ndërruar destinacion. Çfarë nuk ishte thënë e stërthënë për atë kafe dhe Sinani që ishte banor autokton e dinte mirë se aty ishte bërë punë e madhe nga njësitet guerile dhe banorët e ruanin atë vend si dritën e syve. Aty kishte nisur celula e komunizmit, që ata djem të rinj me mustaqe të pa dirsura e kishin përqafuar me guxim dhe vetëmohim. Kohët e fundit historia që ai e kishte jetuar mbi vitet e tij, gjoja kishin marrë këndvështrime të reja, por Sinani, si burrë me shumë vite mbi shpatulla e dinte se stërhollimet nuk i shërbenin askujt përveçse politikës për të tërhequr vëmendjen e mosrealizimit të premtimeve të tyre me histori boshe të së kaluarës, që tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik për tu sorollepsur nga hallet e ditës. Atje ku më parë ngrihej “Flora” vërejti një dyqan që tregtonte fustane dhe shallëra indianë, të reklamuar në xhama me një çmim të lirë 500 lekë copa, ngjitur tij një dyqan fotografish dhe më pas një kafene. Pjesa tjetër ishte një dyqan pantallonash dhe ai me ulje drastike dhe vazhdimi ishte një ndërthurje dërrasash. Ndërsa e vështroi atë kapërthitje të thurur drunjsh, menjëherë i shkoi nëpër mend se aty duhet të ishte hapur ndonjë gropë për tu ndërtuar ndonjë nga ato binatë kolektive, që të merrnin mendjen me çmimet e larta që kishin. Pak më tej dalloi dy pallate të sapolyera me disa ballkone të vegjël, ku vazot me lule ishin të rralla dhe rrobat e nderura nuk dukeshin gjëkundi. Dalloi strukturën e tyre mendjemadhe dhe iu duk se këto ndërtime me kryelartësinë e tyre i bënin karshillik 15 katëshit, i cili në krahasim me ndërtesat e larta që ishin ngritur këto vite dukej se kish humbur sharmin e vet. Anash gjarpëronte rruga e vjetër ku dikur kishte jetuar ai bashkë me Florikën, në të njëjtën lagje. Kishin rrjedhur shumë vite që atëherë. Dhe rruga që më parë ishte e mbushur me pemë dhe me mure qerpiçi tashmë ishte gërryer dhe si një qilim i vjetër nuk dallohej dot se ku kishte asfalt dhe ku mbaronte kalldrëmi i Italisë. E pa veten ti fliste vetes:“Eh, more Sinan, si kanë ndërruar kohërat. Aty ku vite më parë kishte qenë lagjja më e njohur e luftës, tashmë ishte kthyer në një kantier ku gëlonin apartamentet luksoze”. Ai hodhi sytë me pikëllim në atë vend ku kishte kaq shumë kujtime në jetën e tij, por ai vend s’ishte më. Ajo mëhallë ishte fiksuar rreth ndërgjegjes së tij, në një film kujtimesh të ëmbla. Iu kujtua rendja e tij dhe vërtitja e flokëve të Florikës me atë serbesin e saj kur i kalonte para portës dhe u përlot. Në gjoks ndjeu një cimbisje nga ato që i ndodhnin shpesh njerëzve me namuz. Dhe udhëtoi thellë në kohën e tij. I ati i tij kishte lindur në një nga fshatrat e Tiranës, në Baldushk, dhe kur ai ishte në jetë Sinani çuditej me lotët e të atit, kur ai prekte pragun e fshatit dhe merrte një grusht me dhe nga toka e tij. Atëherë i vogël dhe i paformuar i dukej i çuditshme se si njeriu mund të qante kaq shumë për një grusht dhe, nga ai që kish shkelur sepse me botën e tij fëmijërore mendonte se dhe kishte sa të duash kudo dhe ngado. Gjithë dheu i dukej njëlloj. Por atëherë nuk e kuptonte dot rëndësinë e vendit ku lind, atij copë dheu që duket se mbart dashurinë e jetës tënde, lotët e fëmijërisë, zbulimin e botës, afshin e dashurisë, puthjen e nënës dhe ëndrrën për të qenë dikush.

Kish humbur gjithçka nga identiteti i tij material. Ai në përgjithësi e quante veten si një njeri që e donte ndryshimin, por ky revolucion betoni nuk i pëlqente shumë, dhe kjo jo vetëm për faktin se ishte lagja e tij e vjetër. Aty ishin kujtimet e tij, jeta e prindërve të tij, e njerëzve që kishin përbërë jetën e tij. Aty çdo pemë kishte një ngjarje, një histori. Dhe pemët kishin humbur pa nam e nishan, ashtu si ishte çrrënjosur dhe pema e tij. U Trishtua. Në moshën e tij e dinte se “Njeriu është natyrë. Nëse e shkëput nga natyra ai vdes”.

Iu mbushën sytë me lot dhe një lëmsh iu mbështoll në kraharor.

-Mos kërkon ndonjë shtëpi që sillesh kështu vërdallë,-e pyeti një shitës çikërrimash që rrinte në cep të rrugës dhe ishte mbështetur në dyqanin e këpucëve. Këtu ka shkuar metri katror mbi 1500 euro. Është lagje shik, kjo mor xhaxha, nuk është për pensionistët dhe hallexhinjtë, megjithëse ti më dukesh mirë kështu si nga pamja. Sot nuk i dihet se kush ka para! Mund të kesh ndonjë djalë biznesmen…

-Nga kjo lagje je? E pyeti Sinani.

-Jo, xhaxha jam ardhacak i demokracisë. Si thoshim ne dikur, jabanxhi. U bënë gati 15 vjet që jam në këtë vend. Kam blerë një shtëpi të keqe që atëherë, aty ku është hapur kjo gropa dhe tani jam me qera tek rruga “Siri Kodra”. Sa të mbarojë pallati dhe do shpëtojë dhe unë nga fukarallëku. Atëherë nuk do të dalë më të rrijë jashtë në mes të shiut dhe të vapës, po do rrijë në dyqan dhe do shes. Do bëhem dhe unë Lamja, si gjithë të tjerët.

-Paske qenë me fat. Unë banoja më përpara në këtë lagje. Ja ku janë ngritur ato pallatet. Atëherë na i shembi qeveria shtëpitë private dhe ndërtoi pallate me punë vullnetare. Kam shumë mall për këtë vend, se është pikënisur jeta ime.

-Sa gjynah, mor xhaxha. Ta kishe tani shtëpinë, do fitoje. Atë kohë i merrnin shtëpitë për një copë bukë. Unë për vete e kam blerë dy milion lekë, dhe tani fitoj një apartament dhe një dyqan që kushtojnë rreth 200 milion lekë. Kisha pak shtëpi, por bereqavez. Fitoj dhe një dhomë e kuzhinë dhe një dyqan të vogël. Jam i kënaqur. Unë kam ardhur nga Tepelena dhe të bëhem me një shtëpi në mes të Tiranës ka qenë një ëndërr për mua. Jo të gjithë e kanë këtë shans. Fëmijët do më falënderojnë që i dhashë një shtëpi në qendër, se për këto fëmijë punojmë dhe përpiqemi.

-Nga je?

-Nga Turhani, një fshat i Tepelenës.

-E njoh, e njoh se kam qenë në ato anë, kur luftonim në mal. Më kujtohet që ka patur një teqe dhe një shkollë të vjetër. Vende të egra ato zona. Mezi ushqeheshin dhitë. Por vend burrash aman, burra trima.

-Eh more xhaxha! Janë bërë tani shkrumb! Nuk gjen më këmbë fshatari. Dhe ato që kanë mbetur, janë të këputur. Nuk kanë gjetur mbështetje, se përndryshe nuk rrihet më në fshat. Vdes për bukë. Por shyqyr janë të paktë fukarenjtë andej, se kanë ikur të tërë në Greqi e shumica kanë zbritur në zonën e Durrësit dhe të Tiranës. Ç’të bënin më atje, nuk ka më bujqësi dhe miniera u mbyll. Mbetën pa bukë të zinjtë. Kurbeti i mban. Shyqyr që bënë shumë fëmijë dhe tani i shohin hajrin.

Sinani u kapërdi sikur të përtypte të keqen që i flinte brenda shpirtit.

-Eh more bir, se mos vetëm ju. Edhe unë jashtë i kam. Ishin në mes të Tiranës, me shkolla e me profesione dhe prapë ikën nga sytë këmbët. Nuk u pëlqen më të rinjve Shqipëria. Kur ikën njeriu nga vendi i tij, mbjell ters! Unë për vete kështu e mendoj, po hajde e mbushi mendjen fëmijëve! Donin të njihnin botën e huaj. Epo të vesh në derën e dushmanit, se di! Unë për vete jam mirë këtu në vendin tim. Më merr malli, dal një copë herë dhe bëj muhabet me miqtë dhe më pas kthehem pranë gruas sime. Ne jemi kavardisur gjithnjë me këto që kemi. Por kemi pasur harmoni dhe dinjitet. Jetën e kemi bërë gjithnjë sit ë tjerët. Shyqyr që kam gruan, se fëmijët nuk i ke më për vete.

-Ç’fëmijë ke? E pyeti burri rreth të pesëdhjetave, me një fytyrë të nxirë nga dielli, ku dalloheshin ca tipare të imëta në fytyrën e mprehtë.

Sinani u përtyp përsëri dhe u drejtua si me urdhër. Pastaj sikur të nxirrte një duhmë nga shpirti i tha:

-Kam tre djem. Në të gjithë botën janë degdisur. Nuk i shohim me sy, vetëm me telefona. Kjo është koha e kiametit. Të mos shohë babai birin e vet. Ja çmallemi me fotografitë që i kemi ngjitur në gjithë shtëpinë.

-Eh more zotëri. Kjo Shqipëria halleshumë dhe kurbetin kishte mangët. Unë për vete kam qenë në kurbet, në Greqi, në Follorinë. Në fillim të demokracisë. Punoja në minierë dhe kur u mbyll miniera u gjendëm pa punë dhe pa para. Dhe kështu ia mbatha. Ditë e net të tëra u nisa për në male dhe arrita t’i fshihesha ushtrisë dhe të gjeja një punë në fshatrat e Follorinës. Me çfarë nuk u mora atje e ullinj, me ndërtim, me hapje kullotash, me dele e gjithëfarsoj. Por aman me punë të ndershme. Sa bëra ca lekë u ktheva dhe bleva këtë të shkretën shtëpi se nuk e duroja dot largësinë me familjen. Doja të isha pranë çiliminjve. Kurbeti është për djemtë e rinj. Po dhe këtu jeta është shtrënguar shumë. Ndaj duan të ikin të gjithë. Pa drita pa ujë. Ndonjëherë dhe mua më mbushet mendja se kam bërë gabim. Atje të paktën nuk vdes për bukë, ndërsa këtu njerëzia po robtohet.

-Ke të drejtë. Ne pensionistët po heqim picirin e zi. Kohëra shumë të vështira.

-Ju pensionistët jeni rehat, se i merrni lekët dhe kullandriseni. Po ne që nuk kemi rrogë dhe çdo ditë vrasim mendjen ç’të hamë. Nuk kam një ditë pension pasi erdhi demokracia se gjithnjë kam bërë punë të zezë. Punoj dhe ha. Ja unë dal këtu gjithë ditën dhe mezi nxjerr një dy mijë lekësh. Çfarë të blesh më parë për fëmijët. Po shyqyr që më doli kësmeti se kam qenë gjithnjë njeri i ndershëm dhe i mirë. Më pa zoti! Të tjerët rrinë tek sheshi dhe i luten njerëzve ti japin një kafshatë bukë. Kalo tek Ushtari i Panjohur dhe kuptosh varfërinë e shqiptarëve.

Sinani i buzëqeshi dhe e përshëndeti “shitësin ambulant. Në fakt gati sa nuk nxori shprehjen që e përdorte gjithnjë:”Këtë deshët dhe tani përshtatuni!” që në përgjithësi ua thoshte më të rinjve. Edhe pse tepelenasi nuk ishte dhe aq i ri sat a meritonte, por gjithsesi nuk e kuptoi dot se ç’përkatësi politike kishte. Sepse e dinte nga përvoja që po të ishte ndonjë demokrat do hapte një diskutim të gjatë që askush nuk do i nxirrte fundin, dhe mund ta fuste veten dhe në telashe. Ndaj preferoi të largohej.

-Do shkoj pak më tej! Mos takoj ndonjë shok të fëmijërisë. Mirupafshim! Gjithë të mirat!

-Ditën e mirë!

Pasi e përshëndeti Sinani u drejtua në brendësi të lagjes. Rruga akoma nuk ishte shtruar dhe në mendje i vinte ajo lagjja e dikurshme e mbushur me shtëpi të vjetra tiranase të mbushura me dritare prej dërrase ngjyrë mjalti, të gjitha të lidhura me njëra tjetrën. Avllitë e mëdha të mbushura me rrush me erë, mëllagat që mbulonin gjithë oborret, trëndafilat e bardhë dhe të kuq dhe era e kokovileve mbi portë tashmë kishte perënduar nga ai realitet i fëmijërisë së tij. Asfalti ishte shqepur dhe poshtë tij dilnin disa gurë të lëmuar që dikur kishin qenë kalldrëmi i rrugicës së tij. Kalldrëm që ishte shtruar që në kohë të Italisë. Aty në atë vend ai kish qarë për herë të parë kur i ishin rrjepur gjunjët, kishte lozur me një top të madh prej lecke, kish shkuar në shkollë me rroba të arnuara. E megjithëse kishin kaluar më shumë se 60 vjet ai e ëndërronte si periudhën më të bukur të jetës. Një periudhë e shkujdesur ku dëshira për të ndenjur pranë të tjerëve ishte fitore e madhe mbi jetën. Solli ndërmend rrugicën e tij me xhajë Shabën që shiste lule tek porta e tij prej druri, xhajë Muharremin që shiste sheqerka dhe karamele gjela dhe nënë Havanë që dilte tek porta dhe me tepsi të madhe shiste hurmat e pjekura të oborrit të saj. Ato gra të mbuluara me meriman të bardhë asokohe i dukeshin si meleqe dhe në vesh i erdhi shprehja e tyre :”Hë të keqen nona, po shkon në shkollë. Lum Havaja që iu bëre çun i mirë”. Nënë Havaja kishte qenë nëna e tij e shtrenjtë, që ishte ndarë nga jeta pak vite pas luftës. E kujtonte gjithnjë kur e ndiqte nëpër oborr, me ato fetat e bukës prej gruri të lyera me sheqer e me ujë, dhe ai një fëmijë topçe pasi e kapërdinte menjëherë fetën e bukës, i thoshte ti sillte dhe një tjetër. “Aman more bir sikur të ndjek dushmani nga pas e ha këtë bukën”, qeshte ajo dhe vraponte ti bënte bukën tjetër. I ati, me kostumin e tij të ngjitur pas trupit dhe me këpucë prej lëkure që ulej në verandën e shtëpisë e pinte kafenë, i thërriste duke i dhënë ndonjë lek për të blerë sheqerka. Iu kujtua sesi ikte tërë qejf me shokët dhe gjithë ajo rendje e shëndetshme në një lagje që nuk do mund të kthehej kurrë ashtu siç ishte, veçse në kujtimet e tij. Babai i tij kishte vdekur herët duke e lënë të ëmën në një moshë të re, me fëmijët që akoma nuk ishin bërë të zotët e vetes. Lufta i bëri ata guerrilasit e vegjël të bëheshin burra pa e gëzuar fëmijërinë e tyre, sepse për ta atdheu ishte gjëja më e shtrenjtë. Një pikë lot iu derdh në sy, Sinanit, që sot akoma e ruante ecjen e tij të ngadaltë të menduar, që i ishte rënduar pakëz nga mosha. Iu kujtua Luani, vëllai i tij i madh që e mbronte gjithnjë para shokëve dhe që i cingërritej shokëve të lagjes:”Mos e ngacmoni Nanin se e kam pikë të dobët!”

I vëllai që kishte dhënë jetën e tij që ai bashkë me gjithë shqiptarët të jetonte i lirë. Mendoi sakrificën e madhe që kish bërë i vëllai dhe shumë dëshmorë dhe u ndje pak keq që atij i kish rënë fati i madh të jetonte shumë dhe të mbahej mirë dhe pse po shkonte tek të shtatëdhjetat. Duke patur gjithnjë disiplinë ai ushtronte veten çdo ditë. Hante pak, nuk pinte duhan dhe pinte rrallë ndonjë kafe. Bënte çdo ditë fizkulturë dhe ecte për kilometra të tëra nëpër Tiranë duke kujtuar çdo detaj dhe çdo pjesë të vendit ku kalonte, që gjithnjë mundohej ta lidhte me ndonjë histori që mund ti kishte ndodhur në jetën e tij. Prej kohësh i kishte shkuar në mendje që jetën e tij ta hidhte në një letër. Kur ia kishte thënë Florikës, ajo ish habitur duke i thënë:

-Nuk e di Sinan nëse ne kemi ndonjë jetë ndryshe nga të tjerët. Mendoj se ka qenë një jetë si të gjithë. Të gjithë moshatarët tanë kanë qenë partizanë. Mendoj se historia e atyre që dhanë jetën ia vlen të shkruhet, jo kjo e jona.

Por motra Dallëndyshja, që ishte tejet e lidhur me të vëllanë ia kishte mbushur mendjen të shkruante jetën e tij.

-Ti Sinan, je një njeri i jashtëzakonshëm. Unë nuk besoj se historia jote është e ngjashme me atë të të tjerëve. Ti je një njeri që ke jetuar në shumë kohë, dhe të shkruash jetën dhe historinë tënde, besoj se do i shërbej dhe të tjerëve. Jeta shqiptare po ndryshon, dhe do vijë një kohë kur të rinjtë nuk do e kenë më idenë se çfarë kanë bërë paraardhësit e tyre. Askush nuk e di se si ka qenë Tirana jonë, si ka ndryshuar ndër vite dhe nga ndryshonim ne nga brezat e mëvonshëm. Unë do jem shumë e lumtur nëse e ndërmerr këtë hap. Më pëlqen që të shkruash dhe historinë e vëllait tënd që dha jetën për liri. Bëje të keqen motra se je njeri me shkollë!Të kujtohet nëna jonë, që gjithnjë thoshte se ti do bëheshe njeri i madh!

…Dhe në fakt prej pak muajsh ai kishte nisur të hidhte në letër të gjitha kujtimet e tij, duke kujtuar me detaje ngjarjet e luftës dhe mënyrën si ai i kishte përjetuar. Ishte krejt ndryshe nga ato që thuheshin lart e poshtë. Prej kohësh ai lexonte shtypin e ditës, dhe çuditej me të rejat historike që nxirreshin tani në shesh, dhe pse ndonjëherë nuk ishte dakord me interpretimin e ngjarjeve. Ndaj mendonte se libri i tij do të ndiqte një strategji jetësore. Do ndiqte strategjinë e të vërtetës. Ai do ndalej në eksperiencën e tij, pa u munduar të bënte demagogji dhe mbi të gjitha politikë. Ai do të përcillte jetën e shqiptarëve të ndershëm që mbi të gjitha donin atdheun e tyre, sepse në ditët e sotme të rinjtë nuk e konsideronin si një lidhje të fortë piskamën e atdheut të pushtuar. Dhe e vërteta e tij do mund ti shërbente gjithë atyre njerëzve të rinj të atdheut të gjenin seriozitet dhe mirëkuptim tek paraardhësit e tyre.

-Mos je gjë Sinan Drini?

E pyeti një burrë i moshuar ndërsa ishte kredhur në mendimet e tij. Burri ishte ulur në një karrige në një birrari që binte në rrugë.

-Ti më duket se je Ramazan Gjashta?

-Po,- iu përgjigj burri që tani duhet ti kishte mbushur të tetëdhjetat. Ulu të pish një kafe, se ka kohë që nuk jemi parë.

-Me thënë të drejtën isha nisur për diku tjetër, – i tha Sinani, dhe tjetri e kuptoi që donte ti bishtnonte takimit me të.

-Mos ki merak Sinan vëllai se nuk do ngatërrohemi për punë politike. Më së fundi i kam ulur dhe unë gjakrat dhe nuk më bën më përshtypje. Tani jemi bërë të gjithë njëlloj, të gjithë të zhgënjyer. Ti kujton se unë kam mbetur ai Ramazani i dikurshëm, që shante partinë e Enverit dhe që u tret nëpër burgje. Jo më të keqen vëllai, se dhe ju ishit komunistë të ndershëm. Nga ta dinit ju se çfarë do bënte ai katili. Sidomos për ty kam respekt se ke qenë njeri i mirë dhe si ke bërë keq kujt!

Sinani u përtyp. Ramazani kishte bërë gati njëzet vjet burg sepse i vëllai kishte qenë nëpunës në kohën e Zogut dhe ishte pronar i madh tokash në lagjen e tyre. Pasi ishte futur në burg, gruaja e kish lënë dhe gjithë familja ishte degdisur në një fshat të Fierit, duke vuajtur të zitë e ullirit.

-Ç’ne këndej, apo të morri malli për lagjen tënde? E pyeti burri duke pirë ndonjë gllënjkë nga gota me raki që kishte përpara.

-Thashë të dal njëherë. Më merr malli për lagjen e fëmijërisë time. Më duket sikur takoj të shkuarën time. Po kanë ndryshuar shumë gjërat dhe këtu.

-Është bërë hataja. Nuk ka mbetur shumë nga lagjja e dikurshme. Edhe kinemaja 17 Nëntori iu kthye pronarëve dhe u shit. Tani gjithë pronarët e vjetër e kanë mendjen vetëm të shesin toka dhe të morrin pallate. Nuk e ka mendjen më njeri me mbajt shpijat e mëparshme.

-Të paktën ty o Ramazan të erdhi dita tani. Je bo me pare dhe me shtëpi, se ti ke pasë shumë.

-Akoma nuk i kom marrë të gjitha, more Sinan! Foli plaku. Ndaj dhe vij të mbyll trutë me raki që të mos marr kot dhe të shkoj ti hedhë ndonjë bumje kësaj qeverisë së sotme. Po favorizojnë malokët dhe katundarët nga janë e nga s’janë dhe pronarët e vjetër po i bëjnë të ngordhin nga uria. Unë që kam 500 dynym tokë nuk ma japin se më quajnë pronar të madh dhe ma kanë zaptu gjithë fermën malokët e Tropojës. Ky është kulmi more Sinan! Ishte më mirë kur s’kishte asnjoni dhe u kalbnim në burg. Atëherë të paktën e dishim se ndaj kujt ta kishim inotin, ndërsa tani nuk di kujt t’ja vesh. Si socialistët dhe demokratët një *** janë të gjithë. E kanë hallin e votës dhe na kanë diskriminu ne pronarët. Na thonë çdo ditë:Prit gomar të mbijë bar. Kur të vdes unë, atëherë do na japin kompensimin. Po merr ndonjë gjë…se u harrova me hallet e mia, tha plaku duke ia bërë me shenjë kamerierit.

-Një kafe desha, porositi Sinani.

-E ç’qenka kjo jetë, more Sinon vëllai. Për mua paska qenë shkrujtë keq e më keq. Gjithë jetën në burg dhe tani më burg se biruca e Enverit. Më shkoi jeta qerime!

-Me kë po jeton? E pyeti burri duke ia qarë hallin.

-Ja, kam marrë një nip të largët. Kështu më mbajnë mirë, se kanë interes. Nuk gëzova asgjë. Megjithëse në këtë moshë që jam unë dhe lekët nuk më bëjnë fajde. Kam bredhur nëpër botë po tani s’më gëzon asgjë. Kam një si duf brenda shpirtit që vetëm rakia ma shëron. Mos deshe dhe ti ndonjë gotë?

-Rrofsh, po nuk e pi. Më bën keq.

-Ai nigjove dje në lajme se çfarë thoshin:do i kompesojnë të dënumit për 8 vjet dhe me nga dy mijë lekë në ditë. Unë që kam kalu njëzet vjet në dhe, do më japin dy lekë dhe gjoja do më shpërblejnë me kaq. Unë o Sinan vëllai, nuk dua lekë, dua rininë time. A ka qeveri që më pagon rininë dhe jetën se atë më kanë vjedhur. Më duket vetja se nuk kam qenë kurrë i ri. Sikur kam qenë gjithnjë plak, gjithnjë me halle dhe me dufe. Maskarenjtë e dreqit, edhe për të na vlerësuar nuk dinë. Ku ta gjejë rininë more Sinan, se e dija unë ç’të bëja!

Për ti vënë kapak kësaj punës së pronave Sinani e pyeti plakun përballë se kush rronte akoma në këtë lagje.

Ramazani i tregoi se hasëll-hasëll në atë lagje kishte vetëm dhjetë familje të vjetra tironase nga ato autoktonët, dhe se këtë vit kishin vdekur pesë vetë, që në familjen e Çelëve kishte ndodhur një aksident djalit në emigracion dhe e kishin sjellë të vdekur nga Greqia. Kish rënë i ziu nga skela. Ishte bërë një varrim madhështor. Më pas nuk la pa i përmendur se këtë të diel martohej vajza e Bari Fugës me një gjerman që e kishte njohur në shkollë, kur bënte masterin dhe se djali i Tones ishte bërë me katërnjakë, gjë që kishte çuditur lagjen. Të gjithë familjet e vjetra ishin bërë bashkë dhe i kishin bërë një dhuratë për fëmijët, sepse kish qenë një gëzim i madh që lagjja e tyre e vjetër të bënte 4 djem menjëherë. I tregoi gjithashtu se në familjen e Fugajve kishte hyrë sherr i madh mes vëllezërve për punën e pasurisë. Të gjithë familjet e vjetra të lagjes që kanë prona nuk flasin me njëri tjetrin dhe kanë sherre pasurie mes tyre, sepse akuzohen se kanë bërë me hile në pasuritë që i takonin. Një natë, nja dy muaj më parë për fat që i kishin shpëtuar një tragjedie vëllavrasjeje. Është tu o bo nomi, more Sinan, tu u vra vllau me vllanë, për lekë. Më pas plaku u kujtua ta pyeste për të shoqen.

-More Sinan si e kam Florikën?

-Mirë është. Si gjithnjë nën kontrollin e mjekut dhe me ilaçe, se ti e di që ajo gjithnjë ka vuajtur nga tensioni i lartë dhe nga zemra. Me ankesa e shtyn, por në përgjithësi mbahet.

-Pate fat me të. Vajzë e mirë Florika. Është rritur para syve të mi. Tundej lagjja kur ecte ajo. Do merrni gjë nga pasuria e saj, se Florikës duhet ti takojë ndonjë gjë, apo jo? Kanë patur goxha troje.

-Jo more Ramazan. Florika bashkë me motrën e saj ia kanë dhuruar tokën të vëllait dhe nëse ai do ta japë shtëpinë për pallat do i takojë apartamenti vetëm atij. Florika ishte shumë e lidhur me të, dhe nuk ka menduar kurrë për të ndarë pasurinë. Ia ka dhënë firmën që kur filloi demokracia, dhe nuk e kemi diskutuar më kurrë këtë gjë. Ne kemi plot shtëpi. Ç’na duhet neve! Djemtë jetojnë jashtë shtetit dhe ne e kemi boll dy dhoma e kuzhinë. Shyqyr zotit i kemi në vend të mirë, dhe çoku dalim ndonjëherë të dy bashkë andej nga liqeni.

-Vetëm me pension jetoni? Nuk ju ndihmojnë ndopak djemtë?

-Me thënë të drejtën kullandrisemi vetëm me pension. Nuk i kemi kërkuar kurrë atyre. Ti je njeri i bredhur dhe e di që emigracioni nuk është i lehtë për tu përballuar, sidomos për njerëzit e ndershëm. Nuk jemi nga ato prindër që shfrytëzojmë djersën e fëmijëve.

-Eh more Sinan mbete gjithnjë drejt e drejt. Dhe pse je komunist përsëri kam shumë respekt për ty. Ta shpërblefshin fëmijët me të mira e begati! Tu shtofshin ishalla, se je njeri i mirë! Po erdhi kohë qameti!

Ramazani u ngrit nga karrikja.

-Duhet të largohem se erdhën dritat dhe do të shkoj të lahem. Shyqyr që erdhën njëherë në kohën që vjen uji. Këto dritat na çmendën. Ngelëm gjithnjë shqiptarë halli! Ne kena pas drita dhe në birucë dhe tani që kemi lirinë përdorim qirinjtë, hajde demokraci ta lumsha synin! Të ma përshëndesësh shumë Florikën dhe ti bësh të fala nga Xoni. Hajdeni ndonjëherë nga shtëpia ime. Fundi i fundit kemi nisur të rrallohemi dhe pak vjet na ka mbetur për të jetuar. S’do marrim gjë me vete Sinan. Ndaj është më mirë të japim më të mirën që kemi. Ne të paktën kemi pasur njëri tjetrin, këta djemtë e rinj nuk duan as veten! Tha ai, duke e pllaquritur fort e duke u larguar.

Sinani u çudit me sjelljen e Xonit. Dhe zemra i parandjeu diçka të ligë. Ishte i bindur që nuk do e shihte më atë njeri. Përpara disa vitesh kur e kishte ndeshur në një takim veteranësh, ishin kapur keqazi për politikën. Si i përndjekur politik që ishte, Xoni e kishte cilësuar para miqve të tij si kriminel, bashkë me të gjithë partizanët e tjerë duke u shprehur se këta të fundit sollën vëllavrasjen në Shqipëri. Asokohe ishte ndjerë shumë keq. Edhe pse biseda të tilla ndodhnin shpeshherë mes partizanëve, nacionalistëve, ballistëve, ish të burgosurve e familjarëve të të pushkatuarve. Një lëmsh historik ku askush nuk njihte më identitetin e tij. Në të gjitha bisedat që ai kryente me miqtë e tij ndjehej refleksioni për një kohë që nuk do të ngjallej kurrë më. Ai ishte koshient që ishin bërë dhe gabime. Të paktën duke i parë me sytë e kohës. Ishin futur në burg shumë intelektualë të ndershëm që kishin punuar në institucionet e kohës së Zogut, u ishin marrë pronat e stërgjyshërve dhe më pas ishin dënuar. Ishin eliminuar kuadro të përgatitur dhe njerëz me kontribute. Por gjërat zhvilloheshin në rreth të mbyllur dhe nuk i dinin. Demokracia po nxirrte variante të reja, dokumente, dëshmi, tragjedira. Sot ai e ndiente këtë si një faj personal. Duke ndjekur vijën e partisë kishin harruar vlerat e njeriut dhe ishin bërë njësh me sjelljen kolektive. Atij iu kujtua Xoni kur kishte dalë nga burgu. I kishte ardhur dhe në ndërmarrjen ku ai punonte për të gjetur një punë se kish mbetur rrugëve. Por nuk kishte mundur të bënte gjë, sepse të gjithë kuadrot e zyrës së punës e kishin kundërshtuar marrjen e një të dënuari në punë. Kjo gjë i rëndonte më shumë Sinanit që gjithë jetën ish munduar të vepronte sipas parimeve. Dhe pse ishte i sigurt se brenda kontekstit ku ato jetuan personalisht, kishin qenë njerëz të mirë dhe kishin shpëtuar vendin nga dushmani. Ai kishte mall për rininë e tij. Për atë kohë kur njerëzit derdhnin gjakun e tyre për atdheun, për atë kohë ku idealet ishin të mëdha, kur shoqëria kishte ëmbëlsinë dhe besnikërinë e jashtëzakonshme, ku dashuria ishte e tillë dhe nuk ngatërrohej kurrë me tradhtinë, ku jeta kishte halle, probleme por dhe lumturi të mëdha. Për atë kohë kur të gjithë ishin njëlloj. Ai së bashku me Florikën kishin bërë një jetë shumë të bukur. Një udhëtim jete i mbushur me shumë gëzime e begati. Kishin udhëtuar në çdo cep të Shqipërisë, kishin shkuar në aksione, nëpër zbore dhe detyra kolektive ku i caktonte partia. Shoqëria mes tyre kish qenë e sinqertë dhe idealet kishin të mëdha. Në atë kohë nëse do i bëhej një thirrje ai do shkonte me gjithë dëshirën e tij të mbronte kufirin e vendit të tij, të mbronte idealet e mëdha të marksizëm-leninizmit dhe Florika nuk i shpërvilte kurrë buzët. Dhe pse ishte një vajzë qyteti ajo ishte e thjeshtë dhe i përshtatej çdo vendi ku ata shkonin. Kishte pasur fat me atë grua, që asnjëherë nuk e kishte kundërshtuar, që gjithnjë kish qenë mikpritëse dhe edukuar. Ndonëse e arsimuar Florika kishte preferuar më shumë punë me përgjegjësi të ulët, thjeshtë të ishte pranë fëmijëve dhe pjesëmarrëse në edukimin e tyre duke ia lënë postet të shoqit, të cilin nuk e pengonte kurrë. Jeta e tyre familjare kish kaluar në shina të drejta, pa pësuar deri më sot drama të mëdha. Edhe pse nostalgjitë e tyre ishin të lidhura me ëndrrën për të ndërtuar idealizmin e tyre barazinë e gjithë njerëzve. Por ndërsa Shqipëria ndërroi sistemet dhe nisën të krijoheshin parti të tjera politike ëndrra për të arritur barazinë e të gjithëve ishte hedhur në det të hapur. Ai e kishte quajtur një tradhti të madhe ikjen e djemve nëpër ambasada, më pas lëvizjen studentore dhe krijimin e partisë demokratike. Kish dalë në shesh për të kundërshtuar rrëzimin e statujës së liderit, të atij udhëheqësi ushtarak që kish dhënë për Shqipërinë. Dhe pastaj njëra pas tjetrës të vërtetat u përzien me të gënjeshtrat dhe doli në pah një lagje e mbushur me vila ku askush nuk kishte guxuar të hynte. Enveri rronte si në parajsë dhe kishte televizor dhe në banjë. Enveri kishte pushtetin dhe luksin dhe rreth tij kishte ndërtuar parajsën. Njerëzit si ai të ndershëm ishin dhënë me mish e me shpirt për të ndërtuar një jetë të re, të barabartë dhe me mirëqenie për të gjithë dhe tërë mundi i tyre ishte një banesë e thjeshtë, një mbijetesë me triska, një ag pa gjumë për të siguruar një litër qumësht. Ramazani miku i tij i ngushtë i fëmijërisë kishte mbajtur gurë e kishte ngrënë miza për të mbijetuar nëpër gurore pa bërë asnjë faj. Pa kryer asnjë krim. Sigurisht këto halle të mëdha njerëzore atë e kishin ngacmuar herë pas here, por ishin dyshime që sheshoheshin nën idenë se çdo sistem do kishte martirët e vet.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


+ 8 = 10