Data : 22 06 2018
KryeTitujt :

Dashamir Shehi: Rama arrogant në qeverisje

Dashamir Shehi, Kryetari i LZHK-së, paralajmëron Kryeministrin Rama të mos provokojë opozitën në një kohë që vendi pritet të marrë një përgjigje në lidhje me negociatat, pasi do të marrë rezultate të tjera.

Në një intervistë për “Panorama”, Shehi shpjegon vendimin opozitar për të mos zhvilluar protesta të mëdha deri në 28 qershor, kur vendet e BE-së do të shprehen lidhur me rekomandimin që Komisioni Europian ka bërë për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Aleati i Bashës thekson se edhe vetë opozita kërkon me ngulm çeljen e negociatave pasi e sheh si të vetmin instrument për të bllokuar arrogancën e kësaj qeverie.

 

Për Shehin, nëse në fund të qershorit do të kemi një vendim të trishtueshëm për Shqipërinë në lidhje me negociatat, opozita do ta rishohë qëndrimin e saj ndaj maxhorancës, e cila, sipas tij, ka përgjegjësi të plotë për dëmet që i ka shkaktuar vendit.

Në mbledhjen e fundit të Grupit Parlamentar të PD u diskutua edhe radikalizimi i aksionit opozitar, duke kërkuar edhe djegie të mandateve apo bojkot të Parlamentit. Juve, personalisht, si i vlerësoni këto propozime?

Unë e gjykoj të drejtë vendimin që Grupi Parlamentar mori për të mos shkuar drejt masave ekstreme siç është bojkoti i Parlamentit apo edhe djegia e mandateve. Në këtë mënyrë i heqim edhe maxhorancës alibinë dhe një armë që ata e kanë përdorur prej kohësh, sikur ne jemi pengues për çeljen e negociatave. Ne kemi vendosur të mos e bojkotojmë Parlamentin, por të shkojmë në Kuvend dhe në seancat plenare. Por këtu faji kryesor bie te maxhoranca dhe Kryeministri që nuk pranon të largojë askënd. Edhe vendimin e gjykatës për Tahirin e pamë të gjithë. Ne na qeveris sot një grup që nuk i interesojnë fare çështjet kombëtare dhe integrimi i vendit, por ka interes vetëm për një grup të ngushtë financiar. Ne në këtë mes i kemi thënë të huajve dhe shqiptarëve që asnjëherë nuk ka ardhur nga ne pengesa.

Besoni se kjo formë e zgjedhur nga opozita për të kundërshtuar qeverinë do të jetë efektive?

Ne kemi për detyrë të bëjmë opozitë. Të denoncojmë çdo rast dhe jo vetëm këto që jemi duke denoncuar, të cilat janë shumë flagrante. Ne nuk pretendojmë që përmes kësaj forme të ndërrohen pushtetet. Absolutisht jo. Ne po bëjmë detyrën tonë si opozitarë. Kjo maxhorancë kërkon që ne të rrimë në heshtje dhe të mos i kundërshtojmë për asgjë që ata bëjnë. Falë zotit, ka ngelur një grup politik që denoncon gjithçka që ndodh në këtë vend dhe me këtë qeveri. Fatkeqësisht, nuk jemi të zotët t’i ndalojmë, por të paktën po i denoncojmë.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :