Data : 24 05 2018
KryeTitujt :

Brigjeve të dashurisë tokësore ku bleron poezia e Anila Mihalit

Brigjeve të dashurisë tokësore ku bleron poezia e Anila Mihalit

KujtimMateli

Nga Kujtim Mateli

Anila Mihali, tashmë njihet si poete e talentuar. Qysh me vëllimin e parë poetik “E pafaj është dashuria” u njoh nga lexues të shumtë, vargjet e të cilit u komentuan dhe u recituan në sofrat poetike që krijohen anë e mbanë trojeve shqiptare, ku dhe ka fituar çmime dhe vlerësime të shumta. Me vëllimin e dytë “I dehëm fjalët” poezia e saj u kristalizuar akoma më tepër si poezi lirike me nota të forta proteste ndaj dukurive të ndryshme negative që shoqërojnë jetën njerëzore, njëkohësisht edhe si afirmim i vlerave të reja që ka krijuar dhe krijon pandërprerje shoqëria shqiptare.
Poeti duhet ta njohë lexuesin me motivin kryesor të jetës së tij. Tek ai motiv për të cilin rron e jeton. Shpalosur bukur artistikisht, poetja Anila Mihali e paraqet këtë motiv tek poezia “Prej shpirtit”. Shpirti është parajsa ku ne ruajmë gjërat më të çmuara. Shpirti është vetë qënia njerëzore. Prej nga kanë dalë dhe shprehjet që tregojnë njeriun në sensin pozitiv si: “shpirt i bardhë si dëborë” apo “shpirtzi” për njeriun në sensin negative të gjërave. Shoqërinë njerëzore e dominon dhe e nxitin për të ecur në rrugën drejt së nesërmes njerëzit shpirtbardhë, ata që punojnë dhe luftojnë që shoqëria njerëzore të jetë sa më e shëndetshme. Ata që japin dhe marrin dashuri, që e jetësojnë qënien e tyre me këtë frymë të shenjtë.
“Tokai me,
Që më frymon dashuri”.
Ja burimi nga rrjedh forca e njeriut, nga dashuria e tij për tokën. Njeriu dhe toka në të cilin jeton  janë të lidhura pazgjidhshmërisht, të dy janë në marrëdhënie jetësore, pa këtë marrëdhënie qënia njerëzore do të kishte qenë e akullt, ashtu si dhe vetë planeti pa qënien njerëzore. Nga kjo marrëdhënie e ngushtë lind dashuria për atdheun, dashuria për të parët e tu që janë pjesë organike e tokës mëmë dhe e vazhdimësisë së brezave. Kësaj toke, së cilës i kemi kushtuar mendjen dhe zemrën, për këtë tokë ku gjejmë kuptimin e jetës, aty ku gjejmë dhe veten tonë.

“Potretin tim skalit me fllade erërash,
Ti ke vështrimin e syve të mi,
Zemrën time,
Emrin tim”.
E gjithë poezia e Anila Mihalit është një oaz dashurie për marrëdhëniet e njeriut mes njëri-tjetrit, larg gjuhës së urrejtjes dhe cinizmit. Mbi të gjitha, kjo marrëdhënie duhet të ekzistojë në qelizën e shoqërisë njerëzore që është familja. Aty është vatra ku prodhohet dashuria dhe shpërndahet në tërë trupin e shoqërisë. Një familje nuk mund të ngrihet pa dashurinë reciproke të bashkëshortëve, të fëmijës për prindin dhe anasjelltas. Aty buron dashuria dhe prej aty kuptojmë se sa e shëndetshme është një dashuri. Anila Mihali i këndon dashurisë në çift dhe janë dhjetëra poezi që i këndojnë kësaj marrëdhënieje. Ajo i këndon fillesave të kësaj dashurie, aty në ngjizjen e saj: “…asnjë zjarr/ s`djeg aq fort/ asnjë prush, / Sesa një dashuri që s`e di askurrkush”, fq. 25.
Po marrëdhënia mes dy të dashuruarve, zjarri i dashurisë nuk i ngjan zjarrit në vatër që nga djegia e tij rrezaton veç flakë e ngrohtësi. Qënia njerëzore është komplekse, rrethohet nga mjedise të akullta, që shpesh shërbejnë për shuarjen e këtij zjarri, që shkaktojnë mërzi në vend të gëzimit, që e tkurrin hapësirën e dashurisë dhe  këtë mjedis autorja e përshkruan me vargjet: “S`mund të shihja asnjë grimë qielli/ brenda syve”, fq. 31.

Nëse dashuria largohet, mbetet zbrazëtia, mbytëse për qëniet njerëzore dhe për vetë shoqërinë.  Dashuria është vlera e një çifti, gjithashtu dhe vlera e një shoqërie. Në vargje të spikatura autorja e jep kështu vetë dashurinë dhe çastet e perëndimit të saj: “Vetëm dashuritë i japin jetë kësaj bote,/  kur ti iu largove morën tjetër ngjyrë”, fq. 42.
Poezia “Karfica dielli” përshkruan momentet më të bukura të njeriut, kur ndjehet i rrethuar nga dashuria. Nga i dashuri i saj nuk kërkon një fjalë të çfarëdoshme, as zëri të mos jetë si zakonisht: “E dua një fjalë prej teje me zë bilbili, / Të veshur me çaste të bardha nusërie”. E pret atë fjalë shpirti i dashuruar, me atë fjalë të rend rrugicave si fëmijë. Fjalë, vetëm fjalë ku frymon dashuria, kërkon gjysma e shpirtit binjak, sepse pa atë fjalë dashuria-lumë do të shterej ashtu siç shteret një përrua, prandaj : “ Ta kapim pranverën që po vjen/ Karfica prej dielli kurrë të mos humbi”, Poezia “Karfica dielli”, fq. 46.
Poezia e Anila Mihalit ndjek hap pas hapi ecurinë e jetës sonë të përditshme. Aty është bota e fëmijëve në atë marrëdhënien e pazgjidhshme mësues-nxënës ku formësohet e ardhmja e Atdheut, dashuria dhe sakrifica për të ruajtur identitetin dhe vazhdimësinë e brezave. Aty është bota e poetëve që rrethohet nga shqetësimet më të qenësishme të kombit, aty është poeti Ali Podrimja në madhështinë e tij lapidare. Aty janë emigrantët në rendje të një fati, të një shprese që herë shoqërohet dhe në “…mërzitje pa fund”, fq 12. Poetja i drejtohet Kosovës, kësaj pjese vitale të Atdheut, i drejtohet Çamërisë ku “Ulen flladet e Jonit të marrin frymë” fq. 36.
Poezia e Anila Mihalit vjen si një fllad i ngrohtë që fryn brigjeve të dashurisë tokësore. Tek dashuria në çift janë rrënjët e dashurisë që shpërndahet në të gjitha arteriet e jetës tokësore. Aty frymon dhe dashuria e madhe për Atdheun, për njerëzit e njohur dhe të panjohur, për njerëzit që punojnë dhe luftojnë për ta çuar përpara shoqërinë njerëzore.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :