Data : 27 05 2018
KryeTitujt :

BIRI I LABËRISË, BAJRAM FEJZO ÇANAJ

eqerem canajBIRI I LABËRISË, BAJRAM FEJZO ÇANAJ

Nga Eqerem Canaj

(shkrimtar)

 

Bajram Çanaj, ky djalë i shquar i Tërbaçit dhe i Labërisë,      lindi më 1926 në Bragjin dhe u rrit me përkujdesje e dashuri prindërore. Me lindjen e tij, u bënë dy fëmijë, kur Fejzua dhe Hyra ishin të rinj e me punë arrinin t’i mirërrisnin.

Bajrami, pesë klasë të shkollës fillore, i kreu në Tërbaç, siç shpjegon mësuesi Panajot Foto në kujtimet e tij: “Kam pasur nxënës të dalluar, si: Tahir Hoxhën, Enver kapon, Sinan Balilin etj, midis tyre dhe Bajram Fejzo Çanaj, i cili ishte mjaft inteligjent dhe i sjellshëm si me mua  mësuesin që më respektonte shumë, ashtu dhe me shokët”. Bajrami në këtë vit shkollor (1938 – 1039) duhet të ketë qenë në klasën e fundit të fillores (cikli ishte me pesë klasë).

Fejzoja, si njeri i emancipuar, donte ta shkollonte djalin e parë, sepse ishte një nxënës i shkëlqyer, i zgjuar, i shkathët e me dhunti për të ecur në jetë. I ati, edhe pse ishte në gjëndje jo të mirë ekonomike, e dërgoi djalin në Shkollën Tregtare, atje ku studionin djem të tjerë të Tërbaçit, si: Hysni Kapo, Vehbi Hoxha, Arif Hasko, Delo Balili të cilët ishin më të rritur se ai.

Bajrami u mbështet te Brahim Aliu, një burrë fisnik e zemërgjerë që, edhe pse i kish vdekur gruaja e parë, Faria, ai vazhdonte ta ruante miqësinë me Çanajt. Madje, vajzat e tij, Shyqyretja dhe Fatua, Bajramin e donin dhe e trajtonin si vëlla, pasi ato s’patën vëlla biologjik.

Ai, që kur ndodhej në fshat i ndjente vështirësitë e jetës. Ekonomia e fshatit ishte e rrënuar gati një ekonomi natyrore, prodhimet e së cilës, si: bulmeti e nënproduktet e tij, nuk shkonin në treg, për sa sistemi shoqëror e ekonomik ish gjysmë feudal e i prapambetur, për popullin, për zhvillimin ekonomik e shoqëror të tij, thuajse nuk mendohej, kjo, sigurisht, rëndonte edhe mbi prindërit e tij sikurse te të gjithë.

Në Shkollën Tregtare Bajrami, duke u shoqëruar me bashkëfshatarët më të rritur, si: Hajredin Bylyshi, Vehbi Hoxha, Arif Hasko e djem të tjerë vlonjatë, mundi të njihej herët me idetë përparimtare të kohës për çlirimin shoqëror, për zhvillimin arsimor e kulturor, si dhe atë ekonomik të popullit. Dhe, me pushtimin e vendit nga Italia fashiste, doli në plan të parë çlirimi kombëtar. Bajrami i shihte me sytë e vet padrejtësitë që bënin pushtuesit në shkretimin e vendit, ku kudo bëheshin kontrolle, bastisje e arrestime e të tjera paudhësi,  pushtues hesapi. Aty, në rrethanat shkollore, u ndeshën me ideologjinë fashiste, e cila nisi të depërtonte në shkollë si në organizim, nderim dhe futjen e lëndëve mësimore me idetë fashiste. Kjo situatë e vendit dhe e shkollës rriti urrejtjen ndaj pushtuesit si edhe te biri i zgjuar i Çanajve të Tërbaçit. Të rinjtë nisën të organizoheshin me rininë antifashiste, veprimtaria e tyre politike vazhdoi të dendësohej deri sa u desh të braktisnin shkollën e të delnin në veprimtari ilegale, se ndryshe do të arrestoheshin e do të përplaseshin në burgje.

Mësohet se Bajrami lëvizte sa në Vlorë, në Mesaplik e në Tërbaç, pse lufta kërkonte organizim tërësor dhe prefekt, ku të rinjtë përparimtarë ishin forca e dorës së parë. Në Vlorë, ca më shumë, për shpërndarjen e trakteve, qarkoreve kundër pushtuesve fashistë e të tjera… Më 20 nëntor 1942 formohet Organizata e Rinisë Antifashiste në Tërbaç. I deleguar qe Lef Sallata. Anëtarët e  parë ishin: Bajram Çanaj, Taip Murati, Asllan Gjika, Sinan Balili, Refit Hoxha e të tjerë. Sekretar i kësaj organizate u zgjodh Bajrami, i cili, edhe pse 16 vjeç, kishte shkollë dhe përvojë nga veprimtaritë e zhvilluara në Shkollën Tregtare dhe punët ilegale që bënte në Qytetin e Vlorës. Nga viti 1943, Bajrami së bashku me Hamzo Gjikën, Dino Malin e Neki Gjikën dhanë ndihmesë me vlerë në organizimin e veprimtaritë e rinisë të krahinës së Mesaplikut, pasi ishin dhe anëtarë të udhëheqjes së rinisë të kësaj krahine.

Rrëfejnë se Bajrami lëvizte me biçikletë nga Vlora në Tërbaç e në krahinë, pra ishte i kudondodhur. Kujtojnë se në Bramyshnjë, në Grykën e Male, pranë korijes së Çanajve ishte një dardhë, të cilës i thoshnin “Dardhë e Male”. Nën të, mbuluar me shkarpa e bar, ndodhesh një biçikletë, e fshehur nga Hasan Çanaj, e nuk tregonte askush për të. Me biçikletën lidhej dhe një aksion i Bajramit, i cili lëvizte në Vlorë përmes italianëve, me një shapkë në kokë, që dukej e madhe në raport me trupin e imët e moshën e vogël të tij, tamam si “Gavroshi”.

Një ditë, me një tufë traktesh që i kish vënë në kokë, nën kapele, po shkonte me biçikletë në Ujin e Ftohtë. Në një moment përplaset me një makinë ushtarake italiane. Rrëzohet përtokë e futet midis rrotave të makinës, e cila frenoi, duke lënë pas trupin e tij midis rrotave. I gjendur përtokë, ai mundi të ngrihej, i dërmuar nga përplasja, së pari i vajti dora te shapka që ruante ende fshehur traktet. U ngrit e iku, çalë – çalë, pa dekonspiruar misionin. Shpëtoi paq, një jetë e dytë.Në vitet 1940 – 1943, Bajrami tashmë i burrëruar para kohe, ishte i angazhuar me një veprimtari të gjërë, si: puna me rininë në Tërbaç e në krahinë, me shpërndarjen e trakteve dhe punimin e qarkoreve, pra me punën me njerëzit, për t’i hedhur në aksione antifashiste e për t’i mobilizuar për luftën. I ri ishte, por shpuzë e orator gjer sa të çudiste.

E, megjithëkëtë, ai nuk u nda nga njerëzit e tij të dashur, pra gjente mundësinë të ndihmonte të atin Fejzon në burg, kur qe i arrestuar e i burgosur për disa muaj, si dhe për të takuar të ëmën në spitalin e Vlorës, me këmbë të dëmtuar e që më pas mjekët ia prenë. Natën shkonte në spital, suorat italiane, me shpirt njerëzor, i hapnin dritaret dhe ai takohej me nënën e dashur, ashtu i përlotur, e përqafonte “nënën kapedane” që, për fatin e keq mbeti me një këmbë, i shpinte dhuratat e mundshme e ikte si hije po natën nga dritaret.Ai shquhej për lidhjet që mbante me të njohurit e të afërit, si motrat e vëllezërit, duke shkuar shpesh e çmallej me ta, duke përshëndetur Nakon, Hiton, Mamon e babë Mehmetin. Zankua, sa vinte ai, bënte një kulaç në hi e me pak djathë e shëllirë ia jepte të ngrohtë, pse e pëlqente shumë. “Na kënaqe o Nako, me këtë kulaç”, përsëriste ai.

Rinia e Krahinës së Mesaplikut si gjithë Shqipëria në themel të veprimtarive kishin luftën çlirimtare,e cila nisi si punë propagandistike, bindëse e sqaruese duke arritur pikën kulmore me pjesmarrjen e saj në luftën e armatosur dhe nxjerrjen e vullnetarëve për në çeta e brigada nga gjithë shtresat e popullsisë, por, veçanërisht, nga të rinjtë e të rejat. Në këtë veprimtari, intensive dhe me ritme të shpejta, rol të rëndësishëm luajti edhe Bajram Çanaj, nga që ishte në krye, në drejtim, por dhe se ishte shumë aktiv dhe dëftonte aftësi organizative e drejtuese. Ashtu, i qetë dhe i matur në mendime e vendime, të rinjtë i bënte për vete, duke i mobilizuar në aksione kundër pushtuesve nazi – fashistë.

Lufta, si në qytet dhe në fshatra, mori përpjestime zhvillimore të saj, ku të rinjtë, nisën në çetat territoriale e më pas në brigadat partizane. Tanimë Bajrami, në moshë 17 – 18 vjeçare, u rreshtua në Brigadën e 5-të Sulmuese. Në fillim si partizan i thjeshtë me detyra rinie, por shpejt arriti në drejtim, komisar kompanie, detyrë që e kreu me zotësi e përkushtim deri në fundin e luftës, ku u ndodh në Jugosllavi. Megjithëse 19 vjeç ai tregonte se kishte fituar një përvojë lufte, ku i dha mundësi të frymëzonte të tjerët për të luftuarme trimëri, por diti të ruante edhe jetët e partizanëve. Duke lexuar kujtimet e tyre, mësohet se, për komisar Bajram Çanaj, thuhen fjalët më të mira si një trim që, me mjeshtëri, i hidhte në sulm, por dhe për dashurinë e madhe të tij që tregonte për çdo partizan. Kur ndonjëri binte në beteja, Bajrami s’i mbante lotët, e prapë gjente forca për ta mbledhur veten e për të vazhduar luftën më me intensitet e bindje hakmarrëse ndaj armiqve:automatiku i tij këndonte pandërprerë.

Në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare nga fshati Tërbaç ranë shumë dëshmorë, djem të rinj, qoftë edhe nga dy për dere, një e nga një u pritën lajmet – mandate. I qanë dhe u krenuan familjet e tyre, si dhe gjithë fshati e Shqipëria amë. Ndërsa, nga fundi i vitit 1944 e fillimi i 1945, po ktheheshin djemtë fitimtarë të fshatit… Tërbaçi fitoren e 29 Nëntorit e priti me gëzim e hare. Sa u dha lajmi, krisi pushka e bombat në tërë fshatin duke shprehur entiziazmin e gëzimin e fitores. Kthimi i djemve me lirinë ishte dhe u bë një festë e madhe. Ata i priti fshati me plot dashuri, gëzim e mall.

Çanajt ishin edhe më të gëzuar, se fati e solli, që asnjëri nuk humbi jetën, paçka se plumbat i morën, por mbijetuan. Kështu i pritën: Çanen, Bajramin, Haxhiun, si dhe territorialët: Fejzon, Hiton e Delon. Bajrami, si u çmall me familjen në Ujë të Ftohtë, shkoi në Tërbaç bashkë me të atin, Fejzon. Dhe u organizuan atje darkëra e drekëra festive, vloi kënga për trimat e të rënët, rakia e daveti, si dhe u qitën pushkë gëzimi. Pak ditë qëndroi Bajrami dhe Çania, se i prisnin detyrat e qeverisjes së re.

Fitimtarët, të cilët u kthyen nga lufta e gjakut, hynë në luftën për rindërtimin e vendit të djegur e shkretuar. Bajrami fillimisht punoi në Krujë, në organet e Degës së Punëve të Brendshme, u miqësua me Qemal Tetën, punonjës i këtij sektori, nga një familje e nderuar krutane. U njoh dhe u dashurua me Sulltanën (Tonia). Tonia ish një vajzë e bukur, e shkathët, e gojës dhe shumë miqësore. Këto veti ajo i tregoi për tërë jetën. Në Tërbaç, si nuse e re, nga që Bajrami e ndjente si detyrë për ta prezantuar me njerëzit e dashur të tij, ajo u hyri në zemër të afërmve, fisit e miqve. U tregua shumë e dashur me ta, si dhe tepër kurjoze për të njohur shtëpitë, mënyrën e jetesës, të gatimit etj, hyri në biseda pa siklet, me zemër të hapur. Kjo nga karakteri i saj i përzemërt, por dhe pse Bajrami i kishte folur asaj për xhaxhallarët e tij të dashur, si i çanaj për Çanajt.

Për marrëdhëniet me njerëzit, ajo plotësonte të shoqin, i cili ishte më i qetë, më i mbyllur, çështje tipi. Në shtëpinë e tyre shkohej me qejf. Me shumë dëshirë shkuam unë e Aliu, rrëfen Hamdiu, në vitin 1952 për vizitë. Ajo mbajti në shtëpi për banim për shumë vite të kunatën, Afërditën, të kunatin Manxharin, priste e përcillte Nasi Bozhekun,kur ishte student e s’kish ndonjë bazë a të afërt tjetër. Ajo i kishte rastet e pritjes, të përkrahjes e mbështetjes me dhjetra…

Nga martesa e Toniesme Bajramin u lindi një vajzë e bukur si kukull, bionde “Vera” e tyre e dashur, e cila u rrit tërë gjallëri e dashuri për jetën dhe për njerëzit. Ishte një nxënëse model gjatë jetës shkollore. Duke mbaruar gjimnazin në Librazhd, u njoh me inxhiniein e ri dhe të talentuar, Iljaz Nakon. Qe një zgjedhje e përkryer për një martesë të përjetshme. Në ato vite lidhja e menduar mirë qe e shenjtë dhe sillte fëmijë idealë gjë që e meritonte kjo familje.

Vitet e pasluftës qenë vite pune të suksesshme për Bajramin, pse u karakterizua nga një angazhim tërësor. Ai, nga adoleshent me veprimtari shoqërore e luftarake të suksesshme, një djalosh i pjekur para kohe nga lufta, drejtoi e hodhi në luftime një kompani, kreu detyra të reja për ngritjen e forcimin e pushtetit të ri popullor me sistemin e ri të pushtetit të popullit.Kontributi i tij nis në Krujë për organizimin e orgaeve të punëve të brendshme, të policsë e organeve të hetimit. Ia doli. Shpejt kaloi në MInistrinë e Punëve të Brendshme, në seksionin e hetimit. Aty nga viti 1950, Bajrami me një grup specialistësh vjen në Vlorë për hetimin e vrasjes së bakallit Vasil Amani. Vrasësi qe një oficer i Degës së Punëve të Brendshme të Vlorës. Brenda një jave e zbuluan vrasjen dhe i dhanë rrugë një hetimi të plotë, gjë që e rriti prestigjin autoritar në rrethet intelektuale të kohës.

Pas viteve ’50, Bajrami për shumë kohë do të punonte në rrethe, si: Durrës, Elbasan, Librazhd e Sarandë, ndërsa së fundi, deri sa doli në pension, kaloi në Tiranë, me detyrë drejtor i Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave.

Bajrami, kudo ku ka punuar, ka qenë në drejtim e kryesisht në organet e punëve të brendshme të shtetit. Puna e tij ka rezultuar gjithnjë e mbështetur mbi normat e rregullat e kohës. Ai i donte njerëzit, se për ta kish sakrifikuar dhe secilit i jepte hakun. Puna atij ia donte të godiste e të arrestonte njerëz, por, gjithmonë, duke mbajtur drejtësinë. Kur ishte drejtor, i Doganave të Shqipërisë, atje vendosi rregull, pra u bë një sektor i ekonomisë me rregull e stabilitet të plotë.

Si bir i denj i Çanajve, ai gjithnjë ka pasur besimin e udhëheqjes së vendit. Me drejtuesitmë të lartë ka gëzuar njohjen e simpatinë e tyre si njeri korrekt në realizimin e detyrave të rëndësishme që ka kryer. Kujton Hamdiu: “Në një rast Bajrami më tha të njoftoja Manush Myftiun që t’i linte takim. Manushi më pyeti, Çfarë ka Bajrami? I thashë, besoj se ka punën e strehimit… Takimi u bë, Bajrami, për dy javë, u sistemua me strehim të mjaftueshëm”

Bajrami, ai kuadër me meita lufte e pune, i arsimuar e me formim të gjithanshëm, mund e duhej të kishte pasur detyra e funksione më të larta në organet e shtetit të asaj kohe. Por ai nuk ka synuar poste më të larta, sepse ishte njeri i thjeshtë e pa pretendime, ky ishte karakteri i tij.

Kush nuk e njihte Bajram Fejzon nga afër, e merrte për njeri indiferent, kjonga që ishte i heshtur e fjalëpak. Në të vërtetë ai i donte njerëzit, madje për ta kishte sakrifikuar e luftuar, duke rrezikuar dhe jetën. I njihte hallet e problemet e tyre, i ndjente dhe, në shumë raste, i ka zgjidhur ato, edhe pse shpesh nuke dinin se nga u vinte zgjidhja apo ndihma, ishte formuar i tillë, i cili mendonte e sakrifikonte për shtetin dhe shoqërinë e re të kohës.

Kur i ati u vendos në Ujë të Ftohtë, kur e ëma “Hyra” që në vitin 1941 mbeti me një këmbë, Bajrami mori motrën e madhe, Afërditën dhe vëllain, Manxharin, i mbajti në familjen e tij. Kështu u lehtësoi jetën prindërve, që kishin të ardhura të pakta e me vështirësi përballonin jetën. Afërditën e futi në punë e Manxharin në një shkollë profesionale.

H. Çanaj rrëfen: Sa herë vinte në Tërbaç, do vinte tek ne, të përshëndetej me mallë me të gjithë e të shijonte kulaçin e Nakos. Im vëlla, Aliu, në vitet ’70 të shekullit që lamë, kish ardhur në Tiranë tek unë. Më kërkoi të shkonim për të takuar Bajramin. Ne Çanajt e kishim normë që ta bënim shumë njëri – tjetrin, kur shkonim nëpër qytete, ku banonte çdo i Çanajt. E shoqërova te Bajrami, u përqafuan e u çmallën. Në bisedë e sipër doli problemi i dorëzimit të lopëve në kooperativë. Bajrami u shqetësua dhe i tha Aliut: “Blej një lopë se do të thahen fëmijët për një lugë qumësht”. Aliu ia ktheu: “S’e bëj dot se më përjashtojnë nga Partia”. Bajrami vazhdoi: “Pse është më mirë të të vdesin fëmijët e të të rrojë anëtarësia në Parti?! Ti qofsh që pajtohesh”. Me këtë, kuptova se Bajrami ish realist e jo entuziast me barkun bosh. Kështu edhe në vitin 1952. Unë isha nxënës në normalen e Elabasanit, ndërsa Aliu, ushtar në Durrës. Atëherë Bajrami ish nënkryetar i Degës së Punëve të Brendshme të Durrësit. Banonte në katin e parë të një vile dykatëshe. Na priti ngrohtë, na mbajti për drekë e na dha ndonjë lekë në përcjellje.

Bajram Fejzo Çanaj, biri i Labërisë, i cili sapo kishte dalë nga zjarri i luftës për liri e çlirim kombëtar, i paisur me një ndërgjegje revolucionare e të atillë, i u përkushtua çështjes atdhetare për një Shqipëri të fortë e të pamposhtur, ashtu ka mbeur i gjallë e i freskët në kujtesën e pasardhësve e do të mbetet përherë në breza.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit