Data : 16 08 2018
KryeTitujt :

Aviacioni luftarak, 240 mjete fluturuese në qiellin shqiptar

Aviacioni luftarak, 240 mjete fluturuese në qiellin shqiptar

Aviacioni luftarak, 240 mjete fluturuese në qiellin shqiptar
HISTORIKU/ 67-vjetori i aviacionit luftarak shqiptar, 24 prill 1951-2018. Të paktën 240 ishte numri i mjeteve fluturuese që përbënin armën e tij 

Një armatë e vërtetë ajrore, që shteti shqiptar u përpoq ta krijonte pas Luftës së Dytë Botërore. Ky ka qenë themeli i krijimit të aviacionit luftarak shqiptar, si i tillë, që nga dita e parë zyrtare e tij, plot 67 vjet më parë, më 24 prillin e vitit 1951. Me të paktën 240 mjete fluturuese, ku të parat prej tyre ishin sovjetike. Për të kaluar më pas, në vitin 1955 në krijimin e skuadriljes së parë me avionë luftarakë të llojit MiG-15Bis, titulluar “Peza”. Ndërsa disa vite më vonë, (1962) u krijua regjimenti i Rinasit me avionë luftarakë MiG-17 dhe avione MiG-19. Pa harruar këtu as edhe dhjetë aerodromet e ndërtuara në rang vendi, pikërisht për t’i shërbyer këtij lloj aviacioni. I cili duhet thënë se ndër vite, shënoi edhe dëshmorët e tij. Që të gjitha këto fakte dhe dëshmi historike, që nuk mund të lihen pa kujtuar në këtë përvjetor të rëndësishëm të aviacionit luftarak shqiptar…

 

Nga Albert Zholi

 

Forcat Ajrore Shqiptare u krijuan zyrtarisht më 24 prill 1951.

 

Shteti shqiptar bëri përpjekje të shumta për krijimin e armës së aviacionit luftarak, por për arsye politike, një gjë e tillë nuk u arrit dot deri mbas Luftës së Dytë Botërore. Forcat Ajrore nuk arritën të krijohen faktikisht, kurse ligjërisht ato ishin krijuar, pasi në vitet 1930 Ahmet Zogu me anë të tre dekret-ligjeve të miratuar në vitet 1931, 1934 e 1937, kishte sanksionuar me ligj formimin e aviacionit shqiptar. Në vitin 1945, një grup ish-partizanësh filloi përgatitjen për pilotë luftarakë në shkollën e aviacionit jugosllav. Ky grup përbëhej nga Niko Hoxha, Edip Ohri, Fahri Bubësi, Pertef Myftari, Ibish Vokshi, Zyhdi Rada, Sazan Xhelo, Irakli Grazhdani, Masar Aga, etj. Pas prishjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, grupi e vazhdoi përgatitjen në Bashkimin Sovjetik. Dita e parë e lindjes së tij u shënua më 24 prill të vitit 1951, kur piloti shqiptar Peço Polena fluturoi me një avion të shtetit shqiptar. Sipas arkivave të Ministrisë së Mbrojtjes, reparti i parë ushtarak i aviacionit u krijua në Tiranë në vitin 1951, në Aerodromin e Laprakës dhe në skuadriljen e parë shqiptare ishin 14 pilotë shqiptarë. Komandant i saj ishte piloti i famshëm, Babaçe Faiku, i cili u bë më vonë edhe piloti i parë i avionit qeveritar të asaj kohe. Avionët e parë ishin avionë sovjetikë të prodhuar mbas Luftës së Dytë Botërore Yak-18 dhe fillimisht, u dislokuan në Laprakë në periferi të kryeqytetit të Shqipërisë, Tirana. Pak vite më vonë, Forcat Ajrore Shqiptare do të pajiseshin edhe me avionë luftarakë reaktive. I gjithë aviacioni u inkuadrua në tre regjimente gjuajtës-bombardues të cilët u inkuadruan në tre aerodrome: Gjadri, Rinasi dhe Kuçova. Reparti i parë u krijua në Tiranë në vitin ’51. Regjimenti i parë i Aviacionit Reaktiv u krijua në vitin 1955 në Kuçovë. Ai do të pasohej me krijimin e Repartit të Transportit Ushtarak në Tiranë, Regjimentin e Rinasit, Shkollën e Aviacionit, Regjimentin e Helikopterëve, Regjimentin e Gjadrit. Të paktën 240 ishte numri i mjeteve fluturuese, që përbënin armën e Aviacionit Luftarak.

 

Skuadrilja e parë, me avionë luftarakë MiG-15Bis

 

Skuadrilja e parë me avionë luftarakë MiG-15Bis, e titulluar “Peza” u krijua në vitin 1955. Kjo skuadrilje u dislokua në aeroportin e Kuçovës. Në vitet e mëvonshme, në kuadrin e ndihmës ushtarake nga Bashkimi Sovjetik, Forcat Ajrore Shqiptare do të pajisen edhe me avionë luftarakë të tipeve MiG-17, dhe MiG-19, kodi i NATOs ‘Farmer’, dhe në fillim të viteve 70-të edhe me avionë luftarakë MiG-21 të prodhimit kinez. Avionët luftarakë që erdhën nga Kina, kishin marka prodhimi të ndryshme nga ata sovjetikë, por në Forcat Ajrore Shqiptare, ata u njohën gjithmonë me markën sovjetike të prodhimit. Në qershor 1957, u krijua regjimenti i parë transportues i pajisur me helikopterë Mi-1 (3 copë), helikopterë të rinj Mi-4 (3 copë) si edhe disa avionë me helikë Yak-18 dhe PO-2. Në vitin 1967 ky regjiment u zgjerua në kapacitet me ardhjen e 30 helikopterëve Mi-4.

 

Në vitin 1962 u krijua Regjimenti i Rinasit me avionë luftarakë MiG-17 dhe avione MiG-19.

 

Avionët luftarakë MiG-19 ishin “shtylla” e kësaj force për shkak të numrit të tyre të madh (mbi 70 avionë). Po në të njëjtin aeroport, u dislokuan për një kohë të shkurtër avionët luftarakë të sapoardhur nga Kina; avionët luftarakë të tipit F-7A’Fishbed C’ të cilët ishin versioni kinez i avionit luftarak sovjetik MiG-21F-13 (modeli i parë i prodhuar në masë). Por pas pak kohe, këta avionë (12 në numër) u transferuan në bazën ajrore më të re të Forcave Ajrore Shqiptare; ajo e Gjadrit, ndryshe e njohur edhe si Lezha-Zadrima. Avionët F-7A (MiG-21F-13) u grupuan në një skuadrilje. Gjithashtu, baza ajrore e Gjadrit kishte edhe 2 skuadrilje me avionë F-6S (MiG-19) dhe një skuadrilje me avionë F-5 (MiG-17), si edhe disa avionë mësimorë MiG-15UTI dy-vendesh. Baza ajrore e Gjadrit dallohej nga dy bazat e tjera nga një tunel i nëndheshëm i ndërtuar nën malin e Gjadrit. Edhe pse kishte shumë lagështi, ky tunel përbënte një mbrojte ideale kundër sulmeve ajrore armike. Në periudhën e viteve 1950-1975, Forcat Ajrore Shqiptare ishin një nga forcat ajrore më moderne në rajon, por edhe në botë si përsa i përket pajisjes logjistike, ashtu edhe përgatitjes së lartë të kuadrit që ajo dispononte. Pilotët shqiptarë dalloheshin nga pilotët e tjerë në shkollat e huaja të përgatitjes së pilotëve luftarakë si ato të Jugosllavisë, Bashkimit Sovjetik dhe Kinës për aftësitë e larta profesionale që tregonin.

 

Si e kopjuan kinezët avionin me radarë?

 

Nuk do të ishte një koment aspak i fryrë, nëse do të thuhej që ishin Forcat Ajrore Shqiptare, që e pajisën Kinën me teknologji radari. Në vitin 1962, Bashkimi Sovjetik furnizoi Forcat Ajrore Shqiptare me 12 avionë luftarakë MiG-19PM, të pajisur me radarë. Pas prishjes së marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik, Shqipëria u miqësua me Kinën. Qeveria kineze i bëri një propozim qeverisë shqiptare që t’i shkëmbenin avionët luftarakë MiG-19PM, me një numër më të madh MiG-19S të prodhimit kinez. Ky propozim u pranua nga qeveria shqiptare dhe të 12 MiG-19PM u shkëmbyen me avionë më pak të sofistikuar të variantit MiG-19S. Këta avionë nuk ishin të pajisur me radarë dhe mund të fluturonin vetëm ditën në kushte optimale atmosferike. Po në vitin 1962, Akademia e Aviacionit u krijua në Vlorë, akademi e cila kishte statusin e shkollës së lartë. Kjo akademi kishte në dispozicionin e saj, avionë mësimore për stërvitjen bazë CJ-6 (Jak-18), avionë luftarakë reaktive MiG-15bis dhe avionë mësimorë dy-vendesh MiG-15UTI

 

 

 

 

 

43 PILOTË TË RËNË

 

Aksidentet e aviacionit luftarak

 

Gjatë gjithë historisë së aviacionit shqiptar, që nga krijimi i tij zyrtar në vitin 1951, kanë rënë në krye të detyrës 43 pilotë. Piloti i fundit i rënë është Jani Tarifa, i cili mbeti i vrarë pas rënies së avionit të tij luftarak MIG-19, në shtator të vitit 2004. Menjëherë pas vdekjes së tij, ministri i Mbrojtjes i asaj kohe pezulloi të gjitha fluturimet me avionët reaktiv dhe avionët e tipit MIG-19, të cilët më pas, në vitin 2005 dolën jashtë përdorimit.

 

 

 

EMRAT

 

Efektivë të Aviacionit Luftarak Shqiptar rënë në krye të detyrës:

 

 

    1. Ibush Ibrahim Vokshi                         1925 – 12/05/1947

 

    1. Qemal Sadedin Mërtiri                        1929 – 12/10/1951

 

    1. Fuat Alim Sulaj                          1934- 3/05/1957

 

    1. Vasil Nikolla Trasha                   1923 – 24/03/1958

 

    1. Islam Myrteza Xhani                  1940 -14/07/1958

 

    1. Jovan Llazi Kaçori                     05/05/1938 – 27/06/1960

 

    1. Hektor Eftim  Lako                   01/09/1929 – 23/03/1962

 

    1. Sokrat Gori Basha                      18/05/1938 – 17/07/1963

 

    1. Niko Selman Hoxha                  01/02/1926 – 20/11/1965

 

    1. Stilian Vani Tanku                    15/10/1943 – 27/09/1967

 

    1. Muharrem Murat Hida               13/03/1938 – 05/09/1970

 

    1. Refat Asllan Jazo                       09/03/1930 – 050/9/1970

 

    1. Kaso Salo Petoshati                   09/07/1937 -  06/05/1971

 

    1. Shyqëri Aziz Balla                     13/03/1931 – 06/05/1971

 

    1. Hazbi Ramadan Serani               01/03/1940 – 04/10/1972

 

    1. Islam Sinan  Mani                     30/03/1945 – 21/11/1973

 

    1. Bego Isa Hoxha                         23/12/1943 – 07/03/1974

 

    1. Dhimitër Spiro Robo                  26/10/1949 – 12/06/1974

 

    1. Veiz Halil Kovaçi                      28/09/1949 – 05/08/1974

 

    1. Sefedin Hasan Tomçini              07/06/1942 – 07/06/1977

 

    1. Vasil Thoma Noni                     01/10/1951 – 15/08/1978

 

    1. Shpëtim Selman Sula                29/12/1951 – 30/08/1979

 

    1. Sabri Shefki Toçi                       12/10/1942 – 29/03/1980

 

    1. Armando Liman Gjoka              01/04/1954 – 29/03/1980

 

    1. Luto Refat Sadikaj                     01/02/1944 – 29/03/1982

 

    1. Ndue Mëhill Logu                     08/05/1940 – 13/09/1986

 

    1. Haki Abaz Skuqi                        01/03/1958 – 22/10/1986

 

    1. Jorgji Llazi Fane                        03/08/1950-5/07/1989

 

    1. Agron Hasaf Galanxhi               11/01/1939 – 22/11/1989

 

    1. Vangjel Vangjel Postoli            19/03/1940 – 22/11/1989

 

    1. Pandeli Jorgo Zhupa                  15/09/1946 – 22/11/1989

 

    1. Tafil Njazi Agai                         10/01/1950 – 22/11/1989

 

    1. Veledin Delo Resuli                  26/11/1950 – 22/11/1989

 

    1. Enver Osman Haka                   14/04/ 1956 – 22/11/1989

 

    1. Fluturim Qani Molla                  19/08/1958 – 22/03/1991

 

    1. Eduart Qirjako Kostdhima        10/11/1968 – 22/03/1991

 

    1. Idriz Ibrahim Hoxha                  15/07/1945 – 20/08/1993

 

    1. Jani Prokop Tarifa                       12/12/1958 – 17/9/2004

 

    1. Vangjel Kiço Çondi                     20/06/1950 – 16/7/2006

 

    1. Demush Hajdar Heba                  22/02/1960 – 16/7/2006

 

    1. Qemal Bilal Koni                          01/051950 – 16/7/2006

 

    1. Floran Jahja Delia                      01/10/1973 – 06/04/2016

 

    1. Donald Vesel Hoxha                 17/08/1988 – 06/04/2016

 

 

 

AERODROMET SHQIPTARE

 

Aerodromi i Tiranës

 

U ndërtua pranë Kroit të Shën Gjergjit në vitet ’30. Ai ishte një aerodrom modern, me dy hangarë të mëdhenj, konstruksion metalik për strehim të avionëve, me pistë betoni për ulje dhe ngritje, i elektrifikuar për fluturime natën dhe i kanalizuar në mënyrë të përsosur.

 

Aerodromi i Shijakut

 

Atë e quanin ndryshe Fusha e Belikut dhe ai u ndërtua gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ndodhej në perëndim të qytetit, pranë fshatit Sleimaj. Ai përdorej për avionët bombardues. Aerodromi kishte një ofiçinë për riparime të vogla të rastit. Nuk kishte pistë betoni dhe fluturimet kryheshin në fushë.

 

 Aerodromi i Shkodrës

 

Ndodhej në veri-lindje të qytetit, në Vukshqeraj dhe në livadhet e Sulçe Bej Bushatit, sot fusha e Shtojt. Aerodromi kishte një shesh të vogël të betonuar për vendqëndrim, ai u ndërtua nga italianët në vitin 1940. Nuk kishte asnjë ambient të nevojshëm dhe përdorej vetëm në ditë të caktuara për transport pasagjerësh.

 

Aerodromi i Kukësit

 

Ndodhej në mes të rrugës Kukës-Bicaj dhe të fshatit Shtiqen. Ulja dhe ngritja e avionëve kryhej në fushë të gjelbër. Ambientet e tjera mungonin tërësisht. Aerodromi i Kukësit u ndërtua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga italianët.

 

Aerodromi i Korçës

 

Shtrihej në jug të qytetit dhe në perëndim të fshatrave Mborje e Drenovë. Ai përdorej kryesisht për transport pasagjerësh, por i mungonin ambientet përkatëse për këtë funksion. Ulja dhe ngritja e avionëve kryhej në fushë të gjelbër. Aerodromi i Korçës u ndërtua nga austro-hungarezët gjatë Luftës së Parë Botërore.

 

Aerodromi i Gjirokastrës

 

Ndodhej midis qytetit dhe fshatit Paleokastër, pranë fshatit Ronaj. Përdorej më shumë për transport. Ulja dhe ngritja bëhej në fushë të gjelbër dhe mjediset e tjera mungonin. Aerodromi i Gjirokastrës u ndërtua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga italianët.

 

Aerodromi i Vlorës

 

Shtrihej në perëndim të qytetit. Mungonin mjediset e përshtatshme si dhe pista e betonit. Po në këtë qytet, pranë vendit të quajtur “Uji i Ftohtë” gjendeshin ndërtesat e aviacionit dhe ofiçina për riparimin e hidrovolanteve që bazoheshin në det aty pranë. Ai u ndërtua nga italianët në vitin 1920.

 

Aerodromi i Rinasit

 

Është një nga aeroportet më modernë në Shqipëri. Ai u ndërtua në vitin 1954, dhe funksioni i tij ishte si aerodrom ushtarak. Më pas Aerodromi i Rinasit u kthye edhe në aerodrom për uljen dhe ngritjen e avionëve civilë.

 

Aerodromi i Kuçovës

 

U ndërtua në vitin 1954 dhe është një aerodrom ushtarak. Në të u vendos komanda e Regjimentit të Parë të Aviacionit Luftarak Reaktiv. Komandant i parë i këtij regjimenti ishte piloti i njohur Niko Hoxha.

 

Aerodromi i Gjadrit

 

Aerodromi i Gjadrit është ndërtuar në vitin 1975. Ai është aerodromi më i ri i ndërtuar në Shqipëri. Aerodromi i Gjadrit u ndërtua për uljen dhe ngritjen e avionëve ushtarakë dhe ishte një nga më modernët e ushtrisë shqiptare.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :