Data : 24 04 2018
KryeTitujt :

Arben Ahmetaj, në Shkodër :Lehtësimi i sipërmarrjeve, detyrimi ynë

Arben Ahmetaj, në Shkodër :Lehtësimi i sipërmarrjeve,

detyrimi ynë

Arben Ahmetaj

Arben Ahmetaj, ministri i Financave dhe Ekonomisë,  bashkëbisedoi me pronarë biznesesh të vogla në Shkodër, në kuadër të informimit dhe komunikimit për uljen e pragut të TVSH-së.

Ahmetaj tha ndër të tjera se qytetarët dhe bizneset do të mund ta kuptojnë shumë shpejt në kohë, që qeveria ka bërë gjënë e duhur, së bashku dhe në favor të sipërmarrjes së vogël, e se këto procedura janë një normalitet ekonomik e tatimor dhe nuk bëhet fjalë për një taksë të re.

“Sot jemi rreth dy javë pasi detyrimi për deklarim ka hyrë në fuqi dhe fakti që nuk ka asnjë ndryshim në çmime është në referencë të plotë të besimit të asaj që kemi thënë muaj e muaj. Nuk do të ketë ndryshim dhe rritje çmimesh. Përtej kësaj, deklarimi nuk është taksë, por është procedurë”, tha ministri.

Ahmetaj sqaroi se TVSH-ja është një taksë e vendosur në vitin ’96, në masën 20%, dhe nuk ka ndryshuar asnjëherë.

Plot 9.975 biznese në të gjithë Shqipërinë do të hyjnë në skemën e deklarimit, ndërsa në Shkodër janë 447 të tilla, për të cilat do të aplikohet një deklaratë e thjeshtuar një herë në 3 muaj, pa kosto të shtuar për biznesin, madje do të ketë mundësi për kreditim.

“Kemi diskutuar a do të ketë kosto? Ka filluar diskutimi deri tek ‘do marrim kontabilist dhe do të paguajmë’, e të tjera, e të tjera. Zero kosto! Madje po ju them që në bazë të procedurës që është aq e thjeshtëzuar do të jetë thjesht plotësim i 4 kutive. Më thoni një sipërmarrje të vogël, sado e thjeshtë të jetë, që nuk e di se çfarë ka në inventar? Ditën e parë, ky inventar, pra skanimi i këtij inventari e ndihmon të deklarojë dhe madje të dalë me TVSH të kreditueshme dhe më vonë, edhe të pagueshme, sepse do të ketë mundësi që të deklarojë dhe shpenzime të bëra për drita, për ujë, për qira, apo edhe për punëtorët”, sqaroi ministri.

Ahmetaj tha se qëllimi i këtij ndryshimi nuk është mbledhja e të ardhurave nga biznesi i vogël, por fokusi i qeverisë mbetet biznesi i madh.

“Në të gjithë totalin e TVSH-së që mbledhim ne, 99.2% vjen nga biznesi i madh, 99.2%. Vetëm një pjesë shumë e vogël (0.08%) vjen nga biznesi i vogël me 5 deri në 8 milionë lekë xhiro. Si mendoni ju, që ne bëjmë një procedurë për të fokusuar ato burime jo të mëdha e jo të shumta që kemi, tek biznese që nuk kanë çfarë të japin për shkak të logjikës dhe natyrës së transaksionit, apo do fokusohemi tek biznesi i madh, i cili jep 99.2% të totalit të TVSH-së. Këtë iua solla për të rrëzuar atë argument emocional, apo paditurie, apo të qëllimshëm që sjell opozita në protestat e veta numërvogla. Fokusi ynë është biznesi i madh dhe do të vazhdojë të jetë biznesi i madh”, tha Ahmetaj.

Ministri komentoi edhe protestat e organizuara nga opozita.

“Personalisht e ndoqa atë ditë, demek të mbylljes së qepenave, dhe falenderoj të gjithë qytetarët, përfaqësues të sipërmarrjes së vogë që refuzuan ta politizojnë merakun e tyre dhe vazhduan punën. I falenderoj në emër edhe të gjithë trupës së tatim-taksave, sepse e kanë kuptuar drejt që edhe aty ku ka merak, meraku nuk zgjidhet me bolori politike, paditurie, apo të qëllimshme, por zgjidhet në diskutim me qeverinë”, tha Ahmetaj.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :

Ler nje Koment

Dergo Koment


5 + 5 =