Data : 25 09 2018
KryeTitujt :

Angjelin Preljocaj, koreografi shqiptar që edhe rrugët e Parisit i bënin reklamë

Angjelin Preljocaj, koreografi shqiptar që edhe rrugët e Parisit i bënin reklamë
INTERVISTA/ Flet Dedin Suli, koreograf, studiues arti: Ju tregoj si e takova artistin e madh Angjelin Preljocaj në Romë, në vitin 1993, kur u luajt baleti “Noces” (Dasma). Do mbahet mend për shprehjen: Unë jam shqiptar së brendshmi e francez së jashtmi … 

Një artist i përmasave evropiane, që nuk e harroi asnjëherë faktin që është shqiptar. Ky është koreografi i njohur për veprën e tij artistike në Paris, Angjelin Preljocaj, rreth të cilit sjell disa kujtime të veçanta gjatë një rrëfimi për “Albanian Free Press”, një tjetër koreograf i njohur, Dedin Suli. Konkretisht, ai sjell për lexuesin takimin me të në vitin 1993, kur luhej baleti “Noces” (Dasma). “Artistët janë kudo njëlloj. Nuk ekziston artist i madh apo i vogël; ata së bashku kanë një qëllim të caktuar: që t’i shërbejnë artit të vërtetë”, i tha ai gjatë takimit…

 

Albert Zholi

 

Ju si koreograf dhe studiues arti, a e njihnit sadopak në sistemin komunist jetën e Angjelin Preljocajt? Kur e ke parë shfaqjen e parë të tij?

 

Kjo ka ndodhur në vitin 1993, kur unë tashmë isha shpërngulur në Itali, konkretisht në Romë. Një ditë, duke kaluar në rrugën “Veneto”, në qendër të kryeqytetit italian, më shkuan sytë në një afishe, ku qe shkruar se do të luhej baleti “Noces” (Dasma). Shkruhej se ishte një balet kontemporan, i vënë në skenë prej një trupe të ardhur nga Parisi. Madje, miku im italian që kisha në krah, ish-balerin edhe ai, pasi qemë ndalur para afishes, më tha duke buzëqeshur: “Trupa e bashkatdhetarit tënd, Angjelin Preljocajt”. Isha i informuar disi lidhur me koreografin me origjinë shqiptare dhe mbi suksesin që ai kishte arritur me trupën e tij në Francë e jashtë saj. Kisha lexuar diçka lidhur me ato ndërhyrje e fantazinë rinovuese që e kishin bërë të famshme koreografinë e Preljocajt. Asokohe, ishte qershori i 1993, kur unë banoja në Romë në larminë e spektakleve që vinin në lëvizje jetën artistike të këtij qyteti të madh. Sigurisht gjithçka e re, e pakonsumuar, që hynte në atë botë jashtëzakonisht të zgjeruar, komentohej me jo pak interes. Emri i Preljocajt gjithnjë më kishte ngjallur kureshtje e natyrisht, do të shkoja për ta parë nga afër. Para se të nisesha, thosha me vete se cilët janë elementët specifikë dhe ku konsiston stili modern i këtij shqiptari, emri e portreti i të cilit zënë vend të spikatur, deri edhe në reklamën e artit në rrugët e Parisit. Informacion më të saktë pata marrë nga gazeta “Corriere della Sera”, në faqet e brendshme të së cilës flitej mbi baletin “Noces”, mbi yllin e baletit francez, Preljocaj (me foto përbri) dhe për muzikën e Stravinskit.

 

 

 

Shkuat enkas për ta takuar, apo për të parë shfaqjen?

 

Për të dyja. Kështu, në mbrëmjen e 13 qershorit unë isha në teatrin veror në Villa Massimo, i cili ndodhej jo larg shtëpisë sime. Kisha shkuar para kohe, nga dëshira që të takohesha me Preljocajn. E lajmëruan dhe së fundi u prezantuam. Më ftoi në oborrin, ku ndodhej skena verore e ku balerinët e tij bënin ngrohjet para shfaqjes. Fytyra e tij ishte shumë shprehëse dhe tregonte interes ndaj vizitës sime të papritur, me gjithë preokupimin që kishte për debutimin skenik. Pasi i thashë se kush isha, që na lidhte profesioni dhe që kisha punuar në Teatrin e Operës dhe Baletit të Tiranës si kërcimtar e madje, isha marrë me koreografi, ai shprehu një ndjenjë të lehtë kënaqësie. Unë, pastaj, duke bërë shaka, shtova: “Vetëm se mes nesh ka një ndryshim fare të vogël: mua më njohin artistët e brezit tim në Shqipëri, ndërsa juve e tërë bota e artit koreografik…”. Ma preu fjalën në mes dhe me modesti, më tha: “Artistët janë kudo njëlloj. Nuk ekziston artist i madh apo i vogël; ata së bashku kanë një qëllim të caktuar: që t’i shërbejnë artit të vërtetë”. Pastaj, në bisedë e sipër, kur po matesha të largohesha megjithëse kishte mjaft kohë për të filluar shfaqja, e pyeta se çfarë shprehte në vija të përgjithshme baleti “Noces”. Me shikimin e tij zhbirues ai m’u përgjigj: “Këtë do ta kërkoja nga ju pas spektaklit. ‘Dasma’, do të tregojë mbresat që do t’ju lërë juve, si artist!…”. U ndava duke i kërkuar falje për ato pak çaste që më dedikoi dhe ai sërish insistoi që të takoheshim pas shfaqjes…

 

 

 

Si ishte shfaqja?

 

Shfaqja nisi me tingujt e muzikës së Stravinskit. Isha i mbërthyer nga emocionet, por edhe nga një ndjenjë krenarie, sepse protagonisti kryesor i kësaj shfaqjeje ishte shqiptari me emrin Angjelin Preljocaj. “Kushëriri i engjëjve”, (siç e cilëson Kadareja), solli versionin e tij te “Dasma”, që në Paris ishte pritur me një vlerësim të jashtëzakonshëm. Në qarqet e artit francez, pati ngjallur habi fakti se si koreografi modern, Preljocaj, mundi të afirmonte edhe njëherë të veçantën e stilit të tij të kërcimit, përmes një ballafaqimi me një kryevepër të largët të Rusisë së 1923-shit. I tërë baleti përshkohej nga ritmi e dinamizmi e, për çudi, duke u konfrontuar me ato ngjarje, me gjithë inskenimin krejt origjinal e të paparë ndonjëherë, unë hera-herës meditoja mbi këtë dasmë, nën të njëjtat tradita popullore që të çojnë edhe në Shqipëri. Në përfundim, një duartrokitje e gjatë bëri të ushtojë i tërë teatri veror në Villa Massimo të Romës. Duke mos përjashtuar publikun e tepërt, përshtypja tek ajka e artit dhe e kulturës italiane ishte evidente. Kolosja e baletit italian, Carla Fracci, Rafaelle Paganini, apo prof. Alberto Testa që është një nga kritikët më në zë të baletit klasik e njëherësh kontemporan italian, flisnin me superlativa. Unë isha shumë pranë tyre dhe dashje, pa dashje dëgjoja shprehjet e shkurtra komentuese të tyre.

 

 

 

Po pas shfaqjes, a e takove?

 

Më pas u shtrua një kokteil, për një rreth të ngushtë njerëzish, në të cilin me ftesën e Preljocajt, qëndrova edhe unë. Më prezantoi me balerinët dhe më pas edhe me prof. Alberto Testa. Më vinte të qeshja se si Preljocaj nga ajo frëngjishte e kulluar me balerinët apo me prof. Testa, kalonte e më drejtohej mua në shqip, në dialekt. Erdhi një moment që u shkëputëm nga njerëzit e tjerë dhe u ulëm në një tavolinë përballë njëri-tjetrit. Më foli për jetën e tij, për fëmijërinë dhe për krijimtarinë që i ndiente në gjak. Ai theksoi: “Në shtëpinë time gjithmonë flitet shqip dhe jetohet shqiptarçe. Kjo është diaspora: respekti dhe mbajtja gjallë e

 

 

traditës apo e mënyrës së jetesës”. Pastaj, duke folur mbi gjendjen e vështirë të gruas shqiptare në krahinën e tij e më tutje, duke buzëqeshur, tha: “Unë jam shqiptar së brendshmi e së jashtmi jam francez. Të flasësh tjetër gjuhë në shtëpi e tjetër në shkollë, kjo më ka hapur një univers shumë të gjerë qysh në fëmijëri”. Mes këtyre fjalëve m’u drejtua duke nënqeshur: “Besoj se morali i baletit ‘Dasma’ është kuptuar tërësisht, ëëë…? Me anën e këtij baleti jam munduar të afroj traditën e dhimbshme të martesave që bëheshin që në djep të fëmijës. E pra, siç e pe, subjekti bënte fjalë për një vajzë të re që braktis dasmën, sepse dashuronte tjetër djalë”… Siç pata lexuar më vonë, baleti bëhej subjekt, në mënyrë analoge edhe për arratisjen e mospranimin e motrës së tij, Katrina, e cila qe martuar me shkuesi qysh në djep atje në fshatin e prindërve të tij. Pastaj Angjelini më foli për farefisin e vet, që ende vazhdonte të jetonte në Vermosh, fshati kufitar mes lartësive të Alpeve. Gjatë bisedës, kuptova se koreografi kishte pasur pak informacion për artin koreografik shqiptar. Vallet e Veriut ai i kishte parë në ceremonialet e dasmave në Mal të Zi, ku kishte kushërinjtë e tij.

 

 

 

A të shprehu ndonjë mendim se mund të jepte shfaqje në Shqipëri?

 

Me aq kohë sa kishim në dispozicion, i bëra një rezyme të baletit tonë. I fola për baletet kombëtare, duke i përmendur edhe mjeshtrin Aliaj. Duke parë se ai gjithnjë më ndiqte me interes, i thashë: “Ju jeni shqiptar, krijimtaria juaj, tashmë e përhapur kudo në Evropë e më tej, e nderon personin tuaj, por edhe kombin shqiptar, prandaj ju duhet të vini në Shqipëri e të shkelni tokën amtare, tokën e gjakut të prindërve nga e keni prejardhjen”. Tepër serioz e duke më ngulur shikimin, sikur të donte të penetronte në peshën e vërtetësisë së përgjigjes që priste nga unë, ai ma ktheu: “Sikur të vija me trupën time, vallë a do ta kuptonte publiku shqiptar baletin tim modern!”. Pa mbaruar frazën ia ktheva: “Patjetër që do ta kuptojë… sigurisht, sigurisht”…

 

 

 

 Shprehje e Preljocajt:

 

 “Artistët janë kudo njëlloj. Nuk ekziston artist i madh apo i vogël; ata së bashku kanë një qëllim të caktuar: që t’i shërbejnë artit të vërtetë…”

 

 

 

BIOGRAFIA

 

Kush ështe koreografi Angelin Preljocaj?

 

Angelin Preljocaj (ka lindur më 1957 në Sucy-en-Brie, Francë) është valltar dhe koreograf francez me origjinë shqiptare. Koreografia e tij përshkruhet si interpretimin i baletit klasik, rezulut dhe modern. Ai konsiderohet si një nga koreografët më të rëndësishëm të sotëm. Ai iu bashkëngjit Baletit të Operës Nacionale në Paris në viteve e ’90-ta dhe udhëheq kompaninë e tij që prej vitit 1985.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :