Data : 18 11 2018
KryeTitujt :

Aleksandër Cui piktori dhe skulptori që i dha emër Memaliajt

Për krijimet e tij filluan ti vijnë letra nga Greqia, Italia, Zimbabve, Amerikë

Memaliaj gjithmonë është shquar për talente në fusha të ndryshme dhe një prej këtyre është edhe piktori dhe skulptori Aleksandēr Cui.

 

Fëmijëria

 

Me Aleksandrin jam bashkëmoshatar, bashkëqytetar, shokë fëmijërie dhe ish komshinj për disa dekada qysh nga vegjëlia jonë e deri më 1991 kur u ndërruan sistemet. Mbas këtij viti nuk jemi parë, pasi ai bashkë me familjet e vëllezërve të tij emigruan në shtetin fqinj grek. E pagëzuam shkurt Leko, ashtu siç përkëdhelnim njëri-tjetrin, jo vetëm në lagjen tonë, por edhe nëpër grupmosha të ndryshme nëpër lagjet e qytetit tonë, apo në gjithë vendin. Lekua u lind në Memaliaj më 9 mars të viti 1967 me prindër Mina dhe Anastasi Cui, të dy me origjinë nga fshati Sopik i Gjirokastrës. Shkollën fillore dhe atë tetëvjeçare e kreu në vendlindje dhe një shkollë dy vjeçare profesionale për murator dhe montator e mbaroi në Korçë. Fill, mbas mbarimit të shkollës, filloi punë si ndërtues në ndërmarrjen e ndërtimit.  Sa herë e kujtoj Lekon, kujtesa kthehet shumë vite mbrapa, duke shëtitur nëpër vegjëlinë tonë. E mbaj mend gjithmonë të qeshur, madje edhe kur vriteshim duke luajtur nga krijimi i skenave të ndryshme. Ajo që spikaste që në vitet e para të vegjëlisë së tij, ishte se ai e donte pikturën dhe skulpturën dhe e shprehte atë me anë të formave të punimeve të tij, me lëndë të ndryshme rrethanore. Mua më dukej i çuditshëm në fillim, pasi ishte i veçantë jo vetëm në disa momente kur kalonim kohën e lirë me shokët e lagjes, por edhe kur ai shfrytëzonte dhe plotësonte pjesën tjetër të kohës së lirë kur ndodhej vetëm. Të dyja këto pjesë të ditës do jua përshkruaj si më poshtë. Që në moshën shtatë vjeçare, e në vazhdim, nuk rrinte pa pikturuar peizazhe dhe portrete të ndryshme të cilat i hidhte në letër, copa druri të lëmuara, kompesata, pllaka të ndryshme majoike apo që përdoreshin për shtrimin e dyshemeve. Në disa përdorte vetëm laps plumbi, në disa atë kopjativ, lapsa prej llojeve të ndryshme ku disa nga këto të fundit i bënte pluhur. Në disa raste i përziente edhe me lëngun e disa luleve që lëshonin ngjyrë aq të fortë, saqë kur i shtypje dhe me duar, donte kohë që të ikte ngjyra nga duart. Madje kur bënim plazh buzë lumit Vjosë, pikturonte shpesh edhe mbi gurët e bardhë në formë fllashke. Në atë moshë më dukeshin pa vlerë, pasi pjesa tjetër e kohës së lirë që ai kalonte, ne e shtynim me aventurat e moshës.

 

Dashuria për skulpturën

 

Ndërsa dashuria për skulpturën i lindi po në vegjëlinë e tij. Si fillim ai kishte maninë që të gdhendte me anë të një biçaku që mbante me vete, çdo copë druri që atij i mbushte syrin se mund të dhuronte diçka në atë, nëpër shufra të njoma apo të thata prej druri. Gjithashtu me anë të tehut të briskut dhe majave të gjilpërave të shakut punonte skulptura të ndryshme dhe të përmasave të vogla, pasi ato i punonte nëpër shkumësa shkolle nga të cilat përzgjidhte ato që ishin më të mëdha se të tjerat. Dilnin shumë të bukura dhe me detaje edhe pse ishin të përmasave të vogla. Veç kësaj, punonte shumë bukur dhe me plastelinë, baltë që gjente kur shkonim buzë Vjosës. Gjithashtu punonte bukur edhe figura të ndryshme me anë telit të minave, siç ishte ajo e një njeriu hipur mbi një biçikletë, karroca dhe forma kamionësh. Ishte gjithashtu një koleksionist i disiplinuar i pullave postare të cilat i kishte nga më të ndryshmet, pasi i vinin edhe letërshkëmbimet që kishin me njerëzit e tyre të afërt nga Greqia, Italia, Zimbabve, Amerikë ..etj dhe i mbante nëpër faqet e librave. Gjithashtu kishte ndërtuar një herbarium më të pasur se i imi, me gjethe të ndryshme që mblidhnin shpesh nga pylli buzë lumit dhe për përtej lumit Vjosë.

 

 Kujtimet mes bashkëfshatarëve vërsnik

Me Lekon dhe shokët e tjerë të fëmijërisë si Kujtim Bilaj, Aleks Vongo, Edmond Çuçi, Arben Haxhirai, Adriatik S. Shehu, Ilia Karalliu, Vladimir N. Hoxha, Ilir Muka, Artur Kanani, Guri Çibuku, Përparim Guma, Vezir Goxhaj, …etj, kemi shumë kujtime që padyshim duhen orë të tëra t’i shkruaj. Si gjithë bashkëmoshatarët e tjerë edhe ne kemi luajtur me lojërat e moshës së asaj kohe siç ishin ato me llastiqe gurëhedhës dhe me ato grepahedhës prej teli, zhola, çarqe dhe gracka për të kapur zogj dhe mëllenja, me karrocat me kushineta, me rrathë duke vrapuar deri në Tepelenë, vajtje për thana në pyllin e Karaules, plazhin e Vjosës përfshi edhe peshkimin, hedhjet e kutive të karbitit në vend të fishekzjarrëve, …etj. Por ato që më shoqërojnë shpesh në kujtesën time janë ato siç është ajo e krijimit të thesarit të përbashkët monetar si djem të lagjes. Ideja ishte e njërit prej tyre më të madh se ne në moshë (jo nga pallati jonë) që të ndërtonim një kuti tek marangozi dhe ta groposnim nga pylli me rrepe buzë lumit të Vjosës që rrethonte qytetin nga krahu i quajtur “Kampi”.  Lekos i ndodheshin 50 lek që për atë kohë dhe moshë 8-9 vjeçare ishin shumë. Lekua pa hezitim i vuri të gjitha. Unë 15 lek dhe të tjerët përsa u ndodheshin për momentin. Të gjitha u bënë afërsisht 100 lek. Shkonim çdo ditë për një javë rresht dhe depozitonim të hollat tona. Vumë re se po na mungonin lek me shumën që kishim mbajtur shënim. Dikush nga grupi po na vidhte dhe mendja na shkoi tek ideatori që ishte më i madh se ne në moshë dhe jo nga pallati jonë. Ndoshta i dhamë të drejtë për momentin, pasi mund t’i duheshin për të blerë paketa cigaresh, por kur e pamë me paketa cigaresh të shtrenjta si “Durrësi”, “DS” (Durrësi special) dhe “Porti”, vendosëm që ta nxirrnim thesarin dhe të ndanim lekët. Lekua u tregua shumë zemërgjerë duke propozuar që lekët të ndaheshin në shumë të barabartë për secilin edhe pse ai kishte depozituar më shumë, por edhe pse të gjithë e vlerësuan shpirtmirësinë e tij, asnjë nga ne nuk pranoi propozimin e tij. Dhe kujtimi tjetër me Lekon që e kujtoj shpesh është, kur më çoi në mendje për të mbledhur kërmij tek rrënojat e shtëpive përtej lumit Vjosë, në veri-perëndim të pyllit të Karaules. Pasi më mësoi sesi gatuheshin, i shijuam edhe pse nga familja ime asnjëri nuk i vuri në gojë. Ishin shumë të shijshme dhe i kisha gatuar të gjitha, pasi nuk bëhej fjalë që të më lejonte mamaja të ruaja pjesën tjetër në frigorifer. Të nesërmen, që i binte ditë e hënë, u mundova që t’u jepja edhe shokëve të klasës, Përveç Ilia Karalliut, Miranda Putos dhe Jolanda Mustafarajt, asnjëri nuk i vuri në gojë. Ajo që më vjen të qesh edhe mbas kaq vitesh, është se ishte hera e parë që mamaja hodhi një tenxhere të vogël që gatova kërmijtë, pasi herën e dytë ndodhi mbas disa vitesh kur gatuaja edhe mishin e breshkave që mblidhnim me Adrtiatik Shehun, Adi Meçen, Julian Meçen dhe Plorand Haxhirajn.

 

Skulptura në allçi dhe ikonat

 

Nuk e mbaj mend mirë se cili vit ka qenë, por më duket në dimrin e klasës së tetë, kur më vjen i gëzuar se kishte gjetur një sasi të konsiderueshme allçie dhe do punonte një skulpturë. Ai që në vegjëli besonte tek Zoti, pasi rridhte nga një familje e besimit kristian. Edhe pse në sistemin e kaluar ndalohej feja, në familjen e tyre ndizeshin shpesh qirinj dhe tymosej apartamenti i tyre me temjan dhe kjo bëhej çdo të diel. Ai frymëzohej shumë edhe nga dy ikona të vjetra që mbanin në dhomën e vetme të gjumit. Kur e kam pyetur në fillimet e shkollës fillore, se çfarë janë këto të dyja që mbani varur në mur, m’u përgjigj se “janë ikona të vjetra”. Nuk kisha idenë se për çfarë fliste, pasi ashtu ishim rritur, por ai më shpjegoi me shumë qetësi simbolin, rëndësinë, moshën e tyre dhe prej nga kishin ardhur.

Më kujtohet që një nga ato ishte 300-vjeçare dhe tjetra 800-vjeçare dhe i kishin të trashëguara nga të parët e familjes së tyre dhe nuk i kishin dorëzuar apo djegur siç bënin disa kur regjimi i kaluar u vuri kazmën kishave, xhamive, teqeve dhe ndaloi besimin fetar. I prekja me dorë pasi e ndjeja edhe peshën fizike të tyre, por jo atë shpirtërore. Nuk më kujtohet mirë (pasi kanë kaluar shumë vite), por më duket se njëra i kushtohej Panagjisë dhe tjetra e një shenjtori të besimit grek ortodoks. Edhe pse i vogël dhe mospasja njohuri në ikonologji, dukeshin që ishin të vjetra si druri, por edhe pamja e plasaritur. Këto ishin një pjesë që ndoshta atë e frymëzonin për të vazhduar pikturën dhe skulpturën. Me largimin e tij në Greqi nuk kisha asnjë informacion, por as edhe një kontakt me Lekon. Unë u largova për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo bëri që të humbisja shpresat se një ditë të paktën do të kontaktonim edhe në telefon.

 

Një telefonatë pas vitesh

 

Mbas disa vitesh, aty nga viti 2008, më telefonon dhe gëzueshëm më prezantohet duke më thënë që “Jam Lekua”! U gëzova pamasë, pasi jo vetëm që kishim kohë që nuk i kishim dëgjuar as zërin njëri-tjetrit, por gjithmonë sa kthehesha mbrapa në vegjëlinë time, bashkë me të tjerët do të ndodhej edhe Lekua… qesh. Mbasi pyetëm për shëndetin e njëri-tjetrit dhe të familjeve tona të vjetra ku u rritëm, më shprehet se mund të vinte shumë shpejt si turist në Nju Jork për të shpenzuar dy-tre javë nga pushimet e tij vjetore. Ardhjen ja bënte më të lehte pasaporta e tij greke, pasi e kishte fituar shtetësinë nëpërmjet origjinës së prindërve të tij. Edhe pse iu shpreha se është i mirëpritur në çdo kohë, nuk erdhi. Nga biseda mësova se punonte si piktor dhe skulptor në një studio greke, por edhe në studion e tij. Facebook-u na rilidhi sërish dhe aty pashë punime nga më të ndryshmet jo vetëm portrete të punuara me laps plumbi, skica, në vaj, por edhe ikona. Gjithashtu, buste dhe shtatore të ndryshme, jo vetëm në gips, por edhe në dru. Me këtë lëndë të fundit, dukeshin qartë trungjet e trashë prej druri qe gdhendeshin deri në brendësi të saj, për të nxjerrë shtatoren. Duke shkëmbyer mesazhe nëpërmjet Facebook-ut, mos gabohem mësova se kishte studiuar edhe në Greqi, por nuk më dha detaje të tjera kur mësoi se doja t’i dedikoja një shkrim. Kjo ndodhi pasi ja njoh natyrën e tij dhe nuk i ka shumë për zemër promovimet në adresë të tij (ndryshe nga disa të tjerë që nuk duan t’i përmendësh të kaluarën), por thjesht jeton me atë natyrën e tij të thjeshtë dhe i zhytur nëpër botën e artit. Padyshim që do ketë pas hapur edhe ndonjë ekspozitë me punime të tij në pikturë dhe skulpturë, por nuk munda të mësoj më shumë. Ajo që më vjen ndërmend, janë çastet kur me zërin e tij melodioz, këndonte këngë greke. Mbas moshës 18 vjeç pak kohë shpenzoi edhe për të mësuar të luante me instrumentin e klarinetës, pasi kjo ishte e vëllait të tij të madh Koços i cili ishte jo vetëm pjesë e fanfarës (Bandës frymore të qytetit), por shkonte shpesh të luante me orkestrën ku bënte pjesë edhe nëpër dasma dhe gëzime të ndryshme të bashkëqytetarëve. Është shumë e vështirë që të gjesh punime të tij me emrin Aleksandër Cui, por me firmën e tij Alexsandros Zografos, po. E di fortë mirë që Leku kur të lexojë këtë shkrim, nuk do të ndihet mirë dhe do të skuqet, por nuk janë asgjë veçse kujtime, që nëse nuk do të ulemi dhe t’i hedhim në letër, do të humbasin nëpër galaksinë e kohërave dhe aq më shumë, që asnjë nuk do ta njihte se nga vinte Alexandros Zografos, i cili është edhe memaliot. Duke shfrytëzuar këtë shkrim desha të shprehja mirënjohjen për familjen Cui, për kontributin e tyre që kanë dhënë që në vitet e para të themelimit të qytetit tonë. Është babai i tij Mina Cui (ku na vështron nga paqja e përjetshme), i cili ka gëzuar gjithmonë respektin e bashkëqytetarëve të tij, jo vetëm si një ndër kuzhinierët e parë dhe një ndër më të mirët që ka patur qyteti ynë, por edhe si një bashkëqytetar i devotshëm. Nënë Anastasia, ka punuar një jetë të tërë në punët e vështira të ekonomisë ndihmëse e pak kohë tek “Sherebeli”. Vëllai i tij Koçua, një mekanik i zoti në ish ofiçinën e minierës. Vëllai tjetër Jorgua, kuzhinier i talentuar që trashëgoi profesionin e babait dhe dy motrat e tij Vasilika dhe Aretia të cilat kanë punuar në sektorë të ndryshëm. Duke kujtuar Lekon dhe familjen e tij, njëkohësisht kam shprehur edhe respektin për ata qytetarë të denjë memaliotë, qē kanë kontribuar qoftë edhe në mënyra modeste për qytetin e tyre, që në të kaluarën e afërt i kanë dhënë një identitet qytetit të Memaliajt, në ndryshim me kohën e sotme, ku qyteti dhe industria e tij e qymyrgurit është rrënuar dhe edhe një qendër qyteti përsëmbari po e bëjnë së prapthi e me abuzime.

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit