Data : 16 10 2018
KryeTitujt :

Albina Deda: Qeveria “Rama” jo vetëm që ka probleme, por është vetë problemi i këtij vendi

Albina Deda: Dekorimi i Gafur Mazrekut, akt kriminal i dirigjuar nga Edi Rama
INTERVISTA/ Flet ish-deputetja e Partisë Demokratike,  Albina Deda: “Figura e Azem Hajdarit është e pacenueshme nga këta dordolecë, që shiten e blihen si bagëtia në pazarin e Milotit”Dekorimi i ish-deputetit socialist, Gafur Mazreku nga Këshilli Bashkiak i Hasit, komentohet si një akt i rëndë dhe i paramenduar, nga ish-deputetja e Partisë Demokratike,  Albina Deda. Gjatë një interviste të posaçme për “Albanian Free Press”, ajo akuzon madje edhe vetë kryeministrin Edi Rama, si “dirigjues” të këtij vendimi.  Për të përmendur edhe Azem Hajdarin, i goditur dikur në sallën e parlamentit nga Mazreku, figura e të cilit sipas saj nuk u pranua nga e majta, pikërisht për rolin e tij në shembjen e sistemit. “Dhe kjo hakmarrje vazhdon që të jetë e gjallë”, citon ajo. Më tej, lidhur me zhvillimet aktuale politike, ajo komenton se arritjet dhe risitë qeverisë “Rama” ekzistojnë vetëm virtualisht në propagandë. Dhe se data 28 qershor do të ishte mirë që të kurorëzohej me çeljen e negociatave me Bashkimin Evropian. E kjo pasi, sipas ish-deputetes demokrate, integrimin e do çdo shqiptar…

 

 

 

Si do ta komentonit dekorimin e ish-deputetit socialist, Gafur Mazreku nga Këshilli Bashkiak i Hasit? Ka pasur ndikim të jashtëm, pasi Rama deklaroi: Prefekti të mos firmosë vendimin?!

 

Propozimi për dekorimin e Gafur Mazrekut është një akt shumëfish provokativ, jo ligjor dhe aspak njerëzor. Ai rezulton të jetë një person i dënuar nga drejtësia për një akt të pashembullt kriminal. Nuk e di ku qëndron motivi dhe morali i dekorimit të një krimineli. Por akti i Gafur Mazrekut dihet botërisht që ishte politik, për faktin e thjeshtë se Azem Hajdarit kurrë regjimi diktatorial nuk ia fali rolin e tij në shembjen e sistemit dhe kjo hakmarrje vazhdon që të jetë e gjallë. Edi Rama, Gramoz Ruçi dhe bijtë e diktatorëve që sot fatkeqësisht janë në pushtet, po e ngrejnë në kauzë këtë hakmarrje. Veprime të tilla janë të neveritshme dhe primitive. Por kur mendon se Parlamentin e udhëheq pikërisht frymëzuesi i Mazrekut, ish-shefi i policisë sekrete të diktaturës, Gramoz Ruçi, pritet dhe më keq. Por ky provokim i kalon kufijtë e të qenit provokim ndaj PD-së. Është një delikt i rëndë dhe i paramenduar kombëtar. Kushdo që i njeh hasjanët, të majtë e të djathtë, e dinë se nuk është një veprim lokal i pamenduar, por një akt kriminal i dirigjuar personalisht nga Edi Rama dhe ai do mbajë përgjegjësi. Pas trarit të oligarkisë në Rrugën e Kombit, ai tenton serish të nxisë vëllavrasje në veri të Shqipërisë. Patologjia e urrejtjes se kryeministrit ndaj veriorëve është e lexueshme, por jam e sigurt se nuk do ia arrijë. Diktatorët në fundin e tyre, jo vetëm shpërfytyrohen, por shfaqin iniciativa trimërie, që në fakt nuk e kanë. Figura e Azem Hajdarit është e pacenueshme nga këta dordolecë që shiten e blihen si bagëtia në pazarin e Milotit.

 

Cilat janë problemet kryesore të qeverisë “Rama” dhe si do jetë lufta politike e opozitës ndaj qeverisë në vazhdim?

 

Qeveria “Rama” jo vetëm që ka probleme, por është vetë problemi i këtij vendi. Duhet cilësuar se prej vitit 2013, në Shqipëri nuk janë në pushtet socialistët dhe as politikat sociale të çfarëdo lloji. Asnjë arsyetim nuk e konteston këtë konstatim. Në pushtet, prej 5 vitesh është një njeri anarkist me pikëpamje politike e humane tërësisht të përçudnuara që quhet Edi Rama. Ai nuk ka ftuar në pushtetin e tij asnjë socialist dhe as profesionist. Enturazhi i tij qeverisës nga baza, në majë të piramidës është një çetë grabitqare servilësh, të alternuar me klonet e komunizmit. Çdo reformë e proklamuar dhe aksion qeverisës ka rezultuar jo vetëm i dështuar, por edhe i korruptuar. Rezultantja qeverisëse si definicion ka qenë të rënduarit deri në palcë të shtresës më të vobektë të shoqërisë. Tre janë sot piramidat që dallojnë qeverisjen “Rama”: Drogë, varfëri ekstreme dhe largim masiv i popullsisë nga atdheu! Shqipëria “de facto” nuk është më republikë, por një sulltanat i pashpallur në zemër të Evropës. Në këto kushte, ndonëse në një terren politik të egër dhe antidemokratik, opozita e ka bërë rolin e saj. Në vijimësi, me kurajë dhe fakte janë denoncuar te gjitha aktet korruptive të qeverisë në çdo nivel me emër dhe argumente. Janë shfrytëzuar metodat demokratike të protestës opozitare në parlament dhe jashtë tij. Por a mjafton kjo? Mendoj se kur kemi një kryeministër, që gradon ministra të Brendshëm njerëz të lidhur me drogën dhe krimin, kjo është shumë pak. Ndaj jam e sigurt se opozita do t’i prijë e do ta drejtojë një revoltë të fuqishme demokratike mbarëshqiptare, që po përvijohet kundër kësaj klike qeveritare.

 

Reforma në drejtësi, sipas jush a po ecën në rrugën e duhur dhe a ka probleme?

 

Nuk i përkas fushës së drejtësisë, të adresoj konsiderata profesionale, por mendoj se ajo është reforma më e domosdoshme. Po aq jam e bindur se nën trysninë e egër të Edi Ramës dhe bandës së tij, kjo reformë nuk mund të përparojë. Përkundrazi, ajo do rezultojë si një mburojë e narkopolitikës dhe oligarkisë. Një kryeministër që jo vetëm ndërhyn në gjyqësor, por dhe kërcënon me gjuhën e Kim Yongut nuk mund të rezultojë gjë tjetër, veçse kapje të sistemit. Nëse kemi pasur disa shkëndija ne aparencë pozitive, kjo ka ardhur kryesisht nga ndërhyrja energjike e aleatëve euroatlantikë, te cilët e kanë stimuluar dhe janë investuar ne këtë reformë. Por investimit të tyre i mungon vullneti i qeverisë. Me një fjalë, Edi Rama dhe jo vetëm, nuk janë aspak të interesuar për progresin e reformës. Një reformë e mirëfilltë ne drejtësi, pikë së pari do ishte krimi që do t’i trembej. Por ndodh e kundërta. Krimi po inkurajohet dhe po fuqizohet. Kjo është shenja se vetë reforma po degradohet. Largimi sa më parë i Edi Ramës me çdo kusht është gërma e parë e alfabetit të reformave në këtë vend.

 

Cili është mendimi juaj për 28 qershorin. A do të hapen negociatat me BE-në? A janë plotësuar detyrat e shtëpisë?

 

Së pari, duhet theksuar se për mua e çdo njeri të thjeshtë të këtij vendi nuk vlejnë integrime të rreme, por realitete që shëndoshin jetën tonë ekonomike e sociale. Kjo nuk po ndodh dhe nuk mund të ndodhë për 10 ditë. Realiteti ynë është i zi dhe kriminal, me varfëri e skamje, me korrupsion e parametra të ligështuar të demokracisë. Atëherë, ku janë arritjet e risitë qeverisë?! Ekzistojnë vetëm virtualisht në propagandë, të vetmen që di ta bëjë me merak Edi Rama. Gjithsesi, për çdo shqiptar, hapja e negociatave, qoftë dhe me kushte e limite, është e rëndësishme në një plan: Do të thotë që ky regjim kleptokratik, të monitorohet më rreptë nga Europa. Do të thotë më shumë kontroll të metropoleve perëndimore dhe institucioneve të saj, të mbjelljes së drogës dhe ndikimit të saj në blerjen e votës. Nuk ka shqiptar që nuk e aspiron integrimin. E më shumë se kushdo, ne ish-studentët e dhjetorit e gjithë demokratët. Por një integrim i vërtetë me Edi Ramën është jo vetëm iluzion, por një barsoletë me humor të ekzagjeruar.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :