Data : 11 12 2018
KryeTitujt :

ALBERT KAMY – NJE ‘‘NDËRTUES I FATIT NJERËZOR’’ DHE PASIVITETI I VERBËR I TË SHKOLLUARVE SHQIPTARË..

ALBERT KAMY – NJE  ‘‘NDËRTUES I FATIT NJERËZOR’’
DHE  PASIVITETI  I VERBËR I TË SHKOLLUARVE  SHQIPTARË…

ROBERT MARTIKO
shkrimtar

robert
Ka disa muaj që ka dalë në qarkullim një libër me vlera të
jashtëzakonshme, që do të mund të shërbente si një pikënisje
ndryshimesh për një shoqëri në nevojë. Është fjala për veprën ‘‘Njeriu
i Revoltuar’’, e  shkrimtarit francez Albert Kamy, përkthyer nga
profesor Ilia Lengut: një individ që dallon për saktësinë dhe
racionalizmin në mendim, diçka që e gjen rrallë në ditët e sotshme.
Në titull kam përdorur termin ‘‘Ndërtues i Fatit Njerëzor’’. Gjendet
jo lehtë në Google. Do të sqaroj më poshtë se çfarë kuptimi mirëbërës
ka për shoqërinë. Paraprakisht më duhet të pohoj se, gjatë gjysmë
shekulli diktaturë, arsimi larg modeleve perëndimore, na bombardoi pa
pik mëshire. Për pasojë, vetëm një studim i kualifikuar individual
lejon, zbulimin e sekretit të thellë të kulturës së Botës së
Civilizuar, që sot ka shpërthyer Kohën, ndërkohë që pjesa tjetër e
Botës gjendet e kredhur në gjumë të thellë shekullor.
Do të përpiqem të shprehem sa më thjesht për tu bërë i kuptueshëm. Nuk
do tu përngjaj intelektualeve, që edhe pse me tituj të lartë, kanë
borxh të të mbysin me terma të trajtave: lava e ndriçuar e dijes, herë
kokëposhtë e herë vrik përpjetë, rrapëllimat e kohës, rrufe shigjetare
në qiellin e tharë prej reve të absurdit,  yje mençurie që puqen me
tokën, koha dhe hapësira humbasin matësit, Perëndi të Olimpit… Këto
shprehje bombastike tregojnë cektësi dhe pasaktësi patologjike
mendimi. Po aq sa monotone është përmendja e Lorkës, Borghesit, apo e
ndonjë tjetri, kohët e fundit është futur në modë James Joyce, sipas
modelit: ‘‘shiko rrushi rrushin e piqu’’. I shkruaj këto sepse
Intelektuali nuk presupozon një mendje të fosilizuar, që i palodhur
merr e jep lavdërime në kafene apo në Feisbuk. Një lloj kokoshi i
kënaqur ligjërues mbi pleh. Intelektual do të thotë të përpiqesh të
ndryshosh sado pak fatin e shoqërisë. Këtë gjë, me qartësinë dhe
intensitetin e duhur, rrallë e gjen të shprehet. Për të mos thënë se
nuk ekziston as ideja e dritës ndriçuese për shoqërinë, sipas modele
Mbinjerëzish Shqiptarë, të vetmit burra të vërtetë, të provuar në
Bankë-Prova Reale, të Sigurimit Famëkeq, jo dëngla heronjsh imagjinarë
të cilët, kur mbijetuan, provuan se nuk qenë asgjë tjetër veç një
bandë të frikësuarish, kriminelësh vëllavrasës.
Sipas Historisë së Filozofisë Botërore, përfytyroni para më shumë se
pesë mijë vjetësh një xhungël me kafshë të egra ku bënte pjesë edhe
njeriu. Rregullat qenë fare të thjeshta: ‘‘Ose ha, ose më hanë.’’ Për
herë të parë në botë, një filozof si Sokrati hoqi vëmendjen nga Natyra
dhe Perënditë e kohës, për ta drejtuar te Njeriu. Ky ishte Ndërtuesi i
Parë i Fatit Njerëzor mbi tokë. Pas tij vijoi Platoni e më pas
Aristoteli. Perandoria e Bizantit, e cila ishte e para që përqafoi
Krishterimin, nuk tregoi kurrfarë interesi për Logjikën që sillte për
njerëzimin kjo treshe, si Ndërtues të Fatit Njerëzor. Prandaj edhe e
pagoi shtrenjtë nëpërmjet njerëzve që krijoi, me kulturën e cunguar që
prej shekujsh prodhon, diçka që shkëlqeu në gjithë madhështinë e saj
vëllavrasëse në Revolucionin e Tetorit dhe në vijim: gjashtëdhjetë
milionë të vrarë nga lufta e brendshme civile.
Krejt ndryshe, Perëndimi nuk bëri gabimin e Bizantit. Kisha Katolike,
me mundim, dhe përherë me doza konservatorizmi, lejoi Logjikën të
vendosej përbri Dogmës Fetare. E kundërta do të ishte, ti priste kokën
të parit filozof. I dyti nuk do të guxonte. Pikërisht ky ‘‘lëshim’’
bëri të mundur lindjen e një universi të tërë yjesh të jashtëzakonshëm
si Mikelanxhelo, Da Vinçi, Bah, Moxart, Betoven, Rembrant, Shekspir,
Gëte, dhe mijëra të tjerë. Toleranca bëri të mundur kalimin nga
Mesjeta, në Rilindjen Evropiane, duke u bërë shkak të hidhte farën e
parë të ndryshimit te Njeriu. Kjo është gjëja më kryesore që dua të
trajtoj. Mbasi, ndryshimi i mentaliteteve te njeriu është thelbi, në
mënyrë që vendet e prapambetura të shkëputen nga balta shekullore.
Tjetër del një fëmijë i trajtuar me butësi dhe tjetër bëhet fëmija i
përvëluar nga grushtet dhe pëllëmbët qysh në djep.
Sigurisht, do të duhej të kalonin shekuj edhe për Evropën, deri sa të
arrihej në vendet-model të ditëve të sotshme. Dallojnë veçanërisht ato
të Evropës Veriore, ku edukata ka arritur kulmin. Jo më kot Vendet e
Civilizimit Perëndimor janë ëndërr e vërtetë për miliona emigrantë nga
gjithë bota, që braktisin vendet e tyre, për shkak të vëllavrasjes
shekullore. E njëjta gjë ndodhi dhe ndodh edhe në Shqipëri. Përçarja
shoqërore është një fenomen tejet negativ, diçka që mjeshtërisht dinë
të shfrytëzojnë, të nxisin e mbajnë përherë në sipërfaqe politikanët,
thjesht për përfitim personal.
Në vijim të Historisë së Filozofisë Botërore, pas Platonit e
Aristotelit, Ndërtues të Fatit Njerëzor u bënë murgët-filozofë:
Augustini i Iponës, Tomas Akuinasi, Alberti i Madh, Pier Abelard etj.
Mund të bëjmë një pyetje pa lidhje thelbësore me temën që trajtojmë.
Përse ndër miliona planetë në hapësirë, pati jetë vetëm në tokë? Në
mënyrë analoge mund të bëhet pyetja se, përse nga të gjitha shoqëritë
aktuale mbi Tokë, vetëm në Evropë ndodhi mrekullia. E vërteta është se
murgët-filozofë influencuan mbi Vatikanin. Në këtë mënyrë iu vu fre
Krishterimit vrastar të fanatikëve, Inkuizicionit Kishtar me
ekzekutime heretikësh, magjistarësh e magjistaresh, turrave me dru, ku
u dogj i gjallë Xhordano Bruno. Përbri verbërisë kishtare u vu Logjika
sipas këtij arsyetimi çudibërës: ‘‘Ekzistenca e Zotit nuk mund të
provohet, përderisa askush nuk e ka parë. Logjika nuk duhet të pushojë
interpretimin e Hyjnores. Pjesën e Misterit që Logjika nuk zbulon dot,
duhet ta mbushë Besimi.’’ Ky ishte hapi i parë në mënyrë që Filozofia
dhe Shkenca, të fillonin të largoheshin gjithnjë e më shumë nga
Teologjia. Kjo ndihmoi që jeta fetare të kishte më shumë lidhje me
Arsyen. U përhap gjithnjë e më shumë mendimi se Zotit nuk mund ti
afrohesh me ndjenja të verbra fanatikësh, por kryesisht me një Logjikë
të aftë për të mbajtur në kontroll ndjenjat dhe instinktet
vëllavrasëse të Xhunglës.
Në mënyrë anakronike dhe të qëllimtë, shkollat marksiste lanë në
gjendje të pazhvilluar mendjet e intelektualëve në gjithë Lindjen e
Kuqe. E vërteta është se Rilindja Evropiane bëri që Jeta Fetare dhe
Shkenca të hynin më lirshëm në kontakt me njëra tjetrën. Pushuan të
ishin në armiqësi me njëra tjetrën. Edhe Xhordano Bruno, që Kisha e
dogji në turrën e druve, ishte murg- filozof i urdhrit dominikan.
Ndryshe nga sa besohet, jeta fetare e Rilindjes Evropiane, duke pasur
brenda saj LOGJIKËN, i hapte rrugën një ndjenje më të thellë fetare.
Hyjnorja, edhe sikur një përrallë e bukur shënëndreu të jetë, përmban
brenda saj MORALIN, që është elementi më thelbësor për një shoqëri të
ndryshojë, në rrugën e saj të vështirë, nga Xhungla Vëllavrasëse drejt
Civilizimit. Ky ishte elementi më rëndësishëm psikologjik që
influencoi në Shoqërinë dhe Kulturën Evropiane, udhëheqëse sot në
Botë. Mbi këtë bazë ndryshimesh, të bazuara në Logjikë, u zhvillua
Humanizmi Evropian. U krijua mendimi se njerëzit nuk rronin vetëm për
hir të Zotit, por se Zoti i kishte krijuar edhe për të jetuar jetën e
tyre. KJO ISHTE FITORJA E VËRTETË, që do të thotë se Zoti, pavarësisht
nëse ekziston apo jo, nuk e ka parë askush, por si forcë kaq e
fuqishme në mentalitetin njerëzor, nuk është Babagjyshi i fshehur në
fund të Universit. Është një Zot të cilin Evropiani e zbriti nga
Qielli në Tokë në radhë të parë për të dashur njeriu njeriun. Jo për
ta vrarë e zhdukur nga faqja e dheut, siç ndodh në të gjitha vendet e
prapambetura të botës, përfshirë Shqipërinë. Prandaj Ekonomia e
Vendeve të Civilizimit Perëndimor udhëheq në Botë. Sepse, pas
Ekonomisë së zhvilluar ose jo, fshihet gjithmonë Kultura e Shoqërisë
përkatëse. Hyjnorja njerëzore bëri Ainshtainin të shprehej aq bukur në
letrën e tij të famshme, duke pasur parasysh Zotin e filozofit
holandez Spinoza, të shekullit të XVII.
Vetëm tani do të jemi në gjendje të analizojmë Albert Kamynë dhe
librin ‘‘Njeriu i Revoltuar’’. Ndihma që sjell profesor Ilia Lëngu si
përkthyes i zgjedhur është një ndihmë e jashtëzakonshme për
intelektualët shqiptarë me mendje të hapur.
Vepra mëson se i ashtuquajturi Revolucion Proletar është një rrugë pa
krye. Pashmangshmërisht të çon në qorrsokak. Eseja është një kritikë e
pamëshirshme për revolucionin dhe revolucionarët. Çdo paragraf dhe
fjali është një kritikë e fortë kundër etikës vëllavrasëse
revolucionare. I vendos njerëzimit problemin se për të shpëtuar nga
padrejtësia e pushteteve duhet të bëjnë sytë katër, për të mos rënë
nga shiu në breshër.
Konkluzionet e mësipërme patën vlerë të jashtëzakonshme, jo vetëm për
Francën. Dihet se në kohën e Luftës së Ftohtë një pjesë e
intelektualëve perëndimorë, duke mos njohur krimet e komunizmit, bënte
propagandë të verbër për të. Çuditërisht, në kufijtë e absurditetit, e
njëjta gjë ndodh sot edhe me një pjesë të të ashtuquajturve
Intelektualë të Lartë Shqiptarë, në trajtë të fshehur. Fakti që deri
më sot ose e kanë lenë në heshtje, ose e konsiderojnë ‘‘Njeriun e
Revoltuar’’ si diçka që vetëm ‘‘iu shijon’’, tregon cektësi.
Intelektual do të thotë ti japësh dritë shoqërisë. Jo të lavdërosh
çfarëdo lloj majmunësh të mësuar idiotë që dalin përpara. Të tillë, me
prejardhje nga Homo Sovieticus, ka shumë. Bëhet fjalë për një mangësi
klasike të pashërueshme. Intelekti.
Për të vërtetuar se Libri i Kamysë pati jehonë dhe mirëkuptim në jetën
evropiane, mjafton të përmendim të famshmin Maj Francez në vitin 1968.
Ishte një lëvizje e madhe kryesisht studentore që paralizoi Francën.
Ka kaluar gjysmë shekulli nga viti 1968 dhe Maji Francez nuk u
përsërit më. Çdo vit festohet funerali i tij. Jo sepse francezët
humbën ndjenjën e revoltës! Revolta nuk duhet të humbasë kurrë. Por
sepse një ‘‘Ndërtues i fatit Njerëzor’’ si Albert Kamyja iu tregoi
intelektualëve inteligjentë francezë, jo hordhive të egra ballkanase,
se Revolta duhet të bërë në mënyrë të tillë që të marrë parasysh
Njeriun. Kemi rastin të  zbulojmë në këtë pikë atë qelizën më të vogël
të Shoqërisë Perëndimore: INDIVIDIN. Jo Individin e çmendur egoist,
kriminel dhe hakmarrës, por Individin njerëzor, të përgjegjshëm,
produkt të Rilindjes Evropiane: ku Dogmës Fetare i vuri fre Logjika.
Vallë çfarë ndodhi në pjesën tjetër të Botës, atje ku nuk ndodhi
fenomeni antropologjik i mësipërm, ku shoqëria edhe sot e kësaj dite
vijon e patrazuar rrugën e saj në kope, si në Ballkan apo gjetkë, me
të ashtuquajturit ‘‘Intelektualë të Lartë në Krye’’! Le të marrim
shembull Rusinë: gjashtëdhjetë milionë të vrarë nga lufta
shtatëdhjetedy vjeçare, civile, vëllavrasëse, në saje të Luftës së
Klasave. Në gjithë botën u asgjësuan rreth njëqind milionë njerëz. Tre
vërejtje të rëndësishme… Si shpjegohet që Marksizmi fitoi në një
vend me fshatarësi të prapambetur, pa klasë punëtore! Përse vajti dëm
gjithë ai studim i famshëm marksist: klasa punëtore varrmihëse e
borgjezisë! Përse marksizmi nuk gjeti zbatim në Evropë! Marksi
shpresonte se komunizmi do të triumfonte në Shtetet e Bashkuara,
Lenini shpresonte në Suedi, Gjermani, Francë, Itali. E vërteta është
se shumica e këtyre vendeve, e bazuar në Individualizmin Njerëzor të
Logjikës dhe jo në kopenë e instinkteve vëllavrasëse, kishte në DNA
gjenin e hedhur në gjakun evropian menjëherë pas Mesjetës së egër, në
agimin e Rilindjes Evropiane.
Parë në këtë prizëm Albert Kamy, e përsëris, është një Ndërtues Fati
Njerëzor. Si bir i tolerancës së Kulturës Evropiane, mëson se rebelimi
nuk presupozon prishjen e një sistemi për të ngritur një tjetër sistem
kriminel. Nobelisti bën thirrje për të menduar thellë, me ndjenjën e
përgjegjësisë për pasojat.
Asnjë herë tjetër në historinë e njerëzimit, qenia njerëzore nuk u
ndie më pranë shpërbërjes dhe kalbëzimit se sa në komunizëm, me dhunën
skajore të bëhej matësi i saj tragjik.
Nuk e di nëse u kuptua frazeologjia e fundit. Në Shqipëri tre milionë
shqiptarë duartrokisnin të trembur deri në palcë Diktaturën. Kur bëj
fjalë ‘‘për matës tragjik’’ vallë u ka shkuar ndër mend të
ashtuquajturve ‘‘Intelektualëve të Lartë Shqiptarë’’, se kush u mat
dhe doli fitimtar mbi dhunën! Sigurisht, jo ca të trembur deri në
palcë si ata. Më i madhi i tyre, në kulmin e frikës histerike, i
drejtohej Enver Hoxhës të ngrinte gijotinën në mes të Tiranës, në
mënyrë që vëllai të vriste vëllanë. Një tjetër, gjoja poet i madh,
shkruan me vargje se, për të shpëtuar kokën në rrezik, është gati të
heqë pantallonat. Dhe gjejnë përkrahës intelektualët përkatës! Mos
vallë kemi të bëjmë me çmenduri kolektive në nivel të lartë! Si mund
të edukohet brezi i ri me të tilla Paçavure Morale! Kështu do të
edukojmë fëmijët tanë! Të admirosh artin pa i dhënë kuptim jetës për
mua është një cilësi njerëzish dritëshkurtër .
Në anën tjetër qëndrojnë Mbinjerëzit, sipas kuptimit të Frederik
Niçes: fisnikët e vërtetë gjatë gjysmë shekulli në Shqipëri. Nuk janë
heronjtë e çastit, që kur mbijetojnë kthehen në skllevër keqbërës.
Mbinjerëzit janë burrat e vërtetë, xhentëlmenë të ndërgjegjes,
pavarësisht se vetëm një pakicë intelektualësh, të bazuar në Kulturën
Klasike i vlerësojnë në nivelin e merituar. Bëhet fjalë për kalibra të
rëndë të Ndërgjegjes Njerëzore, humanistë të tipit Pjetër Meshkalla,
Simon Jubani, im atë Dino Martiko, Dilaver Premti, etj. U treguan të
gatshëm për sakrifikuar edhe  familjet e tyre për të mos tradhtuar, jo
vetëm mikun dhe të njohurin, por edhe të panjohurin. Si mund të lihet
pa përmendur një tjetër personalitet i fuqishëm, poeti i madh Lasgush
Poradeci, muza lirike e të cilit pushoi porsa në Shqipëri u fut
komunizmi. Interesant është se shumë shkruajnë për të, pa u emocionuar
për dimensionin njerëzor. Iu bën vërejtje, ua përsërit dhe nuk hanë
pyka. Me këtë lloj lëkure të trashë, pandjeshmërie
moralo-intelektuale, asgjë nuk i ndryshon gjërat në Shqipëri. Prandaj
theksoj Njeriun e Revoltuar, duke nënvizuar se pa Individë të
Përgjegjshëm Njerëzorë shoqëritë nuk bëjnë hap përpara.
Kamy thekson se revolucionari përfundon në zëvendësimin e Zotit me një
tjetër Hyjni, që bëhet varri i tij. Një metafizikë zëvendësohet nga
tjetra. E dyta është tmerrësisht fatale. Në kushte skajore, si ajo që
kaloi edhe Shqipëria, humbet jo vetëm Revolta por edhe Ideja e saj. Në
të gjitha vendet e botës, ku ndodhi ky fenomen, shoqëria u kthye
qindra shekuj pas. Mendjet mediokre që nuk arrijnë të kapin dot këtë
fakt të pakundërshtueshëm historik, ose janë fanatikë të pakorrigjuar,
ose janë tipa për të ardhur keq. Qesharakë së bashku me titujt e
mëdhenj: ‘‘profesorë’’, ‘‘doktorë’’, ‘‘mjeshtër të mëdhenj’’, zero të
bukura me xhufkë.
‘‘Njeriu i Revoltuar’’ është një kryevepër për individin e lirë që do
me të vërtetë lirinë, që ndien turp kur dinjitetin e tij ia dhuron
verbërisht partisë. ALbrt Kamy revoltohet dhe vendos të shkruajë esenë
më bindëse kundër diktaturave. Thekson se duhet dalluar revolucioni
nga revolta. E para të fut në qorrsokak. E dyta është një veprim i
përhershëm.
Përveç Kamysë filozof, madhështia e tij qëndron edhe si NJERI. Nuk
pyet për grupin majtist francez, ku shpirtërisht bën pjesë. Nuk
ligështohet për mikun, filozofin francez, fanatikun e majtë deri në
absurditet, Zhan-Pol Sartrin, i cili kur mësoi daljen në dritë të
Librit bëri deklaratë ostrakizmi.
Prej personalitetesh si Albert Kamy, intelektualit shqiptar i bie për
detyrë të ndryshojë edhe karakterin. Të jetë ballëlart dhe jo
zvarranik në jetë. Të gjendet gjithmonë përballë pushteteve. Boll me
karakteret e ndyra të Diktaturës. As mish as peshk. Akoma më shumë do
të mund të mësonte prej Mbinjerëzve Shqiptarë të cilët me burrëri e
ndershmëri u ngritën kundër kopesë edhe në ditë të vështira. Jo në një
vend me Rilindje Evropiane si Franca, por në zemrën e Xhunglës
Ballkanase, nga më të egrat në botë. Ishte diçka që kërkonte zemër dhe
guxim të jashtëzakonshëm nga ana e tyre.
Rezervohem të shprehem se sa mund të prekin fjalët e mia. Di vetëm se
të veçantët nuk mungojnë kurrë. Mund të them se jam mjaft i
entuziazmuar nga profesor Ilia Lengu dhe përkthimi i tij i
mrekullueshëm. Mes këtyre rreshtash përcjell falënderim e mirënjohje
të thellë për ‘‘Njeriun e Revoltuar’’, për Albert Kamynë, si shkrimtar
dhe karakter, këtë Ndërtues Modern të Fatit Njerëzor…

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :