Data : 15 11 2018
KryeTitujt :

Aktori Vasil Vaso: Pa teatër e pa artistë, një vend nuk ka vlerë

Vasil Vaso: Pa teatër e pa artistë, një vend nuk ka vlerë
INTERVISTA/ Flet aktori i njohur i humorit, Vasil Vaso: “Tempujt e artit që padyshim vlerësohen si Meka dhe Jeruzalemi, kurrsesi nuk duhen të preken nga qeveritarët, sepse në to qëndron historia e artit shqiptar. Brenda tyre flet historia e artit të  kombit tonë” 

Një jetë e tërë dedikuar humorit dhe skenës shqiptare. Ky ka qenë rrugëtimi i aktorit të njohur të humorit, Vasil Vaso, të cilin ai e sjell përmes një rrëfimi të veçantë edhe për lexuesit e “Albanian Free Press”. Duke sjellë në vëmendje faktin se “Akademia e Arteve, si i vetmi tempull ku dilnin aktorë për trupat e teatrit, edhe pse kishte vlerën e vet në përgatitjen e këtyre talenteve, vije re se nuk përgatiste aktorë humori”. Dhe ka qenë pikërisht kjo ndjesi, sipas tij, e cila bëri që burimi kryesor i trupave të estradave profesioniste, të ishte prurja e personave të talentuar, ardhur nga ndërmarrje të ndryshme. “Talenti i tyre u zhvillua nga regjisorë me shkollë arti dhe me punë arritën të vlerësoheshin deri edhe me tituj e dekorata. Si pjesë e këtij grupi aktorësh, mund të them se isha me fat”, rrëfen ai…

 

 Fadil Shehu

 

Keni kapërcyer pragun e shtatëdhjetë e pesë viteve. Nëse do të riktheheshit sadopak në retrospektivën e viteve që keni lënë pas, si do t’i kujtonit ato?

 

Nuk ma merr mendja që mos të ketë njeri, i cili një ditë nuk e  kthen kokën pas, duke kujtuar vitet që ai ka përshkuar. Dhe kur ndalesh për një çast, vitet e fëmijërisë ende trokasin të freskëta në kujtesë. Fshati Sotira, ku unë u linda, kalova vitet e fëmijërisë, madje dhe një pjesë të rinisë time, pjesë e Dropullit në qarkun e Gjirokastrës, i cili  shtrihet mes maleve, të ofron natyrë me klimë të ftohtë, por përherë rrethuar nga gjelbërimi. Si djalë i vetëm, midis katër motrave, kisha privilegjin që i vetmi kontribut që jepja për shtëpinë, ishte të kullosja shpateve dhitë e kecat, së bashku me shokë të tjerë të fshatit. Shpesh tufat e kecave i linim së bashku në kullotë dhe vetë luaja me shokët. Por një ditë pikasëm se ujku kishte ngrënë katër keca. (Buzëqesh) Ujku u tregua i mirë me ne çobanët e vegjël, sepse nga çdo tufë ai kishte shijuar nga një kec.

 

Si erdhi arti në jetën tuaj?

 

Në vitet kur isha nxënës në shkollën e mesme politeknikum “7 Nëntori” në Tiranë, shkoja rregullisht dhe shikoja shfaqjet e estradës së Tiranës, ku në veçanti më tërhiqte humori i “Artistit të Popullit”, Skënder Sallaku. Loja e aktorëve të kësaj trupe, më pëlqente aq shumë, sa shpesh mendoja dhe thosha me veten time, sikur…?

 

Si rrodhën  më pas ngjarjet?

 

Ishte vërtet një dashuri që sapo kishte lindur. Pas mbarimit të kësaj shkolle, më emëruan  me punë në minierën e Memaliajt, ku jetova e punova gjashtë vjet, ku njëkohësisht pasioni për artin, nisi të hidhte shtat brenda meje. Këtu u aktivizova shpeshherë si aktor në estradën e këtij qyteti punëtor e bujar, për të cilin në atë periudhë, arti dhe sporti ishin limanët ku argëtohej gjithë qyteti.

 

Më pas, përfunduat universitetin për inxhinier mekanik, ku u emëruat me punë në Termocentralin e Fierit. Menduat se  tashmë dashuria për artin, për ju do të ishte veçse një ëndërr e largët?

 

Ndonëse vërtet sistemi i orarit të punës kërkonte impejim maksimal, sërish dëshira për artin rrinte zgjuar. Mikrobi i artit u bë si mola, nuk ngordhi kollaj, por u shtua tek mua. Gjallërimi i aktiviteteve dhe festivaleve midis ndërmarrjeve, përbënin jetën e gjallë të këtij qyteti-art dhe futbolldashës. Mora pjesë në disa festivale, ku luaja si aktor humori e shumë shpejt këto aftësi u vlerësuan.

 

Mjaft aktorë dhe këngëtarë të estradës së Fierit,Vlorës, Tiranës, Shkodrës, Durrësit, Beratit, Korçës, zanafillën e jetës së tyre të artit e kanë nga e ashtuquajtura “klasa punëtore”, madje disa syresh, të vlerësuar edhe me tituj “Nder i Kombi”, “Mjeshtër i Madh” dhe “Naim Frashëri” i artë. Ku qëndron suksesi i tyre?

 

Nëse do të shikosh institucionet kulturore që përgatisnin talente për estradat në vendin tonë, do të kuptosh se Akademia e Arteve, i vetmi tempull ku dilnin aktorë për trupat e teatrit, edhe pse kishte vlerën e vet në përgatitjen e këtyre talenteve, vije re se nuk përgatiste aktorë humori. Është kjo ndjesi, e cila bëri që burimi kryesor i trupave të estradave profesioniste, të ishte prurja e personave të talentuar, ardhur nga ndërmarrje të ndryshme. Talenti i tyre u zhvillua nga regjisorë me shkollë arti dhe me punë arritën të vlerësoheshin me tituj e dekorata që ju Fadil sapo i përmendët. Si pjesë e këtij grupi aktorësh edhe pse me shkollë të lartë, mund të them se isha me fat.

 

Si ishin fillimet tuaja me trupën e re të estradës profesioniste të Fierit, e cila sapo kishte nisur të krijonte bërthamën e vet?

 

Në vitin 1967, drejtues të kësaj trupe, në veçanti regjisori Llazar Verria, na kishin parë në disa aktivitete artistike, mua së bashku me Luftar Pajën dhe na aktivizuan me trupën e estradës profesioniste, e cila sapo ishte ngritur. Prezantimi im i parë i shkruar nga unë, ishte monologu “macja e zezë”, e cila më priste rrugën, që unë mos të vazhdoja më tej, por për çudi kjo mace mua më doli e bardhë, duke  vazhduar rrugën për mëse pesëdhjetë vjet me radhë. Njëherazi vazhdoja punën si inxhinier duke prodhuar energji për gjysmën e Shqipërisë në termocentralin e Fierit, madje duke prodhuar edhe energji artistike veshur me humor për trupën e estradës të Fierit. E veçanta e grupit që përbënte aktorët e ardhur nga klasa punëtore, nuk kishin huqe apo mendjemadhësi. Çdo njeri shfaqte me pasion e art, rolin e caktuar nga regjisori, i cili rolet i jepte “sipas kokës dhe qylafin”. Aktorët, partnerët e mi të parë ishin Nestor Pogaçe, Luftar Paja, Kujtim Jorgaqi, Fuat Boçi, Zoi Papa, të cilët u rritën dhe lartësuan emrin e mirë që mori më pas trupa e estradës profesioniste e Fierit.

 

Ç’do të thoshit për partnerët dhe kolegët tuaj në strehën e Bylisit?

 

Mendoj se çdonjëri prej pjesëtarëve të trupës sonë, kishte diçka të veçantë në mënyrën e gdhendjes së rolit, për ta bërë sa më të besueshëm dhe  real, duke u duartrokitur nga spektatori. Unë zakonisht interpretoja monologë si zhanër më i vështirë dhe për shkak të kohës që mund të punoja me kolegët.

 

Ndonëse jo pak herë, juve ju është ofruar vendi i aktorit profesionist, por çuditërisht e  refuzonit. Përse?

 

Po, është e vërtetë që shpesh kisha ofertë të tillë, për të kaluar me trupën e estradës profesioniste, por nuk më lejonin të largohesha nga puna në termocentral. Dëshiroja të kaloja në arsim, ku vazhdoja të jepja mësim në shkollë të mesme me orar të reduktuar, sepse të ardhurat nga estrada për mua ishin pak. Kështu, unë vazhdoja të punoja si inxhinier në termocentral, mësues dhe aktor me estradën. Me humor, regjisori i porsa ardhur nga Vlora, Pëllumb Kulla, që shumë shpejt i ngriti vlerat e kësaj estrade, thoshte me humor: “Vasili është njeriu që firmos në tre bordero”.

 

Nga biseda me aktorë fierakë thuhet se jeni i veçantë. Po ju, ç’do të thoshit për Vasil Vason?

 

Është më se e vërtetë që për shume vite, trupa jonë ka funksionuar si ansambël më vete, kurorëzuar me arritje dhe vlerësime maksimale nga publiku fierak dhe ai mbarëkombëtar. Të gjithë aktorët fierakë janë shpërblyer me meritë, me stimuj të ndryshëm për punën e tyre. Edhe unë i vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i qytetit të Fierit dhe me dekoratën “Naim Frashëri” i artë, dhënë nga ish-Presidenti Bamir Topi. Patjetër  që ndjehem i respektuar nga kolegët e mi të mrekullueshëm, duke i qenë përjetë mirënjohës publikut.

 

Vitet e fundit ju keni përkthyer komedi nga autorë botërorë, të cilat janë vënë në skenë nga trupa të ndryshme shqiptare dhe janë mirëpritur. Sa kanë shërbyer këto përkthime në rritjen e vlerave të reja interpretimi tek aktorët shqiptarë?

 

Pas viteve ‘90-të, duke u njohur më nga afër me krijimtarinë e disa prej autorëve të huaj, kryesisht në fushën e komedisë, vendosa të merresha me përkthimet e tyre, duke shkuar shpesh në Janinë. Janë më se 25 vepra të përkthyera nga unë, të cilat janë vënë në skenë nga trupa teatrore dhe trupa të estradave profesioniste në vendin tonë, por do të veçoja këtu ato komedi, të vëna në skenë dhe shfaqur nga trupat e Fierit, Korçës, Teatrit Kombëtarë, Strugës dhe Dibrës së Madhe. Mund të përmend komeditë “Kërkohet një gënjeshtarë”, “Bërtet hajduti”, “Lotaria me kaposh”, “Njerëz dhe minj” dhe të tjera, në të cilat kam luajtur disa role. Këto pjesë janë mirëpritur nga regjisorë të këtyre trupave Guri Koço, Mehmet Xhelili dhe Klajdi Marku.

 

Edhe pse mbi të shtatëdhjetë e pesë vjeç, sërish në lëvizje për artin  jo vetëm në Shqipëri, Maqedoni dhe Greqi, por madje deri këtu në Amerikë. Ndjeheni ndopak i lodhur?

 

Është e vërtetë që jam shpesh në lëvizje dhe mendoj se bëj mirë. Duke mos patur mundësi të aktivizohem fizikisht në skenë, sërish jam aty me vepra që vazhdoj akoma të përkthej, duke parë nga afër artin e artistëve të rinj, brezin e ri të aktorëve që po hedh shtat dhe kjo është e mundur duke qenë prezent, duke ndjekur nga afër festivale të ndryshme mbarëshqiptare, të cilat tani duket sikur i kanë marrë me “tapi” Fieri, Saranda, Elbasani. Pasioni që mbaj brenda për artin bën që të mos mungoj në disa raste si i ftuar dhe në festivalin teatror në Dibër të Madhe. Një periudhë gati gjashtë mujore e kaloj në Amerikë,. Mos harro se edhe këtu merrem me përkthime të autorëve amerikanë dhe më pas rikthehem në strehën time të vjetër në Fier, në teatrin Bylis e një pjesë të kohës e kaloj në fshatin tim të lindjes në Sotira, ku kam ende shtëpinë time. Sërish shkoj aty si në kudo në Shqipëri, më merr malli dhe sërish përballë natyrës së bukur mes maleve nis e shkruaj, përkthej vepra të reja.

 

Ju tremb pleqëria?

 

Dihet se pleqëria të vjen pa trokitur. Është sëmundja më e tmerrshme e njeriut. Ndaj dhe urimi i njerëzve është të kesh pleqëri të mirë. Në këtë moshë, dëshirat më rriten, fuqitë më bien, por duke u marrë vazhdimisht me punë, do të krijoj humor deri sa një ditë… do të vdes. Kështu nga ky proces i pashmangshëm për çdo njeri, them se nuk trembem. Kam lexuar në një intervistë  tuajën,  zhvilluar me të madhin Bujar Kapexhiu, i cili mes të tjerave thotë: “I lutem zotit që tabelën Stop, ta vendos pak më tej”. E përkrah optimizmin e tij.

 

 

 

EPISODI

 

“Dy batutat brilante që më nxorën nga situata në skenë, kur ikën dritat”

 

“Edhe pse vinim nga burimi i fuqishëm me energji të konsiderueshme, nga Tec-i, ka patur raste që spektatori në sallë të përjetojë çaste errësire me ikjen e dritave, së paku disa minuta. Edhe unë e kam pasur një “fat”të tillë.  (Qesh) Ju tregoj vetëm dy raste. Po jepnim shfaqje në Tiranë. Unë interpretoja rolin e një të sëmuri simulant dhe doktori po më dëgjonte me stetoskop. Në këtë moment ikin dritat dy minuta. Porsa u ndezën duke veshur bluzën them: “bëra një radioskopi”, ku në moment salla u mbulua nga duartrokitjet e publikut. Ishte fjalë e duhur, në çastin e duhur. Në një shfaqje tjetër luaja rolin e servilit. Kritikoja drejtorin e ndërmarrjes, përse ai  nuk kishte marrë akoma lejen e zakonshme. Gjatë interpretimit ikin dritat në sallë dhe sapo erdhën unë futem në skenë dhe them: “Sapo rregullova siguresën e drejtorit”.

 

 

 

HIPOTEZA

 

“Nëse sot do të isha ministër i Kulturës…”

 

“Nëse sot do të isha ministër i Kulturës, (nuk e përjashtoj mundësinë që mund të bëhem ministër dhe në këtë moshë që jam, po të dojë dhe kryeministri). E kam thënë dhe po e përsëris, se pa teatër dhe artistë nuk ka vlerë një vend. Do të përcaktoja një shumë parash të caktuar për çdo vit në çdo trupë estrade dhe teatri, ku fondet të zotëroheshin nga vetë trupat, pa ndërhyrjen e askujt. Tempujt e artit  që padyshim vlerësohen si Meka dhe Jeruzalemi, kurrsesi nuk duhen të preken nga qeveritarët, sepse në to qëndron historia e artit shqiptar. Brenda tyre flet historia e artit të  kombit tonë”.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :