Data : 20 09 2018
KryeTitujt :

Dyqani pa derë

-Skicë-

Ilmi S.Qazimi

ilmi

 “ Siç e shihni në këtë dyqan me sipërfaqe tre metër katror me një lartësi një metër e tridhjetë centimetër, që nuk ka derë por vetëm një dritare, shes unë, ishoficeri i rangjeve të larta të ministrisë.Më nxorrën në lirim me reformë që me gjasa do të zgjasë… Nëpërmjet  dritares në mëngjes prej trotuarit, hyj, pastroj e reklamoj mallin, pastaj filloj e shes, dal më darkë vonë, po prej kësaj dritareje …, dhe përsëri këtë punë e bëj mëngjesin tjetër…

Një ditë, erdhi tek unë, këtu, një qytetar me uniformën e policit. Nga fytyra  dukej se ishte për të ardhur keq se m’u lut: “Jam ngushtë nga paret; a më jep një bombol gazi dhe një reflektor me gaz se s’kam me se të ngroh kalamajtë dhe dimri  këtë vit qenka i ashpër”. Dhe pa pritur përgjigjen time shtoi: “Lekët do t’i gatis shpejt e do të t’i jap”. E pashë një herë nga koka te këmbët dhe, të them të drejtën , m’u dhimbs. Ia dhashë të dy ato që më kërkoi.Ai u gëzua dhe me tha se shtëpinë ku banonte me qira e kish aty diku afër dyqanit tim.

Prita shumë ditë e muaj, por ai polic nuk u duk më në dyqanin tim.U interesova  për të dhe mora vesh se kish blerë edhe shtëpi, rreth dyqind metra karshi por nga prapa dyqanit tim pa derë,i cili mund të jetë i vetmi i tillë në Shqipëri!

“E po ndofta ka për t’u kujtuar “ thashë me vete. Shtëpinë e tij ku kish banuar me qira e kishte lëshuar me qira tek një tjetër qiraxhi.

Duke biseduar me klientë të ndryshëm mora vesh se,ai polici që s’kish ku të ngrohej, ishte bërë kuadër madhor i policisë së kryeqytetit. Madje kishte ndërtuar një vilë trekatëshe dhe qe larguar përfundimisht prej rajonit ku kish qenë më parë me qira.

Ditë më pas, një klient i ri, serioz dhe i mbajtur, vjen e më thotë: “ Të lutem, më ndihmo. Kam një bombol gazi nga ato të mëdhatë që nxënë 15 litra gaz dhe një reflektor , që m’i fali pronari i shtëpisë që kam marrë me qira këtu afër” dhe ma tregoi me dorë e shenja.” Mua nuk më lipsen dhe me që ti tregton të tilla, mendova se mund të m’i blije, mbase të hyjnë në punë”.

“Mirë, ore, silli”, i thashë të panjohurit.

Dhe ai erdhi pas pak. Kur ç’ të shihja?! Ishin pikërisht  ajo bombol dhe ai reflektor që i pata dhënë atij policit dikur… Dhe me që duhej të mbaja fjalën, bleva  përsëdyti mallin tim.M’u turbullua pakëz mendja,  por shpejt e mora veten dhe u ndjeva disi i qetë se, në fund të fundit, rreth e qark dyqanit tim pa derë, shumë njerëz shisnin e blinin  emrin, nderin, karakterin,veten kurse unë ribleva vetëm bombolën e reflektorin…”

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :