Data : 25 09 2018
KryeTitujt :

GJERGJ KASTRIOTI SKËNDERBEU BURRË I SHQUAR SHTETI, STRATEG I LAVDISHËM USHTARAK

 

pajtim-ribaj 

Prof. Dr. Pajtim Ribaj

 

Lufta legjendare shqiptare nën udhëheqjen e Skënderbeut në shek. XV mbetet periudhë e lavdishme në historinë kombëtare shqiptare. Skëndebeu është rreshtuar me meritë në penteonin e figurave të ndritura të historiës botëtore. Shekujt që vijnë e shkojnë i rezervojnë atij përherë kurorën e luftëtarit për liri. Si çdo kujtim e evokim edhe 525 vjetori i vdekjes ka zërin e tij. Dhe kjo se Skëndërbeu i detyroi shekujt të flasin për të dhe çdo shekull dhe epokë shikon te Skënderbeu diçka të re.

 

Një epokë e re historike

 

Dihet se luftërat i bëjnë njerëzit duke u mbështetur mbi një bazë ekonomike me mjete e materiale që zotërojnë në një kohë të caktuar. Historiografia jonë tashmë i ka dhënë përgjigje premisave objektive shoqërore politike të domosdoshme për shpjegimin e luftës titanike që ka bërë populli ynë nën udhëheqjen e Skënderbeut.

Së pari, niveli ekonomik mjaft i lartë i pasqyruar sidomos në prodhimin e drithrave dhe përpunimin e metaleve, në lulëzimin e qyteteve etj. Në prag të shek. XV zhvillimi politiko-shoqëror e kulturor i vendit ecte me ritme të barabarta me vendet e tjera të zonës ballkanike e adriatike.

Së dyti, interesimi jetësor i masave të prekura drejtpërdrejtë nga vërshimet e pushtuesëve të huaj e nga pasojat e tyre. Masat popullore sidomos fshtarësia u bë forcë kryesore e mbështetjes pa rezerva të luftës.

Së treti, egzistenca e një shtrese shoqërore të aftë dhe e interesuara për të kryer funksione drejtuese. “Njerëz të shkolluar që luajtën një rol drejtues në luftë, kancelar, magjistër, klerikë e oratorë shqiptarë, i gjejmë në shërbim të Skënderbeut”. Të tillë ishin dhe ata udhëheqës luftarakë të kërkuar si mjeshtra të artit të luftës dhe jashtë Shqipërisë në mbretërinë e Napolit, Venedik, Dalmaci, Sicili.

Mbi një bazë të re teorike e praktike u vu në dukje roli i formacioneve shtetërore si kuadër politik organizativ dhe ushtarak i domosdohsëm për zhvillimin e luftës, në mënyrë të veçantë evolimi i Lidhjes së Lezhës.

Domethënia historike e epokës së Skënderbeut është e lidhur para së gjithash me periudhat pararendëse e pasuese e Historisë së Shqipërisë si shprehje e atyre virtyteteve dhe asaj force jetësore që ka shfaqur gjatë shekujve shqiptari. Rruga e gjatë historike, energjitë e jashtëzakonshme do të dështonin, siç shkruan A. Buda, “çdo përpjekje për t’i dëbuar shqipatarët nga trojet e tyre e për t’i përdorur për mbushjen e legjioneve të qezarëve, të ushtrive baziluese bizantike, të krajlëve serbë”.

Qysh në vitet ‘80 të shek. XIV kur “Akinxhinjtë” osmanë u shfaqën për herë të parë te kufijtë e krahinave shqiptare, deri në epilogun e luftës skënderberiane (1479, rrethimi i Shkodrës) lufta ndaj tyre u bë detyrë e një shekulli të tërë. Qysh në hapat e para, në betejën e Maricës (1371), në Savër (1382), në betejën e Kosovës (1389), kudo gjejmë forcat e sundimtarëve shqiptarë për t’u bërë gardh vërshimit osman.

Por as etapa e parë e qëndresës, as e dyta me kryengitjet në Labëri, Mat, Dibër, Cermenikë, Tiranë, Dukagjin e sidomos ato të udhëhequra nga Gjergj Araniti, i cili ishte i pari që i dha goditje dërmuese ushtrisë osmane të komanduar nga Ali Bej Evrenozi më 1433, duke e futur në kurth e duke e bërë copë-copë në grykat akreceriane të Kurveleshit, nuk e ndryshuan gjëndjen.

Një etapë e re, një epopkë e re, në ndryshimin e gjendjes, u sigurua kur në krye të luftës u vu Skënderbeu, cili bëri vlerësimin e periudhës pararendëse, si një përvojë e të rëndësiashme historike.

Të dhënat arkivore flasin se lufta e madhe që u zhvillua në Shqipëri nuk e nxori në mënyrë të befasishme Skënderbeun në skenën historike. Ai u përgatit disa vjet për kthesën historike, forcoi lidhjen me popullin e vet duke mos lënë pas dore dhe lidhjet me botën e jashtme, “njohu forcën dhe pulsin e bashkatdhetarëve por edhe masat njohën talentin dhe urtësinë e kapitenit para se t’i përvisheshin epopesë legjendare”.

Skënderbeu ka qenë pranë ngjarjeve të mëdha politike ushtarake që ndodhën në Shqipëri e për rrjedhojë mjedisi, atdheu, bashkatdhetarët dhe prindërit kanë shërbyer si vatra të edukimit e të formimit politik e atdhetar të heroit.

Dalja e Skënderbeut në krye të jetës politike ushtarake, favorizohen nga një varg faktorësh, së pari:

a. Roli i madh i Skënderbeut në organizimin e kryengritjes së përgjithshme me 1443. Kështu dihet se fillimi i viteve ’40 të shek. XV rrethanat ndërkombëtare favorizuan shpërthimin e kryengitjeve antiosmane në Shqipëri. Ndërkohë me vendosjen në fronin e Hungarisë të mbretit të Polonisë, Vladislavit, trupat hungarezae të komanduara nga vojvoda i Transivalisë Janosh Huniadi arritën të ndalonin përkohësisht përparimin e osmanëve drejtë Evropës Qendrore. Në krye të një ushtrie të fuqishme të përbërë nga hungarezë, polakë rumunë etj., Huniadi kaloi Danubin, u fut thellë në Ballkan dhe i shkaktoi një disfatë të rëndë trupave osmane. Kjo fitore e ushtrisë së Huniadit ngjalli shpresa te popujt e Ballkanit dhe u vlerësua nga fisnikët shqiptarë, midis të cilëve dhe Gjergj Aranitit, i cili ndërmori dhe aksione dhe fitore konkrete kundër osmanëve.

Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443, ndodhej dhe Skënderbeu në atë kohë sanxhakbeu i Nikopolit. Shpartallimi turqëve në këtë betejë u gjykua si i përshtatshëm nga Skënderbeu për çlirimin e tokave shqiptare. Në krye të disa qindrave luftëtarëve shqiptarë, pjesëmarrës në këtë betejë, i shoqëruar dhe nga nipi i tij, Hamza Kastrioti, ai mori rrugën në drejtim të atdheut e për të vijuar në drejtimin e Kryengitjes së Përgjithshme të vitit të 1443, për çlirimi e vendit.skenderbeu-1-759x500 Gjergj-KastriotiSkenderbeu_art

Arritjet me çlirimin e viseve të gjëra të vendit (në Shqipërinë Qendrore e të Epërme etj) në kryengitjen e përgjithshme të vitit 1443, ishin një fitore historike që duhej mbrojtur e çuar më tej. Perandorisë Osmane mund t’i bëhej ballë vetëm me bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake, ekonomike etj., si dhe bashkëpunim me vendet e tjera. Më mirë se cilido këtë e kuptoi Skënderbeu, i cli gjykoi e inicoi mbajtjen e Kuvendit të Lezhës, si i pari në historinë e shqiptarëve me një përfaqësi kaq të gjerë kombëtare. E njohur si Besëlidhja Shqiptare e Lezhës, ajo u krijua si një aleancë politike e ushtarake e luftës së përbashkët të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, ndërsa si institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi i Anëtarëve të Besëlidhjes. Vendim tjetër shumë i rëndësishëm i Kuvendit ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi i Skënderbeut si Komandant i Përgjithshëm i saj. Për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së ushtrisë, Kuvendi vendosi që pranë Skënderbeut të krijohej një arkë e përbashkët.

b. Shtrirja e zotërimeve të Kastriotëve në qendër të viseve të lira të vendit. Ai shtrihej në vijën detare Lezhë-Durrës, arrinte në lindje në afërsi të Shkupit, si dhe nëpër të kalonin rrugët më të rëndësishme që lidhni krahinat jugore me verioret dhe lindoret me perëndimoret. Në veri të Shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve, të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve, të Gjurashëve etj. Në gjirin e tyre përfshihej Rrafshi i Dukagjinit e Drenica, krahinat e Plavës e të Gucisë, të Jelicës (Sanxhakut), të Guntes (Zeta). Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet e katër familjeve të rëndësishme: të Aranitëve, të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve që ishin kritike me viset e pushtuara prej osmanëve, prandaj mbi to do të binte dhe pesha kryesore e luftës kundra pushtuesve osmanë. Zotërimet e tyre arrinin në jug deri te rrjedhja e lumenjëve Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin deri në afërsi të Manastirit.

c. Lidhjet farefisnore e martesore me sudimtarë të fuqishëm. Heroi shqiptar përdori mjete të ndryshme për afrimin e bashkimin sa më të ngushtë e të fuqishëm të zotërve të fuqishëm shqiptarë e rrjedhimisht të të gjithë vendit. Ndër to më të rëndësishmet ishin lidhjet martesore ndërmjet familjve fisnike. Martesa të tilla ishin bërë që në kohën e Gjon Kastriotit, që ishte martuar me Vojsavën, familja e së cilës, sipas Barletit, jetonte në Pollog. Që në kohën e Gjon Kastriotit motrat e Skënderbeut ishin martuar me anëtarë të familjeve fisnike më të fuqishme të kohës. Vetë Skënderbeu u bë dhëndërr i Gjergj Aranitit, ndërsa Muzakë Topisë i dha për bashkëshorte të motrën, Mamicën.

Zotërimet e këtyre feudalëve jo vetëm kishin një potencial shumë të madh, por ndodheshin në zona strategjike që diktonin masa të forta sigurimi e mbrojtjeje. Nëpër to kalonte Rruga Mbretërore (Egnatia) dhe degëzimet e saj në drejtim të viseve të Shqipërisë së Epërme e asaj të Poshtme, nëpërmjet të cilave trupat osmane mund të futeshin në thellësi të tokave të lira shqiptare për të sulmuar kryeqëndrën e tyre, Krujën.

Këto lidhje, e sidomos mbeshtetja e fortë juridike e morale që i dhanë vendimet e Kuvendit të Lezhës, bënë, që në betejën e Drinit, të marrë pjesë dhe Gjergj Arianiti, ku trupat e tij shkojnë në thellësi deri në dyert e Shkodrës, megjithëse interesat e tij nuk ishin cënuar drejtpërsëdrejti nga Vendiku etj.

d. Favorizuese për Skënderbeun ishte dhe qenia në duart e tij e Krujës, si qendra më e rëndësishme politike-ushtarake e tokave shqiptare të çliruara. Treva e Krujës në raport me viset e tjera të vendit zinte një pozitë shumë të rëndësishme nga rrugët që kalonin nëpër të e që mbikqyrnin mirë nëpërmjet kështjellës së Krujës. Ajo ishte kështjella më e fuqishme në vend nga ku mund të vëzhgohej sistemi i rrugëve dhe i viseve të çliruara dhe për të hyrë në kontakt të shpejtë me shtetet e huaja antiosmane, prandaj u bë dhe kryqendra e vendit.

e. Por, mbi të gjitha këto kushte favorizuese dominon personaliteti i Skënderbeut, që kishte të gjitha ato cilësi, më tepër se kushdo tjetër, për të përmbushur detyrat e kohës.

Të gjitha burimet e kohës sjellin faktin se Skënderbeu ka patur një formim të plotë e të gjithanshëm që vihej në radhët e para të figurave politike e ushtarake të kohës.

Ai dinte turqisht, arabisht, greqisht, latinisht e sllavinisht, kishte mësuar histori e politike e sidomos mjeshtërinë e artin luftarak. Kultura e gjithanëshme, vetitë e shkëlqyera, karriera brilante në rradhët e kuadrove ushtarakë osmanë, njohës shumë i mirë i jetës e artit ushtarak osman, si më modern në kohë dhe sidomos njohja shumë e mirë e gjendjes e mundësive ekonomike, ushtarake e financiare të vendit të vet, ishin parakushtet e domosdoshme për të kaluar e dominuar si kapiten i përgjithshëm i luftës.

 

Burrë i shqura shteti

 

Skënderbeu jetoi e veproi në epokën e Rilindjes Evropiane, në një epokë të tillë që kishte nevojë për titanë dhe lindi titanë. Atë që humanistët e shquar të rilindjes e predikonin me zjarr, lirinë e njeriut e të atdheut, besimin në forcat krijuese të popullit, zgjimin e vetëdijes kombëtare etj. Skënderbeu jo vetëm i predikoi por i vuri në jetë. Për këto ide të mëdha ai ngriti në këmbë një popull të tërë dhe ia lehtësoi frymëmarrjen Rilindjes Evropiane. Ai u bë kështu një titan shqiptar i rilindjes, “që vërtetë nuk la trakte të shkruara latinisht, por shkroi me gjak një vepër të gjallë madhështore, tek e cila kërkuan e gjetën frymëzim jo vetëm shekulli i tij por edhe shekujt e ardhshëm”.

Skënderbeu është një nga ato figura të rralla historike tek të cilat “jeta vetiake kalon në plan të dytë përpara veprës”.

“Historia shkruan Sami Frashëri për vetitë e kryetrimit tonë, si tregon shok e shembull në trimëri, në të diturit e luftës, në forcë e në dijet, në mendime të drejta me njerëzit, në ëmbëlsi të zemrës e në madhështi të shpirtit”.

Skënderbeu kuptoi, më shumë se kushdo tjetër, se pa kapërcyer përçarjen e vendit, pa një bazë organizative të qëndrueshme, pa koordinimin e mjeteve e të burimeve njerëzore ekonomike ushtarake, pa koordinimin e të gjithë veprimtarisë në plan të brendshëm me atë në plan ndërkombëtar, për shqiptarët nuk do të kishte perspektive për fitore.

Ishte meritë e tij thirrja e Kuvendit të Lezhës, e kësaj aleance politike ushtarake me kryetar vetë Skënderbeun. Vendimet shumë të rëndësishme të lidhjes për organizimin e ushtrisë dhe krijimin e arkës së përbashkët, janë vepra lapidare e parakushte për epokën Skënderberjane në vijim.

Teoria e praktika Skënderberjane luajtën rol shumë të madh në shkatërrimin e partikularuizimit që ushqen për gati një mijë vjet mesjeta feudale dhe copëzimin e thellë politik që shkaktuan për shekuj me radhë pushtimet e huaja dhe mbi përçarjet luftënxitëse fetare që dy kishat më të mëdha të mesjetës prodhuan në kurriz të popullit të vogël shqiptar. Emri i tij u shndërrua jo vetëm si simbol i mbrojtjes së qytetrimit, por dhe një përmendore e rrallë e historisë së lavdishme kombëtare, e fuqisë së bashkimit të shqiptarëve në luftë për ruajtjen e identitetit të tyre. “Skënderbeu thotë M. Shuflaji – është pjella më e shkëlqyer e popullit të tij dhe luftëtar më i tmerrshëm që krijoi në përgjithësi luftërat e Evropës me turqit”.

Gjergj Kastrioti ishte përfaqësuesi më kosekuent dhe më i shquar i elitës drejtuese shqiptare, që udhëhoqi me vendosmëri frontin e luftës së shqiptarëve kundër pushtuesve osmanë. Njohja e thellë e jetës, e botëkuptimit, e traditës dhe luftës së shqiptarëve kundër pushtimit të huaj, si dhe organizimit të shtetit e të ushtrisë osmane, i dhanë mundësi Skënderbeut të ndërtonte me efektivitet gjithë veprimtarinë e tij si burrë shteti dhe udhëheqës ushtarak i shquar. Krahas mbrojtjes së vendit, Skënderbeu u kushtoi vëmendje viseve të pushtuara. Kjo, jo vetëm mbajti të gjalla e forcoi lidhjet me banorët e këtyre viseve, gjë që ndikoi në forcimin e bashkimit shpirtëror të shqiptarëve dhe në konsolidimin e e mëtejshëm të kombit shqiptar.

Në procesin e vijueshëm të bashkimit në kushtet e luftës etj., shpuri në përfshirjen në një shtet të vetëm të gjitha viset e lira shqiptare. Ato shtriheshin në jug nga rrjedhja e lumenjëve Devoll e Seman dhe përfshinin në veri kështjellën e Tericës (Pazari i Ri) e të Zveçani (Mitrovica) bashkë me rajonet e tyre. Në veri shtriheshin nga brigjet e detit Adriatik dhe përfshinin në verilindje Rrafshin e Dukagjinit e Drenicën dhe në lindje rajonin e Dervenit në perëndim të Shkupit dhe atë të Mokrës në jugperëndim po të këtij qyteti.

Integrimi politik dhe organizativ i viseve të lira në një shtet të përbashkët u pasqyrua dhe në raportet e ndryshme midis fisnikëve shqiptarë, si dhe me vendet e tjera. Në dokumentet e kohës Skënderbeu del si e vetmja figurë drejtues e jetës politike të vendit. Në se në vitin 1440 ai do të përmendet “zot” i Krujës, më pas do të cilësohet si “zot i Arbërisë” dhe më 1464, me rastin e ardhjes së Papa Piu II në Ballkan, ai do ta kurorëzonte mbret Skënderbeun.

Për marrëdhëniet me vendet e tjera Skënderbeu të përbërë nga kancelarë dhe ambasadorë, të cilët përpunonin në gjuhë të huaja shkresa të ndryshme.

Organizimi shoqëror i shoqërisë shqiptare gjatë epokës së Skënderbeut ka qenë i ngritur mbi bazën e një korpusi legjislativ të shkruar. Krahas tyre gjënden dhe shtresëzime të së drejtës dokësore shqiptare, si një trashgmi shumë e lashtë, ku janë ndërthurur tradita të vetëorganizimit lokal në bazë fshati e më gjërë. Vend të veçantë në të drejtën dokësore shqiptare kishte institucioni i besës, si një kult kombëtar që ka zënë vend edhe në korrespodencën e fisnikëve shqiptarë me shtetet e huaja etj.

Njëheras shteti shqiptar nën drejtimin e Skënderbeut kishte simbolet e veta, që mbështeteshin në traditën vendore dhe shprehnin sovranitettin e tij. Skënderbeu krenohej me historinë e lavdishme të kombit shqiptar. Ai, krahas evokimit të lavdisë, përdori simbolet shtetrore të Pirros (shqiponjën dhe përkrenarene zbukuruar me një kokë dhie), të Aleksandrit të Madh të Maqedonisë (shënja e Diellit) si dhe simbole pellazgjike. Kujtojmë se, sipas Barletit, emërtimet gjeografike Maqedoni dhe Epir janë përdorur në mesjetë si sinonime të emërtimit etnogjeografik Arbëri. Simbolet dhe evokimet e mësipërme dëshmojnë për formimin citësor kulturor e humanist si dhe prioritetet në mbështetjen e traditës vendore për t’i dhënë frymë kombëtare shtetit shqipatr dhe luftës antiosmane.

Njeriu trim i besës dhe proves se virtytit do t’i shkruante princit të Tarantit, se çfarëdo që do të ndodhë unë do të jem miku i virtytit dhe jo i fatit. Te Skenderbeu princat e parase, gjen një burrë shteti që ishte më i fortë se paratë e tyre, një burrë që ata me frikë e nderim e quajtën “il formidabile” (e tmerrshme).

 

Srateg i lavdishëm

 

Me Skënderbeu lidhet fenomeni historik që ka marrë emrin “Epoka Skënderberjane”.

Siç del dhe nga veprat e M. Barletit, Skënderbeu ishte dhe një edukator i shkëlqyer dhe gjeneral i ushtrive të veta. Energjia e tij e pashtershme, “gjithnjë në lëvizje e kurrë në prehje”, luante me ushtarët, flinte i armatosur në kampin me gunën dhe mbi rrogoz. Shumë të rralla kanë qenë në mesjetë rastet kur një bujar fisnik vizitonte kasollet e fshatarëve, bisedonte me ta përzemërsisht dhe kërkonte pjesëmarrjen e tyre të ndërgjegjshme në luftë kundër armikut të fuqishëm. Kurrë ndonje princ si ai pati ushtarët kaq besnik e të disiplinuar si ushtria e tij. “Respekto para së gjithash drejtësinë… porosiste ai të birin. Ushtarët e tu mos i lë të kalben duke ndenjur në plogështi, mos i përdor si shërbëtorë, por si shok e bashkëluftëtar. Në punët e luftës e të kujdesit për ushtarët të tregohesh jo vetem komandant por edhe ushtar”.

Skënderbeu ka meritën e edukimit e të përgatitjes të një brezi të tërë komandantësh të shquar që jo vetëm në trimëri por edhe në shkallë dijesh e kalitjesh të lartë thyen disa gjeneralë më në zë të Turqisë. Të tillë ai përgatiti Tanush Topinë e Kont Uranin, Andean e Gjinin, Pjetër Perlatin e deri tek motra Mamica.

Si edukator i rrallë ai ishte një mjeshtër i të mësuarit të artit ushtarak. Ushtarët e tij, mbrojtësit e kështjellave, mbrojtësit e kufirit, xhenierët, kasnecët, armëtarët, komandantit e tij merrnin udhëzime të qarta për detyart e tyre.

Cilësitë morale të luftëtarëve shqiptarë dhe aftësitë e tyre tekniko-taktike në përdorimin e armëve, mënyrat e të vepruarit të komandantëve dhe prijësve ushtarak, para dhe pas betejave, motivet patriotike që i shtynin ata në luftë, llojet e stërvitjeve me karakter aftësimi dhe kalitjeve të rinëse shqiptare që Barleti e anëtarë të tjerë na i përshkruajnë në veprat e tyre, na bëjnë të formulojmë tezën mbi ekzistencën e një pune edukative ushtarake të organizuar në periudhën e Skënderbeut, në tokën e Arbërit.

Besimi i masave ndaj tij dhe ndaj Lidhjes që kryesonte, bënë që të shkruhej një kapitull lavdiplotë në historinë tonë kombëtare dhe evropiane. Faqe të ndritura të kësaj epoke përbëjnë gati të 31 betejat e Skënderbeut, midis të cilave veçohet Albulena (Ujë Bradha) dhe 3 rrethimet e Krujës. Kruja u bë një nga ata shembuj të mëdhenj që tregonte se përpara zemrës burrërore të një populli liridashes, dështon me turp çdo agresor.

Skënderbeu udhëhoqi fitoren me 2 sulltanët më të mëdhenj të Perandorisë Osmane, me 15 komandantë, gjeneralë të zgjedhur të kësaj perandorie, 70% e të cilëve i vrau ose i kapi rob. Ai zhvilloi beteja fitimtare të dëndura që për disa vite shkonin nga dy tre beteja ne vit dhe deri në 5 beteja, (në vitin 1465) që mbetet dhe një rekord në historinë e luftërave.

Ai ka ditur t’u përgjigjet të gjitha dredhive ushtarake turke pa pësuar disfata: në operacionet e tij ai ktheu luginat e Drinit të Zi dhe të Shkumbinit të sipërm në një varr vigan për ushtritë osmane shumëfish më të mëdha.

Shqetësimi i kundërshtarit me sulme të vogla e të papritura, alarmi i vazhdueshëm i armikut, prerja e rrugëve të furnizimit e ushtrive, veprimet diversioniste brenda kampit, futja në kurth, pritat, sulmet e befasishme, natën nga një ushtri me njerëz që cilësoheshin “tigra të luftës malore”.

Për këto, sikurse thotë Noli, ai meriton lavdërimin e gjeneralit Xhejms Uells: “Ai shkëlqeu mbi gjithë gjeneralët e vjetër dhe modern në drejtimin e një ushtrie të vogël mbrojtëse”. Por lufta e çetave ose lufta për lodhjen e armikut nuk ishte e vetmja armë e tij. Ai vinte në përdorim edhe goditje ofensive. Në sajë të karakterit sulmuese e si arma e fortë e strategjisë mbrojtëse, ai asgjësoi e shpartalloi disa herë ushtri shumë të mëdha me një ushtri të vogël ofensive.

Skënderbeu realizoi me sukses manovrën, aplikoi rendime luftimi elastike e të larmishme, përdori me efektivitet rezervat e një zbulimi strategjik të vijueshëm, drejtoi me përsosmëri betejat etj. Sipas mjaft studiuesish, Skënderbeu kapërceu jashtëzakonisht shumë si pararendësist ashtu dhe bashkëkohësit e gjeneralë modernë që u përpoqën të imitonin atë në një art aq të vështirë. Ballkani dhe Evropa shikonin tek Skënderbeu një kapiten të madh, bile edhe në Berat, e vetmja betejë e humbur. Prandaj siç pohon Fallmeyer, Gjergj Kastrioti, njihet në artin e luftës “si një nga kryeluftëtarët më të mbaruar, me të faqebardhë e më të mëdhenj të të gjitha kohërave, fitonjës i kurorëzuar me dafina, që u thye vetëm prej vdekjes.”

Strategjia osmane për të zgjidhur fatin e luftës në një betejë të përgjithshme të rregullt fushore, Skënderbeu i kundërvuri strategjinë e zinxhirë betejash e veprime luftarake duke konsumuar deri në shpartallimin e asgjësimin e kundërshtarit. Për asgjësimin e kundërshtarit Skënderbeu realizonte variante veprimi duke goditur ushtrinë armike para se të fillonte mësymjet kundër shqiptarëve e duke u prishur komandave planin e fushatave. Ushtritë relativisht të vogla, deri në 25.000 mijë veta, i asgjësonte në zona kufitare, ushtritë e mëdha me anën e betejave të rregullta në thellësi të vendit, në përleshje të përgjithshme në muret e kështjellës si dhe në pjesëmarrjen në luftë të gjithë popullit. Strategjia mbrojtëse e Skënderbeut ka karakter sulmues, sepse ai mbrohej duke sulmuar e jo i mbyllur në kështjella si strategët e tjerë mesjetarë.

Në kohën e vet Skënderbeu ishte i pakapërcyeshëm në artin e manovrimit të ushtrisë qoftë para betejës, gjatë zhvillimit dhe jashtë betejës. Ai sulmonte gjithmonë në çastin vendimtar dhe “një mijë ushtarë të tij dukeshin dhjetëmijë”. Ai realizonte sulme të tmerrshme dhe efikase “pa lejuar grupin e vet të vogël që të përhapet e të shpërndahet, por të qëndronte i bashkuar mirë, duke formuar një masë kompakte dhe të pazgjidhshme”.

Skënderbeu njihte përsoshmërisht terrenin dhe shfrytëzonte mjeshtërisht vetitë e tij, ai i kushtoi kujdes fortifikimit e ndërtimit të pengesave. Gurëhedhësi i përdorur përherë të parë në Krujë, mbetet origjinal dhe ka hyrë në historinë ushtarake botërore “Gurëhedhësi shqipëtar”.

Skënderbeu në betejë ishte qendra dhe truri i ushtrisë. Ai pozicionohej në kulmin e luftimit, u jepte zjarr trupave të veta, jepte urdhëra duke vënë në lëvizje formacione të tmerrshme.

Furnizimi i ushtrisë u bë për Skënderbeun një ndër problemet themelore që strategjia e tij e zgjidhi me sukses. Bazat kryesore të furnizimit u bënë kalatë dhe zonat malore.

Skënderbeu është ndoshta rast i rrallë, sepse asnjë nga ushtarakët e famshëm nuk u ndodh në kondita aq të disfavorshme se ai. Ai bashkonte përsosmërisht autoritetin e burrit të shtetit me atë të kryegjeneralit, megjithëse pati në dispozicion më pak burime dhe forca materiale, më pak mundësi se cilido nga strategët e shquar pararendës në artin e luftës dhe për këtë bëhet më e padiskutueshme gjenia e Skënderbeut. Ajo u tregua më e fuqishme më shumë se kushdo tjetër. Vetem Ujëbardha (Albulena), ku Skënderbeu pas një manovre energjike të habitshme me shpejtësi rrufe, asgjësoi e shpartalloi plotësisht një ushtri gati 4 herë më të madhe e për të cilën s’gjenden fjalë për ta mburrur, është e denjë për nderimin më të madh. Albulena është një cudi strategjike e me vlera unikale e të papërsërtishme.

Skënderbeu është talent e strateg i shquar, “katror nga lartësia dhe nga baza” po të përdornim shprehjen orgjinale të Napoplonit, që sintetizojnë cilësitë e një gjenerali të madh. Bëhet më bindëse kjo kur vet Napoloni do ta vlerësonte Skënderbeun një ndër katër strategët më të shquar të të gjitha kohërave.

Ndërkohë historiografia jone ka vërtetuar se vetitë themelore të Skënderbeut, si burrë shteti dhe strateg janë dy anë të të njëjtit personalitet, shpjegohen nga i njëjti vlerësim e realitet i të dhënave të situatës të cilave Skënderbeu diti t’u përshtatej duke marrë parasysh karakterin e agresorëve osmanë në kushtet e Shqipërisë.

Skënderbeu shkatërroi kultin e kondotjerëve ku prijësat e “famshëm” evropianë i bënin luftërat me shkumës në dërrasë të zezë me diskutimin e teorive “të thella” e plotë elegancë, me manovra rrethuese, okupime demostrive dhe e shumta me prerjen e rrugëve të furnizimit. Mjafton të kujtojmë veprimet e spikatura të Skënërbeut në betejën e Barletës (një kështjellë në lindje të Napolit) në Itali, ku ushtria shqipatre e drejtuar nga kryetrimi shpartalloi ushtrinë e Jak Piçinino, kondotierit më të zot të Italisë në atë kohë. Në fushatën italiane, shkruan M.Barleti, Skënderbeu ngjalli kohën e Aleksandrit të Mollosisë dhe të Pirros me ndryshimin që doli më faqebardhë.

Skënderbeu ishte jo vetëm shembulli i luftëtarit të shquar në beteja e në stërvitje, por dhe  organizatori dhe instruktori i asaj ushtrie. Skënderbeu ishte i pari që krijoi ushtrinë e rregullt në Evropë. Ai e krijoi këtë dy vjet para Karlit të VII të Francës.

Ushtria ishte jo vetëm e stërvitur më së miri, por edhe e pajisur me armatimin e kohës që në betejat për mbrojtjen e kështjellave ka vënë në përdorim, megjithëse në shkallë të kufizuar, dhe armët e zjarrit. Gjithashtu kjo ushtri, krahas armëve të lehta të zjarrit ka përdorur armë të rënda të zjarrit, artilerinë, topat (bombardat).

Vlerësimi i karakterit popullor të ushrisë së Skënderbeut nuk do të na lerë të harrojmë se në të bëjnë pjesë edhe reparte të rregullta të specializuara, si repartet e ruajtjes së kështjellave, repartet e rregullta të Gardës së Ushtrisë, të qëndrueshme e të paguar me rrogë. Ato shërbenin për detyra të veçanta kundër armikut në frontin e jashtëm dhe për detyra të brendshme. Dhe kjo është e kuptueshme, sepse shteti i Skënderbeut i kishte të gjitha karakteristikat e një shteti të përparuar të kohës (kishte aparatin karakteristik për shtetin feudal, aparatin e financave, të rekrutimit, të kancelarive diplomatike, lëshonte dokumente të ndryshme me vulën e vet, kishte flamur karakteristik kombëtar).

Më mirë se kushdo tjetër vlerën e ushtrisë shqiptare në formë maksimale e ka shprehur vetë Skënderbeu “Kapedani apo komandanti që nuk di ta thyejë armikun me 8 mijë ushtarë, ose 12 e shumta, ai s’ka si t’ja arrijë në asnjë mënyrë fitoren me forca shumë të mëdha”.

Shumëkush i njeh tashmë epërsinë e kalorësisë së ushtrisë së Skënderbeut, si një nga armët më efikase, vlerat e të cilës u bënë dominuese në artin e luftës dhe mjaft të përhapura në ushtrinë evropiane në betejat e shek. XV dhe XVI. Është rasti të theksojmë se vlerat e kësaj kalorësie janë gati unikale ku kanë jetuar e luftuar shqiptarët etj. Kështu nga shek. XV fillojnë të bëhen gjithmonë e më të shpeshhta në More (peloponez) repartet e profesionistëve shqiptarë (Stratiotët). Këto ishin njësi të kalorësisë së lehtë që ndonjëherë përfshinin disa mijëra luftëtarë. Me këto trupa krerët stratiotë shqiptarë siguruan për një kohë të gjatë mbrojtjen e kështjellave nga sulmet osmane. Stratiotët shqiptarë të Moresë u angazhuan në veprime luftarake kundër osmanëve dhe jashtë Moresë si p.sh. në verën e vitit 1479 300 stratiotë shqiptarë nga viset e Koronës u dërguan në Shqipëri për ruajtjen e Krujës. Ndërkohë shumë stratiotë, sidomos pas paqes veneto-osmane të vitit 1479, u detyruan të braktisin Morenë. Një pjesë e të ikurve u vendosën në ishujt Hidra, Specia, Kulluri (Salamina), Poros, etj., në Mbretërin në e Napolit. Shumë stratiotë u përdorën nga Venediku në frontet e luftës në Italinë e Veriut, ku ata shkëlqyen për virtytet e tyre luftarake. Mjaft stratiotë shqiptarë hynë në shërbime të komunave të ndryshme italiane e të sovranëve të ndryshëm të Evropës, duke kontribuar kështu në përorcimin e një imazhi heroik të luftëtarit shqiptarë të krijuar në Evropë, falë luftërave të shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut.

Skënderbeu ka zhvilluar luftime fitimtare gjatë 25 viteve me “ushtrinë e tmerrshme të sulltanit që numëronte nga 80.000 deri në 140.000 njerëz dhe këtë me fuqinë e grushtit të shqiptarëve vetëm të stërtvitur dhe drejtuar prej tij”. Mjafton të dihet se ç’përfaqësonte Perandoria Osmane dhe ushtria e saj, për t’u bindur për vlerat e padiskutueshme të ushtrisë shqiptare.

Turqit osmanë me luftërat dhe fushatat plaçkiste ishin kthyer në një shtet të fortë, veçanrisht në shek. XV e të XVI, kjo perandori ishte në kulmin e saj. Ajo “zotëronte territore të mëdha në Evropë, Azi, Afrikë me sipërfaqe 8 milion km katrore”.

Vëmendja e të gjithë sulltanëve drejtohej veçanërisht në forcimin e ushtrisë mbi bazën e kalorësisë së spahijve, Ndërkohë korpusi i jeniçerëve u bë bërthama e kësaj ushtrie. Turqit krijuan dhe reparte të tjera speciale siç ishin akinxhinjtë, reparte të lehta sulmi (akin). Ushtria turke u pajis me artilerinë më moderne të kohës dhe u shqua për përgatitje e disiplinë të lartë e furnizim, të cilit i kushtoi kujdes të veçantë. Formulime të tilla si: “midis teje dhe parajsës qëndron armiku”, “ushtari në fushën e betejës lufton jo vetëm me shpatën, por dhe me zerde dhe pilaf”, “atje ku ka shkelur këmba e kalit tënd atje gjithçka është e jotja” etj., shprehin kodin etik të përgatitjes, morale, disiplinës e forcën joshëse të shërbimit në këtë ushtri.

Të rralla janë ato figura si Skënderbeu që kanë patur udhëheqje me zgjatje kohore e bilanc të tillë fitoresh. Huniadi i madh, bashkëkohës i Skënderbeut, vijoi luftën për 14 vjet. Sipas Barletit “Huniadi nuk provoi kurrë ndonjë armik tjetër përveç barbarit, ndërsa Kastrioti nuk fitoi më pak emër e lavdi “nga lufta në Itali dhe nga çlirimi i mbretësisë së Napolit”. Edhe një gjeni si Napoleoni që luftoi, aq sa Skënderbeu 25 vjet, e mbylli karrierën me disfatë, ndërsa Skënderbeu me vdekje, “I vetmi armik që nuk mund të mundej”, do të shkruante Bekoni, dhe duke ju dhënë mundësi shtetasve të tij të provojnë shijen e fitores dhe të lirisë për një kohë të gjatë. Epilog i denjë për këtë epoka lavdiplote skënderberjane qëndrojnë mbrojtja heroike 10 vjeçare e Krujës, qëndrojnë dy rrethimet e Shkodrës (1474 dhe 1478-1479), kala që u mundën më në fund nga uria dhe jo nga armiku. Dhe më pas për të kundërshtuar regjimin feudal ushtarak, shqiptarët vazhduan qëndresën. Që nga Labëria, e quajtur ndër dokumente Himarë, nëpër viset e Skënderbeut të quajtura Arbëri, nëpër Dukagjin e lartë e deri në malet e mbi Shkodrës e Kosovë, nuk i lëshuan asnjëherë armët nga dora.

Gjithses në këtë kah, pra, për gjeografinë e luftimeve të Skënderbeut, më duket se ka paqartësi, gjë që më motivon të zhilloi informacion e analizë më të thelluar. Kështu Skënderbeu synoi të shtrinte gjeografinë e luftimeve dhe hapësirën e zotërimeve të shtetit të tij gati në të gjithë Shqipërinë. Pos të tjersh e favorizonte këtë dhe sistemi i rrugëve dhe sidomos sistemi i lidhjeve ndërkrahinore. Kështu Kryengitja e Përgjithshme e 1443 çliroi atë pjesë të Shqipërisë, krahinat e të cilave lidheshin lehtësisht me njëra tjetrën me sistemin e rrugëve të kryqëzuara në të gjitha drejtimet.

Po kështu uniteti territorial dhe shpirtëror i formuar gjatë shekujve te shqiptarët i dha mundësi Skënderbeut të zhvillonte operacione ushtarake kudo në territorin e Shqipërisë. Kështu, siç na bënë me dije Barleti, të shumta janë betejat që Skënderbeu zhvilloi me ushtrinë osmane pranë Shkupit (1452, 1462) dhe Ohrit (1462, 1464). Dhe nuk ka dyshim se, ashtu si në kohën e inkursionit të ushtrisë së Skënderbeut më 1448 në thellësi të zotërimeve venedikase deri në Tivar edhe në betejat e zhvilluara në thellësi të viseve të pushtuara ka pasur pjesëmarrje masive të banorëve vendas. Shprehje e këtij uniteti shpirtëror ishte dhe kryengitja antiosmane e vitit 1466 e qytetarëve të Ohrit, e cila shpërtheu ndërkohë që ushtritë osmane mbanin të rrethuar Krujën. Ka dhe shëmbuj të tjerë që tregojnë lidhjet shpirtërore dhe bashkërendimin e veprimeve të heroit me ngjarje që zhvillohen në rajone të tjera të vendit. Kështu më 1455 trupat osmane filluan pushtimin e Kosovës e të Rrafshit të Dukagjinit dhe në mesin e muajit qershor kampi i tyre qe vendosur në rrethinat e Prizrenit. Në pamundësi për të krijuar një front të përbashkët lufte me sundimtarët vendas, Skënderbeu iu kundërpërgjigj osmanëve në jug duke sulmuar e rrethuar Beratin. Edhe pas këtyre ngjarjeve Skënderbeu vijoi tu kushtoi vëmendje viseve verilindore.

Po kështu dokumentet na njohin për lidhje e bashkërendim veprimesh luftarake të Skënderbeut p.sh., me sundimtarë shqiptarë në jug të vendit si me Simon Zenebishin, që përpiqej të zgjeronte zonën e çliruar në viset bregdetare pranë Butrintit. Kështu, si rrjedhojë e qëndresës që zhvillohet në Shqipërinë e poshtme, disa krahina malore si Kurveleshi, Himara, Këlcyra, Leskoviku, etj., prej kohësh qëndronin pothuajse të lira. Në vitet ’50 u çlirua zona bregdetare pranë Butrintit, me qendër Kështjella e Kastrovilës (Çamëri) etj.

Ndërkohë lufta e lavdishme e Skënderbeut, që admirohej kudo në Evropë, padyshim ka vepruar si një faktorë nxitës për vendosmërinë e veçantë që treguan shqiptarët e Peloponezit në luftë kundër pushtuesve osmanë.

 

Simboli i lirisë

 

Kujtimi i lavdisë së kohës së Skënderbeut shkoi duke frymëzuar më tej të gjitha luftërat e shqiptarëve gjatë shek. XVI, XVII e me tej. Pikërisht në lulëzimin më të madh të kuvendeve shqiptare që hartuan, projektuan e drejtuan luftëra për çlirimin e vendit, emri dhe tradita e Skënderbeut, së bashku me elemente të tjerë të vetdijes shqiptare, u bënë simbol i bashkimit shqiptar, simbol i forcës luftarake, i aspiratve dhe i krenarisë për fitoren e paepur të tyre.

Edhe më vonë në pikat kulmore të historisë së luftërave të popullit tonë si: Lidhja Shqiptare e Prizrenit, lufta për pavarësi dhe epopeja e fundit e Luftës Antifashiste, u bënë të lavdishme për historinë kombëtare, jo vetëm rrjedhojë e kushteve historike, por në një shkallë të mirë edhe nga fakti i rëndësishëm që populli kishte krijuar në histori një shkollë të madhe të luftërave burrërore për liri e ku luftërat e Skënderbeut zinin e meritonin një vend nderi të veçantë.

Në zemrat e shqiptarëve figura e Skënderbeut shkoi duke u rritur e duke u bërë legjendare. Ajo u radhit krahas figurave më të zgjedhura të botës mitologjike (sikundër ishte në botëkuptimin e kohës me figurat e ndritura të së kaluarës të njerëzimit). Për shqiptarët Skënderbeu qe “kuçedra e botës së Arbërit” dhe “Lavdia e nderi i gjithë dorës arbëreshe”, sikundër e cilësoi Fran Bardhi.

Edhe tek ata dhjetra, mijëra që mërguan prej truallit arbëror, figura e heroit jetoi vigane e frymëzuese. Tradita heroike që u formuan në atë kohë, ndihmuan arberëshet të dalin në arenën e ngjarjeve historike të Italisë së Jugut si një forcë e gjallë dhe e rëndësishme e një populli të aftë “për të luajtur një rol aktiv në zhvillimet historike në përputhje me tendencat objektive përparimtare”.

Po kështu, repartet e ushtrisë shqiptare të vendosura pas vdekjes së Skëndebeut në Transilvani, në gjysmën e dytë të shek. XVI, u kthyen në vatra lufte antiturke, mbështetje e fuqishme e trupave aleate të Vllahisë dhe Transilvanise etj. Idetë dhe fryma e lëvizjes humaniste evropiane, që ishte përhapur në atë kohë dhe te shqiptarët, ndikua që lufta e tyre titanike kundër pushtimit osman dhe, sidmos, figura e Skënderbeut të çimentoheshin në vetëdijen kombëtare shqiptare dhe të materializoheshin në krijimtarinë e tyre jo vetëm nëpërmjet gojëdhanave, tregimeve dhe këngëve popullore, por edhe nëpërmjet veprave të para të historiografisë kombëtare, të cilat i përshkruan një pathos i fuqishëm patriotik, siç janë veprat e Marin Barletit, Dhimitër Frangut, Frang Bardhit etj.

Lufta e pashembullt që bëri populli gjatë një shekulli kundër fuqisë ushtarake më të fortë të kohës nuk mund të kuptohet pa kulturën shqiptare. Vetë vepra e M. Barletit është puna e një talenti jo të zakontë. Tashmë dihet se koha që farkëton shpatat me të njëjtën forcë mprehë edhe penat.

Të rrallë janë udhëheqësit e luftërave çlirimtare që kanë gjetur pasqyrim të gjerë në letërsinë botërore. Bibliografia e heroit tregon për 1 mijë vepra në mëse 21 gjuhë. Letërsia botërore është ushqyer para së gjithash nga vepra shkencore letrare e monografike e humanistit shqiptarë M. Barleti. Dhe kjo nuk është e rastit: Skënderbeu i takon shekullit më aktiv të humanizmit dhe figura e tij si njeri, si udhëheqës e luftëtar mund të kuptohej e ngrihej lartë në radhë të parë nga humanistët. Kjo letërsi përfaqësohet nga punimet e shumë humanistëve të njohur të shek. XV-XVI, siç janë Francesk Filelfi, Anton Sabelliko, Cepiko, Pal Jovi, Xhiovani Pontane, Rafael Volaterrani, Francesko Sonsovino, Jokan Pincani, Leniçeri, Kaspër Hidi, Martin Bjelski, etj., si dhe të studiuesëve të shekujve të mëvonshëm nga shumë vende të Evropës si Gjergj Bartolai – Pantonus, Ricard Noles (Knollei), Johan Ajkanzeni, Jakob Filip, Falmerajeri, Karl Hopfik, Johan Georg, Hahni, Cikante Makusheve, Ludvig Pastori, Julians Pitko, Nikolas Jorga etj.

Sigurisht në këtë letërsi burim kryesor letrar ka qenë vepra e M. Barletit e botuar dhe ribotuar në vende të ndryshme, por dhe vepra të autorëve të tjerë. Veçohet këtu në Evropën perndimore vepra e Zhak Lavardenit: “Histoire de George Castriot, surnmme Scanderbeg Roy d’Albanie”, botuar në Paris më 1576 dhe në Evropën lindore vepra e humanistit polak Martin Bjelskit: “Kronika, tho jest historia sëiata”, botuar në Krakov, më 1564 etj.

Nxitja themelore e këtyre veprave ka qenë në fund të fundit përpjekja e popujve të Evropës për tu mbrojtur nga rreziku osman. “Në kohën e Skënderbeut, shkruan humanisti Kasper Hidi, të gjithë së bashku përsëritim njëzëri emrin e ëmbël të lirisë, zemrat e njerëzve të lartësuara nga ky emër, si nga zëri i trumpetës, përpiqeshin të mbronin lirinë, luftonin për të njësoj si për altaret e vatrat e veta. Sigurisht në qoftë se nuk na bashkojnë të keqiat që na kanosen, kam frikë se brenda një kohe të shkurtër do t’i shkruajmë epitaf lirisë”.

Të gjithë ata që kanë shkruar për Skënderbeun, për Gjergjin e madh, i cli përmbushi një jetë nga më të rrallat në kalvarin e egzistencës së popujve e të kombeve kanë qenë të ngacmuar nga një argument shumë domethënës – i vogli përballë gjigandit. Ishte pikërisht fitorja 25 vjeçare e një kombi totalisht inferior në numër e pasuri, përballë një makinerie shumë të sofistikuar të luftës, siç ishin otomanët. Skënderbeu arriti të bëhej mit që kur ishte akoma në jetë. Në Evropë dhe më gjërë nuk kishte oborr mbretëror që të mos dinte emrin e heroit, i cili në krye të një populli të bashkuar arriti të zbrapste sulmet e pafundme osmane.

Përmasat e figurës së tij janë konturuar me përmasa gjigande, jo vetëm për shqiptarët, por edhe për tërë njerëzimin. Ishte njeri, i cili la gjurmë të pashlyeshme, duke u bërë pasadhës i denjë (bile i kapërxeu mjaft) i dinastive të lashta shqiptare, ashtu si e shkruan edhe me dorën e tij në korespodenca të ndryshme, si ajo me princin e Tarantos etj., ku ai tregon vijimësinë e gjakut shqiptar, që nga ai i Pirros e Aleksandrit të Madh e deri te ai i kombit, të cilin e udhëhiqte.

Në një masë veprash të autorëve evropianë nën shembullin e betejave e të taktikës fitimtare të Skënderbeut kërkoheshin sa më shpejtë rrugët për dëbimin e osmanëve nga Evropa. Ato u bënë si të thuash direktori për vendmmarrje e manualeve luftarake për burrat e shtetit, strategët dhe luftëtarët e tjerë. Pjetri i Madh do të urdhëronte përkthimin e librit “Mjelma” të shkrimtarit ukrahinas J. Galatovski i shkruar nën shembullin e betejave fitimtare e të taktikës së Skënderbeut botuar në polonisht më 1679, të cilën e mbante vazhdimisht në bibliotekën e tij. Kollokotroni shkruan në kujtimet e tij, se historinë e Skënderbeut e mbante gjithmonë me vete, ndërsa njerit prej bastioneve të kalasë të Mesolongjit ju vu emri i Skënderbeut. Elisabeta do të shënonte me dorën e saj në “Luterusin” e saj më 17 janar 1659 në kujtim të vdekjes së Skënderbeut: “këtë ditë vdiq princi i mirë Skënderbe, mbret i Epirit dhe ngadhnjimtarë i turqëve”.

Dëshmi e përhershme e vlerësimit dhe e respektit të thellë, që kanë popujt e tjerë për Skënderbeun, krahas botimeve për të, janë sheshet dhe rrugët e Romës, të Parisit, të Brukselit, të Gjenevës dhe të qyteteve të tjera të vendeve të ndryshme, ku janë vendosur buste e monumente dhe që mbajnë emrin “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.

Figura madhështore e heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu është pasqyruar në një numër shumë të madh veprash të arteve figurave. Galeria Skënderbejane nis që nga vitet e para të shek. XVI e deri në ditët tona. Shumë autorë të Shqipërisë e të huaj kanë bërë portretin e kryetrimit plot adhurim e dashuri “Nuk dua të mbyll sytë pa parë malet e Shqipërisë, dëshmitarë të luftës së atij gjeniu luftëtarë”, do të shkruane me admirim Ernesto Sabato.

 

Faktor evropian

 

Për funksionin evropian të luftës skënderberjane “ishin të ndërgjegjshëm dhe mëndjet më të zjarrta të kohës”.

Duke luftuar në periudhë kohore të gjatë e duke siguruar përherë fitore, bile edhe kundër fushatave të mëdha perandorake nën drejtimin e Muratit të II-të, siç shkruan Noli bën të mos arrijnë dot anijen që shkonte në Romë. “Ky aksion vononjës, shkruan Noli, që u zhvillua në një kohë kritike e shpëtoi Romën dhe Evropën nga kasaforta e tmerrshme që ju kanosej nga evadimi turk”.

Pjesa që i takon Skënderbeut në këtë shërbim jashtëzakonisht të rëndësishëm është zor të çmohet më tepër se ç’duhet. Anglezi Xhon Of Njuport që mori pjesë duke komanduar një togë shigjetarësh, si dëshmitar i epokës së madhe heroike të shqiptarëve, i bëri asaj një vlerësim shumë të madh duke u shprehur: “Invazioni i Evropës është i sigurt sepse nuk ka fuqi tjetër që mund të bëjë këtë rezistencë, po të bjerë kështjella shqiptare”.

Gjatë viteve të luftës u dëndësuan si asnjëherë tjetër lidhjet politike, ushtarake, ekonomike, fetare e kulturore të Shqipërisë me vendet e Evropës Perëndimore, Evropës Juglindore etj. Lufta e shqiptarëve të udhëhequr nga Skënderbeu propgandohej në Evropën Perëndimore si pjesë e luftës së tyre shpirtërore për ruajtjen e mbrojtjen e Krishtërimit kundër Islamizmit dhe prandaj heroi shqiptar cilësohej si “Luftëtar i Krishtit” (Atleta Christi).

Përballë rrezikut otoman në Evropë, forcat largpamëse të kohës kërkuan organizime në shkallë evropiane të një lufte të përbashkët për të ndaluar vërshimin e mëtejshëm të ushrisë osmane dhe për t’i dëbuar ata nga viset e pushtuara të Ballkanit. Fituan më shumë terren këto projekte, sidomos pas pushtimit më 29 maj 1453 prej Sulltan Mehmeti II të Kryeqytetit të Perandorisë Bizantine, Kostandinopojës.

Në planet strategjike të mbretit të Napolit, Alfonsit V, ato të përfaqësuesve të tjerë evropianë e deri te emiri i Karamalisë (Azi e Vogël) Ibrahimi, në krye të fushtatës antiosmane propozohej Skënderbeu. “Kryqëzatë e kundër të pafeve” iu dha vend i gjërë në propogandën e Papatit pas vitit 1455. Në projektin e Papa Piu II, ushtria e përbashkët parashikohej 40.000 veta, gjysma e të cilëve 20.000 veta do të grumbullohej në Itali e shtete të tjera evropiane dhe 20.000 të tjerë do të përbëhej nga luftëtarët e Skënderbeut. Komandanti i Ushtrisë së Përbashkët Shqiptaro-Evropiane, Papa shpalli Skënderbeun.

Lufta kundër të njëjtit armik të përbashkët afroi dhe bëri aleatë të natyrshëm të Skënderbeut prinicipata e shtete të Evropës Juglindore. Dallohen sidomos marrëdhëniet e Shqipërisë më Hungarinë. Të dy palët duke luftuar kundër të njëjtit armik, secili në sektorin e vet, lehtësonin barrën e njëra tjetrës. Bashkëpunimi midis Skënderbeut e Huniadit u mundua të shtriheshin deri në organizimin e fushtatave ushtarake të përbashkëta, megjithë vështirësitë që vinin nga largësia midis dy vendeve dhe qëndrimi pengues i fqinjëve. Skënderbeu krijoi lidhje dhe me vende përtej kufijve të Evropës, si me emirin e Karamanisë, Ibrahim etj

Kuptimi i drejtë i këtij funksioni dhe qënia e Skënderbeut në lartësinë e një diplomati e burri të shquar shteti bëri që Shqipëria të përfshihej me përparësi në të gjitha aksionet diplomatike. Nga ana tjetër Skënderbeu mbante marrëdhënie me Hungarinë, Romën, Napolin, Tarantin, Milanon, Burgonjën, Raguzën, Dubrovnikun, Poloninë, Serbinë, Bosnjen, Karamaninë, etj.

Qëndresa shqiptare me Skënderbeun dhe ajo hungareze me Huniadin ishin jo vetëm bastione të fuqishme kundër invadorëve turq, por veprimet luftarake reciprokisht kanë ndikuar pozitivisht në fitoret e ushtrisë shqiptare e hungaraze. Venedikut, Gjenovës, Karamanisë etj., ku shqiptarëve u rezervohej angazhim e vlëresim i veçantë, ndërsa Skënderbeu u caktua kryekomandant i Ushtrisë së Bashkuar të Evropës. Po kështu traktati i Gaetës, midis Skënderbeut e Alfonsit të Napolit ishte një hap i rëndësishëm dhe në thelb një aleancë për të luftuar me forca të përbashkëta kundër turqve. Në fillim të viteve 1450 Alfonsi dërgoi një ndihmë minimale me ushtri e armatim e cila u asgjësua në Betejën e Beratit; një garnizon prej 100 veta ushtarak katalan u vendosën në Krujë. Edhe Duka i Burgonjës, pas kërkesës së Skënderbeut, dërgoi në Shqipëri një Arald të Burgundis me 50 ushtarë. Po kështu “trupat e Skënderbeut u mbartën për në Itali dhe u kthyen prapë në Shqipëri më 1461, 1462 me anën e anijeve të Raguzës”.

Ndërkohe në Ushtrinë e Skënderebeut erdhën vullnetarë italinë, gjermanë, francezë, anglezë, dalmatë, bullgarë etj., dhe luftuan në ushtrinë e Skënderbeut. Në përbërje të grupit të sulmit të organizuar nga Vrana Konti, gjatë kundërsulmit në mbrojtjen e Krujës, morën pjesë edhe gjermanë etj.

Pra siç shihet dhe si janë shprehur mjaft studiues, ndihma e Papatit ka qenë “e parëndësishme”, ndërsa ajo e shteteve të tjera italiane e “pamjaftueshme, e kufizuar”. Lufta është përballuar kryesisht me mjetet e veta, me sakrifica heroike, trimëri e aftësi luftarake, si dhe me mjete të rrëmbyera të armikut.

Megjithatë, kjo nuk na pengon të vlerësojmë edhe faktorë të tjerë të ndihmës evropiane. Këto nuk i ulin vlerat e luftës skënderberjane dhe e personalitetit të Skënderbeut, përkudrazi i’a rrisin vlerat si burrë shteti e strateg i lavdishëm. Kështu, mendoj meriton studim për luftën e popullit shqiptar, bile për ndonjë rast edhe për unitetin e brendshëm, kërkesa e Skënderbeut për ndihmën e Papatit për ushtrimin e autoritetit të tij ndaj vetë Dukagjinit, si një ndër faktorët e lidhjeve të përhershme. Po kështu janë trajtuar marrëdhëniet me Venedikun ku zotërimet e tij në qytetetet e rëndësishme bregdetare të Shqipërisë ishin të disfavorshme për luftën e Skënderbeut. Por, ndërkohë, mendoj se disa faktorë kërkojnë analizë më të plotë ushtarake. Kështu për të fuqizuar zotërimet e veta në Shqipëri Senati dërgoi trupa mercenare italiane të komanduara nga Klemorosto. Dhe megjithëse midis këtyre trupave dhe atyre të Skënderbeut nuk u arrit bashkëveprim serioz, për veprimtari antiturke, duke qenë që zotërimet përkatëse ndodheshin pranë njëra tjetrës, secila palë ishte e detyruar të merrte masa në zotërimet e veta, të cilat vlenin dhe për palën tjetër.

 

Fushë e hapur studimi

 

Trajtimi tërësor i figurës së Skënderbeut nuk është detyrë e këtij studimi. Atë nuk e kanë rrokur dot qindra e qindra veprimtari studimore e mijëra botime. Ajo fton e josh gjithashtu studiues të shumtë, midis të cilëve dhe historianë ushtarakë. Gjithsesi mendoj se është ende me vlerë dhe sfidë për studiuesit tanë e më gjërë të sqarojnë para së gjithash se si psikologjia shoqërore e shqiptarëve të shek. XV i lejoi Skënderbeut të shfrytëzonte përsosmërisht vlerat e shtetarëve të vendit të tij në beteja të tejzgjatura e të shumta fitimtare me një kundërshtar superior e të armatosur me armët më moderne të kohës, si u bë i mundur mbajtja lartë e moralit, frymës luftarake, furnizmi i pandërprerë të luftës, drejtimi i saj, ruajtja e aftësive luftarake të ushtrisë, funksionimi i përsosur i zbulimit strategjik etj.

Studim të veçantë meriton akoma ndërtimi i aparatit ushtarak e vetë ushtrisë, gjurmimi dhe përcaktimi e preçizimi më mirë i fushë betejave, i kohës së zhvillimit të tyre etj; i kalave, rrugëve të ndjekura nga ushtritë ndërluftuese, gjeografinë e luftimeve, zbulimi i veprave fortifikuese. Studim të mëtejshëm meritojnë rrugët që lidhin kryeqendrat e kalatë, rrugët e furnizimit, ato të evakuimit e të manovrës etj., që do të përbënte një kontribut për historinë ushtarake e historinë mesjetare në tërësi.

Studim më të vëmendshëm e të hollësishëm kërkon arti ushtarak modern dhe ushtria turke dhe në ndeshjet me të, përcaktimi më objektiv i humbjeve të të dy anëve dhe i pjesëmarrjes së forcave, duke përdorur metodologji bashkohore për sudimin e logaritjen e humbjeve.

Historisë sonë ushtarake, në një të ardhme jo të largët, duhet t’i shtojmë monografi të sudiuesve tanë për dukuri të veçanta të artit ushtarak skënderberian e deri trajtesa për beteja të veçanta etj.

Studim të veçantë meriton faktori evropian kësaj lufte dhe sidomos bashkërendimi dhe ndihma reciproke me ushtrinë e Huniadit, aleati më i qëndrueshëm dhe efektiv i luftës, ndihma morale, materiale, monetare e njerëzore e shteteve italiane e të tjera evropiane etj.

Realizim i këtyre studimeve, njëherazi, mendoj se kërkon rivlerësime e plotësime të kësaj periudhe në luftë me politizimet, subjektivizmat e spekullimet me parimet e mbështetjes në forcat e veta, lufta e gjatë popullore, etj., në përligje të politkës izolaciniste nga shteti totalitar, ndikimie e ateizmit ekstrem për vlerësimin e ndihmës së Papatit etj.

Në këtë kuadër, njëherazi, rëndësi merr denoncimi i shkrimeve, megjithëse të rralla, të publikuara vitet e fundit nga intelektualë arrivistë, që synojnë të denigrojnë e marrin nëpër këmbë heronjtë kombëtar, duke mbritur deri te miti i shqiptarëve – Skënderbeu, duke hedhur baltë mbi referencat morale e politike të popullit shqiptar. Dhe ndodh kjo, kur në çdo shtet serioz, për raste të tilla, ngrihet në këmbë gjithë opinioni i vendt dhe një gjë e tillë është e ndaluar me ligj.

Qëndresa e fuqishme e shqiptarëve nën udhëheqjen e Skënderbeut kundër sulmeve osmane, përbën ngjarjen më të rëndësishme e më kulmore të popullit shqiptar, që la gjurmë në vetëdijen kombëtare të të gjithë shqiptarëve. Ajo u dha atyre traditën historike të luftës kundër pushtuesvë osmanë dhe mbi këtë bazë ndjenjat e fuqishme kombëtare. Ndjenja kombëtare, që i ka mbrojtur popujt nga asimilimi, bëri që gjatë gjithë periudhës së gjatë pesë shekullore të pushtimit osman, shqiptarët, edhe përse do të islamizoheshin masivisht, të ruanin identitetin e tyre kombëtar pa dallime fetare.

Në kujtesën e popullit shqiptar, ballkanik, evropian e më gjërë mbetet e gdhendur figura e Skënderbeut e cila një palë u kujton hijen e Kalifeve, të S. Dushanit, Muratit të II-të, “Fatiut” të tmerrshëm, Bajazitit, të tjerëve shkëlqimin e Aleksandrit të Madh, Pirros, Hanibalit, Qezarit, Huniadit, Napolonit, por që me përparimin e studimeve historike duket gjithnjë e më qartë në orgjinalitetin e tij të pakrahasueshëm dhe në individualitetin e çuditshëm individual.

Porosia lapidare e heroit “jo vetëm të duash dhe të kesh gjithmonë para syve atdheun dhe shtetin, ku secili ka lindur dhe është edukuar, por edhe ta mbrosh e ta shpëtosh dhe me gjak”, edhe sot është mesazh e kushtrim për forcimin e unitetit, për modernizimin e fuqizimin e ushtrisë, parakusht për forcimin e vetë kombit shqiptar. Me kete porosi edhe sot na duket sikur Skënderbeu është ngritur e mbron me krahun e tij kombin e shqiptarëve kudo që janë, u bën apel për të qenë në lartësinë e detyrës për mbrojtjen e pavarësisë e paprekshmërisë së atdheut, të identitetit tonë kombëtar, të trashëgimisë sonë historike e të institucioneve tona demokratike.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :