Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

 

 

Letërsia befasuese e Aziz Nesinit

Vasil Premçi

 

“Mendja intuitive është një dhuratë e shenjtë, ndërsa mendja racionale një shërbëtor besnik. Ne kemi krijuar një shoqëri që nderon shërbëtorin duke harruar dhuratën”.

 

Albert  Einstein

 

 

Më 17 shkurt të vitit 1600 në vendin me një emër poetik “Fusha e Luleve” u çapit për në turrën e druve dhe u dogj i gjallë nga inkuzicioni i papatit mendimtari dhe filozofi Xhordano Bruno. Ndonëse sipas predikimeve dhe  parimeve fetare kisha nuk mund të derdhte gjak, ajo shpiku mënyra hipokrite nëpërmjet të cilave i dërgonte në turrën e druve kundërshtarët e saj heretikë, si ajo që  përdori ndaj Xhordano Brunos:

“…Kështu po të lëmë në duart e imzot Guvernatorit të Romës, të pranishëm këtu, për të të dënuar mbi fajet e tua, por nga ana tjetër, duke u lutur që dënimi ndaj personit tënd të mos jetë shumë i ashpër, që të mos mbart mbi vete rrezik vdekjeje apo gjymtimi…”.

Faji i tij i vetëm ishte mendimi i shprehur publikisht se: “…jo Toka, (dhe papati me previlegje përrallore) por Dielli ishte në qendër të universit…”

Në 2 korrik të vitit 1993, në fund të mileniumit të II-të, në Turqi përsëritet një skenë e ngjashme terrori; një sulm tragjik ndaj lirisë së fjalës dhe të drejtave të njeriut. Për këtë ngjarje shtypi i kohës do të shkruante:

 

“…Tri ditë pas zjarrit të madh kundër intelektualëve, Sivasi, u bë një qytet bastion i fondamentalistëve dhe është ende nën rrethim. Ndërkohë që ushtria dhe policia patrullojnë rrugët ku të premten në mbrëmje u ndesh me furinë e dhjetë mijë fondamentalistëve. Aziz Nesini, është  plagosur keq, por është fshehur dhe mbrojtur nga forcat speciale. Ai kishte vendosur të organizonte një konferencë në një hotel në Sivas me intelektualët laik në përkujtim të poetit Pir Sultan Abdal, që u dënua me varje në shekullin e gjashtëmbëdhjetë, sepse kishte nxitur rebelimin kundër shtypjes osmane. Në fjalimin e tij të parë, ai kishte deklaruar publikisht “…mos të besojnë në Muhamedin si profet” dhe kishte shprehur “dyshimin në origjinalitetin” e Kuranit”. Ishte gjithmonë ai, Aziz Nesini, nisiatori i përkthimit dhe publikimit në turqisht në organin “Aydënllëk ditar” të “Vargjeve satanike” të Selman Rushdies. Për të gjitha këto arsye fondamentalistët nuk e kanë falur atë. Ata organizuan manifestime në Stamboll, kundër Nesinit ateist dhe “blasfemisë” së fondamentalizmit islamik. Imamët dhe shtypi lokal i Sivasit, një qytet ku fytyra e partive islamike fituan shumicën në zgjedhjet lokale, e kanë konsideruar të patolerueshme që një “festë laike” mund të festohet në tokat e tyre. Nga minaretë e xhamive ditën e premte ata u bënë thirrje besimtarëve, për të protestuar në rrugë kundër Nesinit dhe miqve të tij.

Ata i vunë zjarrin hotelit dhe vranë 36 njerëz, midis të cilëve edhe gazetarin Ugur Munçu…”

 

Kush është Aziz Nesini?

 

Ai u lind më 2 janar  të vitit  1916 në Hejbeliada, në një ishull në detin Marmara afër Stambollit. Bir i një imami dhe një shtëpiakeje, Nesini u diplomua në shkolla dhe akademi ushtarake. Gjatë karierës së tij në forcat e armatosura, shërbeu në qytete të ndryshme në Anadoll. (Duke ndërmendur karrierën ushtarake të shkrimtarëve të tjerë të famshëm, si Tolstoji e Lermontovi dhe braktisjen e saj prej tyre, padashur  na vjen të pyesim: Edhe Aziz Nesini  paska qenë ushtarak?!).

Në vitin 1944, ai dënohet me dhjetë muaj burg për shkelje të disiplinës ushtarake dhe pas kësaj ngjarjeje jep dorëheqjen nga forcat e armatosura. Pasi kthehet në Stamboll fillon të merret me mbarëvajtjen e një dyqani ushqimor, por edhe të bashkëpunojë me gazetat Karagëz dhe Jedigyn. Pas kësaj përvoje, Aziz Nesini zbuloi gëzimin e të shkruarit, veçanërisht  në fushën e humorit. Gjithashtu ai nisi të botojë reportazhe, skica, fejtone dhe tregime në revista dhe gazeta të ndryshme. Në vitin 1946 filloi botimin e revistës humoristike “Markopasha”. Veprat e tij paraqesin me mjeshtëri tipa të ndryshëm të shoqërisë turke. Nëpërmjet botimeve të shumta fama e emrit të tij i kapërceu shumë shpejt kufijt e Turqisë. Për shkak të bindjeve politike Nesini do të shijonte njëra pas tjetrës “dhuratat” e hidhura të shtetarëve të asaj kohe, si përndjekjet, internimet dhe burgimet.

Në vitin 1947 ai burgoset për një shkrim ende të pabotuar “Ku po shkojmë?” në të cilin kritikonte Amerikën për ndihmën që po i jepte Turqisë së asaj kohe. Bëri tre muaj e dhjetë ditë paraburgim dhe dymbëdhjetë muaj burg.

Në vitin 1948 nxori librin “Azizname”. Duke qenë se ky libër përcillte tek lexuesi kritika të forta ndaj shtetit turk, u gjykua sërish, kur ndërkohë  ishte i pandehur për katër muaj, por që pas vendimit të gjykatës u la i lirë. Në vitin 1949 denoncohet zyrtarisht nga Princesha e Anglisë,  Elizabet, Mbreti i Iranit, Reza Pehlavi dhe ai i Egjiptit, Faruk, për shkak të shkrimeve të tij ndaj tyre. Nga ky “zemërim mbarë mbretëror”, në mund të shprehemi kështu, pra në shkallë ndërkombëtare, Nesini dënohet sërish, por me 6 muaj burg.

Kritikat e ashpra dhe therëse ndaj sistemit politik shoqëror turk të kohës, që përshkojnë veprat e tij letrare, bëhen  edhe shkaku i përndjekjeve gjatë pjesës më të madhe të jetës. Për këtë arsye u detyrua të botonte me emra të ndryshëm. Aziz Nesini shkroi satira me tema dhe tipa të spikatur, të cilët i ndesh kudo në shoqërinë njerëzore. Ai përshkruan situata qesharake që lindin prej tyre, anët e kundërta të ngjarjeve që përjetonin çdo ditë shtresat e ndryshme të shoqërisë. Në veprat e tij kritikon qëndrimet  e gabuara, burokracinë, oportunizmin, padrejtësitë dhe probleme të tjera shoqërore. Me krijimtarinë e tij të begatë, Aziz Nesini krijoi stilin e tij të veçantë, aq sa, sapo nis të lexosh një shkrim të tij e dallon fare lehtë “miellin e thesit të tij”. Por, edhe nëse të qëllon të lexosh shkrimin e një autori tjetër, të ngjashëm me atë të Aziz Nesinit, nëse shprehesh se, ai është shkruar “alla Aziz Nesinçe”, i ke thënë  të gjitha, madje  në mënyrën më kuptimplote. Karakteristikë e tregimeve dhe gjinive të tjera të Aziz Nesinit është gjetja e një fundi të papritur. Ky tipar i veçantë artistik të kujton një shkrimtar tjetër të famshëm, amerikanin O’Henrin (Uiliam Sidni Poter), por si një lule e rritur në një kontinent tjetër, me veçoritë përkatëse. Jeta e burgut, letërsia dhe fundi i papritur i numërit më të madh të tregimeve të tyre, janë dhe dy prej karakteristikave të përbashkëta. Ndoshta sepse pasuria e tyre e vetme në qelitë e burgut, ishin ëndërrimet, që fati t’u dhuronte një fund të lumtur pas atij realiteti të hidhur. Një dukuri e tillë do të nxiste e seliste tek ata edhe stilin e një “fundi të lumtur”, si të vetmin shpërblim për lundërthyesit e ndëshkuar hap pas hapi në vitet e rinisë, sepse vetëm nëpërmjet letërsisë mund t’i shpërblenin heronjtë e tregimeve të tyre (alter egot) me lëndën shpirtërore që u kishte munguar aq shumë në jetë …

Me kalimin e viteve krijimtaria e Aziz Nesinit u bë më e freskët dhe më e shëndetshme, përsa i përket tematikës, zhdërvjelltësisë dhe mënyrës së të shkruarit për të cilat ai do të vlerësohej brenda dhe jashtë vendit. Tregime, si “Njerëzit po zgjohen” shënojnë për autorin një cak të lartë zhvillimi e pjekurie. Në qendër të këtij tregimi vihet një copëz nga jeta e autorit, që pasi del prej njërit prej burgimeve të shpeshta, internohet në një vend të largët dhe të shkretë. Qeveria “kujdeset” ashtu siç dinë “të kujdesen” për kundërshtarët e tyre të gjitha qeveritë në botë, duke e vlerësuar si një njeri me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Për këtë arsye i vënë atij nga pas një numër policësh që e ruajnë “si sytë e ballit”këtë njeri të papunë që detyrohet të marrë borxh për të mbajtur frymën gjallë. Por, ndërkaq edhe vetë policët kanë nevojë të ushqehen, të pijnë çdo mëngjes kafe, si edhe për disa shërbime të tjera sociale e kështu me radhë… Në vendin e shkretë nisën të hapen njëri pas tjetrit,  një numër lokalesh shërbimi. Befas, në zonën ku ishte syrgjynosur heroi i tregimit dërgohet edhe një dyzinë tjetër policësh për të survejuar policët e pare të cilët i ndjek nga pas dyshim dhe rreziku i “korrupsionit” nga shkrimtari popullor Azis Nesini, por që tashmë është një armik i rrezikshëm i qeverisë turke. Si pasojë e këtij popullimi të detyruar, tani zona nuk është më e shkretë, madje nisin të pastrohen edhe rrugët nga mbeturinat. Pikërisht në këto rrethana, heroi ynë i papunë, i mbytur në borxhe dhe pa asnjë lek në xhep, vendos të largohet pranë një qyteti ku jetonte një shok i tij me të cilin do të mund të ndante përgjysëm shpenzimet e dhomës së fjetjes. Por, ideja e heroit të tregimit bie në vesh të pronarëve të lokaleve të shërbimeve, të cilët të pushtuar nga “paniku” mbërrijnë papritur në derën e shtëpisë së tij, të ngarkuar me kafe, sheqer e ushqime të tjera. Ata  i  luten të mos largohet, ndryshe qyteti i tyre do të shkretohej sërish, sepse do të largoheshin edhe policët me familjet e tyre, që dashur pa dashur i dhanë jetë atij vendi. Për heroin e tregimit, kërkesa e pronarëve të lokalit ishte dhurata më e bukur që i ishte bërë ndonjëherë në jetë. Tashmë, njerëzit po zgjoheshin sepse e kishin kuptuar rolin dhe peshën e njerëzve që punonin për të mirën e popullit. Sigurisht, një përfundim kaq intrigues dhe i papritur për rrjedhën e ngjarjeve, fatin e heroit dhe fundin e tregimit, mund ta peshkojë në oqeanin e letërsisë vetëm “grepi” i artë i Aziz Nesinit. Të gjitha tregimet e këtij shkrimtari fshehin midis rreshtave nëntekste të forta.

Stili i tij është një kombinim i guximit krijues dhe i kritikës së papajtueshme ndaj veseve dhe dobësive të shoqërisë. Nesini ishte një mjeshtër i fjalës dhe i gjuhës së folur që e ndihmoi atë për të fituar një popullaritet nëpërmjet një letërsie të ndërtuar mbi dukuritë e shoqërisë turke që kërkon të divorcohet nga trashëgimia e veseve konservatore dhe të prapambetura.

Aziz Nesini shkroji një numër të madh novelash e romanesh, por emri i tij do të bëhej i  njohur nëpërmjet tregimeve të shkurtra, plot nerv e dinamizëm. Me të vërtetë është një aftësi e rrallë dhe një tipar i spikatur Çehovian ndërtimi i tregimit me detaje të imta, në dukje të parëndësishme, por që në rrethana, të cilat mund t’i shohë dhe t’i pasqyrojë emocionalisht vetëm një penë e hollë mjeshtërore, ato marrin në tregim një zhvillim, peshë dhe rëndësi të veçantë, njësoj si ai topi i dëborës që shndërrohet në një ortek të fuqishëm gjatë rrugëtimit të vet.

Krijimtaria e Aziz Nesinit në letërsinë turke të fund shekullit të XX shënoi një risi dhe e dinamizoi atë. Nëse do të ndaleshim sadopak tek veçoritë e  krijimtarisë së Aziz Nesinit, vërejmë se ajo përshkohet nga një larmi e pasur linjash, në të cilën mbizotërojnë komikja dhe tragjikja, si kategori estetike, gati të skajshme dhe që përplasen me njëra-tjetrën, ashtu sikundër ngjet në jetë, duke shkaktuar herë trishtim e lot dhe  herë të tjera të qeshura gazmore. Edhe në ndonjë fushë tjetër të rëndësishme të artit, bie fjala, në pikturë, e vërejmë kombinimin dhe shkrirjen mjeshtërore të ngjyrave bazë, të së kuqes, të verdhës, jeshiles dhe të zezës, nëpërmjet të cilës janë krijuar tablo të jashtëzakonshme. Ndoshta  edhe këtu duhet kërkuar sekreti i suksesit të tregimeve të Nesinit… Por, në këtë pikë, ne jemi krejt të pafuqishëm, sepse një sekret i tillë, jo vetëm nuk gjendet si një madem i rrallë në thellësitë e tokës, ca më pak në vitrinat e ndonjë dyqani valute, por as nuk mund të tregohet me fjalë. Ai vetëm mund të shijohet gjatë leximit të tregimeve të Nesinit.

Kjo mënyrë të shkruari, që, për hir të së vërtetës, nuk është shpikur nga Nesini, por është përdorur edhe më parë nga shkrimtarë të tjerë të famshëm, si Mopasani në Francë, Anton Çehovi në Rusi dhe O’Henri në Amerikë, u shndërrua në një karakteristikë dhe stil i veçantë nga ai. Duke u njohur me teknikën e një fundi befasues, një lloj teknike e ndërtimit, si shkrepje rrufeje, njëfarë “blickrigu” (luftë rrufe),  krijimtaria e Nesinit mund të rrezikohej nga krijimi i një skeme apo i njëfarë monotonie që mund të shpinte në zotërimin lehtësisht edhe të çelësit të saj prej lexuesit. Por, gjatë  leximit të tregimeve të tij, nuk ndodh aspak kështu, duke dëshmuar triumfin e autorit, që e shpie lexuesin në shtigje të reja të një  realiteti të larmishëm dhe të pafund.

Duke qenë armiku numër një i veseve njerëzore, i ligësisë, keqdashjes, kopracisë, shtirjes, gjoja të një njeriu human e fisnik, apo  përparimtar e modern, etj.  Është vendi të sjellim në vëmëndjen e lexuesit, krahasimin e goditur që shkrimtari P. Risto pati bërë dikur në parathënien e shkurtër mbi krijimtarinë në llojin e analizës kritike të një shkrimtari, duke e  krahasuar  atë me punën e dobishme të një qukapiku durimtar, që me “çukitjet” e tij, pastron “drurët e pyllit” nga vemjet dhe krimbat,  figurë që do t’i shkonte për shtat mrekullisht krijimtarisë së begatë të shkrimtarit Aziz Nesin në mbrojtjen e vlerave të shoqërisë njerëzore.

Aziz Nesini shkroi mbi njëqind vepra letrare, tregime, romane, satira, pjesë teatrore, etj. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se tridhjetë gjuhë të botës, Ndër to mund të përmendim tregimet: “Ajo që mbeti pas”, “Arrestimi i Fil Hamdiu” (vlerësuar me çmim), “Kolltuku”, “Ceremoina e kazanit” (vlerësuar me çmim), “Njerëzit po zgjohen” (vlerësuar me çmim), “Përbindëshi i Babialit”. Ndërsa nga romanet, mund të përmendim: “Jashari edhe jeton edhe s’jeton”, “Burri-grua”, etj. Ka shkruar këto poezi: “Nga fillimi në fund”, “Mirëmbetshi”, “Dhimbja e Sivas-it”, etj.

Ndonëse në tërësinë e saj krijimtaria e tij është e plotë dhe e realizuar, duke qenë e shumtë dhe e larmishme, disa prej tregimeve të tij nuk kanë  mundur t’u shpëtojnë paraqitjes skematike në rastin kur nuk i kalojnë kufijtë e një skice apo një pamfleti, në rreshtat e të cilëve shpërthen vetëm sarkazma dhe ironia e autorit. Mungesa e një subjekti apo lënia e tyre “në shpërgenj” ende të pazhvilluar me elementët e tregimit, ka bërë që ato të mos arrijnë nivelet e krijimtarisë së tij më të mirë. Si të tillë, do të veçonim tregimet “Liria”, “Mos fol!”, “Kafeja dhe demokracia”, “Kudo që të jesh”, “Mirësevjen plehraxhi!”. Ndërsa tregimet “Gruaja nëpunëse” dhe “Pjesët e këmbimit të qytetërimit”, -ndonëse janë të realizuar artistikisht, i përcjellin lexuesit mesazhe konservatore që bien ndesh me kohën dhe trendin e zhvillimeve të shoqërisë moderne.

Në vitin 1972 shkrimtari Aziz Nesin themeloi fondacionin “Nesin”, i cili merr nën kujdestari çdo vit katër fëmijë të varfër dhe u siguron  atyre ushqim, strehë dhe edukim, që nga shkolla fillore deri në përfundimin të shkollës së lartë (ose në zgjedhjen një profesioni në jetë).

Azis Nesini i ka dhuruar fondacionit të gjitha të drejtat e autorit dhe kopje të veprave të tij në të gjitha gjuhët, si dhe intervistat ose realizimet e tyre në ekran.

Aziz Nesini  ishte edhe aktivist politik. Pas grushtit politik të udhëhequr nga Kenan Evren në vitin 1980, i gjithë vendi, në veçanti intelektualët, u vunë nën një mbikqyrje të rreptë policore. Në këto rrethana ai udhëhoqi një grup intelektualësh kundër qeverisë ushtarake, të njohur si “Peticioni i intelektualëve”. Në vitet e fundit të jetës ai iu përkushtua luftës kundër injorancës dhe fondamentalizmit fetar. Nesini kritikoi hapur islamin dhe në fillim të viteve 1990 përktheu një vepër të Selman Rushdies, “Vargje satanike”.  Kështu ai u vu në shenjestër të organizatave islamike radikale, që kishin fituar popullaritet në të gjithë Turqinë. Kulmi i ndëshkimit të tij dhe të njerëzve përparimtarë si ai, arriti gjatë masakrës në qytetin Sivas, në hotelin Madimak…

Ndër veprat më të shquara të Nesinit, mund të përmendim: “Hapni rrugën! Po vjen socializmi!”, “Përrallat e Nastradin Hoxhës”,  “Istanbul Boy”, “Bulgaristan”, “Histori turke të katër shekujve”, etj.

Në librin “Letërsia turke e shek. XX”, Mahir Unlu dhe Omer Ozkan sjellin opinionin e Ismet Inëny për krijimtarinë e Aziz Nesinit:

“E kam lexuar Aziz Nesinin me kënaqësi dhe jam mësuar të shoh veprat e tij përparimtare në Turqishten e re. Megjithëse një shkrim i tij ishte në kundërshtim me politikën që ne ndjekim, e kam vlerësuar atë si një revolucion në gjuhën dhe letërsinë turke. Besoj se ai do të arrijë herët a vonë qëllimin e gjuhës sonë të madhe. Emri i Aziz Nesinit qëndron në radhët e para të atyre që të imponojnë respekt në arritjen e këtij qëllimi.”

Ndërsa shkrimtari turk Jashar Qemal, shkruan:

“Gjithë karakteristikat dhe rezistenca e Aziz Nesinit e kanë bërë për ne një shkrimtar të madh, humorist të epokës sonë. Krijesë që di të qeshë, që di të dojë, që di të mendojë, di dhe të luajë. Aziz Nesini është një mendimtar që na bën të qeshim, njësoj si Nastradini. Ai të bën për të qeshur duke të futur në mendime …”

Jusuf Zija Ortaç është shprehur:

“Aziz Nesin i ngjan një ore të kurdisur që nuk njeh pushim. Brenda qenies së tij jetojnë dy njerëz; njëri është Azizi ushtarak, tjetri është poeti, i dashuruar pas artit, pas të bukurës, pra, njeriu i botës shpirtërore. Karakteri i tij i ngjan një shpate që nuk thyhet lehtë. Natyra e tij ushtarake i ngjan një shkëmbi. Fytyra e tij si e një fëmije të nxit ta përkëdhelësh, nga ana tjetër, kemi krijimtarinë e tij të pashoqe.”

Vetë shkrimtari Aziz Nesin duke medituar për rrugën e tij si shkrimtar, kujton:

“… Sigurisht që unë kisha ustallarët e mi. Kam lexuar shumë Hysen Rahmi Gyrpënarin, që kam nisur ta pëlqej qysh në moshën 16 vjeç. Në gjimnaz isha nën ndikimin e Reshat Nuri Gyntekinit. Me sa duket jam ndikuar edhe nga Refik Haliti. Për mua, mjeshtri i mjeshtrave, si në tregime, ashtu edhe në novela, është Anton Çehovi. Madhështia e Çehovit, qëndron në sinqeritetin dhe thjeshtësinë e tij. Për mua, kuptimi i demokracisë nuk është sundimi i shumicës, por mbrojtja e të drejtave të pakicës. Duhet t’i njihen të drejtat e gjuhës, besimit dhe të lirisë. Mendimet ndryshe, jo vetëm që nuk duhet t’i dënojmë, por t’i dëgjojmë dhe t’i vlerësojmë…”

“Unë e kritikoj vazhdimisht vetveten. Punoj për të ecur përpara. Gjithkush lexon një pjesë timen dhe i referohet asaj. Në fakt unë shkruaj shumë dhe për të njohur një shkrimtar, duhet ta lexosh plotësisht atë. Shqetësimin tim social e kam shprehur në kushtet e sotme. Unë nuk jetoj në të jashtëzakonshmen e njerëzve, por brenda tyre. Unë i vështirësoj shumë kufijtë e forcës njerëzore edhe në kohën që u ushtrua shtypja më e madhe, nuk e kam humbur kurrë besimin tek e ardhmja. Kam menduar se më presin përpara shumë punë që duhet t’i realizoj. Lexoj, po aq sa shkruaj. Çdo ditë lexoj dymbëdhjetë gazeta të përditshme dhe të gjitha revistat artistike. Jo më pak se dy libra në muaj. Unë nuk kam kohë të humbas mejhaneve dhe shëtitjeve pa kuptim…”

Ndërsa për burgun ai shkruan:

“… Burgu në fakt, nuk më mori, por më dha mjaft “pasuri”, duke filluar nga kultura e pamasë, informacionin e thellë për njeriun; njoha çdo shtresë sociale, nga aventurierët deri te deputetët, nga sekserët deri tek homoseksualët. Është krejt ndryshe njohja e njerëzve në burg dhe ndryshe jashtë tij. Aty nuk mund ta mbulosh dot karakterin pas fjalëve të bukura, por gjithkush është vetvetja. Shoqëria në vetvete pasqyron brendësinë e saj. Ja, të gjitha këto janë pasqyruar në librat e mi. Ajo që më shtyu të bëhem shkrimtar humorist, ishte mjedisi ku jetoja.”

Në një prej revistave artistike për figurën e shkrimtarit Aziz Nesin, shkruhet:

“… Pa dyshim që, humoristi turk Nastradini, ka bërë që edhe Aziz Nesini të mendohet.” Aziz Nesini e quan Nastradinin simbol të popullit turk.

Krijimtaria e tij letrare është nderuar me këto çmime:

 

-1956 – Palma e Artë,  Itali, me tregimin “Ceremonia e kazanit” .

-1957 – Palma e Artë, Itali , me tregimin “Arrestimi i Fil Hamdiut”.

-1966 – Qerpiku i Artë, Bullgari, me tregimin “Detyra e atdheut”.

-1968 – Çmimin e parë në Gazetën Milliet, “Tre syzinjtë”

-1969 – Çmimi Krokodil, në Bashkimin Sovjetik, me tregimin “Njerëzit po zgjohen”.

-1970 – Çmimi i Institutit të Gjuhësisë për Teatrin, me pjesën “Çiçu”.

-1975 -Çmimi i Lidhjes së Shkrimtarëve, Lotus, Azi-Afrikë.

-1977 -Çmimi Hitar Petar në konkursin ndërkombëtar të librave për të qeshur, në Bullgari.

-1978  Çmimi Madarali, me romanin “Jashari  i gjallë  as jeton e as s’jeton”.

-1985 – U zgjodh shkrimtari i vitit, nga populli (TÜYAP).

 

Aziz Nesin  vdiq më 6 korrik të vitit  1995 në Foça nga një infarkt në zemër, pas një feste në të cilën u promovua njëri prej librave  të tij. Pas vdekjes, trupi i tij u varros pa ceremoni në kopshtin e fondacionit “Nesin”, në një vend të fshehtë, sipas dëshirës së tij të fundit.

 

 

Lidhjet e shkrimtarit me Shqipërinë

 

Falë përkthimeve me nivel të lartë artistik në shqip Aziz Nesin  u bë shumë shpejt i njohur edhe në vendin tonë. Për humorin fin që i përcjellin lexuesit, po risjellim më poshtë kujtimet e poetit dhe shkrimtarit të shquar shqiptar Dritëro Agolli për dy prej shkrimtarëve turq me famë botërore, Jashar Qemalin dhe Aziz Nesinin.

Në takimin që ka patur me Jashar Qemalin, Dritëro Agolli tregon se, pasi kishte mësuar që ai, përveç turqishtes, nuk dinte asnjë gjuhë tjetër e kishte pyetur:

- Jashar Bej, pse nuk mëson një gjuhë të huaj?

- Kam frikë se influencohem nga kulturat dhe traditat e tjera, – i ishte përgjigjur tjetri me humor.

Duke e kapur qysh në ajër rastin, Dritëroi i kishte treguar çfarë i kishte ndodhur një miku të tij, Kopi Kyçykut, që në atë kohë, ishte nënkryetari i Komitetit Ekzekutiv të Pogradecit, kur punonte në minierën e hekur-nikelit në Gurin e Kuq:

- Duke kaluar natën, u rrëzua në një pus nga një lartësi rreth dhjetë metra poshtë në thellësi të saj, por përveçse ishte shkundur mirë e mirë nga trupi dhe trutë e kokës, nuk kishte pësuar gjë tjetër. Pasi u shërua nga të gjitha lëndimet fizike, Kopi mësoi dhjetë a pesëmbëdhjetë gjuhë të huaja.

- Me sa duket, – kujton Dritëroi, – pas rrëzimit atij iu hapën burgjitë e gjuhëve të huaja dhe filloi të merrej me përkthime.

Papritur, Jashar Qemali, që e kishte dëgjuar me vemendje tregimin e Driteroit, nuk duroi më dhe iu drejtua mikut të tij nga Shqipëria:

-A nuk më çoni edhe mua tek ajo gropa në Pogradec që të mësoj edhe unë ndonjë gjuhë të huaj?

Ndërsa në takimin me shkrimtarin Aziz Nesin lindi një problem tjetër. Disa orë para mbërritjes së tij në Shqipëri, me ftesë të Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë së asaj kohe, u mësua se shkrimtari turk kishte në vendin tonë një shok të vjetër, të cilin mund të donte ta takonte. Problemi qëndronte se shoku i tij tetëdhjetë vjeçar, turkologu dhe njeriu fisnik, Myqerem Janina në ato vite ishte dënuar për agjitacion e propogandë. Driteroi dhe shkrimtari i fushës së humorit, Niko Nikolla, për çdo të  papritur, nisën të hartonin disa variante për kapërcimin e situatës së pritshme. Një variant ishte që të sajonin, sikur miku i vjetër i Nesin, kishte vite që dergjej në varreza, ndaj propozuan të vendosnin, ashtu thjesht e natyrshëm në njërin prej varreve një pllakë mermeri me  emrin e tij.

-Po sikur të kërkojë t’i bëjë një vizitë familjes së tij? – pyesnin papritur njëri-tjetrin dy  mikpritësit.

-Atëherë do t’i themi se, miku juaj i vjetër vuan nga një sëmundje e keqe dhe mbahet  izoluar në spitalin e Vlorës, – përgjigjej tjetri.

-Po sikur Nesini të thotë: “Po mirë, kur qenka puna kështu, më çoni deri tek dhoma e tij në spital sa ta përshëndes me dorë  nga  xhamat e dritareve.” Çfarë t’i themi ne atëherë?

Dhe për fat të keq ndodhi varianti më i padëshiruar. Të nesërmen, me të zbritur nga avioni, Aziz Nesini shprehu dëshirën t’i bënte një vizitë mikut të tij të vjetër. Këtu filloi odiseja e gënjeshtrave nga mikpritësit shqiptarë, që këmbëngulnin si mushka se, miku i Azizit vuante nga një sëmundje e keqe, ndaj rronte i izoluar dhe nuk mund të takohej. Këmbënguljen e tyre, shkrimtari turk diti ta deshifronte në pak minuta, se pas saj fshihej diçka tjetër, e cila nuk ishte në dorën e mikpritësve, ndaj heshti dhe nuk e rrëmoi më këtë punë…

Në gjuhën shqipe kanë parë dritën e botimit mjaft tregime,  novela dhe romane të Aziz Nesnit, si: “Fëmijët e sotëm”, roman, “Përrallat e gjyshit Azizis”, “U arratisën të çmendurit”, tregime, “Sikur të isha grua”, tregime humoristike, “Kutia e konservës”, “Kur desh ia hoqa vetes”, “Një çikë mjaltë”, “Një ëndërr amerikane”, “I trashi dhe i holli”, “Historia e bishtave”, “Pasqyra mrekullia”, “Ali beu satirik”, “Arrestimi i Fil Hamdiut”, etj.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit