Data : 19 12 2018
KryeTitujt :

5 Maji, veteranët dhe pasardhësit: “Dashuria për atdheun po venitet, sot s’ka më idealistë si dëshmorët”

FORUM/ Nesër në mbarë vendin përkujtohet Dita e Dëshmorëve. Çfarë ndodh në Shqipëri në këtë ditë? Flasin për “Albanian Free Press”, veteranët dhe pasardhësit e tyre: Bashkim Hysa, Mersin Mixha, Odise Porodini, Idajet Beqiri, dhe Aleksandër Dragoti

 

5 Maji, veteranët dhe pasardhësit:

“Dashuria për atdheun po venitet,

sot s’ka më idealistë si dëshmorët”

 

 Albert Zholi

 

Çdo vit, më 5 Maj nderojmë dëshmorët e kombit, që kanë dhënë jetën për çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj, ose në mbrojtje të pasurisë së popullit dhe jetës së njerëzve ndaj fatkeqësive të ndryshme. E cilësuar zyrtarisht si Dita e Dëshmorëve, ajo është caktuar të përkujtohet si e tillë në nderim të 5 Majit 1942, ditës kur nga fashistët u vra Qemal Stafa, i riu komunist, aktivist i Luftës Nacional Çlirimtare. Përpara krijimit të shtetit shqiptar, populli i kujtonte dëshmorët dhe i mbante gjallë legjendat e tyre, nëpërmes këngës epike dhe trashëgimisë së historisë të tyre, kaluar nga brezi në brez. Dhe deri në vitin 1945, shteti shqiptar nuk kishte një status ligjor për dëshmorët e atdheut. Vetëm pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist-Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin nr. 109, “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste-Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve, që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para luftës. Kurse në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin “Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës dhe të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”. Ndërkaq, pas viteve ’90, statusi i Dëshmorit të Atdheut pësoi ndryshime. Po si përkujtohet në Shqipëri sot dita e 5 Majit dhe në tërësi, Lufta Antifashiste-Nacionalçlirimtare me të rënët e saj? Japin mendimin e tyre rreth kësaj çështje, të pyetur posaçërisht nga “Albanian Free Press”, veteranë dhe pasardhës të tyre… Drejtojnë apelin publik që të rinjtë e sotëm ta duan Shqipërinë, siç e deshën dëshmorët. Duke pohuar gjithashtu me keqardhje se “sot zor se gjen djem idealistë, djem të sakrificës, si dëshmorët që dashurinë për atdheun e kishin kthyer në një kult dashurie dhe respekti”…

 

Nënkryetar i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it, Elbasan

 

BASHKIM HYSA:

 

“5 Maji, sa më shumë që ecën

koha, aq më shumë lartësohet”

 

“Dita e 5 majit është një ditë historike, një ditë që sa më shumë ecën koha, aq më shumë lartësohet. 75 vjet më parë, në datën 1 maj 1943, 100 nxënës të Normales braktisën bankat e shkollës dhe dolën malit për liri. Dhe më 1 Maj të këtij viti, u mbushën plot 75 vjet nga dita e daljes në mal të tyre, të cilët më pas u përfshinë në batalionet partizane të Dumresë, të Shpatit, të Çermenikës, në brigadat II, III dhe XVII Sulmuese. Bazuar në librin “Gjenerali legjendar” që i kushtohet veprimtarisë së Shefqet Peçit, 40 faqe i kushtohen pikërisht punës patriotike dhe revolucionare të këtij legjendari, kur ishte kujdestar në Normalen e Elbasanit dhe rolit të tij për mobilizimin dhe hedhjen e nxënësve të kësaj vatre revolucionare në luftë për çlirimin e vendit. Shefqeti kishte dhënë prova besnikërie dhe atdhetarie ndaj vendit dhe popullit. Si antizogist kishte provuar edhe burgun. Më pas, Hasan Bajraktari merr kontakt me të  dhe i kërkon emra të nxënësve të Normales që të anëtarësoheshin në rininë komunist të qytetit. Ai i rekomandon emrat: Jorgji Dilo, Beqir Dardha, Hasan Selenica, Meço Konomi, Mihallaq Gjinikasi, Bilal Parruca, Myqerem Fuga, Xhorxhi Robo, Dashnor Mamaqi. Merr pjesë gjithashtu në mbledhjen e Qarkorit të PKSH-së, ku i deleguar ishte sekretari politik i rinisë komuniste, Qemal Stafa. Ja diçka nga fjala e tij: “Takimi ynë është i çiltër dhe i pastër, por për shkak të luftës i fshehtë. Si shokë idealesh kjo fshehtësi mes nesh nuk ekziston më. Unë jam Qemal Stafa…”. Më 14 qershor 1942, Shefqet Peçin e arrestojnë në gjumë në ambientet e konviktit të Normales dhe e shoqërojnë në burgun e Gjirokastrës, ku Tahir Kolgjini, vegël e fashizmit kishte planifikuar pushkatimin e tij. Por ai i shpëtoi pushkatimit dhe kjo u dedikohet shokëve të Qarkorit të PKSH-s, Elbasan.

Kontributi i Shefqet Peçit do të vijonte më tej me gjithë përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm, si Komandant i Brigadës V Sulmuese partizane dhe si një nga figurat më të spikatura të LANÇ. Ka qenë pikërisht kjo ditë e 1 Majit, e cila shërbeu dhe si nismë për fitoren e madhe të 29 nëntorit 1944. Prandaj e kujtova 1 Majin, për të nxjerrë në pah 5 Majin. Kurse Qemal Stafa u bë frymëzimi i brezave për atdhetarizëm, dhe i tillë do të mbetet”.

 

Avokat, pasardhës veterani

 

IDAJET BEQIRI:

“Të rënët, simbol frymëzimi

për luftëtarët e lirisë, por

edhe për brezat që vijnë”

 

“Gjatë Luftës Nacional-Çlirimtare, fillojnë përpjekjet e para për të nderuar dëshmoret e rënë në fushat e betejave. Të rënët u bënë simbol frymëzimi për luftëtarët e lirisë. Këngët për dëshmorët, dhënia e emrave të tyre reparteve partizane, shkrimet për aktin e tyre në shtypin e luftës dhe në fjalime, betimi para varreve të tyre, varrimi ceremonial partizan, ndihma për familjet, zëvendësimi i tyre në radhët partizane nga të afërt etj., të gjitha këto janë shprehje e vlerësimit për aktin dhe figurën e dëshmorit. Pas çlirimit, më 28 gusht 1945, kryesia e Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar, miratoi ligjin nr. 109 “Mbi shpërblimin e familjeve të dëshmorëve dhe invalidëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare”. Ky ligj sanksiononte edhe trajtimin e familjeve të patriotëve që kishin luftuar e rënë për atdheun edhe para Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, në kohën e Rilindjes Kombëtare, në luftërat për pavarësi, duke shënuar kështu përpjekjen e parë për një ligj integral për dëshmorët e Atdheut. Në vitet ´60-të statusi i dëshmorit përpunohet më tej dhe zgjerohet, duke specifikuar termin ”Dëshmor i Atdheut”. Në këtë ligj futen edhe Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut, të cilat u ndërtuan në të gjitha qendrat e rretheve të vendit, ku u përqendruan varret e të gjithë dëshmorëve, me përjashtim të atyre të Pezës e të Kuçit të Vlorës. U ndërtuan edhe Varrezat e Dëshmoreve të Atdheut në Tiranë me monumentin “Nënë Shqipëri”, ku sot ne krenohemi para gjithë botës për nderimin qe u bëjmë heronjve”. Deri më sot kam marrë shumë vlerësime, dekorata e urdhra të ndryshëm, por titulli i lartë “Nderi i Organizatës së Veteranëve të LANÇ”, për mua është mbi gjithë vlerësimet e tjera, sepse simbolizon epopenë më të lavdishme të popullit tonë, LANÇ-in”.

 

 

Ish-veteran, Sekretar i Përgjithshëm

i Komitetit të Veteranëve të LANÇ-it

ODISE PORODINI:

 

“Kush ka rënë për atdhe,

nuk ka vdekur, por ka le”

 

“Kur vjen 5 Maji, ne pasardhësit e veteranëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare mbushemi me krenari. Një krenari e ligjshme kjo, një krenari që na buron vetiu në gjithë qenien, për vetë faktin se prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, kanë rënë për gjënë më të shtrenjtë në botë, për idealin më të madh jetësor: çlirimin e atdheut. Nuk thotë më kot kënga: “Kush ka rënë për atdhe, nuk ka vdekur, por ka le”. Pa trimëritë e atyre dëshmorëve, pa luftën, sakrificat e panumërta të tyre, Shqipëria nuk do ishte kjo që është sot. Në shekuj, armiqtë e jashtëm donin të na gllabëronin, ndërsa armiqtë e brendshëm donin të na shisnin. Pra, kemi pasur armiq dhe tradhtarë. Kur shikon historinë e popullit tonë, habitesh sesi kanë luftuar përballë superfuqive ushtarake, përballë armiqve të armatosur deri në dhëmbë për të na shuar si komb dhe si shtet. Por ishin këta dëshmorë, ishin këta njerëz, këta idealistë, këta yje të pashuar, që vunë atdheun para jetës së tyre të re. Kushdo sot në këtë demokraci të pafre mund të flasë dhe të hedh baltë mbi Luftën Nacional-Çlirimtare, por askush nuk i rrëzon dot ato male. Guriçkat nuk e gjuajnë dot malin, pasi thërrmohen… Dëshmorët, historia i ka shkruar në Panteonin e pavdekësisë, i ka shkruar në gjirin e shenjtë të Atdheut. Në çdo 5 maj si Komitet i Veteranëve shkojmë në Varrezat e Dëshmorëve. Vendosim mbi varret e tyre lule, se ata ishin vetë lule, lule nga më të bukurat të natyrës së virgjër shqiptare. Ulemi në gjunjë para tyre, para veprës së tyre, para kujtimit të tyre. Kujtesa historike po i lartëson këta njerëz që emrin “Shqipëri” e kthyen në shenjtëri. Sot zor se gjen djem të tillë idealistë, djem të tillë të sakrificës që dashurinë për atdheun e kishin kthyer në një kult dashurie dhe respekti. Vlerat njerëzore po shikojmë se zhbëhen dhe dashuria për atdheun po venitet, ndaj duke kujtuar 5 majin ne bëjmë dhe një apel: Duajeni më shumë Shqipërinë. Duajeni si dëshmorët tanë. Dashurinë për atdheun e ka cilësuar më bukur Sami Frashëri: “Dashuria për atdheun është topi që shkatërron kalatë më të forta dhe kalaja që mund t’u qëndrojë topave më të fortë”.

 

 

Djali i Asaf Dragotit, ish-Komandant i Brigadës së VIII Sulmuese

 

ALEKSANDËR DRAGOTI:

 

“Lufta nuk mund të mohohet, në

gjithë botën dëshmorët nderohen”

 

“Kur vjen 5 Maji, edhe emri i babait tim, Asaf Dragoti bëhet më i madh, më i bukur, më i nderuar, pasi e nderon gjithë pjesa patriotike e popullit tonë. Dita e dëshmorëve është në ditën më të bukur të luleve. Vetë natyra ka dashur t’i mbulojë me lule këta djem dhe vajza që ranë për lirinë e atdheut. Lule ishin ata, lule është vetë natyra në këtë ditë. Unë kam qenë pjesë e luftës në Qarkorin e Rinisë së Vlorës në zonën e Peshkëpisë. Kur dëgjoj sesi e mohojnë këtë luftë, habitem. Ishte një luftë që bota e respekton, që bota e nderon. Ishte një luftë që ne duhet t’ua përcjellim të shkruar brezave. Kudo në botë, ata që kanë qenë pjesë e Luftës Nacional-Çlirimtare ndihen të respektuar, krenarë dhe të nderuar. Ajo luftë na dha lirinë dhe na radhiti ndër vendet triumfuese. Madje, duke pasur parasysh popullsinë e Shqipërisë mund të themi me plot gojën se lufta jonë ishte e njëjtë me atë të vendeve me popullsi të madhe. Këtë e bënë prindërit tanë, vëllezërit dhe motrat tona, ndaj ne duhet t’i kujtojmë dhe respektojmë ata. Kudo në botë nderohen dëshmorët, madje shumë më shumë se tek ne. Heronjtë japin jetën për atdheun ne duhet ti nderojmë dhe respektojmë ata. 5 Maji mbetet një ditë historike, një ditë ndër më të bukurat të historisë së Shqipërisë. Por duhet të kemi parasysh se në vitet 1992-1993, me ndërrimin e sistemit politik, pësoi ndryshime edhe statusi i Dëshmorit të Atdheut. Me një vendim të qeverisë “Meksi”, ende i papublikuar, iu hoqën përfitimet familjeve të dëshmorëve. Vetëm në vitin 2000, pas shumë përpjekjeve u miratua ligji i ri “Statusi i Dëshmorit të Atdheut”, në të cilin përfshihen dëshmorët e të gjitha periudhave historike, madje edhe të rënët në vitet 1997-1999, në Shqipëri dhe në Luftën Çlirimtare të Kosovës”.

 

 

 

Ish-partizan i Brigadës së VI Sulmuese

 

MERSIN MIXHA:

 

“Sot çfarë nuk dëgjojmë për luftën,

deformime e shtrembërime bajate”

 

Mersin Mixha, një rast i rrallë i luftës partizane. Është futur në radhët e saj qysh në moshën 13-vjeç dhe sot është një ndër veteranët e pakët të Brigadës së VI-të sulmuese, që është ende gjallë. Komandant i kësaj Brigade ishte Tahir Kadareja, Komisar Mustafa Matohiti, Zv/komisar Haki Toska, pra, ndër luftëtarët më legjendarë të luftës më heroike të popullit shqiptar. Kur e shikon dhe e takon, edhe pse po mbush 90 vjet, ai është tepër i mbajtur, por mbi të gjitha, me një memorie të çuditshme. I gjatë, me një fytyrë engjëllore, me sy depërtues, ai në bisedë të gozhdon kur flet për luftën Nacionalçlirimtare, pasi ngjarjet e jetës i ka në kujtesë si një shirit magnetofoni…

“Sa herë vjen 5 Maji bëhem më i ri, më i fortë dhe më i lidhur me atdheun. Ne që luftuam për këtë ditë, e përcjellim natyrshëm gëzimin për ditën e dëshmorëve, ditën e heronjve të luftës. Një ditë historike që na bën krenarë. Sot çfarë nuk dëgjojmë për luftën, çfarë nuk thuhen. Deformime nga më të ndryshmet, shtrembërime nga më bajatet të historisë. Kam qenë pjesë e Brigës së VI në fillim si korrier. Për mua, Lufta Nacional-Çlirimtare nuk ishte vetëm luftë kundër okupatorit, por ishte luftë dhe revolucion kundër qeverisë kuislinge të asaj kohe. Lufta dhe revolucioni kundër kësaj qeverie, do të thotë shkulje me themel e çdo gjëje që binte ndesh me interesat kombëtare. Unë kam qenë pjesë e kësaj lufte që në moshën 13 vjeç. Kam qenë pjesë e luftës së Cepos, në Kardhiq, ku është Plesati i sotëm në Gjirokastër. Kjo zonë ishte tepër e mbrojtur dhe si italianët dhe gjermanët kanë bërë çmos ta shtinin në dorë. Këtu do të veçoj luftimet e Divizioni 297, gjerman, që bëri çmos ta shtinte në dorë këtë kështjellë. Luftimet e tyre ishin shumë të përforcuara, por asnjëherë nuk mundi ta pushtojë Cepon, ndaj gjermanët e cilësuan këtë zonë “Stalingradi shqiptar”. Si rezultat i veprimeve taktiko-operative të këtyre brigadave, mobilizimit, sakrificave, që dhe pse u rrethuan nga të dyja anët, mundën të çajnë rrethimin, operacionet armike dështuan me turp. Në luftë ranë 28 mijë dëshmorë, 28 mijë yje të pashuar. Ishin të gjithë të rinj, idealistë, me dëshirën për të shporrur pushtuesin nga Atdheu. Pa këtë luftë, Shqipëria do të copëtohej nga Greqia dhe Jugosllavia. Ndaj çdo 5 Maj, ne veteranët shkojmë tek Varrezat e Dëshmorëve të Kombit. Kujtojmë shokët tanë, vëllezërit tanë, kujtojmë atë luftë heroike. Mund të them se i gjithë populli e respekton këtë luftë, veç atyre që ishin bashkëpunëtorë të nazi-fashizmit. Sot më tepër se kurrë është rritur respekti për këtë ditë simbol të kombit shqiptar”.

 

 

BOX

 

STATUSI

Cilët konsiderohen “Dëshmorë të Atdheut”

Statusi i Dëshmorit të Atdheut u njihet:

  1. a) personave të rënë në luftë për liri dhe pavarësi kombëtare para 28 Nëntorit 1912 dhe shtetasve shqiptarë që kanë rënë në luftë për mbrojtjen e integritetit territorial, të lirisë dhe pavarësisë së Shqipërisë, para 7 prillit të vitit 1939;
  2. b) shtetasve shqiptarë që kanë marrë pjesë me armë në dorë ose në formë të organizuar në Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare (7 prill 1939 deri më 29 Nëntor 1944) dhe kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë e bashkëpunëtorëve të tyre; që kanë vdekur për shkak të plagëve të marra në luftë ose janë ekzekutuar, ose kanë vdekur nga torturat në burgje e kampe përqendrimi nazifashiste deri më 9 maj 1945;
  3. c) shtetasve shqiptarë, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, që kanë rënë në luftë kundër pushtuesve nazifashistë jashtë kufijve shtetërorë, deri më 9 maj 1945;
  4. d) shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar për çlirimin e Kosovës nga pushtuesit serbë në vitet 1998-1999;
  5. dh) shtetasve shqiptarë që kanë rënë duke luftuar në Spanjë (1936-1939) ose në vende të tjera, të inkuadruar në formacionet e koalicionit antifashist, deri më 9 maj 1945 ose kanë vdekur nga plagët e marra në këtë luftë;
  6. e) shtetasve shqiptarë që kanë rënë ose bien në krye të detyrës për mbrojtjen e integritetit territorial, për mbrojtjen e institucioneve shtetërore nga terrorizmi, ose në luftë kundër bandave të armatosura dhe kundër krimit ndaj jetës së individit;

ë) shtetasve të huaj, pjesëtarë të formacioneve të Ushtrisë Nacionalçlirimtare që kanë rënë duke luftuar kundër pushtuesve nazifashistë.

 

 

SHIFRA 

 

Numri i dëshmorëve të atdheut

 

Numri i dëshmorëve të rënë gjate periudhës të rilindjes kombëtare  dhe luftërave  për pavarësi (1840-1912), nuk është saktësisht i njohur. Shumica e te vrarëve gjatë kësaj periudhe u njohën si dëshmorë të Atdheut mbas viteve ‘70 dhe ekzistonin shumë pak të dhëna për veprimtarinë e tyre.

-19 nga dëshmorët e periudhës 1840-1912 janë shpallur “Heronj të Popullit”

- 6 nga dëshmorët ë Luftës së Vlorës (1920) janë shpallur gjithashtu “Heronj të Popullit”

-12 dëshmorë të rënë gjatë qëndresës kundër pushtimit italian më 9 prill 1939

-9.470 dëshmorë të vrarë në luftim kundër pushtueseve nazifashistë

-6.436 të pushkatuar nga nazifashistët e bashkëpunëtorët e tyre

-13.200 të ekzekutuar nga nazifashistët në kampet e përqendrimit ne Gjermani, Itali, Prishtinë etj.

-500 efektivë të forcave të kufirit (sot Policia e Kufirit)

-39 pilotë të Aviacionit Luftarak

-238 efektivë të Policisë të Shtetit

- Mbi 80 oficerë dhe ushtarë të ushtrisë.

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :