Data : 20 10 2018
KryeTitujt :

Në kërkim të një epitafi

Tregim nga DHIMITËR SHTËMBARI

 

 

                                    Në kërkim të një epitafi

 

Shpëtimi, djali i madh i të ndjerit Fatbardh K., ish biznesmen i njohur, kishte menduar që në qivurin e të atit të vendoste një epitaf sa më të goditur. Bënte muaj që vriste mendjen për të. Për këtë qellim kishte vënë në lëvizje disa nga miqtë e vetë. Këtë detyrë ia kishte lënë sidomos Fatjonit, të cilin Shpëtimi e mbante si njëri tepër të zgjuar për të tilla punë.

– Këto dy javë me këtë punë merruni, – i kishte thënë, – sepse do t’ju paguaj shumë mirë.

Po shkoj te Shoqata e Biznesmenëve, se mundet të gjej aty ndonjë formulim interesant – kish menduar Fatjoni. Dhe nuk kish vonuar të shkonte atje.

– Një epitaf për të ndjerin Fatbardh?! – i qe drejtuar dikush në atë Dhomë.

Kish hedhur sytë te kolegët brenda Dhomës dhe ishte shprehur:

- Para të vdekurve na duhet të jemi tepër të sinqertë!…

– Atë kërkojmë, – ia kishte kthyer Fatjoni.

–  Shkruaj: “Nga kjo jetë, Fatbardhi u largua fatzi.”

Tjetri, që priste ndonjë tjetër formulim, mbeti i shtangur.

– Ç’është ky epitaf?!

– Dhjetëra punëtorëve në bizneset e veta Fatbardhi nuk u pat paguar Sigurimet Shoqërore prej shumë vjetësh!…

Fatjoni u largua tepër i zemëruar. Dhe nga këtu, frymën e mbajti në bibliotekën e qytetit. I qeshi fati. Sapo u fut në sallë, sytë i shkuan te një profesor – doktor në letërsi, të cilin e njihte prej kohësh.

– Dua një epitaf, që mendohet të vendoset në një qivur, – i tha Profesorit.

Profesori mbeti në mëdyshje. Si mundej të kërkohej një epitaf pa pasur parasysh njeriun konkret të ndarë nga jeta!

– Për cilin njëri e kërkoni? – pyeti Profesori.

– A, më fal se s’ta thashë. E dua për të ndjerin Fatbardh K., biznesmen i njohur i qytetit tonë…

Sapo i dëgjoi emrin, profesorit iu kujtua  diçka e ndodhur: Një shkrimtar i njohur i kish pas kërkuar të ndjerit sponsorizimin e një libri, por ai i paskej propozuar t’i jepte një drekë të mirë ku ta dëshironte, qoftë edhe jashtë shtetit. Pra, s’kishte qenë i gatshëm të hidhte lekë për libra me përralla, siç qe shprehur.

Ndërkohë që profesori bënte sikur mendohej, Fatjoni nxori stilolapsin.

– “Këtu prehet një i njëri me kokën mbi lekë dhe me këmbët mbi libër.”

Fatjonit i mbeti stilolapsi mbi fletën e bllokut. E shikoi në sy profesorin, sikur të donte t’i thoshte: seriozisht e ke, profesor?!

Dita e vendosjes së qivurit po afrohej. Vrau mendjen dhe i shkrepi të shkonte në Ministrinë e Ekonomisë. Aty takoi një zëvendësministër. E njihte shumë mirë. Pa e zgjatur më tej, i kërkoi një formulim epitafi.

– Si, paska vdekur Fatbardhi?! – shprehu habinë zëvendësministri.

– Kërkojmë një epitaf, që mund t’i shkonte më përshtat karakterit të tij…

Zëvendësministri uli kokën, u mendua dhe, duke ngritur kokën, foli:

- “Pasurimi nën këmbët e ndershmërisë”. Kjo do t’i shkon shumë.

Fatjoni rrudhi buzët dhe e futi bllokun në xhep. Tjetri e vuri re pakënaqësinë dhe, për t’ia sqaruar përmbajtjen e epitafit që i sugjeronte, shtoi:

- Gjatë tenderave që organizoheshin, ishte gati të shiste edhe të atin…

S’e zgjati më tej Fatjoni, u ngrit dhe largua.

Teksa vazhdonte për në shtëpi, çuditërisht iu kujtua emri i një shoqate, ku të ndjerit i përmendej emri. Madje aty i qe dhënë stimuli moral “Nderi i Shoqatës …”.

– Mbushi një vit që është ndarë nga jeta?! – shprehu habinë kryetari i asaj Shoqate. – Ikin vitet, Fatjon vëllai. Mos shkofsh atje, se…

Kryetari i Shoqatës atë çast sapo kishte mbaruar së lexuari një libër. Si të ish porositur, atypëraty i vuri përpara një shënim që kish nxjerrë nga ky libër.

–  Lexojeni vet! Të ndjerit mund t’i shkonte ky epitaf: “Njeriu që luftoi ta bënte lekun shenjtë, për ta vendosur mes gjithë shenjtorëve të tjerë.”

E lexoi Fatjoni tekstin që i sugjeronte kryetari i Shoqatës për epitaf dhe, duke shprehur një farë pakënaqësie, i dha dorën dhe u largua.

Erdhi dita e vendosjes së qivurit, kështu që duhej vendosur epitafi. “Do të pyes dajon e të ndjerit, fundja le të vendos vet ai” kish menduar Fatjoni. Edhe dajoja ishte një farë biznesmeni, por nuk i kishte ecur mbarë. Thuhej se i kishte kërkuar ndihmë nipit të vetë, Fatbardhit, por ky s’kish pasur kohë të merrej me dajon e vetë!

- Kam ardhur t’ju marrë një mendim, – hyri drejt e në temë Fatjoni.

– Dakort, ç’kërkoni prej meje? – ia kishte kthyer dajoja.

– Siç e dini, mbas dy javësh mbush vitin që është ndarë nga jeta nipi juaj, Fatbardhi. Kërkohet një epitaf për ta vendosur në ballinën e qivurit.

Sapo i dëgjoi kërkesën që i drejtohej, dajoja uli kokën. Iu kujtua fakti, se nipi i tij, Fatbardhi, ishte divorcuar me të shoqen, duke lënë pa kujdesje prindërore katër fëmijë! Dhe ishte martuar me një vajzë shumë të re! Iu kujtua motra e vetë, domethënë e ëma e të ndjerit, që ishte lënë në mjerim të plotë për shkak të tij.

- Ju e kërkoni të gjatë epitafin, apo me pak fjalë? – pyeti dajoja.

– Sigurisht, me sa më pak fjalë, por ama të thotë shumë.

– Atëhere mbaj shënim:

Fatjoni hapi bllokun dhe vendosi mbi një faqe majën e stilolapsit.

– “Lindi njëri dhe vdiq gomar”!

Fatjoni mbeti tejet i habitur. Si mundej të sugjeronte këtë epitaf dajoja!

– Ky epitaf do të pëlqehej nga ata që e njohin, por edhe nga vet familjarët, – shtoi dajoja.

Fatjoni u ngrit, e përshëndeti dajon dhe u largua.

Sakaq, mallkoi veten që kish marrë përsipër të kërkonte një epitaf për një biznesmen të tillë, si për të ndjerin Fatbardh K.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :