Data : 23 09 2018
KryeTitujt :

Pajtim Struga: Kënga është e përbotshme, s’njeh kufij gjeografikë

Pajtim Struga: Kënga është e përbotshme, s’njeh kufij gjeografikë
INTERVISTA/ Flet këngëtari i mirënjohur tiranas, Pajtim Struga: Konkurrenca nuk është reale, nuk është brenda konceptit të këngës së mirëfilltë popullore shqiptare. Edhe ti vetë e ndjen sesi nga dita në ditë kënga jonë e bukur popullore bëhet gjysmë greke, gjysmë serbe, apo turke. Janë përpjekje të pseudo-këngëtareve, jo konkurrencë 

 

 

Intervistoi për “Albanian Free Press”: Albert Zholi

 

I qetë, korrekt, mbushur mirësi, Pajtim Sruga mbetet një ndër këngëtarët më të pëlqyer të këngës popullore qytetare të Tiranës. Ai ndoshta sot është këngëtari me më shumë eksperiencë në këtë lloj kënge.  Dy janë preferencat e Pajtimit  në jetë, e para kënga dhe e dyta futbolli. Të parin si profesion, të dytin si pasion. Ato janë si një duet që plotësojnë njëri-tjetrin. Siç duket Pajtimi, për të respektuar emrin e bukur që i kanë vënë, i ka pajtuar njëra me tjetrën këto dy dashuri dhe preferenca. Besnik i këngës së mirëfilltë popullore tiranase, larg saj (Tiranës) dhe këngës, ai do ta ndjente veten në boshllëk. Sipas tij suksesi i kolegëve është mësim dhe për të ndaj nuk shfaq shenja xhelozie. Te familja gjen ngrohtësinë, te kënga forcën, te shoqëria respektin, te futbolli relaksin e  momenteve të pushimit. Lexon vetëm për sportin dhe i shmanget me marifet debatit për politikën,  ëndërron dhe gjithmonë ëndërron  për gjetjet e veçanta, risitë, në këngën popullore, duke pritur në intervale kohe ndonjë ndeshje interesante të kombëtares. Sipas tij, nuk ka gjë më të bukur dhe të rëndësishme sesa të punosh që njerëzit të cilët do të vijojnë pas, të jenë më të lumtur sesa jemi ne.

 

 

 

Keni tashmë mbi tre dekada në skenë. Këngë pafund. Lëvizje pafund, por mbi të gjitha fansa në rritje. Si erdhi tek kënga Pajtimi, kush e zbuloi dhe kush e nxiti në këtë rrugëtim kaq interesant?

 

Në familjen time, kënga pëlqehej shumë, ndaj unë që në fëmijëri jam rritur me këngë. Kjo ishte arsyeja, pasi mua të gjithë më nxisnin të këndoja. Në vitin 1975, kam konkurruar në një  konkurs në sallën e Akademisë së Arteve  me NKEM (ndërmarrje). Isha vetëm 13 vjeç dhe këndova me kostumin kombëtar të Shqipërisë së mesme. Pas konkursit, vetja m’u duk më krenar, më i madh, më i aftë. Ishte një moment që edhe sot e kujtoj me nostalgji, sepse ndoshta aty u vendos e ardhmja ime. Në atë kohë, vazhdoja shkollën e mesme “Hoxha Tahsim” në Tiranë. Rrjedh nga një familje që e njeh muzikën popullore të vjetër shqiptare. Ka qenë daja im, Iliaz Korça, i cili më ka ngjallur dëshirën për këngë, (sepse nënën e kam me origjinë nga Korça) dhe vëllai i madh Muhamet Struga që më zbuloi. Vëllai im ka kënduar me ansamblin “Migjeni”. Duke u rritur në një familje  mes këngëve popullore, pse të mos bëhesha dhe unë këngëtar? Meritë tjetër e vëllait tim është sepse pasi më zbuloi talentin, më nxiti për të kënduar këngën popullore të mirëfilltë. Pas vitit 1975, mora pjesë në Pallatin e Kulturës me drejtues z. Mustafa Basha, Vladimir Kotanin, në ansamblin që mori emrin “Tirana”.

 

 

 

Ju konkurruat për në shkollë të muzikës?

 

Po konkurrova për në Liceun Artistik, ku vazhdova për kanto. Në shkollë kam qenë nxënës mesatar. Matematika më lodhte, më merrte shumë kohë. Pastaj shihja se para mësimeve vendosja gjithmonë këngën. Prindërit më nxisnin që të mësoja një profesion “ai nuk të kërkon,  as të hajë, as të pijë, por të ushqen vetë”, më thoshin prindërit. Mësuesi i muzikës në Lice, duke pasur parasysh se unë e dashuroja këngën dhe talentin tim më dha përkrahje të madhe. Ai më ndau nga kanto në vendin dhe në kohën e duhur.

 

 

 

Ju keni nxjerrë shumë albume, por unë do të veçoj albumin “Goce mendjen e kam nda”, të cilin bashkë e kemi diskutuar shumë. Sot, si e kujtoni këtë album dhe si u mirëprit nga familja dhe fansat? Kush ishte shtysa kryesore e këtij albumi?

 

Ke të drejtë, albumi “Goce mendjen e kam nda” mbetet një album shumë interesant, shumë i diskutuar, shumë i pëlqyer dhe shumë i shitur. Ky album erdhi pas tetë vjetësh heshtje, edhe unë e ndava mendjen. Pra, titulli i albumit  përkon dhe me mbushjen e mendjes time për të dalë sërishmi në treg me një album cilësor, pasi nuk më mbushej mendja për të bërë album me gjithë këmbënguljen e miqve, familjes për të bërë një hap të tillë. Albumi është përgjegjësi. Këngëtari që ka vënë një emër, që ka hedhur hapat e sigurt të njohjes në skenë nuk duhet të rendi pas sasisë. Sasia, asnjëherë nuk nxjerr në pah vlerat profesionale të një këngëtari. Ka patur, apo ka këngëtarë që edhe pse me një, apo asnjë albume, mbeten këngëtarë të njohur, rezultativë, të pëlqyer. Shumë herë, albumi lidhet edhe me anën ekonomike. Jo çdo këngëtar e ka këtë komoditet. Edhe në letërsi, ka shkrimtarë që janë bërë të famshëm me një roman, tregim ose novelë, ndërsa shumë të tjerë kanë shkruar dhjetë të tillë dhe as janë dëgjuar. Asgjë nuk duhet të kalojë sensin e masës. Ky album përmbante dhjetë këngë popullore të Shqipërisë së mesme dhe kryesisht të Tiranës. Këngën me të cilin titullohet albumi e kam kënduar me këngëtaren Valbona Mema. Ishte një punë shumë e lodhshme dhe me përgjegjësi, pasi albumi për përgatitje zgjati një vit. Për këtë album kam bashkëpunuar me kompozitorin e talentuar, Dritan Baftjari dhe me poetin po aq të talentuar, Jorgo Papingji. Janë dy intelektualë që kërkojnë gjithmonë më të bukurën, perfekten, që nuk falin në profesionin e tyre kur bëhet fjalë për cilësi. Me ta nuk ka kompromise. Të tre kemi bashkëpunuar në mënyrë të përkryer, pa orar, për të arritur rezultatin e albumit.

 

 

 

Pajtimi më shumë jashtë shtetit në koncerte se në Shqipëri,  si i përshtatesh kaq shpejt vendeve ku shkon?  Si ndihesh në këto koncerte jashtë dhe kush ka qenë më mbresëlënësi? A e ke menduar ndonjëherë veten si emigrant?

 

Puna jonë është një punë që nuk njeh kufij. Gjithmonë në lëvizje dhe në vende që nuk i ke menduar kurrë. Kënga është e përbotshme dhe nuk njeh kufij gjeografikë, madje në shumë vende krahas shqiptarëve kemi parë dhe spektatorë të vendeve ku shkonim. Çdo koncert, që bëhet jashtë ka të veçantat e veta. Kur shikon vëllezërit e tu aq me mall për këngën shqiptare patjetër që emocionohesh. Por një koncert në Gjermani në vitin 2002, ku isha i ftuar me këngëtaren Artiola Toska e veçoj për shumë arsye. Së pari, se donin vetëm këngë popullore, sepse këndonin bashkë me ne dhe se këngët “Mos më mundo”, “Ku t’ka lala moj Hajrije” u duartrokitën, ku na kthyen disa herë. Po ashtu dhe potpuria “Të kam zgjedhur për merak”. Ndaj dua të them se unë edhe kështu siç jam një pjesë të jetë e kam në emigracion, jam pjesë lëvizëse e emigracionit shqiptar. Por, një gjë nuk e thyej dot nga mendja kurrë, Tirana është shpirti im. Këtu kam të gjitha lidhjet nga këtu organizoj çdo lëvizje. Një këngëtar popullor po u largua përfundimisht nga atdheu humb shumë gjëra nga ndjesitë e këngës popullore. Duhet të jesh shumë i lidhur me kërkesat e popullit me ato çka ai ndjen që të jesh këngëtar me këmbë në tokë në çdo kohë. Por nëse do të ishte ndonjë moment delikat do të doja të emigroja vetëm në Gjermani, një vend i disiplinuar, me ekonomi të fortë që respekton në kulm të drejtat e njeriut.  E kam vizituar disa herë këtë vend dhe më ka pëlqyer disiplina dhe pastërtia. Është një shtet i fuqishëm ku ligji funksionin me përpikëri. Nga ana tjetër jam tifoz apasionant i Gjermanisë.

 

 

 

Në rrethet miqësore tuajat flitet se ke qenë dhe je shumë i pasionuar pas futbollit. Nëqse nuk do ishte bërë këngëtar çfarë do të bëhej Pajtimi?

 

Po, është e vërtetë, kam qenë dhe jam shumë i pasionuar pas futbollit. Futbolli më relakson dhe më bën shumë të lehtësuar për të kënduar. Dhe po të mos isha bërë këngëtar, pa diskutim futbollist do bëhesha. Do bëja të pamundurën të bëhesha i tillë. Prandaj dhe këngën “Tirana kampion”, e kam kënduar me shumë dashuri. Kudo që shkoj, atë këngë ma kërkojnë me insistim.

 

 

 

Mos vallë kohën e lirë dhe sot e kalon me futboll?

 

Aktualisht, kryesisht bëj gjimnastikë, pra njëlloj si futbolli.  Dua që gjithmonë të jem në formë. Gjimnastika më bën shumë të qetë. Kohën tjetër të lirë lexoj gazeta sportive.

 

 

 

Po bashkëshortja a ju ka penguar në këtë rrugë?

 

Aspak, përkundrazi. Ajo më ka përkrahur. Pa përkrahjen e saj si zor t’i kisha këto arritje. E kam bashkëshorte dhe shoqe. Përndryshe suksesi im do të ishte i dyshimtë.

 

 

 

Duke qenë se jeni i dashuruar me Gjermaninë me të duhet të jeni dhe tifoz?

 

Pa diskutim.

 

 

 

Çfarë pëlqen më shumë tek një femër?

 

Inteligjencën dhe thjeshtësinë. Bukuria për mua vjen e fundit. Bukuria e faqes rrezja e zhanrit, bukuria e shpirtit dielli beharit.

 

 

 

Në kompleksin tuaj çfarë këngësh këndohen?

 

Shqip dhe vetëm shqip. Asnjëherë këngë e huaj. Ky kompleks është ambient familjar ku dhe ushqimi është tradicional vendas, ku edhe në hyrje janë të varura veshjet karakteristike të burrave dhe grave tiranase. Këtu ne kemi grupin tonë me drejtues artistik Dritan Baftjarin, ku organizojmë dasma, fejesa, mbrëmje vallëzimi të të rinjve, përsëri vetëm me këngë shqiptare.

 

 

 

Cilat janë këngët që po hyjnë më shumë në këngën popullore shqiptare dhe që e dëmtojnë atë?

 

Mund të përmend tallavanë. Shikoj një duzinë të tërë këngëtarësh, që po tentojnë të hyjnë në treg me këtë gjini kënge të huazuar, që s’ka asgjë të përbashkët me këngën e mirëfilltë popullore shqiptare.

 

 

 

Kush ka faj për këtë deformim të këngës popullore?

 

Sigurisht, shteti. Duhen institucione të specializuara për ta ruajtur këtë këngë. Këto institucione duhet të ndalojnë këto deformime. Bota investon shumë në këtë drejtim.

 

 

 

Numri i këngëtarëve dhe konkurrenca

 

Unë e pëlqej konkurrencën. Pa konkurrencë nuk motivohesh, nuk nxitesh për më shumë cilësi. Por do të thoja se konkurrenca nuk është reale. Nuk është brenda konceptit të këngës së mirëfilltë popullore shqiptare. Edhe ti vetë e ndjen se si është deformuar kënga jonë e bukur. Sesi nga dita në ditë ajo bëhet gjysmë greke, gjysmë serbe, apo turke. Bile ndonjëherë po të mos dëgjosh tekstin thua se kjo këngë është e huaj. Pra, kjo nuk është konkurrencë, nuk është përpjekje serioze për të arritur sukses. Janë përpjekje të pseudo-këngëtarëve, që janë të bukura dhe më shumë me huazimet, me pjesët e bukura të trupit, me lëvizjet që nuk përputhen me këngën popullore duan të fitojnë audiencë. Në këtë këndvështrim, unë nuk ndjej konkurrencë, por dëshirë për të fituar para, për t’u bërë e njohur pa talent, pa profesionalizëm.

 

 

 

Folëm për albumet në përgjithësi po albumi i fundit i Pajtimit?

 

Albumi i fundit është “Pajtim Struga Live”, i cili përfshin potpuri të Shqipërisë së Mesme si “Sa merak jam bo për ty”, “S’paske pas pikë mëshirë”, “Potpuri Korçare e Shkodrane”. Pra, janë ato këngë që janë më afër meje, që janë në kontekstin e zërit dhe të rrugëtimit tim. Gjithmonë jam mundur t’i përmbahem traditës dhe karakteristikave të mënyrës së të kënduarit që unë kam.

A është vlerësuar sa dhe si duhet Pajtimi në mbi tre dekada në skenë?

 

Përsa u përket çmimeve, kam marrë titullin “Simbol i Qytetit të Tiranës” nga Bashkia e Tiranës në vitin 2017. Mendoj se kam marrë atë që më takon dhe pse ana morale disa herë merr rëndësi kryesore. Këngëtari ka shumë objektiva dhe mundohet që të japë maksimumin por ndodh edhe që nuk vlerësohesh. Sot titujt ka raste që jepen sipas meritës. Por për vete them se jam nderuar dhe kam ende shumë rrugë përpara që të marr tituj të tjerë.

Në intervistë u ndalëm shumë në të kaluarën dhe lamë në heshtje të tashmen. Muajt e fundit kam dëgjuar një këngë të re tuajën, kur përkon kjo këngë?

 

Nuk është një, por janë tre këngët e mua që kanë dalë së fundi. Këngët janë “Ke ullini në kodersen”, “Çapkëne” dhe kënga me e fundit publikuar para dy muajsh, “Një Tironas jam”.

Pse gjithmonë qëndron fort tek Tirana?

 

Qëndroj fort se këtu jam rritur, në Tiranë kam fansat më të shumtë, ky vend më ka sjellë gjithë mbarësitë. Tironcit më duan dhe i dua. As unë s’bëj dot pa ta, por edhe ata nuk bëjnë pa mua. Kemi një lidhje të heshtur por shumë të fortë. Unë jam brenda shijes së këngës së çdo tironsi.

Pajtimi më shumë tashmë aktivizohet në lokalin e tij apo jashtë?

 

Unë shkoj ku më thërrasin dhe pse lokalin tim e kam në qendër të vëmendjes. Tani starton dhe sezoni veror me aktivitete të shumta dhe besoj se më shumë dua të qëndroj në Tiranë pasi shtohet dhe numri i dasmave.

Ka peng këto kohë Pajtimi?

 

Asnjë peng, pasi rrugën për pengjet e kam përpara dhe kam ende shumë për të bërë.

Çfarë respekton tek njeriu?

 

Mirënjohjen dhe karakterin e sinqertë. Pa këto cilësi, njeriu sikur ka diçka të zbrazët brenda vetes.

Ka kohë për plazh Pajtimi?

 

Shumë të reduktuar e kam kohën. Shumë. Për në det nuk kam kohë, por në pishina sikur tundohem, se i kam një metër larg. Këngëtari është ndryshe nga pjesa dërrmuese e popullsisë, nuk bën plazh dhe pushime kur bëjnë të gjithë njerëzit. Në atë kohë, ne punojmë më shumë, kur të tjerët bëjnë pushim absolut.

Kur ndihesh keq?

 

Kur nuk jap maksimumin dhe kur nuk mund të ndihmoj me një gjë që s’e kam në dorë, apo nuk mundem ta bëj.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :