Data : 22 06 2018
KryeTitujt :

Shqetësimi i tretë i Profesor, Kastriot Bezati: Pallatin e Kulturës “ Naim Frashëri” e mbron Ligji i Shqipërisë dhe jo dëshirat apo hamendësitë

  Shqetësimi i tretë i Profesor, Kastriot Bezati: Pallatin e Kulturës “ Naim Frashëri” e mbron Ligji i Shqipërisë dhe jo dëshirat apo hamendësitë

 

- Atdhedashuria, e vërteta dhe e bukura mendoj se janë piedestale mbi të cilat lartësohet Shqipëria.

 

 

 

Këshilli Bashkiak i Përmetit  dhe Ministria e Kulturës nuk duhet të gjunjëzohen përpara  kërkesës së Kryepeshkopit Janullatos dhe të vrasin në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës  Kushtetuese Pallatin e Kulturës, që mban emrin e  Naim Frashërit, shënjtorit të madh të Shqipërisë    

 kastriot bezati

- Aq sa mund të qëndrosh gurin në ajër apo të lidhësh ujin me litar, po aq ka mundësi që antiligji të vrasë ligjin     

- Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, i vetmi në qytetin e Përmetit, u projektua, u investua dhe u ndërtua  tërësisht nga themelet nga shteti         

- Punimet filluan më 11 prill 1961 dhe Pallati u përurua më 28 nëntor 1962, me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 18 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë

 

Kastriot Bezati

- Kur u përurua Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” “ka qënë i pranishëm dhe Kryepeshkopi Pais Vodica – Pashko”, – shkruan historiani Apostol Kotani më 24 gusht 2013 

- Unë dua dhe besoj se nuk është bërë apo po kërkohet të bëhet ndonjë “pazar” midis këshilltarëve të Bashkisë e Ministrisë së Kulturës me Kryepeshkopin për “shitjen”, “helmimin” apo “vrasjen” e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”.     

 

Albert Z. ZHOLI

         

 

Z. Kastriot, përse po e sillni në vëmendje sërish Pallatin e Kulturës në Përmet?

 

Më 5 maj 2015 dhe më 10 tetor 2016 i jam drejtuar Kryeministrit, Z. Edi Rama, për dy probleme, që për mua janë me rëndësi për Përmetin, së pari, për mbrojtjen e rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” dhe, së dyti, për miratimin e fillimin e realizimit të idesë së ngritjes së Panteonit në Natyrë të Përmetit.

Më 5 maj 2015, ndër të tjera, i shkruaja Kryeministrit:

“E sjell vështrimin nga Ju nisur nga ideja … e vlerësimit të personaliteteve të Përmetit që i bëjnë nder Shqipërisë, për lartësimin e institucionit kryesor dhe të vetëm të kulturës në qytetin e Përmetit, Pallatit të Kulturës   “Naim Frashëri” … Qeveria e drejtuar nga Ju, mendojë se duhet të shikojë mundësinë e dhënies së mjeteve financiare, së pari, për rikonstruksionin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, që ngrihet në zemër të qytetit të Përmetit dhe, së dyti, edhe për miratimin e fillimin e realizimit të idesë së  ngritjes të “Panteonit në Natyrë të Përmetit” apo të “Parkut të Monumenteve të Përmetit” në hapësirën përreth Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, në “Ballkonin natyror të Përmetit” …ku të përfshihen edhe hapësira e Shëtitores “Odise Paskali” si dhe e Sheshit “Abdyl Frashëri””.

E përsërita këtë kërkesë edhe më 10 tetor 2016.

Për të dy problemet kam biseduar  edhe me Ministren e Kulurës, Znj. Mirela Kumbaro.

Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, i vetmi në qytetin e Përmetit, u projektua, u investua dhe u ndërtua  tërësisht nga themelet nga shteti në zbatim të Vendimit Nr.69 datë 11.08.1960 të ish Komitetit Ekzekutiv të KP të rrethit Përmet, në kuadrin e vënies në jetë të planit të 3-të urbanistik të qytetit të Përmetit dhe, nga e gjithë sipërfaqia e truallit prej 584 m2 mbi të cilën ai u ngrit, vetëm 25 m2 ose 4.28 % i takon truallit të ish Kishës Shën Maria e Pazarit. Punimet filluan më 11 prill 1961 dhe Pallati u përurua më 28 nëntor 1962, me rastin e 50 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë dhe 18 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë. Kur u përurua Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” “ka qënë i pranishëm dhe Kryepeshkopi Pais Vodica – Pashko”, – shkruan historiani Apostol Kotani më 24 gusht 2013, i cili në atë kohë ishte me punë në Përmet dhe është marrë me organizimin e ceremonisë së përurimit të Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”.

 

-Po më vonë ccfarë ndodhi?

Vite më vonë lindi konflikti midis Bashkisë dhe Kishës Ortodokse përsa i përket pronësisë së Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. Konflikti gjyqësor filloi më 25 shtator 1997 dhe përfundoi më 5 maj 2004 dhe, të gjitha shkallët e gjyqësorit, Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër me Vendimin Nr.484 datë 10 korrik 2001, Gjykata e Apelit Gjirokastër me Vendimin Nr. 122 datë 21 mars 2002, Gjykata e Lartë me Vendimin Nr. 1640 datë 14 tetor 2003 dhe Gjykata Kushtetuese me Vendimin Nr. 66 datë 5 maj 2004, vendosen të gjitha mbijetesën e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, aty ku ai u ngrit nga themelet nga shteti dhe aty ku ai lartësohet edhe sot në zemër të qytetit të Përmetit, vendime që u ekzekutuan më 16 gusht 2013.

Gjykimi në të gjitha shkallët e gjyqësorit u bë nga 45 gjyqtarë, 13 nga të cilët të Apelit dhe 19 të Gjykatës së Lartë, nga të cilët cilësojmë gjyqtarët që dhanë vendimet përfundimtare të cilësura më lart: Blerta Çibuku, Shkëlqim Mustafa, Mirela Kore, Izet Salaj, Aleksandër Muskaj, Irena Ibrahimi, Zamir Poda, Valentina Kondili, Natasha Sheshi, Irma Bala, Bashkim Caka, Gjergji Sauli, Alfred Karamuço dhe Kristofor Peçi, si dhe gjyqtarët që gjykuan seanca me rëndësi për ecurin e gjykimit: Etleva Deda, Musa Halili, Arjan Dosti, Ylvi Myrtaj, Marjana Hoxha, Kujtim Idrizi, Bashkim Çami, Kristaq Ngjela, Vladimir Bineri, Artan Hoxha, Spiro Spiro, Aludin Malaj, Astrit Shema, Vasil Hanxhari.

Mbijetoi Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” sepse e mbrojti Ligji, e Vërteta, Historia. “Ligjet janë shpirti i qytetërimit, nëse ligjet mungojnë, qytetërimi shkatërrohet”, – ka thënë Demosteni. “Derisa të jetë qielli dhe toka, asnjë gërmë dhe asnjë presje nuk do t’i hiqet Ligjit”, – thuhet në Bibël dhe se “Secili duhet t’i bindet pushtetit të Shtetit” se “Fuqia e plotë për të dënuar sipas Ligjit i përket Shtetit”, – thuhet  edhe në Dhiatën e Re, Kreu XIII.

Ligji mbron Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”, ndërsa antiligji, i ngritur kohët e fundit “në këmbë”  nga Kryepeshkopi dhe, si flitet në Përmet, edhe nga këshilltarë te veçantë të Bashkisë, edhe nga ndonjë deputet apo edhe nga ndonjë anëtar qeverie, që ndoshta e vënë kokën në jastëkun e Athinës, kërkojnë ta helmojnë e tjetërsojnë Pallatin e Kulturës në Kishë. Mendojnë se e “ngritën antiligjin në këmbë” kur antiligji s’ka këmbë. Aq sa mund të qëndrosh gurin në ajër apo të lidhësh ujin me litar, po aq ka mundësi që antiligji të vrasë ligjin.

 

-Konkretisht si qëndron situata?

Më 5 mars 2018, Kryepeshkopi Anastas Janullatos, “i nisur” edhe nga “një propozim i organizuar ndoshta nga ai vetë” i një numri qytetarësh të Përmetit drejtuar Këshillit Bashkiak të Përmeti më 1 mars 2018, të cilët kërkojnë në kundërshtim me ligjin, (14 vjet mbasi të gjitha shkallët e gjyqësorit mbrojtën Pallatin e Kulturës), “tjetërsimin pa shpërblim (dhurimin)” të Pallatit të Kulturës në favor të Kishës, i drejtohet Kryetarit (pa ia përmëndur emrin) dhe anëtarëve të Këshillit Bashkiak dhe për dijeni, me emër,  Kryetarit të Bashkisë, Z. Niko Shupuli, dhe, në kundërshtim me Ligjin, në kundërshtim me Vendimin e Gjykatës së Lartë dhe Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kërkon që Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” t’i “rikthehet Kishës” (!!!). Kisha,  - shkruan Kryepeshkopi, -   “daton që prej viteve 1600 dhe është rikonstruktuar disa herë deri në vitin 1963” dhe, më tej, thotë se “varret … ndodhen edhe sot e kësaj dite pranë godinës” (!!!).  E vërteta. “Kisha e Shën Mërisë së Pazarit …është ndërtuar … më 1930 dhe ka funksionuar gjer në vitin 1945”, – thuhet në Vendimin Nr.484 datë 10 korrik 2001 të Gjykatës I Gjirokastër. “Shtëpia e Kulturës Përmet është ndërtuar mbi bazën e një projekti të veçantë … me investime shtetërore dhe se ndërtimi i këtij objekti ka zënë 4.28% të  truallit ku më parë ka qënë e ndërtuar Kisha”, – thuhet në Vendimin Nr. 1640 datë 14 tetor 2003 të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë.

 

-Çfarë kërkohet në këtë situatë?

Unë dua dhe besoj se nuk është bërë apo po kërkohet të bëhet ndonjë “pazar” midis këshilltarëve të Bashkisë e Ministrisë së Kulturës me Kryepeshkopin për “shitjen”, “helmimin” apo “vrasjen” e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. Nuk dua ta besoj se ndoshta në errësirë nga “Dikush” apo nga “Disa” përgatitet natën pusia dhe goditja për rrafshimin apo shitjen e pastaj vrasja e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. “E keqia s’do gjë tjetër për të triumfuar veçse indiferencën e njerëzve të  mirë”, – thotë Edmund Burke.  Askush nuk e pengon Kishën që ta rindërtojë Kishën Shën Maria e Pazarit në një hapësirë   të lirë të dukshme të Përmetit, por jo mbi truallin ku tani ngrihet  ligjërisht  Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”.

Këshilltarët e Bashkisë, kryetarja, Znj.Mira Habili, anëtarët e këtij Këshilli, Ahmet Bërzani, Artan Meshini, Dritan Hoxha, Edvin Tuçi, Eltion Ismaili, Gerti Zhaka, Genta Jahja, Irida Mançellari, Dhoksi Mango, Ilir Ibrahimi, Jorgji Çuro, Josif Lipe, Kujtim Selmani, Landi Dama, Lida Ismaili, Ligor Thanasi, Niko Poçi, Robert Naqe, Soni Xhamollari, Vasil Nikolla, në respektim të ligjit dhe në interesin e  të gjithë qytetarëve  të Përmetit duhet ta mbrojnë dhe jo t’ia  kalojnë Pallatin e Kulturës në pronësi  Kishës, nuk duhet të firmosin kërkesën antiligjore të Kryepeshkopit Anastas Janullatos. Edhe Ministria e Kulturës duhet t’i lërë të qetë këshilltarët e Përmetit. Këshilltaret mendoj se nuk duhet të firmosin edhe propozimin e bërë nga disa qytetarë të Përmetit, propozim që vjen ndesh me Ligjin. Nisur nga Kushtetuta, vetqeverisja ligjore është Ligji dhe Referendumi i të gjithë qytetarëve të qytetit të Përmetit dhe i të 53 fshatrave të Bashkisë së Përmetit e ndoshta më mirë referendumi i gjithë qytetarëve të 2 qyteteve dhe 91 fshatrave të Nënprefekturës së Përmetit.

Këshilli i Bashkisë dhe Ministria e Kulturës  s’duhen të gjunjëzohen para Kryepeshkopit. S’duhet të firmosin kërkesën e Janullatosit. Pse? Sepse askush nuk është mbi Ligjin. “Çdo politikë duhet të përulet para drejtësisë”, -  ka thënë Kanti.

“Ju sigurojmë se përpjekjet tona do të jenë maksimale për të ruajtur Shtëpinë e Kulturës”, – u shkruante më 3 korrik 2001 Këshilli i Bashkisë Përmet qytetarëve të Përmetit.

“Kush mbron kulturën e kombit, mbron edhe Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” … Si në çdo shtet të Europës, edhe në Shqipëri askush nuk duhet të dalë mbi ligjin: asnjë njeri, asnjë komunë apo bashki, asnjë institucion i vëndit, as edhe Kryeministria apo Presidenca. Institucionet e kultit … duhet të respektojnë dhe t’i binden ligjit të Shqipërisë. Jemi në mbrojtje të Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”, që  mban emrin “Naim Shqipëria”, – i shkruajnë  36 profesor, akademikë e shkrimtarë më 29 maj 2007 Presdidentit, Z. Alfred Moisiu, Kryeministtrit, Z.Sali Berisha, Kryetares së Kuvëndit, Znj. Josefina Topallit, ndër të cilët cilësojmë:  shkrimtari Dritëro Agolli, Prof. Ylli Popa,  Prof. Kristo Frashëri, Prof. Luan Omari, Prof. Farudin Hoxha, Prof. Jorgo Bulo, shkrimtari Xhevahir Spahiu, Prof. Moikom Zeqo, Prof. Pëllumb Xhufi, Prof. Beqir Meta, Prof. Valentina Duka, Prof. Marenglen Verli, Prof. Muzafer Korkuti, Prof. Afërdita Onuzi, Prof. Perikli Çuli, Prof. Emin  Riza, Prof. Valter Shtylla, muzikologu Zhani Ciko, Prof. Xhelal Gjeçovi, Prof. Yllka Selimi, Prof. Lira Sula, Prof. Gazmend Shpuza, Prof. Stiljan Adhami, studjuesi Apostol Kotani, Prof. Xhovalin Gruda.

“Pallati i Kulturës në Përmet mban emrin e Naim Frashërit, që është shënjtori më i madh i shqiptarizmës. Na ngrihen  sot papritur dy tre priftërinj … dhe duan të heqin emrin e shënjtorit Naim Frashëri nga Pallati i Kulturës për ta zëvëndësuar me një kryq të shtrëmbër të ardhur nga kovaçanat  greke … Po unë besoj se edhe vetë Krishti duhet të jetë zëmëruar me këta priftërinj dhe ka thënë: “O priftërinj të marrë  lëreni Naimin se do t’ju mallkoj”, – ka shkruar Dritëro Agolli më 2 qershor 2007.

“Përmeti është një qytet në të ashtuquajturin “Vorio-Epir”, trevë të cilën Athina e lakmon ta aneksojë … Meqënëse në Përmet nuk ka banorë grekë, nacionalistët e Athinës përpiqen ta helenizojnë … Shtëpia e Kulturës, e cila mban emrin e Naim Frashërit nuk mund t’i shërbejë për asnjë çast platformës heleniste të Athinës. Kjo është arsyeja përse Hirësia e Tij (Janullatosi – KB) ngul këmbë që Shtëpia e Kulturës të kthehet në Kishë Ortodokse”, – ka shkruar historiani Kristo Frashëri më 26 gusht 2013.

“Nuk e kuptoj se akti fare pa kuptim i prishjes së Pallatit të  Kulturës bëhet në emër të besimtarëve. Të cilëve besimtarë? Ky është një objekt i gjithë qytetit dhe banorëve të Përmetit. Por jo të  gjithë  janë ortodoksë. Simboli i Naim Frashërit … qëndron mbi të gjitha     llojet e feve që janë në Shqipëri”, – ka shkruar mendimtari Moikom Zeqo me 3 qershor 2007.

“Pallati i Kulturës të mbetet e lartësohet si tempull i kulturës …Valët antishqiptare kërkojnë të  groposin Pallatin e Kulturës dhe figurën e Naim Frashërit në zemër të Përmetit”, – i shkruanin 48 intelektualë dhe artistë të Përmetit më 8 qershor 2007  Presidentit, Z.Alfred Moisiu, Kryeministrit, Z. Sali Berisha dhe Kryetarit të Kuvëndit, Znj. Josefina Topalli, ndër të cilët cilësojmë Alma Hoxha, Et’hem Kaso, Lumo Kolleshi, Dhimitër Miti, Peço Sevo, Et’hem Bejo, Spiro Jani, Et’hem Selfo, Ylli Hoxhaj, Jano Dhimarko, Zihni Pasho, Tomor Kotori, Gilberto Jaçe, Lliko Londo, Saliko Hodo, Ligor Shyti, Ali Delilaj, Kujtim Hoxha, Lefter Nurka, Ylli Muço, Refan Ponoçi, Jarek Muço, Arban Zeqiri, Xhafer Deçka si dhe mjeshtri i madh i klarinetës Laver Bariu.

 

-Kur u dëmtua më shumë ky vend i shenjtë i kulturës shqiptare?

Pallati i Kulturës u dëmtua rëndë nga Kisha sidomos në hapësirën kohore 11 – 27 prill si dhe në muajt e mëvonshëm të vitit 2011. Ndaj dhe 32 qytetarë të Përmetit,  më 10 maj 2011, bënë kallzim në Prokurorinë e Përmetit ku, ndër të tjra,  në këtë kallëzim thuhet: ” … kërkojmë ndërprerjen e menjëhershëm të punimeve të jashtëligjshme që janë kryer dhe po kryhen edhe sot nga Kisha Ortodokse në Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri” dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore … të personave që kanë lejuar dhe kryen keto veprime të kundraligjshme …”. Edhe Bashkia e Përmetit, me 9 qershor 2011, bëri kallzim penal “kundër personave që vazhdonin të kryenin punime brëna Pallatit”, – thuhet ndër të tjera në kallzimin penal që Bashkia i drejtoi Prokurorisë së  Përmetit.

-Si e shikoni zbatimin e ligjit në këtë situatë?

Shtetin e mbajnë ligjet. Rikonstruksioni i fasadës dhe rindërtimi i mjediseve të brëndshëm të dëmtuara të Pallatit si dhe kërkesa pranë Qeverisë për miratimin e fillimin e realizimit të Panteonit në Natyrë  apo të Parkut të Artit mendoj se do të jenë nga përparësitë në të ardhmen  të punës së  Këshillit të Bashkisë.

Edhe harmoninë ndërfetare e mbron dhe e lartëson ligji. “Faltore kemi njerinë, / Atje gjejmë dhe Perëndinë”, – shkruan Naim Frashëri. Përmeti, si qytet ka 2703 familje me 10964 banorë dhe, në hapësirën e tij gjeografike, ngrihen 2 kisha ortodokse (Kisha e Shën e Prëmtes dhe Kisha e Shën Kollit, e para e ngritur më 1776, e dyta më 1757), 1 xhami (Xhamia e Gurit të Qytetit, ngritur më 2001), 1 teqe (Teqia e Baba Xhaferit, ngritur para  vitit 1672) dhe 1 kishë ungjillore (Kisha “Drita e Jetës”, ngritur më 2001). “Ne kemi një krijues të vetëm”, “Jemi të gjithë vëllezër” dhe “duhet të jemi të gjithë së bashku për të mirën e Atdheut”, – tha Papa Françesku në Tiranë më 29 shtator 2014.

-Pra ju kërkoni vetëm zbatimin e ligjit?

Po të zbatohet ligji, që është një për të gjithë, s’ka dhe as krijohen probleme e konflikte midis shtetit dhe institucioneve të kultit si dhe midis vetë institucioneve të kultit në Permet. Në letrën e Komunitetit Bektashian të Përmetit, datë 10 prill 2006, drejtuar ish Kryeministrit, Z. Sali Berisha, ndër të tjera thuhet: “Shtëpia e Kulturës “Naim Frashëri” është ngritur nga themelet nga shteti … Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” në Përmet është ngritur po nga themelet nga shteti dhe mbi 50% të truallit mbi të cilën ajo ngrihet është pronë e Komunitetit Mysliman, kurse Pallati i Sportit po në qytetin e Përmetit është ngritur gjithashtu nga shteti mbi një truall me siperfaqe 100%, që është e Komunitetit Mysliman …. Ligji është një për të gjithë dhe …nuk ka pse kundër ligjit … të bëhen përpjekje nga pushtetarë e klerikë që Shtëpia e Kulturës të kthehet në Kishë. Po u bë kjo … atëhere edhe ne do të kërkojmë që, edhe pse s’është ligjore, të kthehen në Teqe apo Xhami edhe Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” si dhe Pallati i Sportit në Përmet”. Pra, vetëm mbi 4.28% të truallit të Kishës Shën Mëria e Pazarit,  u ngrit më 1962 Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” u ngrit më 1969  ne mbi 50% të truallit  dhe Pallati i Sportit u ngrit më 1984 saktësisht mbi 97% të truallit  mbi të cilat ngrihej dikur Xhamia, e njohur me emrin Xhamia e Qëndrës së Përmetit apo Xhamia Mbretërore ngritur më 1481. Sot, mendoj se nuk ka përse të ngrihet ideja dhe të punohet nga “Dikush” që të prishen Shkolla e Mesme “Sami Frashëri” dhe Pallati i Sportit dhe të ngrihet Xhamia Mbretërore, ashtu si u  punua dhe punohet  nga Hirësia e Tij, Anastas Janullatosi,  që edhe sot kërkon të prishet Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” dhe në vënd të saj të ngrihet Kisha Shën Mëria e Pazarit, kur një mendim e veprim i tillë është në kundërshtim me Ligjin e Shqipërisë. Këto tre institucione përbëjnë sot fytyrën e bukur të Përmetit. Ricilësoj se, në qytetin e Përmeti, në zonën që u vlerësua dhe u shpall me të drejtë nga Këshilli i Ministrave më 18 janar 2017 “Qëndra e Mbrojtur Historike e Përmetit”,  ndodhen edhe Kisha e Shën Kollit ku, për 45 vjet, në vitet 1917 – 1962, u preh trupi pa kokë i At Stath Melanit, dëshmorit të Shqipërisë si dhe Kisha e Shëne Prëmtes, ku më 1920 u këndua për herë të parë Ungjilli Shqip nga Fan Stiljan Noli dhe ku, më 1991, u vizitua edhe nga At Artur Liolini. Me vlera të veçanta në trevën e Përmetit janë Kisha e Shën Mërisë në Leusë, e shek. XVIII, me ikonostase e afreske nga më të bukurit në Europë  dhe Kisha e Shën Mërisë në Kosinë, e shek. XII, edhe kjo nga më të vlersuarat në  Europë.

Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” nuk u mposht, por asgjesoi dhe triumfoi edhe ndaj ndërhyrjeve të Greqisë për ta helmuar e asgjesuar këtë insitucion të identitetit kombëtar e kultuor të Përmetit. Ndërhyrjet greke janë të shumta, ndaj po sjell vetëm disa nga ndërhyrjet e papranueshme dhe absurde të Greqisë në punët e brëndshme të Shqipërisë. Deklarata e 19 gushtit 2013 e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Greqisë, e cila është kundër Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë për Pallatin e Kulturës “Naim Frashëri”. “E palejueshme ishte deklarata e Qeverisë Greke, e Ministrisë së Jashtme … në asnjë vend nuk do të mund ta bënte Greqia këtë gjë nëse një ngjarje e tillë do të ndodhte në një vënd tjetër europian apo SHBA” – thotë poeti e politikani Besnik Mustafai. Greqia për problemin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri” thirri në Athinë ambasadorin e Shqipërisë. Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë lëshoi përsëri deklaratë më  25 gusht 2013 dhe erdhi në Përmet konsulli grek i Gjirokastrës më 23 gusht 2013. Federata Panepirote e Amerikës përmes një deklarate për shtyp i kërkoi administratës së Presidentit Barak Obama dhe Kongresit Amerikan që të ushtronin presion mbi Qeverinë e Shqipërisë për tjetërsimin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”. Athina e ngriti problemin e Pallatit të Kulturës “Naim Frashëri”  në Parlamentin e Greqisë dhe deputetë grekë kërkuan që Greqia të ndërhynte në institucionet e BE-së për të penguar proçesin e pranimit të Shqipërisë. Deputet e eurodeputet grkë problemin e Përmetit e ngritën edhe në Asamblenë e Partive Popullore Europiane në Bruksel. Ndër të tjera, neonazistët e “Agimit të Artë”, në protestat e tyre pranë kufirit shqiptaro-grek, siç ishte protesta e Kapshticës, organizuar më 01.09.2013, lëshuan thirrjen: “Atje, atje në Përmet, do të ngrejmë lart flamurin e Greqisë”.  “Në Përmet është në lojë sot dinjiteti i shtetit shqiptar përballë Greqisë”, – shkruante më 2013 – in gazetari e studiuesi Mentor Nazarko, ndërsa studiuesi e diplomati Shaban Murati, më 2 tetor 2013 shkruante “Përmeti …Eshtë hera e parë që dilet hapur nga diplomacia me pretendimin e proteksionit të Greqisë mbi ortodoksët e Përmetit”.

 

   Panteoni në Natyrë i Përmetit.

“Atdheu … skalitet mbi monumente”, – ka shkruar dijetari francez Chevalier de Jacuort dhe se “Universalia është lokalja pa mure”, – ka thënë poeti portugez Miguel Targa.

“Hapësira e bukur në hyrje e zemër të qytetit të Përmetit, “Ballkoni Natyror i Përmetit”, ku gati në qëndër të së cilit lartësohet Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, si dhe hapësira e shëtitores “Odise Paskali” dhe hapësira e sheshit “Abdyl Frashëri”, mendoj se duhet të kthehen apo në këto hapësira të ngrihet Panteoni i Artit në Natyrë i Përmetit, kryesisht me vepra arti në skulpturë, me monumente e statuja, me buste e me portrete si dhe basorelieve, kushtuar figurave të shumta madhore të trevës së Përmetit”, – i shkruaja Kryeministrit, Z. Edi Rama, më 5 maj 2015.

Patriotizmi tregon vlerën e njeriut”, – thotë Sami Frashëri dhe se “Virtyti i parë është dashuria për atdhe”, – thotë Napolon Bonoparti dhe se “Shqiptarët duan para së gjithash dritën e mëndjes dhe diellin”, – thotë Faik Konica.

Vëllezërit Frashëri kanë bërë Shqipëri. Abdyli, udhëheqsi dhe burri i shtetit, të cilit, siç ka shkruar Gjergj Fishta “M’i bëjnë të gjithë tungjatjeta” se “Faqe t’bardhë i la Shqipërisë”. Naimi , poeti, eduktori i kombit, “Zemërgjerësia dhe urtësia” e të cilit, siç thotë Dritëro Agolli, – “i ngjan Krishtit”, Samiu, dijetari i madh enciklopecdist, truri i Rilindjes në Shqipëri.

Figura të tjera madhore të trevës së Përmetit: shkrimtaria e publicistja Elena Gjika e njohur siç dihet me emrin Dora D’Istria, skulptori Odise Paskali, aktori Naim Servet Frashëri, këngëtarët, sopranoja Tefta Tashko Koço dhe basi Mentor Xhemali, shkrimtari satirik e  pedagou Nonda Bulka, klerikët atdhetare Baba Alush Frashëri dhe At Stath Melani, atdhetarët Fehim Zavalani, Kamber Bënja  dhe Riza Velçishti, heroi i Luftës së Spanjës Musa Fratari, antifashisti, poeti, përkthyesi e publicisti  Sejfulla Malëshova,  heronjtë e LANÇ-it Meleq Gosnishti dhe Skënder Çaçi,  fizikanti dhe matematicieni Nikolla Çako, klarinetistët Laver Bariu dhe Remzi Lela, skulptorët Janaq Paço, Hektor Dule e Perikli Çuli, historianët Kristo Frashëri dhe Stefanaq Pollo, gjuhëtari Androkli Kostallari, agronomët Mentor Përmeti dhe Gaqo Tashko, mjekët, bakteriologu Refat Frashëri dhe dermatologu Mantho Nakuçi, violinistët Tedi Papavrami dhe Et’hem Qerimi, piktorët Fatmir Haxhiu e Qenan Mesareja, regjisori, aktori e dramturgu Serafin Fanku, kimisti Muharem Frashri, juristi,  politikani e publicisti Stavro Vinjahu, veprimtari politik, historiani e publicisti Tajar Zavalani, mendimtari e bashkëpuntori i Ali Pashë Tepelenës, Kostandin Duka, shkrimtari Kasëm Trebeshina. Janë vlerësuar e nderuar me tituj nderi nga Këshilli i Bashkisë së Përmetit edhe veprimtari politik, publicisti e përkthesi Mit’hat Frashëri dhe kryeministrat Turhan Pashë Përmeti dhe Mehdi Frashëri, respektivisht kryeministri i 3-të dhe kryeministri i 14-të ndër 33 kryeministrat e Shqipërisë në hapësirën  e viteve 1912 – 2015. Dy apo tri nga figurat e cilësuara, ne veçanti Mit’hat Frasheri dhe Mehdi Frashëri, janë figura komplekse,  ndaj duhen parë me të mirat dhe me të këqijat, jane figura me dritëhije, ndaj vetem një vlerësim objektiv  evidenton nëse lufta e tyre për pavarësi e për shtet kombëtar mbulohet apo jo nga errësira, vlerësim që duhet të bëhet nga studjuesit më të mirë të vëndit të organizuar e drejtuar  nga Bashkia e Përmetit, Akademia dhe Ministria e Kultures  së Shqipërisë.

Në hapësirën publike e të  gjelbërt ku mund dhe mendojmë të ngrihet Panteoni në Natyrë i Përmetit, nisur nga përmbajtja dhe kërkesat arkitekturore të hapësiës së këtij Panteoni, Pallati i Kulturës “Naim Frashëri” do të qëndrojë në harmoni të plotë dhe në lidhje përmbajtësore me veprat e artit  në skulpturë, me monumentet e shtatoret, me bustet e portretet si dhe basorelievet  dhe, mendojmë kështu se Pallati i Kulturës “Naim Frashëri”, është institcion i identitetit kombëtar dhe institucioni kryesor i kulturës në qytetin e Përmetit, mendojmë që edhe në një nga mjediset e brëndshme të këtij Pallati, mund dhe ndoshta është mirë të jepen me foto, dokumente, relike dhe objekte figurat që do të ngrihen në hapësirën publike e të gjelbërt të Panteonit, mendojmë gjithashtu që, në faqen e murit të Pallatit me vështrim nga hyrja e qytetit, e cila është një hapësirë e rrafshtë prej 250 m2, të trajtohen në pikturë ose mozaik dy nga ngjarjet me rëndësi të trevës së Përmetit, e para, çlirimi nga pushtuesit osmanë më 14 gusht 1912 apo Shpallja e Pavarësisë së Përmetit dhe, e dyta, çlirimi nga pushtuesit nazifashist i Përmetit më 13 shtator 1943.  Brënda hapësirës publike e te gjelbert përreth Pallatit të Kulturës “Naim Frasheri”, lulishtes me trëndafila, lule e bimë tipike të Përmetit, shatërrvane e stola, që me ngritjen në të ardhmen të veprave të artit në skulpturë do të kthehet në një “Lulishte Panteon”, përfshihet edhe hapësira ku ngrihet sot monumenti “Partizani Çlirimtar” i skulptorit Odise Paskali.

Atdhedashuria, e vërteta dhe e bukura mendoj se janë piedestale mbi të cilat lartësohet Shqipëria.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :