Data : 16 08 2018
KryeTitujt :

Elsa Xhai: Kënaqësia e radios, dëgjuesit që më shumë se emrin, të kujtojnë zërin

Elsa Xhai: Kënaqësia e radios, dëgjuesit që më shumë se emrin, të kujtojnë zërin

Elsa Xhai: Kënaqësia e radios, dëgjuesit që më shumë se emrin, të kujtojnë zërin
INTERVISTA/ Flet ish-gazetarja e mirënjohur e Radio Tiranës, pedagogia, aktivistja e spikatur dhe publicistja Elsa Xhai: Plot 36 vjet në radio! Para Vera Zhejit, Ruzhdi Pulahës, Nasi Lerës dhe Agron Çobanit jam ndjerë e vogëlAjo mbetet një nga gazetaret më të spikatura të Radio Tiranës. Elsa Xhai, me zërin, inteligjencën dhe vullnetin e hekurt, ka bërë që për 36 vjet me radhë, të ishte një ndër gazetaret më të ndjekura të kësaj fonie me emër të madh. Mjafton të kujtojmë se emisioni i drejtuar prej saj, “Mikrofoni midis jush”, për më shumë se 10 vjet rresht, ka qenë më i ndjekuri, mbi të gjitha për elegancën e komunikimit me dëgjuesin por edhe për mënyrën e ndërtimit të emisionit dhe të folurën e shqipes së pastër. “Jeta në radio ishte shumë aktive, emisione, të ftuar, takime, debate, etj… Kishte ritëm, përgjegjësi, kujdes, emocion, por edhe  kënaqësi pa fund”, pohon Elsa Xhai gjatë një rrëfimi të posaçëm për “Albanian Free Press”, pikërisht mbi eksperiencën e gjatë të punës në radio.

 

 Albert Zholi

 

Radioja mbetet një magji, edhe pse televizioni po dominon vitet e fundit. Si trokiti Elsa në radio, cila ishte mënyra se si e gjeti ajo çelësin e këtij profesioni magjik?

 

Që e vogël, kur dëgjoja radion, magjepsesha me këtë send të çuditshëm që nxirrte zëra të bukur dhe shumë interesantë. Bëja çudi sesi nga ajo kuti dilnin zëra të ndryshëm, që më shtangnin dhe më zhvillonin imagjinatën. Flija me ëndrra se një ditë të isha pranë ambienteve të kësaj magjie shkencore. Kam qenë në vitin e dytë të shkollës së mesme, “Raqi Qirinxhi”, në Korçë, kur u ndodha para mikrofonit të qendrës së zërit të kësaj shkolle si fituese e konkursit letrar  me një poezi dhe esse, të cilat i paraqita siç i kërkonin, në gjuhën shqipe, ruse dhe angleze. Pas dhjetë ditësh, u ndodha në një konkurs rinor në mikrofonin e Radio Korçës. Nuk e besoja. Ëndrra po merrte rrugë. U ambientova shumë me radion. U dashurova marrëzisht pas saj. Në gjumë shikoja ëndrra vetëm me Radio Korça. Ishte bërë shtëpia ime e dytë…

 

Po me Radio Tiranën si u lidhe, si erdhe nga Korça në Tiranë?

 

Fare rastësisht. Nuk thonë kot, rastësia mbreti i botës. Pas disa muajsh, viziton Radio Korçën, drejtori i Përgjithshëm i Radio Tiranës, Thanas Nano. Hyri në studion e transmetimit dhe më inkurajoi. Më tej, sapo kisha filluar  vitin e 4-t të shkollës së mesme dhe po përgatitesha të shkoja në universitet. Më njofton drejtori që pas një viti do të organizohej një konkurs  i madh në Radio  Tirana për redaktor-spiker me pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria. Ditën që mora pjesë në konkurs në ish- kameralen e Radio Tiranës, më shoqëruan emocione pa kufi. Përpara kisha zonjën Vera Zheji, Ruzhdi Pulahën, Nasi Lerën, Agron Çobanin e plot gazetarë dhe shkrimtarë që punonin aty. Isha nën një trysni të brendshme. Doja të jepja gjithçka shumë mirë. Pas leximit e pyetjeve të pafund, dëgjova zërin kumbues të Vera Xhejit që përsëriti emrin tim dhe më la një takim tjetër. Ngriva! Edhe më gëzoi, por edhe më stepi kjo ndërhyrje. Radio Tirana m’u duk gjigante, tepër e pastër dhe mbushur me mistere.

 

Si dole nga konkursi, çfarë ndjeve kur dole jashtë në ambientet e RTSH-së?

 

Isha akoma mes shumë emocioneve. Përpara atyre korifenjve, vetja më dukej e vogël. Kur dal jashtë mjedisit të radios shoh grumbuj njerëzish pa fund që kishin në duar valixhe, të ardhur nga të gjithë rrethet, për të marrë pjesë në konkurs, nga i cili do të pranoheshin vetëm dy persona, një në radio e një në televizion. Pas disa ditësh, më thirrën dhe më thanë se kisha fituar. Ishte viti 1971… Ishte gëzimi më i madh i jetës time…

 

Si ishte jeta në radio?

 

Jeta në radio ishte shumë aktive, emisione, të ftuar, takime, debate, etj… Kishte ritëm, përgjegjësi, kujdes, emocion, por edhe  kënaqësi pa fund. Shikoja çdo gjë me kujdes. Mundohesha të isha korrekte dhe të përfitoja sa më shumë. Aty gjeta shumë personalitete, që më hapën shumë dritare. Radio Tirana ishte më shumë se një universitet. Pas 13 vjetësh, më 1984-tën kam botuar një libër interesant për ata që punonin në radio dhe për bashkëpunëtorët  e RTSH (në mos gaboj, libri i parë shqiptar në fushën e medias). Libri, i cili titullohej “Të flasim bukur dhe me kulturë në RTV”, u botua në vitin 1984 nga drejtoria e Përgjithshme, me drejtor Marash Hajatin. Iniciativa ishte e kolegut tim, Ahmet Balliu, me vajzën e të cilit, Albanën, që tashmë punon në Danimarkë, hapa edhe transmetimin e parë direkt të Radio Tiranës, me dëgjuesit e mëngjesit në vitin 1990. Në libër janë theksuar tiparet e gazetarit dhe redaktorit radiofonik. Janë shumë të rralla rastet kur fillon punën në radio e mbetesh aty, të bëhesh personazh i famshëm. Por në të gjitha rastet e tjera, mbetet kënaqësia e të paturit dëgjues besnikë që më shumë se emrin,  do të kujtojnë zërin tuaj.

 

Një jetë në radio, shumë emisione, por duhet të veçosh njërin prej tyre…

 

Në vitet e para realizova emisionin “Mikrofoni midis jush”, që zgjati rreth 10 vjet. Kurse pas vitit ‘90 kam realizuar një cikël emisionesh  për njerëzit me aftësi të kufizuara (1993-2003), të titulluar “Një shoqëri për të gjithë”.

 

Më lart, thatë që aty gjetët shumë personalitete. Cilët ishin disa prej tyre që ju mbështetën dhe ju sollën ide të reja?

 

Kjo është një e vërtetë e pamohueshme. Radio-Tirana ka nxjerrë personalitete të tilla, që sot është vështirë t’i gjesh. Ata ishin intelektualë me vlera, vizionarë, plot dije, që dinin të përcillnin vlera tek dëgjuesit. Mes tyre kam mësuar shumë dhe jam ndjerë e vlerësuar, pasi të tillë ishin ata: të thjeshtë, por të ditur. Këtu qëndron madhështia e tyre. Ndaj për të bërë këtë vlerësim dhe për t’iu përgjigjur saktë pyetjes suaj, punën time e ndaj në dy periudha, para ‘90-tës dhe mbas saj. Para ‘90-tës së bashku me kolegët e mi Kiço Fotjadhi , Meropi Mathia, Viron Noti, Lili Kosta, Haki Bejleri etj, kemi qëndruar të mbyllur në studiot  e transmetimit  edhe 12 orë, ditë festash e ditë zie kombëtare. Në studiot e regjistrimit e të montazhit edhe ditët e pushimit në mëngjes herët, orët e vona, por edhe duke qenë non stop 24 orë. Kemi derdhur lot, por edhe kemi qeshur me zor. Kemi lënë fëmijë të sëmurë në shtëpi dhe kemi folur pa fund për suksese se për arritje, për të vërteta e jo të vërteta,  këto të përgatitura nga persona të redaksive  të tjerë, e të sjella enkas  për transmetim, kemi folur mes kolegëve të lartpërmendur  me pëshpëritje, me vështrime vëngër deri në praglirinë e ‘90-tës.

 

Po në vitet e para të demokracisë, kush ishin bashkëpunëtorët dhe si i vazhdoi transmetimet kjo radio kaq popullore?

 

Mund të them se periudha mbas ‘90-tës ishte krejt ndryshe. Morëm më shumë frymë dhe ishim më të lirë në biseda, nuk na kërkohej më ideologjia e sistemit monist, por ama nuk kërkohej më as profesionalizmi. Radioja tashmë e rriti rëndësinë, pasi lidhjet me jashtë bëheshin vetëm tek ky institucion. Konkretisht, në  vitin 1991 kam ngrënë edhe shkopat e parë të gomës me ing. Eli Vejsiu, duke u bashkuar me lëvizjet e studentëve në Qytetin e Studentëve, ku ndodhej edhe vëllai im. Shqetësime e gëzime. Erdhi për mua periudha pas viteve ‘90-të, ku me Agron Çobanin kam transmetuar nga ora 5 e mëngjesit, deri në orën 24.00 ardhjen në Shqipëri të Papa Gjon Palit II. Por të paharruara ishin edhe transmetimet  e vitit  1999 me të ardhurit  nga Kosova. Nëna që qanin në mikrofon për fëmijët e tyre, baballarë  të heshtur e të lodhur, pleq e plaka të sëmurë, fëmijë që kërkonin motrat e vëllezërit. Radioja e rriti rëndësinë, por filluan dhe gjuetinë e shtrigave…

 

Pse, çfarë ndodhi më vonë? Si ju larguan nga shtëpia juaj e dytë?

 

Eh, vjen një ditë që puna të hidhet aty tej, si diçka pa vlerë si diçka që nuk i takon askujt. Konkretisht, pas më shumë se 36 vjet në radio, në vitin 2007, më larguan. Nga ajo radio që kisha lidhur jetën dhe ëndrrat e mia, nga ajo radio që e doja si jetën time.

 

Kishte arsye? Cili ka qenë motivacioni dhe si jeni ndjerë?

 

As vetë nuk e kuptoj as sot. 5 vitet e fundit në Radio kam qenë drejtuese e zyrës së Etikës, Sondazheve  e Monitorimit. Në Radio Tirana, në vitet  e fundit ishte lakuar emri im në parlament e propozuar nga shoqëria civile si kandidate për në Këshillin Drejtues të RTVSH. Po kështu, kisha realizuar disa sondazhe  në rrethe për dëgjimin e Radio Tiranës. Për vetë detyrën që kisha evidentoja punën kur nuk shkonte mirë. Shpesh, radio nuk  dëgjohej në zona të ndryshme, bile ndodhte që në këto zona dëgjoheshin radiot e huaja. Gjinitë radiofonike po varfëroheshin dita ditës. Radio duhej të depolitizohej etj. Unë këto i bëja prezente kudo, edhe në drejtori. Ishin problemet e kohës dhe ishte në rregulloren e detyrës sime t’i bëja prezente. Për të gjitha këto, drejtuesit e rinj nuk më mbështetën, përkundrazi i keqpërdorën. Kur nuk e mendoja, erdhi dhe largimi, kur duheshin dhe 5 vjet të dilja në pension. Motivacioni i largimit tim: “Ristrukturimi i institucionit”.

 

Si e përjetove këtë largim të padrejtë?

 

Ah! Mos ma kujto atë ditë. M’u errën sytë. Kur mendoja se do më lavdëronin për punën e bërë, erdhi e kundërta. E pabesueshme! Largimin e përjetova shumë keq, më mungonin kolegët, dëgjuesi dhe sidomos, më varrosën gjithë investimin e bërë që nga viti 1970. Ndërkohë, në fund të vitit 2009, gjykata vendosi që të më dëmshpërblenin maksimalisht.

 

 

 

BARAZIA GJINORE

 

“Shpresoj për një vendimmarrje politike ndryshe në të ardhmen”

 

“Aktivitetet e barazisë gjinore më krijuan një tjetër klimë. Krijova lidhje të reja dhe komunikime interesante me mbarë botën. Në një komunikatë për shtyp, kur doli lista e partive nga KQZ, shkruajta: Jemi para një  aspekti manipulues brenda kësaj prirje të pandalshme të afirmimit të grave në vendim-marrjen politike. Sa e vështirë për të ndarë pushtetin në mënyrë të barabartë algjebrikisht, por edhe proporcionalisht në përputhje  me ndarjet gjinore të strukturës demokratike të  shoqërisë  shqiptare sot”. Shpresoj për një vendimmarrje politike ndryshe në të ardhmen”.

 

 

 

“Ambasadore  e Paqes”

 

“Prej vitesh jam “Ambasadore  e Paqes”. Dhe në gjithë punën time pëlqej sinqeritetin e urrej mashtrimin. Kërkoj vëmendjen për njeriun në  nevojë  dhe urrej indiferentizmin. Pëlqej mirëkuptimin dhe  urrej arrogancën. Natyrisht inteligjenca, të qenit intelektual mund të zgjidhë shumë probleme”.

 

 

 

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :