Data : 23 07 2018
KryeTitujt :

Vrau babain në vitin 1989, arrestohet pas 24 vjetësh

 

KLODIANA LALA

Vrau babain në vitin 1989, arrestohet pas 24 vjetëshTIRANE- Resul Ahmeti, ishte vetëm 27 vjeç, kur në bashkëpunim me nënën, ekzekutoi babain e tij, Neshat Ahmeti. Pas krimit të rëndë, ai ishte larguar nga fshati Gercar në Maqedoni, vend ku ishte lindur e rritur dhe kishte mundur të siguronte një pasaportë kanadeze, duke jetuar në qetësi të plotë, për më shumë se dy dekada. Duket se pikërisht pasaporta kanadeze e ka ndihmuar Resul Ahmetin, të qëndrojë larg hekurave të burgut, pavarësisht se ishte dënuar me 12 vite burg për akuzën e “vrasjes me paramendim”. Por arratia e 50-vjeçarit, nuk mundi të zgjaste përgjithmonë. Më 26 qershor 2013, në duart e Resul Ahmetit u shtrënguan prangat. Ai u arrestua në aeroportin “Nënë Tereza”, teksa po tentonte të hynte në Shqipëri, duke u hequr si shtetas kanadez, në një kohë që rezultonte i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet Maqedonase të Drejtësisë. Pak javë më parë, Gjykata e Tiranës, mbi bazën e një kërkese të mbërritur nga autoritetet maqedonase të drejtësisë, vendosi për ekstradimin e Ahmetit drejt Maqedonisë, ku do të vuajë dënimin me 12 vite burg të firmosur ndaj tij që në vitin e largët 1989. 

Dënimi për vrasje 

Bashkë me kërkesën për ekstradim në dispozicion të autoriteteve të drejtësisë shqiptare, është vënë dhe vendimi i fajësisë ndaj Resul Ahmetit. “Me vendimin Nr. K.nr. 5/88-I datë 27.01.1989 të Gjykatës së Qarkut në Manastir si dhe vendimit Nr. K.ZH.nr. 28/89 datës 01.06.1989 të Gjykatës Supreme të Maqedonisë ky shtetas është deklaruar fajtor për veprën penale të “Vrasjes”, vepër penale e parashikuar nga neni 37 i Kodit Penal të Maqedonisë e kryer në vitin 1986, dhe si rrjedhojë është dënuar me 12 vjet burgim. Pasi në bashkëpunim me nënën e tij, Xhezije Ahmeti, kanë vrarë babain e të arrestuarit Resul Ahmeti, shtetasin Neshat Ahmeti”, thuhet në vendimin e ekstradimit. Gjykata e Tiranës pasi ka shqyrtuar kërkesën e autoriteteve maqedonase, ka arritur në konkluzionin se nuk ka asnjë pengesë ligjore për ekstradimin e Resul Ahmetit. “Ka kërkesë nga autoritet e drejtësisë të Republikës së Maqedonisë drejtuar Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë për ekstradimin e shtetasit Resul Ahmeti, si dhe ka të dhëna të rëndësishme fajësie për këtë shtetas, relacioni mbi veprën që i ngarkohet personit për të cilin kërkohet ekstradimi duke treguar kohën dhe vendin e kryerjes së veprës dhe cilësimin ligjor të saj, teksti i dispozitave ligjore që do të zbatohen, të dhënat individuale dhe çdo informacion që shërben për të përcaktuar identitetin dhe shtetësinë e personit për të cilin kërkohet ekstradimi”, arsyetohet në vendim. Më tej, arsyeton gjykata, vepra penale për të cilën akuzohet personi që kërkohet të ekstradohet është parashikuar si e tillë njëkohësisht si nga ligji shqiptar dhe ai i huaj. Ndër të tjera gjykata thekson se “Nuk ka arsye të mendohet se personi që kërkohet do t’u nënshtrohet persekutimeve ose diskriminimeve për shkak të racës, fesë, seksit, shtetësisë, gjuhës, bindjeve politike, gjendjes personale shoqërore ose dënimeve a trajtimeve të egra, ç’njerëzore a poshtëruese ose veprimeve që përbëjnë shkelje të një të drejte themelore të njeriut”. Për këto shkaqe, ka firmosur për ekstradimin drejt Maqedonisë të 50-vjeçarit Ahmeti. 

Kërkesa e të dënuarit 

Në një kohë që prokuroria ka kërkuar ekstradimin e Resul Ahmetit, edhe vetë ky i fundit ka qenë dakord për një gjë të tillë. “I arrestuari Resul Ahmeti dhe mbrojtja e tij u shprehën se janë dakord të pranohet kërkesa për ekstradimin e tij në Republikën e Maqedonisë. Gjatë gjykimit pretendoi se në kushtet kur gjykimi i tij për veprën penale, e cila i atribuohet nga Gjykata e Republikës së Maqedonisë është zhvilluar në mungesë të tij t`i jepet mundësia të përballet me drejtësinë e vendit ku do të ekstradohet”, saktësohet në vendimin e gjykatës. Nuk dihet nëse Resul Ahmetit do t’i jepet e drejta për tu përballur sërish me drejtësinë, për të zbardhur të vërtetën, përse e vrau të atin e tij.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :