Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

Venezuelë, ushtria kundër kriminalitetit

venezuela-ushtaret

Presidenti venezuelian Nicolas Maduro ka ndërmarrë një plan masiv sigurie për të frenuar kriminalitetin në rrugët e vendit. 

Në kuadër të operacionit “Atdheu i Sigurt”, 3 mijë ushtarë do të patrullojnë rrugët e kryeqytetit Karakas dhe qyteteve të tjera.

Presidenti Maduro deklaroi se plani do të sjellë qetësinë në Venezuelë, vend që ka një ndër kuotat më të lartë të kriminalitetit në Amerikën e Jugut.

Qeveria tha se mbi 16 mijë persona janë vrarë gjatë vitit 2012, një kuotë kjo prej 54 personash për 100 mijë banorë.

Ndërsa Observatori i Dhunës në vendin latin, një institucion mbikëqyrës, e vlerësoi më lartë nivelin e dhunës të vitit të kaluar, përkatësisht në kuotën 73 të vrarë për 100 mijë banorë.

Në bazë të operacionit “Atdheu i Sigurt”, ushtarët do të patrullojnë 79 zonat më të prekura nga krimi në vend, katër prej të cilave vetëm në Karakas.

Duke folur ditën e hënë, zoti Maduro tha se qeveria e tij po rishikon çdo aspekt të sigurisë për të krijuar një mjedis të qetë në vend.

Shifrat e kriminalitetit në Venezuelë u rritën ndjeshëm që kur presidenti Hugo Chavez mori drejtimin e shtetit në vitin 1999. Vitin e kaluar qeveria prezantoi një ligj të ri që ndalonte shitjen e armëve dhe municioneve.

Prej kohësh opozita kritikon qeverinë për nivelin e lartë të krimit dhe e përdori këtë çështje në fushatën e zgjedhjeve të fundit presidenciale.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :