Data : 24 05 2018
KryeTitujt :

Shqipja është dënuar, para se të gjykohet

Vendimi i Inspektoratit shtetëror për transport për heqjen e tetë tabelave sinjalistike të shkruara në maqedonisht, shqip dhe anglisht të vendosura në autostradën Shkup-Tetovë, me numër 36-20-92 mban datën 23.08.2013, ndërkaq që inspektorët e këtij inspektorati kanë dalë në terren një ditë më vonë, më 24.08.2013

 

Vendimi për heqjen e tabelave sinjalistike në gjuhën shqipe të vendosura në autostradën Shkup- Tetovë është sjellë para se inspektorët të dalin në terren.

Vendimi i Inspektoratit shtetëror për transport me numër 36-20-92 mban datën 23.08.2013, ndërkaq që inspektorët e këtij inspektorati kanë dalë në terren një ditë më vonë, më 24.08.2013.

Aty  thuhet se në bazë të nenit 68, 69, 70 dhe 72 nga Ligji për rrugë dhe pas mbikëqyrjes inspektorate më datë 24.08 2013 në autostradën A-2 (Shkup-Tetovë-Zherovjan) e solli vendimin e mëposhtëm: “Obligohet ‘Ndërmarrjen publike për rrugë shtetërore’- Shkup që ti kryejë punët e mëposhtme:

1. Ti largojë të tetë tabelat e reja informative të vendosura në mënyrë joligjore nga  persona të panjohur në Autostradën A-2 .

2. Tabelat të rruhen derisa të paraqitet pronari i tyre, të cilit duhet ti kthehen pasi të paguajë për heqjen e tyre nga rruga, transportin e tyre dhe ruajtjen e tyre. Në të kundërt të niset procedurë gjyqësore.

-Obligimet e marra ‘Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore’ ti kryejë në afatin prej 5 ditëve pasi ta marrë këtë vendim”.

Tabelat sinjalistike që tregojnë Kanionin Matkë, Liqenin e Treskës, Kodrën e Diellit, Ohrin dhe Parkun kombëtar të Mavrovës janë të vendosura në autostradën Tetovë –Shkup në qarkoren për në Matkë, në afërsi të Gllumovës dhe në afërsi të Tetovës në të dyja anët e autostradës nga ndërmarrja publike “Makedonija Pat” (Rrugët e Maqedonisë). Këto tabela janë të shkruara në tre gjuhë: maqedonisht, shqip dhe anglisht.

Edhe pse ky vendim vjen nga një inspektorat që është në kuadër të Ministrisë së transportit dhe Lidhjeve, zëvendës Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Xhelal Bajrami thotë për “Lajm”, se vendimi nuk do të zbatohet. “Ministria e Transportit nuk do të implementojë asnjëherë asnjë vendim të asnjë inspektorati që i pengon gjuha shqipe. Në vitin 2001, në Maqedoni ka ndodh një ndryshim dhe gjuha shqipe është gjuhë zyrtare dhe do të zbatohet në bazë të ligjit”, tha Bajrami.

Ndërmarrja publike “Makedonija pat” ka reaguar edhe njëherë dhe pyesin se pse vetëm tabelat që janë në shqip, të cilat janë vendosur nga kjo ndërmarrje dhe nga agjencia për rrugë janë vlerësuar si ilegale. “Si është e mundur që të mos jetë vlerësuar ilegale asnjë tabelë tjetër që është vetëm maqedonisht dhe anglisht?”, pyesin nga kjo ndërmarr/je.

Ndërkaq, drejtori i Inspektoratit shtetëror për transport, Rufat Huseini tha se vendimi i inspektoratit për heqjen nga rruga të atyre tabelave nuk është për faktin se ato janë në gjuhën shqipe, por sepse ato nuk janë vendosur në mënyrë të drejtë dhe në largësi të caktuar. Megjithatë, vetë fakti i sjelljes së vendimit para se inspektorët të dalin në terren lë vend për dyshime.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :