Data : 24 09 2018
KryeTitujt :

Shkrihet AK-ja. 2500 anëtarë shkojnë te PS, “Spahiu, sjellje e papërgjegjshme

download (3)

“Anëtarësia e AK-së në qarkun e Gjirokastrës do t’i bashkohet opozitës në zgjedhjet e 23 qershorit.” Ky është verdikti kolegjial, që është vendosur nga kryesia e kësaj partie në qarkun e Gjirokastrës.

Vioment Karagjozi, kreu i kësaj aleance për jugun e Shqipërisë, në një prononcim ekskluziv për “A1 Report” shprehet se shkrirja e AK-së në Gjirokastër është vendosur sot falë një mendimi të të gjithë kryesisë dhe mbështetur nga anëtarësia e thjeshtë në jug të vendit.

Arsyet që sollën këtë ripozicionim të AK-së erdhën fill pas dërgimit të emrave të kandidaturave për deputetë të kësaj lëvizjeje në qark, gjë që për Karagjozin ishin jopërfaqësuese dhe aspak dinjitoze. “Kandidaturat për deputetë janë përzgjedhur mbi baza klienteliste dhe aspak përfaqësuese për qarkun e Gjirokastrës”,- shprehet Karagjozi për “A1 Report!”.

Në këto kushte, kur kandidaturat e propozuara nga baza nuk u morën në konsideratë, “duke na dërguar emra të tjerë, që nuk kanë lidhje me AKZ, gjykuam që kjo ishte rruga më e drejtë, pra shkrirja e degës së AK-së pa kushte në Gjirokastër dhe në dy rrethe të tjera”,  vijon Karagjozi.

“Nuk u pyetet fare mendimi kolegjial për caktimin e deputetëve për shkak të një sjelljeje të papërgjegjshme të Kreshnik Spahiut. Kemi dërguar emrat tanë si kandidatë, por asnjë nga emrat që ne kemi propozuar nuk është vënë. Nuk është vënë asnjë personalitet i spikatur, që të ketë vlera në qytetin e Gjirokastrës. Unë që sot zyrën e deklaroj të mbyllur. Votat tona që të mos shkojnë dëm, i kalojnë koalicionit të majtë me shpresën dhe dëshirën se do respektohet mendimi ynë”, ka thënë ai.

Sipas Karagjozit, anëtarësia në qarkun e Gjirokastrës, e cila numëron gati 2500 vetë, do t’ i bashkohet PS-së në zgjedhjet e 23 qershorit, duke mos çuar votat dëm për interesa të caktuara të kreut qendror të AK-së, Kreshnik Spahiu.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :