Data : 24 05 2018
KryeTitujt :

Raporti, CIA parashikoi fundin e Jugosllavisë më ‘92

CIAZ

Që në vitin 1990, Shërbimet e Inteligjencës amerikane kanë parashikuar shkatërrimin e Federatës Jugosllave. Lajmi u bë i ditur nga mediat serbe dhe kroate, pas publikimit të disa dokumenteve deri më tani sekrete. CIA kishte hartuar një raport sekret, në të cilin ishte paralajmëruar shpërbërja përfundimtare e RSFJ-së dhe konfliktet e përgjakshme që çuan deri në shkatërrimin e pakthyeshëm të Federatës. Sipas dokumentit të agjencisë amerikane të inteligjencës CIA, bëhej me dije se me shkëputjen e Sllovenisë dhe Kroacisë, Jugosllavia do të ndërpriste funksionimin e saj si shtet federal për një periudhë prej vetëm një viti. Ndërkaq, po sipas këtij raporti të shkruar në 1990-ën, shpërbërja definitive do të ndodhte pas dy viteve. CIA asokohe kishte informuar administratën e atëhershme amerikane se Serbia do të bllokojë tentimin e sllovenëve dhe kroatëve që nga Jugosllavia të formojnë një Konfederatë, dhe kjo fushatë e serbëve, duke kombinuar nacionalizmin në rritje, do të shkaktonte shpërbërjen e ish-Federatës. 

“Vështirë se do të kishte një luftë midis Republikave, por konfliktet serioze midis komuniteteve do të pasonin me shpërbërjen e Jugosllavisë dhe ato do të vazhdonin me copëtimin e saj. Dhuna do të jetë e ashpër dhe afatgjatë”, shkruanin qartazi në raport agjentët e CIA-s, duke shtuar se nga represioni serb do të pasonte edhe kryengritja ushtarake e shqiptarëve në Kosovë dhe do të përkrahej nga pakica shqiptare në Malin e Zi dhe Maqedoni. Po ashtu CIA ka përmendur se Bosnjë- Hercegovina paraqet kërcënimin më të madh për rritjen e ndarjeve etnike në Jugosllavi, sidomos mes serbëve dhe kroatëve. “Përzierja etnike e kësaj republike, me 40 për qind myslimanë, 32 për qind serbë dhe 18 për qind kroatë, gjithmonë ka qenë një rrezik potencial. Zgjedhjet në nëntor do të rrisin potencialin për ndërhyrje të Serbisë dhe Kroacisë”, kanë nënvizuar agjentët amerikanë. Në raport është theksuar se Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e saj europianë do të mund të bënin shumë pak për ruajtjen e unitetit të Jugosllavisë. Pritet që muajin e ardhshëm CIA të publikojë të tjera dokumente lidhur me luftën në ish-Jugosllavi, sidomos për Bosnjën. 

HISTORIA
Për të krijuar Jugosllavinë u desh gati një shekull, që me daljen në dritë të idesë së lëvizjes për bashkimin e sllavëve të jugut në fillim të shekullit të 19-të e deri në mbarimin e Luftës së Parë Botërore. Pas Luftës së Parë Botërore u krijua shteti jugosllav, i bazuar në gjashtë kombe sllave: sllovenët, kroatët, serbët, malazezët, maqedonasit dhe myslimanët. Shkaktarët kryesore për shpërbërjen e Jugosllavisë u bënë kroatët dhe divergjencat e tyre me serbët. Kështu, në vitin 1991 Jugosllavia e Titos mori fund.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :