Data : 23 07 2018
KryeTitujt :

Rama: Malaj të kuptojë gabimin dhe të rikthehet në PS

Rama-Malaj-300x185

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se pas 23 qershorit do ta rilindë Vlorën dhe gjithë bregdetin. Gjatë fjalës së tij në ceremoninë e hapjes së sezonit turistik nga Bashkia e Vlorës, qark në të cilin Rama kryeson listën e kandidatëve për deputetë, kryesocialisti akuzoi qeverinë se e ka izoluar këtë qytet për shkak të drejtimit të tij nga Partia Socialiste. “Qeveria e Tiranës i ka kthyer shpinën Vlorës dhe jo vetëm kaq, por ka bërë çmos për ta penguar Vlorën që të shkojë përpara. Ka bërë çmos për të penguar që dhe ato projekte të Bashkisë, edhe ato vepra të nisura nga Bashkia, të vonohen sa më shumë. Ka bërë çmos që Vlora të vazhdojë të mbetet e izoluar. Ne do ta heqim izolimin nga Vlora”, tha Rama gjatë fjalës së tij. Ai i bëri thirrje popullit të ngrihet për të ndryshuar vendin. “Kanë kaluar 100 vjet qysh se këtu në Vlorë u ngrit flamuri i Pavarësisë. Ne të gjithë jemi të bindur se as Ismail Qemali dhe as etërit e tjerë themelues të shtetit shqiptar nuk do ta parafytyronin dot se pas 100 vjetësh Shqipëria do të ishte kaq mbrapa të tjerëve. Është koha për ta ngritur në këmbë popullin tonë, për ta ngritur në këmbë vendin tonë, për t’u dhënë aspiratave tona europiane fuqinë e një zhvillimi që Shqipërisë i është mohuar për gjithë këto vite”, tha Rama. Gjatë një takimi me gazetarët e këtij qyteti, i pyetur rreth dëmit që do ti shkaktojë kandidimi si i pavarur i Malajt, Rama tha se shpreson që ai të kthehet në PS. “Sesa e dëmton Malaj partin socialiste këtë do ta shikojmë në përfundim të zgjedhjeve, por shpresoj që të mos ketë dëmtime. Unë shpresoj që Malaj të kuptojë gabimin dhe të rikthehet te PS aty ku ka dhënë kontributin e tij prej vitesh. Me daljen e tij si i pavarur Malaj i shërben vetëm Berishës dhe askujt tjetër. Me mbështetjen që po i bën Malajt, Fatosi po bën një sjellje të pa denjë, që shpresoj të reflektojë në të ardhmen”. Ndërsa përsa i përket mosvendosjen në lista të Eltar Dedës dhe Isarajt, Rama tha se “ata janë aktivë dhe në gjirin e Partisë Socialiste, për të luftuar së bashku për largimin e Berishës nga pushteti që po ju merr frymën shqiptarëve dhe sidomos Vlonjatëve ndaj të cilëve ka mllef”.

PROJEKTET

Kryesocialisti radhiti projektet që Vlora dhe i gjithë bregdeti i Jugut do të pësojnë. “Ne do t’u japim fund njëherë e përgjithmonë ndërtimeve pa leje në Vlorë dhe në të gjithë bregdetin. Ne do t’i japim fund njëherë e përgjithmonë fenomenit të bathorizimit të Adriatikut dhe të Jonit. Ne do të bëjmë me shpejtësi një Plan Zhvillimi urban për Vlorën. Ne do ta rindërtojmë Sheshin e Pavarësisë, ne do ta rishohim dhe do ta rindërtojmë të gjithë rrugën lidhëse mes Sheshit të Pavarësisë dhe kësaj pedonaleje. Pa dyshim, do të hapim kantierin e madh të pedonales që do të lidhë Skelën deri poshtë drejt Ujit të Ftohtë”, tha Rama. Gjithashtu dhe jeta e qytetit dhe cilësia e turizmit do të ndryshojë në Vlorë pas 23 qershorit. “Ne do t’i heqim makinat nga bregu i Vlorës. Që do të thotë se do të ndërtojmë by pass-in për të bërë të mundur që gjithkush që kalon në Vlorë, të mos bëhet pengesë për ecurinë normale të jetës së qytetit dhe për mijëra dhe dhjetëra-mijëra njerëz që do të vijnë në Vlorë për të shëtitur lirisht buzë detit të mrekullueshëm të këtij qyteti”, tha Rama.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :