Data : 20 05 2018
KryeTitujt :

Rama: Çdo votë jashtë koalicionit i shkon Saliut

edi-rama11-300x160

Lideri i opozitës Edi Rama ftoi qytetarët që të votojnë për koalicionin e së majtës për ndryshimin e mënyrës së qeverisjes. Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët gjatë një udhëtimi me autobus drejt Durrësit ku prezantoi kandidatët e këtij qarku, Edi Rama theksoi se çdo votë jashtë koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, është një votë që në emër të së majtës i shkon pushtetit dhe kryeministrit Berisha. I pyetur për tre ish deputetët socialistë të cilët janë tashmë kandidatë për deputetë në listat e PD-së, shprehet se “lista e PD-së është një kokteil midis besnikëve qorra dhe tradhtarëve të të gjitha kohërave”.

Me largimet e disa figurave ecën më qetë ky autobus?

U jam shumë mirënjohës të gjithë atyre që edhe pse nuk ka se si të jenë të lumtur që nuk u përfshinë në skuadrën tonë, duke qenë se më parë kanë qenë pjesë e skuadrës, kanë mbajtur qëndrimin më të shkëlqyer ndaj familjes sonë politike duke përcaktuar qëndrimin e tyre për fitoren e Partisë Socialiste. U jam shumë mirënjohës edhe atyre që janë pjesë e skuadrës dhe pranuan pa asnjë problem të zbresin në vende të pasigurta të listës. Të fitojmë, jo vetëm për ata që nesër do jenë në parlamentin e Shqipërisë, por edhe për ata që nesër do të administrojnë fitoren, ku hyjnë edhe të gjithë ata deputetë që sot nuk janë në skuadër, po që janë kapacitete shumë të çmuara të Partisë Socialiste dhe shumë të çmuar nesër në qeverisjen e vendit.

Në faqen tuaj të internetit nuk pashë të renditej emri i Arben Malajt?

Unë do të bëja një dallim shumë të qartë kush është në skuadër për vete dhe kush e do skuadrën për vete. Vjen një moment që tregon veten në raport me skuadrën dhe fatkeqësisht është një moment kur një investim i madh i bërë nga Partia Socialiste nga kjo familje e madhe politike, jo vetëm që nuk kthehet, por përkundrazi me një shkëputje dhe me një pozicionim që nuk është as më pak e as më shumë veçse një pozicionim i gabuar për të bërë gjënë e gabuar në funksion të një qëllimi të gabuar. Unë dua të shpresoj se do të ketë reflektim. Gjithsesi, nëse nuk ka një reflektim, mbetet e njëjta e vërtetë. Çdo votë jashtë frontit të opozitës, jashtë koalicionit të Aleancës për Shqipërinë Europiane, është fatkeqësisht një votë që në emër të së majtës i shkon pushtetit, i shkon Saliut, i shkon jo ndryshimit, por kalbëzimit.

Kur nis udhëtimi juaj i parë drejt Vlorës? Nga ana tjetër si i përgjigjeni akuzave që vijnë sidomos nga mazhoranca për emrat e PS në listën e Vlorës?  

Duke qenë se jam deputet në Vlorë do jem më shumë i pranishëm se sa çdo të isha në një rast tjetër në këtë qytet, për të folur me njerëzit atje, me të gjithë qytetarët, votuesit, lidhur me domosdoshmërinë e një transformimi në vizion, në program zhvillimi dhe në rrugën e gjithë atij qarku dhe bregut të Jonit në tërësi. Sa i takon kritikave, besoj që janë kritika që flasin për një shqetësim të madh në radhët e kundërshtarit lidhur me listën e Vlorës dhe nuk kanë faj në fakt, rezultati do ta tregojë.

Besoni se këto largime do të ndikojnë në zgjedhjet e 23 qershorit, Malaj, Isaraj apo Bizhga? Një koment për listën e PD-së, bashkëpunëtorët tuaj tashmë në listën e demokratëve? 

E para, më vjen keq t’ju korrigjoj, sepse do përdor një shprehje shumë të bukur italiane “përzietë bashkë djallin me ujin e shenjtë”. Sa i takon listës së PD është një kokteil midis besnikëve qorra dhe tradhtarëve të të gjitha kohërave. Është një listë “spektakolare” për nga shprehja e panikut në prag të humbjes së pushtetit. Si një përpjekje e të mbyturit të kapur pas fijes së barit, kështu e shoh unë atë listë. Është një listë e cila realisht në këndvështrimin tim përbuz elektoratin e Partisë Demokratike, përbuz ata të cilët janë të thirrur të votojnë dhe që me këtë listë trajtohen realisht si mish për top. Pa llogaritur pastaj faktin që vijnë dhe mesazhe të natyrës: “mos na ngacmoni shumë se aty na keni pas 23 qershorit”.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :