Data : 24 05 2018
KryeTitujt :

Qeveria shlyen borxhet e “Kurum”

hece

Qeveria ka miratuar një vendim në mbledhjen e radhës, përmes të cilit pranon t’i shlyejë kompanisë “Kurum” 3.4 miliardë lekë detyrime të prapambetura në formën e tatimit mbi vlerën e shtuar. 

Vendimi është pasojë e një marrëveshjeje të lidhur mes Ministrisë së Ekonomisë, asaj të Financave dhe kompanisë “Kurum”, që lidhet me proçesin e privatizimit të katër hidrocentraleve, dy Bistricave, Ulëzës dhe Shkopetit.

Në fillim të këtij viti, “Kurum” u shpall kompania fituese në tender duke ofruar shumën 109 milionë euro për të katër HEC-et.

Por ajo i vendosi kusht qeverisë që për të kryer pagesën Ministria e Financave duhet t’i shlyente detyrimet e prapambetura për tatimim mbi vlerën e shtuar.

Një ditë më parë ka qenë afati i fundit kur kompania turke duhet të kryente pagesën. Por, që nga fillimi i tij, proçesi i negociatave ka qenë i mbuluar nga misteri dhe qeveria nuk ka bërë publik asnjë njoftim zyrtar në lidhje me këtë çështje.

Burime nga Ministria e Financave thanë për Top Channel se deri një ditë më parë kur ishte afati i fundit, “Kurum” ka kryer një pjesë të pagesës. Sipas tyre, pjesa tjetër pritet të derdhet në arkën e qeverisë ditët në vijim, pasi të kryhet rakordimi i tatimit mbi vlerën e shtuar.

Në këto kushte, shitja e katër hidrocentraleve, pjesë e Korporatës Elektroenergjetike, të ndërtuara vite më parë, më shumë se sa një proçes privatizimi duket se është shndërruar në një marrëveshje borxhlinjsh, jashtë syve të publikut dhe me pikëpyetje të forta ligjore.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :