Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

PD shton listat me femra dhe ul gjobën e KQZ

kqz11-300x212

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve miraton emrat e kandidatëve të tri partive të mëdha, PD, PS dhe LSI, për zgjedhjet e 23 qershorit. Në mbledhjen e djeshme të KQZ-së, e cila zgjati rreth 90 minuta, të tria këto forca politike patën probleme me përmbushjen e kriterit gjinor në listë, duke detyruar KQZ-në që t’i vendoste në total 14 milionë lekë gjobë për mospërfshirjen e femrave.

LISTA E PD

Partia Demokratike kurseu 5 milionë lekë dje pas një kërkese të dërguar në KQZ për të shtuar disa kandidate femra në zonat zgjedhore. Konkretisht, sipas administratës, PD-ja kishte problem përfaqësimin gjinor në 9 qarqe nga 12 që janë gjithsej. “Kriteri i gjinisë nuk respektohej në 9 zona zgjedhore. Me shkresën e depozituar sot (dje) PD-ja ka paraqitur një kërkesë për disa shtesa në disa lista shumemërore në Tiranë, Lezhë, Fier, Gjirokastër dhe Shkodër. Nga verifikimi që iu bë dokumentacionit të ridepozituar rezulton se plotësohen të gjitha elementet në 5 qarqe. Ndërsa në qarqet Elbasan, Kukës, Dibër, Berat nuk respektohet kriteri i gjinisë. Është komunikuar me përfaqësuesin e PD dhe konstatohet fakti se këto lista nuk do ndryshohen”, tha drejtoresha juridike e KQZ-së, Dëshira Pasko. Më konkretisht, PD-ja ka shtuar Klodiana Shalën në Tiranë, si dhe një kandidate në Shkodër, një në Gjirokastër, dy në Lezhë dhe dy në Fier. Me këtë lëvizje PD-ja arriti të plotësojë kuotën prej 30 për qind të femrave në listat e saj për pesë qarqe dhe duke pranuar gjobën në katër qarqe të tjera në shumën 4 milionë lekë.

LISTA E PS

Nga ana e tyre socialistët u gjobitën për mosplotësim të kriterit gjinor për 6 qarqe, me vlerën 6 milionë lekë. Fillimisht administrata e KQZ-së kishte evidentuar probleme në katër lista zgjedhore. “Nga analiza që i bëri administrata listës së PS sa i përket kriterit gjinor, rezulton se në listat e 4 zonave, Tiranë, Durrës, Elbasan dhe Kukës, nuk është respektuar kriteri gjinor. Është komunikuar me përfaqësuesit e PS-së dhe kur ka mospërmbushje të këtij kriteri, kjo përbën shkak për sanksion. Nga komunikimi që kemi pasur me përfaqësuesin e PS nuk pranojnë për ta kthyer për plotësim listën”, tha sekretari i Përgjithshëm i KQZ-së, Skënder Vrioni. Por, ndërhyrja e anëtarit Hysen Osmani e vuri administratën në lëvizje dhe u evidentua i njëjti problem edhe në qarkun e Dibrës dhe të Gjirokastrës.

LISTA E LSI

Nga ana tjetër, edhe Lëvizja Socialiste për Integrim kishte probleme me përmbushjen e kriterit gjinor në katër qarqe. Konkretisht, kjo forcë politike nuk arrinte 30% femra në Berat, Kukës, Durrës dhe Gjirokastër. Ndërkohë që Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet kishte depozituar në KQZ një listë në përputhje me të gjitha kërkesat e Kodit Zgjedhor. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u bë i njohur fakti se 9 kandidatë që garojnë më 23 qershor kanë dhënë dorëheqjen nga detyrat që mbajnë aktualisht. Nga këta, katër kandidatë janë të Partisë Demokratike, 3 të Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe 2 të Partisë Socialiste.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :