Data : 14 11 2018
KryeTitujt :

Marku: PD po shkon majtas

markumark

Deputeti Mark Mark shprehet se lista e PD-së solli goditjen e zërave kundër dhe të atyre deputetëve që kanë qenë inaktivë. Ky është konstatimi i parë i profesor Markut, i cili futej në kategorinë e deputetëve që godiste fenomenet brenda PD-së me oponencën e tij.

“Lista ka paradokse. Në lista nuk jemi ne që në njëfarë mënyre i kemi ‘tërhequr veshin’ qeverisë për disa mosfunksionime dhe disa probleme që ka pasur në funksionimin e qeverisë, po ashtu në listë nuk janë gjithashtu edhe ata anëtarë të ‘komisionit të veshit’ po themi. Ndëshkohet modeli kritik, por është ndëshkuar edhe modeli i kundërt, modeli që ka qenë shumë konformist dhe shumë i zellshëm brenda PD-së, madje ka bërë edhe veprime që normalisht ndoshta nuk do duheshin bërë.Në njëfarë mënyre ka një çorientim në çështjen listave”, deklaroi Marku.
Ai ndërkohë shtron pyetjen se përse në listën e PD-së nuk ka pasur vend për demokratë, por ka pasur vend për ish-deputetë socialistë, mes të cilëve edhe ministri i Edukimit në kohën e Ramiz Alisë, Kastriot Islami. “Pse nuk kishte vend për demokratët dhe kishte për Kastriot Islamin, ministër i Edukimit në kohën e Ramiz Alisë. Unë dyshoj te PD-ja në nivelin e përfaqësimit, pasi përherë ka tentuar të shkojë majtas, mendoj se gjykimin nuk do ta japë elektorati”, thekson Marku.

Ndërkohë ai shprehet se 5% e listës së demokratëve përbëhet nga të majtët. “Unë e kam shprehur qëndrimin tim se ka katër apo pesë deputetë që kanë qenë inaktivë, për këtë e kam shprehur edhe më parë mendimin tim, si dhe që kanë pasur mendime kritike ndaj qeverisë dhe Berishës. Mendoj se ka pasur, po themi, një ‘ndërhyrje kirurgjikale’ nga ana e Berishës për pastrimin e çdo nuance dhe për mua kjo më duket jo normale. E dyta është lista e deputetëve të PS-së, e cila duket jo normale që 5 për qind e deputetëve të listës të jenë nga e majta, pra degradon nivelin e përfaqësimit, pasi presupozohet se PD-ja mbulon të djathtën dhe qendrën, e jo të majtën”, tha Marku në një prononcim për median. PD-ja ka spastruar një pjesë të mirë të deputetëve të saj aktualë me propozimet e reja me listat. Rrezikojnë 35 deputetë të PD-së të mos jenë në kuvendin e ardhshëm, kjo për faktin se një pjesë e tyre janë renditur në vendet që rrezikojnë. Ilir Rusmali, Aurel Bylykbashi, Mehmet Xheka, Gjokë Uldedaj dhe Tritan Shehu janë të renditur në një zonë të rrezikuar. PD-ja ka përjashtuar kryetarët e komisioneve kryesore të Kuvendit, si Fatos Beja tek i Jashtmi, Leonard Demi i Sigurisë dhe Ilir Rusmali i Ligjeve, i renditur i 17-i në listë, si dhe Jemin Gjana i Veprimtarisë Prodhuese. Deputeti i mospërfshirë në listë, Selami Xhepa, një nga zërat më me oponentë të PD-së, anashkaloi komentet për këtë shmangie të selisë blu. “Ju falënderoj, por nuk kam ndonjë mesazh për të dhënë”, thotë Xhepa për gazetën “Shqip”, pavarësisht pakënaqësisë që ka nga kjo shmangie. Ndërsa demokrati tjetër, Sybi Hida, në një prononcim për gazetën “Shqip” deklaron se, “pavarësisht se nuk është më si kandidat për deputet, do të vazhdojë të kontribuojë për PD-në”. “Për mua nuk ka asnjë problem, edhe në momentet që po flasim po bëj fushatë për PD-në në Qarkun e Elbasanit”, thekson Hida.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :