Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

Malaj: Votë për socialistët, jo për klientelistët e Ramës

Arben-Malaj1

Kandidati deklaron nga Vlora se Rama hoqi socialistët nga lista. “Qyteti i Pavarësisë e meriton ta ketë deputetin e pavarur”.

Kandidati i pavarur në qarkun e Vlorës, Arben Malaj, deklaroi dje se kryesocialisti Edi Rama hoqi nga lista e PS-së tre deputetë socialistë dhe i zëvendësoi ata me shtatë kandidatë klientelistë. Gjatë konferencës së parë si kandidat i pavarur në qarkun e Vlorës, Malaj deklaroi se Kryeministri Sali Berisha dështoi në tentativën për ta larguar nga politika, dhe një gjë të tillë nuk mund ta realizojë as kandidati i PS-së, Koço Kokëdhima.

“Qyteti i Pavarësisë e meriton deputetin e pavarur, të pavarur nga nënshtrimi, dhe të lirë në fjalën e mendimin e tij. Për të instaluar sistemin e tyre të varësisë ndaj kryetarit, Berishat dhe Ramat duan ta shqyejnë Vlorën, simbolin e Pavarësisë. Janë hequr tre deputetë socialistë dhe janë futur në listën e Vlorës 7 deputetë klientelistë. Sali Berisha nuk na nxori dot nga politika, as Koçot nuk do të na nxjerrin dot. Nuk mund të kalërosh mbi krenarinë vlonjate”, u shpreh dje Malaj.

Ai tha se përfaqëson politikanin që mbështet të zgjedhurit e tij dhe jo politikanët e telekomanduar që, sipas tij, i shohin njerëzit si statistika elektorale. Ish-ministri i PS tha më tej se qytetarët vlonjatë duhet të tregohen të kujdesshëm më 23 qershor, të mos çojnë asnjë votë për Kryeministrin Berisha, por edhe për kandidatët klientelistë, siç e quajti ai përzgjedhjen në listën e hartuar nga Edi Rama. Malaj tha se qytetarët duhet të votojnë për socialistët e vërtetë, edhe pse ata ndodhen në listat e partive të tjera.

“Ju bëj thirrje së pari të rrisim pjesëmarrjen në votime. Të jemi vigjilentë: asnjë votë për Berishën, asnjë votë për klientelistët në listat e kryetarëve. Të votojmë socialistët më të mirë, edhe kur ata janë në listat e partive të tjera në koalicion me PS-në”, tha Malaj, i cili shtoi më tej se: “Për mua Skënder Gjinushi dhe Paskal Milo meritojnë të jenë në Parlamentin shqiptar, si pjesë e historisë dhe suksesit të së majtës, disa herë më shumë se Koço K… Rama është i vetmi kryetar partie që e përdor mandatin e socialistëve kundër socialistëve”.

Malaj tha më tej se vota e vlonjatëve duhet të shkojë kundër klientelistëve, duke sjellë në Kuvend socialistët e përjashtuar. “Kështu, vota juaj nuk del nga vota kundër Berishës, por është njëkohësisht edhe votë kundër klientelistëve. Kjo do të sjellë në Parlament socialistët e vërtetë, të përjashtuar nga Rama, në vend të klientelistëve dhe shërbëtorëve të pushtetit të kryetarit. Ata janë më të mirët, ata fitojnë edhe më lehtë, pasi u duhen gjysmat e votave që u duhen të preferuarve të Ramës”, tha ai.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :