Data : 20 09 2018
KryeTitujt :

Leje nga burgu, arratiset anëtari i bandës së Yzberishtit

Burgu-i-Fushë-Krujës-300x123

Kreu i Burgut të Fushë-Krujës pohon lajmin: Ilir Avdillari nuk u kthye pas lejes së dhënë. Anëtari i bandës së Yzberishtit u dënua 22 vjet për vrasje.

I dënuari me 22 vjet burg, Ilir Avdillari, i njohur si një ndër anëtarët e bandave famëkeqe të viteve ‘97-‘98 në Tiranë, është larguar nga vendi i vuajtjes së dënimit.Drejtoria e Burgut të Fushë- Krujës i ka dhënë leje me afat 7-ditor të dënuarit për vrasje, por ai nuk është kthyer brenda afatit të lejes. Siç mësohet, Avdillari duhej të kthehej dje në Burgun e Fushë-Krujës, kohë kur i përfundonte afati i lejes së dhënë. Lajmin e bënë të ditur burime nga Ministria e Drejtësisë, por i kontaktuar me telefon, një fakt të tillë e konfirmoi edhe vetë drejtori i burgut, Ligor Prifti.

Sipas Priftit, Ilir Avdillarit i është dhënë leje për disa ditë dhe ai duhej të kthehej dje në qeli. “Po, është e vërtetë që i është dhënë leje të dënuarit Ilir Avdillari. Duhej të kthehej sot (dje), por ai nuk u kthye në qeli”, u shpreh drejtori i Burgut të Fushë-Krujës. Ai refuzoi të pohonte se sa ditë leje i ishte dhënë të dënuarit për vrasje dhe cili ishte kriteri i një vendimi të tillë. 42-vjeçari tashmë është shpallur në kërkim nga policia, duke e konsideruar si një person me rrezikshmëri të lartë që ka ikur nga vendi i vuajtjes së dënimit.

Sipas Priftit, leja nuk jepet vetëm me iniciativën personale të drejtorit të burgut, por është një komision i veçantë që vendos për lejet e të dënuarve. 42- vjeçari Avdillari dhe vëllezërit e tij, Nazmi e Fatmir Avdillari, kanë qenë ndër krerët e bandës së Yzberishtit në vitin ‘97. Ata janë akuzuar se më 27 janar ’98 kanë vrarë biznesmenin italian Stefano Rossi, pronari i fabrikës “Niki Shoe”. Rossi sapo kishte tërhequr 30 milionë lireta nga Banka Italo Shqiptare dhe është ekzekutuar 100 metra larg fabrikës.

Gjithashtu, i “arratisuri” është akuzuar edhe për një sërë veprash të tjera të rënda penale. “I dënuari me 22 vjet burg për vrasje me dashje e vepra të tjera penale, Ilir Avdillari, lindur në Tiranë, ka ikur me leje 7-ditore të dhënë nga Drejtoria e Burgut të Fushë-Krujës dhe nuk është kthyer më. Ai është shpallur në kërkim nga Policia si person me rrezikshmëri të lartë që ka ikur nga vendi i vuajtjes së dënimit”, bënë të ditur burime nga Ministria e Drejtësisë. Avdillari është një nga shumë të dënuar që kanë ikur me leje e nuk janë kthyer më në vendet ku ishin caktuar me vendime gjykate të vuanin dënimet e tyre për vepra penale të kryera

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :