Data : 27 05 2018
KryeTitujt :

Legjenda e futbollit martohet në moshën 86-vjeçare

g1

Alfredo Di Stefano, argjentinasi që është simboli i gjallë i Realit të Madridit, tregon se nuk ka harruar “të shënojë” as në moshën 86-vjeçare. Ish-futbollisti i rekordeve me “Los Blancos”, i mbetur i ve prej 8 vjetësh, ka vendosur të martohet dhe bashkëshortja e tij është 36 vjeçe, pra 50 vjet më e re se ai.

Legjenda e futbollit argjentinas do të shkojë në altar me kostarikanen, Gina Gonzales “sa më shpejt, aq më mirë”, transmeton Top-Channel.

“Parashikojmë një martesë të shpejtë. Sa më shpejt, aq më mirë. Brenda dy javësh, maksimumi 1 muaji do të martohemi, qoftë në kishë apo tek organet civile”, deklaroi Di Stefano për mediat spanjolle.

Gina 36-vjeçare punon për Realin e Madridit, ku Alfredo është president nderi. Ajo u njoh “me dashurinë e jetës së saj” kur po punonte për biografinë e tij. Në përfundim të biografisë të dy ishin aq të lidhur sa refuzuan të ndaheshin, ndërsa së fundmi vendosën që të kurorëzojnë dashurinë e tyre.

Martesa nuk është mirëpritur nga fëmijët e legjendës madrilene, por ky i fundit tregoi se ka mbetur i njëjtë…pak i interesojnë të tjerët.

“Çfarë mendoni se do të thonë fëmijët e mi? Sigurisht që janë kundër. Por kjo mua pak më intereson. Unë jam i dashuruar me Ginan sepse kam zemrën e një të riu”, deklaroi Di Stefano.

Sa për zemrën, në vitin 2005 ish-futbollisti argjentinas pësoi një infarkt, ndërsa vuan edhe nga diabeti.   P.K

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :