Këshilltarët e majtë të Bashkisë së Tiranës i kanë bërë thirrje kryebashkiakut Lulzim Basha të dorëzojë çelësat se po mban peng sallën e mbledhjeve.
“Salla është hapësirë publike dhe jo pronësi e Bashkisë dhe Lulit dhe të hapë dyert e Bashkisë për të vazhduar punën normalisht. Mbledhja e datës 3 maj ishte e ligjshme dhe për të u ndoq gjithë procedura. Votuan 31 këshilltarë për shkarkimin e Kosovrastit dhe emërimin e Aldrin Dalipit. Në datë 3 maj ishte dita ndërkombëtare e mediave. Nuk quhet dhunë të ftosh mediat dhe të bësh transparente atë votim”, janë shprehur këshilltarët e majtë.
Ata e quajnë të ligjshëm shkarkimin e Njazi Kosovrastit dhe emërimin në postin e kryetarit të Këshillit të Aldrin Dalipit.
Ata e kanë bërë këtë kërkesë në emër të nevojave të qytetarëve të Tiranës.
“Këshilli Bashkiak do mblidhet, sepse aty janë interesat e gjithë qytetarëve të Tiranës. Problemi është më i gjerë. Është problem i halleve që kanë njerëzit. Sa më shpejt të mblidhet këshilli, aq më mirë është. Janë gjithë ata njerëz që presin të marrin rrogat apo të marrin kreditë dhe për këtë duhet një vendim nga këshilli i bashkisë”.
Ata kanë bërë të ditur se mbledhja do të thirret së shpejti nga Aldrin Dalipi.