Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

Katolikët, thirrje besimtarëve: Mos shisni votat

rrok-mirdita

Kisha Katolike tërheq vëmendjen publike për zgjedhje të lira e të ndershme, pa shitblerje votash, kërcënime apo fyerje nga të gjitha palët. Ndezja e fushatës elektorale dhe përfshirja e shumë aktorëve të ndryshëm në të ka ingranuar në këtë atmosferë edhe Kishën Katolike. Me anë të një qarkoreje të bërë dje publike nga ana e Konferencës Ipeshkvnore u kujtojnë besimtarëve rëndësinë e votimeve, pjesëmarrjen në to, por njëkohësisht e kanë vënë theksin në disa dukuri negative që mund të dëmtojnë rëndë procesin zgjedhor në këto votime. Duke i përmendur ato e kanë parë të arsyeshme që t’ua sjellim ndër mend të gjithëve në mënyrë që procesi të shkojë sa më mirë. “Blerja e votës, kërcënimi për votë, fjalori i ashpër mes përfaqësuesve të partive politike, tendenca për të manipuluar votat janë disa nga rreziqet me të cilat po përballet fushata elektorale në Shqipëri. Ne, ipeshkvijtë katolikë në Shqipëri, me anë të kësaj letre i ftojmë besimtarët katolikë dhe njerëzit vullnetmirë që të marrin pjesë në zgjedhje si një rast për të marrë pjesë në jetën publike të vendit”, shkruhet në letrën qarkore. Sipas deklaratës së bërë nga ipeshkvijtë, procesi zgjedhor po rrezikohet nga shitja e votës dhe nga kërcënimi që u bëhet votuesve. “Është e njohur se në shumë zona të Shqipërisë vota shitet, blihet apo rrëmbehet nën kërcënim. Të dashur vëllezër, shitblerja e votës është shitblerja e lirisë. Me anë të votës qytetari zgjedh atë që e qeveris dhe jo një blerës që bëhet pronari i lirisë së tij. Një i zgjedhur që vjen në pushtet me një votë të vjedhur apo të blerë nuk e meriton atë vend. Po ashtu, ai që shet votën, shet dinjitetin e tij dhe me këtë votë sjell në pushtet dikë që ia blen këtë dinjitet: e gjithë kjo është në dëm të përbashkët. Përveç votës së blerë, një fenomen i rëndë është vota nën kërcënim, sidomos lidhur me premtim të vendit të punës”, shkruhet në qarkore. Sipas tyre, është e pafalshme që të kalohet në fyerje dhe sharje nga partitë si dhe nuk tolerohet përfshirja e fëmijëve në fushatë. “U bëjmë thirrje forcave politike dhe kandidatëve të bëjnë një fushatë zgjedhore pozitive pa e ulur nivelin në fyerje, sharje, poshtërime të karakterit personal apo familjar, sikurse shpeshherë janë vënë re në këto vitet e fundit nga individë apo grupe njerëzish. Duhet një fushatë që bazohet mbi propozimet programatike dhe jo mbi denigrimin e tjetrit. Lidhur me këtë, bëjmë thirrje që të mos bëhen pjesë e fushatës fëmijët e shkollave dhe adoleshentët e të mos abuzohet me to. “Ipeshkvijt shkruajnë se kohët e fundit mjerisht vërehen tendenca manipulimi në këtë proces nga ana e partive politike. “Ka shumë rëndësi njohja e zgjedhjeve dhe pranimi i rezultatit nga të gjitha palët dhe kontributi që procesi të jetë sa më demokratik për të pasur një Parlament e qeveri legjitime dhe efikase. Të mos harrojmë se në legjislaturën që po lëmë pas nuk mundëm të merrnim statusin e vendit kandidat të Bashkimit Europian. Ky është një dështim që i faturohet politikës, sikurse e kanë theksuar edhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë për arsye të mosadministrimit të mirë të zgjedhjeve në të gjitha etapat, të mosmarrëveshjes për miratimin e ligjeve të nevojshme për kombin”.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :