Data : 12 12 2017
KryeTitujt :

Kapet i dyshuari, vëllai peng, 300 mijë USD gjobë biznesmenit

 

gjykata-e-krimeve-te-renda

Një 27-vjeçar është vënë në pranga gjatë një operacioni të Policisë së Shtetit për kapjen e personave që i kanë vënë gjobë 30 milionë lekë të rinj një biznesmeni nga Fieri.  I dyshuari është Aleks Lala, nga Shkodra dhe banues në Tiranë. Sipas burimeve të Policisë, në kërkim janë edhe dy persona të tjerë, bashkëpunëtorë të personit të ndaluar, që dyshohet se po mbajnë peng vëllain e biznesmenit nga Fieri për ta detyruar që të bëjë pagesën. Gjoba në vlerë të konsiderueshme, sipas grupit hetimor, është vendosur në formë presioni në këmbim të lirimit të pengut, që paraprakisht dyshohet se mbahet në Angli. Gjatë një operacioni të koduar “Koordinimi”, strukturat e Policisë së Fierit, Drejtorisë së Përgjithshme dhe të Forcës së Posaçme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, kanë bërë arrestimin e të riut që besohet se është njëri prej autorëve. Aleks Lala është vënë në pranga në afërsi të Unazës së Re, pak pas mesnatës të së shtunës. Ai u ndalua nga policia kur po priste të takohej me biznesmenin fierak, i cili do t’i dorëzonte paratë e kërkuara, me qëllim që t’i lirohej i vëllai emigrant në Angli. I dëmtuari kishte kërkuar që të fliste fillimisht në telefon me vëllain dhe pasi të kuptonte se ai ishte mirë dhe që pengmarrësit nuk i kishin bërë asgjë të keqe, atëherë do të pranonte të dorëzonte shumën e kërkuar. Burime nga grupi hetimor nuk dhanë më shumë detaje rreth ngjarjes, pasi thanë se operacioni është në vazhdim dhe publikimi i të dhënave mund të dëmtojë jo vetëm procesin e hetimit, por edhe personin që ende vazhdon të jetë peng i dy prej autorëve.

OPERACIONI
Burime zyrtare të Policisë së Shtetit thanë dje se strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionle, si dhe Prokurorinë e Krimeve të Rënda, finalizuan me sukses operacionin e koduar “Koordinimi”. Në kuadër të këtij operacioni u bë i mundur arrestimi në flagrancë, në afërsi të Unazës së Re në Tiranë, i shtetasit Aleks Ndue Lala, 27 vjeç, nga Shkodra dhe banues në kryeqytet. Megjithatë, duket se puna operacionale nuk është koordinuar siç pritej, pasi dy prej bashkëpunëtorëve të të arrestuarit vazhdojnë të jenë të lirë, madje nuk dihet nëse kanë liruar apo e mbajnë ende peng vëllain e një biznesmeni nga Fieri. “Aleks Lala akuzohet për veprën penale ‘shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunë për dhënie pasurie’, pasi nga hetimet e kryera ka rezultuar se ka kërcënuar një shtetas në qytetin e Fierit për dhënie pasurie në një shumë prej 30 milionë lekësh të rinj”, thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit. Sipas të njëjtave burime, arrestimi i 27-vjeçarit Lala u krye pas një hetimi intensiv dyjavor të strukturave të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë për Krime të Rënda. “Arrestimi i tij është bërë i mundur rreth orës 00:30 të ditës së djeshme, në Tiranë, pas një operacioni të mirorganizuar të forcave të Policisë së Shtetit. Nga strukturat e Policisë së Shtetit vazhdojnë hetimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të aktivitetit kriminal të këtij shtetasi”, thuhet zyrtarisht në njoftimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë.

TELEFONATA
Biznesmeni nga Fieri, i cili prej më shumë se dy javësh kërcënohet në telefon nga persona të panjohur, të cilët i kërkojnë 30 milionë lekë të rinj, vetëm pak ditë më parë është vënë në dijeni se autorët i mbajnë peng të vëllain. Ai fillimisht kishte bërë denoncim në Policinë e Fierit për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie”, por gjatë hetimeve të policisë, por edhe vetë i dëmtuari ka zbuluar se kjo shumë i kërkohej në këmbim të jetës së të vëllait. Madje, ai ka kërkuar të flasë në telefon me të vëllain, në mënyrë që të bindej për pengmarrjen. Dy ditë më parë, dy persona i kanë bërë një telefonatë dhe për disa sekonda e kanë lejuar që të fliste me pengun.

DY NE KERKIM
Ndonëse në njoftimin zyrtar Policia e Shtetit tha se përfundoi me sukses operacioni “Koordinimi”, me arrestimin e një 27-vjeçari i cili akuzohej për gjobëvënie 30 milionë lekë të rinj ndaj një biznesmeni fierak, duket se aksioni ende nuk është mbyllur. Burime nga grupi hetimor kanë refuzuar të jepnin më shumë të dhëna rreth ngjarjes, pasi ende nuk është përfunduar as gjysma e punës. Është kapur vetëm një person në Tiranë, ndërsa dy të tjerë vazhdojnë të jenë në kërkim e për më tepër ngjarja është në zhvillim, pasi ende nuk është saktësuar nëse dy të dyshuarit vazhdojnë të mbajnë peng apo e kanë liruar vëllain e biznesmenit nga Fieri.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :