Data : 15 11 2018
KryeTitujt :

Intervistë me balerinin Hermes Nikaj

Intervista : Flet Balerini , Top ~ Modeli & Prezantuesi i njohur televiziv , Hermes Nikaj .
NikajJa cilat janë tendencat e fundit të sezonit dimëror !

Nga Albert ZHOLI

… I apasionuar pas pasarelave dhe ëndrrës për të qënë një Model, Hermes Nikaj, nipi i artistes së njohur Pavlina Nikaj, e cila në vitet ’50-’70, së bashku me Marjana Dajën u bënë mjaft të dashura për publikun shqiptar, sot është një ndër imazhet më të kërkuara në botën shqiptare të modës, por edhe jashtë vendit. Është i qeshur, mjaft i dashur dhe me direktiva të qarta për sa i përket botës së modës. Mes fjalëve të tij , duket qartë një djale me ambicie, mjaft i kujdesur në ato që thotë dhe që nuk pranon të adhurojë askënd, përvec punës së tij . Ne një intervistë ndryshe si më parë , Hermesi , i njohur dhe nga programi i popullarizuar i Tv Klan, “Aldo Morning ” flet ekskluzivisht për “Telegraf” për pjesëmarrjen në Javën e Modës për veshjet dimërore në “TEG”, tendencat e sezonit, pasionet e tij jashtë modelingut dhe angazhimet e momentit . Në intervistën e mëposhtëme do të mund të lexoni gjithcka, mbi jeten aktuale të bukuroshit Hermes Nikaj .

 - Para disa ditësh në ambientet e qendrës tregtare “TEG” u zhvillua Java e Modës për veshjet dimërore. Pjesë e këtij eventi ishit dhe ju, si u ndjetë?
Pikërisht, para disa ditësh u mbajt Eventi “Java e Modës” , nje spektakël i zhvilluar në ambjentet e TEG, një prej qëndrave më të mëdhaja tregtare në kryeqytet , ku pjesëmarrës isha dhe unë duke sfiluar për veshjet e ndryshme të sezonit dimëror e duke u bërë pjesë e katalogëve përkatës. U ndjeva shkëlqyer, teksa parakaloja në sfilatë duke mbajtur në trup veshjet e markave më të njohura sot per sot.

 -Cilat ishin tendencat e këtij sezoni vjeshtë- dimër?
Tendencat e dimrit nuk njohin limite këtë sezon. Ato që i karakterizonin koleksionet ishin ngjyra pa fund, dizenjot mesdhetare e ato latine. Mesa duket koleksioni i Guçi-t e i D&G ishin mjaftueshëm frymëzues për pasuesit të cilët sollën një mori ngjyrash e modelesh ekstravagante këtë sezon dimëror . Celio besnik si gjithmonë , pa ndryshime të mëdha kishte sjellë një koleksion mjaft maskilist duke përdorur ngjyrat e tokës dhe grinë . Roço Baroço të kujtonte koleksionet e Gabanna-s para dy viteve, duke mbizotëruar e bardha dhe tyli. Cortefiel solli një shpërthim me ngjyra elektrike dhe dizenjo pafund.

-Tashmë prej disa vitesh jeni një ndër modelët më të kërkuar në tregun shqiptarë. Si i kujtoni fillimet tuaja?
Fillimet e mia në Modeling në fakt kanë qënë të hershme . Prej 4 vitesh merrem me Balet & Modeling dhe mendoj se, sot jam profesionist në këtë fushë . Unë kam përfaqësuar Shqipërinë në shumë evente dhe kompeticione mode duke marrë vlerësime për tiparet dhe fizikun tim të vecantë, te cilin e përkufizuan të tipit latin. Gjithashtu, kam pozuar për koleksjone veshjesh të firmave të ndryshme, duke u bërë pjesë e katalogëve përkatës. Tashmë u bënë katër vjet që po merrem me balet & modeling dhe aktualisht jam pjesë e Agjencisë Icon, si Model.

- Nëse një ditë do të kishit një ofertë për tu larguar nga Shqipëria për të ndjekur rrugën e modelimit. Do të pranoje?
Ofertat kanë qënë të shumta, por i kam refuzuar pasi nuk qëndroj dot larg familjes time të dashur duke qënë se jam dhe djalë i vetëm .

-Përveç modelimit cilët janë pasionet e Hermesit?
Pasioni më i madh i jetës time janë pasarelat, por nuk ngelet pas baleti, televizioni, aktrimi dhe udhëtimet në vende të ndryshme te botës.

 -Si janë raportet tuaja me modelët e tjerë me emër në Shqipëri dhe a shikoni konkurrencë mes njëri-tjetrit?
Sigurisht që konkurrenca është e madhe, por falë punës dhe arritjeve të mia , sot emri im është një ndër më të lakuarit sa i përket modës dhe televizionit

-I ri në moshë dhe me sukses mbi supe, ky quhet guxim ?
Edhe guxim, edhe punë, edhe ëndërr, edhe një horizont drejt të ardhmes time. Përqindja e guximit është e madhe por 100 % është puna ime, pasi ëndrra tashmë po bëhet realitet .Më pëlqen të qëndroj tek e para, pasi po nuk guxove nuk arrin të mësosh as suksesin, as dështimin. Njeriu mundohet t’i ketë të dyja këto gjëra dhe mes tyre të bëjë një balancë të ndershme .

- Kë konsideroni mikun apo mikeshën më të mirë?
Mikesha ime më e mirë është Parukjerja ime e dashur, Merita së cilës i tregoj gjithcka dhe më këshillon pafund.

 -Si vishesh në jetën e përditshme ? Po veshjet e femrave shqiptare si të duken ?
Veshja ime është gjithmonë në varësi të programit ditor që kam. Nësë është një ditë shkolle , normalisht i veshur sport & praktike. Nëse programi ditor kërkon dicka më klasike apo moderne , sigurisht që i përshtatem eventit. Nëse flasim për femra që janë imazhe mediatike, them se i kapin tendencat, pasi vajzat e ekranit janë të mirëinformuara. Nëse flasim për vajzat e vogla, e teprojnë pak më veshjen e paradites ose në shkollë. Mendoj së është bukur t’i shikosh pa grim. Vitet e fundit tendenca po ndryshon, ama mendoj se duhet shumë kujdes në kombinimin e veshjes me stilin qe të përket, dhe ditës që kemi përpara.

 -Modelingu për ju është pasion, profesion apo biznes ?

Modelingu nis në të gjithë globin si një Pasion. Koha më pas të tregon nëse mund të kthehet në një profesion të mirëfilltë. Mundësitë për modelingun e një vendi të vogël dhe me shumë problematika si Shqipëria, janë të kufizuara. Rrallë herë moda merr prioritet dhe kjo është e kuptueshme. Por, pa diskutim që jemi në një situatë më të mirë se 5 apo 10 vite më parë. Sot ka më shumë aktivitete, më shumë sfilata, dhe kjo bën që gjithsecili të ketë më shumë mundësi.

- Cilat janë projektet tuaja gjatë këtij fillimi vitit?

Projektet e mia sigurisht që lidhen me Televizionin . Shpresoj qe ti rikthem sërish programit të mëngjesit në Televizionin Klan “Aldo Morning” , në të cilin mungoj prej pak muajsh. Gjithashtu dhe studimet e larta zënë një pjesë mjaft të rëndësishme në formimin tim. Këtë vit diplomohem për Gjuhë të Huaja dhe më pas dua të vazhdoj një master të përgjithshëm për Gazetari. Kam shumë surpriza, më ndiqni !

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :