Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

INTERVISTA/ Flet klarinetisti i parë i orkestrës së TOB, Elton Katroshi: Laver Bariu, mjeshtër i klarinetës për muzikë popullore

INTERVISTA/  Flet klarinetisti i parë i orkestrës së TOB, Elton Katroshi: Laver Bariu, mjeshtër i klarinetës për muzikë popullore

Muzika klasike ka rregulla, norma, ku njeriu jep art në interpretim 

Albert ZHOLI

Ka qenë i dashurar me muzikën qysh fëmijë. Dëgjonte muzikë dhe këngë, por tingulli i klarinetës e magjepste. Ndoshta edhe pse në vendin tonë sidomos në dasma  kjo vegël muzikore është e padiskutueshme. Ishte 10 vjeç kur po ndërgjegjësohej se kjo vegël muzikore do të ishte profesioni i ardhshëm i tij. Kudo që shkonte fliste për të dhe merrte informacione për të. Pastaj shkoi në shkollën e mesme muzikore “Jordan Misja”, ku mësoi po këtë vegël muzikore. Në shkollën e mesme të muxikës mori shumë mësime të cilat i shërbyen në konkursin që zhvilloi në Akademinë e Arteve për të vazhduar shkollën e lartë për klarinetë. Në konkurs fitoi me pikë të plota, ku gjeti një vlerësim nga pedagogët që për të mbeten majft korrekt dhe profesional. 

Kush ishte pedagogu juaj në Akademinë e Arteve (Sot Universiteti i Arteve) dhe cili është vlerësimi juaj për të?

Pedagogu im ka qenë Kiço Dako, një pedagog nga më të mirët, më i vjetri në klarinetë që ka nxjerrë gjenerata të tëra studentësh, që kanë bërë emër. Me të jam ndjerë shumë mirë, pasi kishte shumë përvojë dhe kishte një përgatitje të mië. Më ka ndjekur më shumë kujdes dhe me shumë interes. Gjatë viteve studimore mora pjesë në shumë aktivitet që zhvillonte Akademia e Arteve duke bërë që ta përdorja sa më mirë këtë instrument frymor.

Si filluat punë në TOB duke qenë se, ky është institucioni më i rëndësishëm i muzikës shqiptare?

Unë kam mbaruar Akademinë e Arteve në vitin 2002 dhe pikërisht në atë vit bëra audicion  për të qenë klarinetist i TOB. Në audicion fitova me vlerësim maksimal duke fituar të drejtën për të qenë klarinetist i parë i TOB. Pra tashmë po bëj 11 vjet dhe them se, kam punuar me seriozitet dhe përkushtim.

Sa premiera keni luajtur në TOB?

Plot 80 pa diskutuar që një numër shumë më i madh shfaqjesh, pasi një operë, apo balet e kemi vënë ën skenë disa herë. Them që kam vënë në skenë disa nga veprat më të mëdha operistike dhe ët baletit botëror. Pra në gjithë këto vite kam luajtur pa pushim, pasi duke qenë klarinetist i parë s’mund të lësh asnjë shfaqje. 

Në Shqipëri si klarinetist më i mirë njihet Laver Bariu, a është e vërtetë?

Po, është e vërtetë, por Laveri ishte një klarinetist i muzikës popullore, ndërsa ne jemi klarinetist të muzikës klasike. Muzika klasike ka ca rregulla më strikte, ca korniza që s’të lenë të lëvizësh, ndërsa muzika popullore ka hapësira ku mund të futësh diçka nga vetja, por ndjeshmëria në ët dy gjinitë është e njëjtë.

Ju keni zhvilluar disa koncerte recitale, jeni ndjerë se keni arritur çka keni pritur?

Besoj se po. Këtë e them pasi në të gjitha koncertet sallat kanë qenë të mbushura plot dhe specialistët më kanë vlerësuar. Gjithsej kam realizuar gjashtë koncerte në hollin e TOB dhe në sallën e Universitetit të Arteve.

Ju këtë vit morët pjesë në Festivalin Botëror të klarinetës në Itali, Çfarë të veçantash kishte ky festival?

Po, ky Festival u zhvillua në datat 24-29 korrik 2013 në Asizi të Italisë. Ky Festival titullohej “Klarinetë Fest”,  i cili është zhvilluar për herë të parë në vitin 1973 në Amerikë. Ky ishte Festivali i 40, i cili zhvillohet për çdo vit në vende të ndryshme të botës. Ky festival nuk ndan çmime por jep mundësinë që të paraqesësh talentin tënd, sikundër  të bësh prezent muzikën e vendit tënd. Në të morën pjesë klarinetist nga 70 vende të botës. Pra kishte shtete që përfaqësoheshin më shumë se nga dy klarinetist. Nga Shqipëria isha vetëm unë.  Këtë festival e organizonte klarinetisti italian me famë botërore Piro Viçenti, i cili është martuar me pianisten shqiptare Marsida Koni. Pikërisht me këtë pianiste  unë realizova koncertin tim recital. Të gjitha ditët u dhanë rreth 200 koncerte në të 7 teatrot e qytetit. 

Çfarë pjesësh interpretuat në këtë Festival?

Së bashku me pianisten Marsida Koni, ne luajtëm disa pjesë klasike të përshtatura. Ndër to veçoj rapsodinë e Tish Daisë për flaut të cilën e përshtata dhe transkriptova për klarinetë. Mund të përmend një baladë të Pjetër Gacit, të cilën sërish e përshtata për klarinetë. Njëkohësit ter valle Shqiptare i përshtata për klarinetë, duke qenë se ishin për orkestrine dhe për ketë me ndihmoi Vladimir Hasimi. Të gjitha pjesët tona u mirëpritën, pasi ishin të panjohura për publikun. Në këtë Festival dua të përmend ata që më përkrahën më shumë që më sponsorizuan mua si individ firmat prestigjioze: Së pari atë Franceze te aksesoreve  për klarinetë “Vandoren” dhe “Patricola” që prodhon klarineta artizanale të cilësisë më të mirë. Pa përkrahjen e tyre pjesëmarrja ime do të ishte e dyshimtë.

Cilat janë vendet që përdoret më shumë klarineta?

Sot klarineta është një nga instrumentet më të përdorshme në çdo orkestër, qoftë klasike qoftë popullore. Deri dje thuhej që Ballkani është rajoni që i përdor më shumë, por sot në fakt nuk është kështu. Sot ne gati çdo vend të botës klarineta është bërë një instrument dominues.

Cila muzikë është në modë sot dhe ku klarineta ka një vend të preferuar?

Sot në botë pëlqehet muzika Kelzmer, muzika hebreje. Ajo po pushton tashmë botën në mënyrë graduale. Ç’do klarinetist mundohet të ketë në repertorin e tij këtë muzike.

Si një klarinetist i arsimuar madje dhe me master klas, për arsye ekonomike merrni pjesë në dasma?

Jo. Aspak. Unë jam në një punë e cila më kërkon gjithmonë të luaj në mënyrë virtuoze. Unë gjatë ditës duhet patjetër të bëj prova sistematike dhe me shumë kërkesa. Muzika klasike ka rregulla, norma, ku njeriu jep art në interpretim, por kurrë në teprime. Pra nuk ka vetështim të muzikës në këtë gjini muzike. Ndaj n.q.s do merresh me muzikë popullore, duhet të heqësh dorë nga muzika klasike. Secila ka rregullat e saj.

Ku është ndryshimi i një muzike popullore nga ajo klasike?

Por e sqarova. Vetë muzika klasike është bijë e muzikës popullore, por tashmë, më e përpunuar, më e stilizuar, më e perfeksionuar. Në muzikën klasike formatohet muzika, ndërtohet mbi disa rregulla, norma, më të avancuara, të cilat je i detyruar rigorozisht t’i zbatosh.

Jeni një çift bashkëshortësh që merreni me muzikë, a e bën më të fortë lidhjen tuaj?

Po. Enalda është flautiste e parë në TOB, unë klarinetist i parë në TOB. Kjo lidhje na mundëson të ecim më para, të lidhemi më  shumë me muzikën pasi duke qenë profesionistë, ja vëmë më shumë në dukje të metat njeri- tjetrit. Aq më tepër që dy instrumentet tonë janë plotësues të njëri -tjetrit në muzikën operistike.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :