Data : 12 12 2017
KryeTitujt :

INTERVISTA/ Flet Drejtorja e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, Albana Dule: Disa herë s’kemi lekë të paguajmë dritat

INTERVISTA/ Flet Drejtorja e Shtëpisë së Fëmijës “Zyber Hallulli”, Albana Dule: Disa herë s’kemi lekë të paguajmë dritat

Shtëpi fëmije me kushte komode, por mbijetojmë me vështirësi

Albert ZHOLI

Kisha përshtypjen se do të gjeja një Shtëpi, ku muret do të ishin blanga- blanga nga shenjat e topave në to, ku do kishte zhurmë fjalësh pa mbarim, ku asgjë nuk do të ishte në vendin e vet…Por, gabova. Aty çdo gjë ishte dhe fliste me gjuhën e kulturës. Mure të pastër, dysheme që shkëlqente, kuzhinë si një farmaci, ambiente që rrallë i gjen në familjet normale, një kujdes i veçantë. Sa hynë fëmijët në sallonin e madh përqafojnë me radhë drejtoren dhe ngjisin shkallët për tek ambientet e shplodhjes dhe argëtimit të gjitha mjaft  komode. Në gjithë kolektivin vihej re një harmoni shembullore. Vizitova deri në imtësi çdo veprim.

Sot ka shumë shtëpi fëmijësh, po Shtëpia e Fëmijës “Zyber Hallulli” çfarë përfaqëson?

Kjo Shtëpi është institucion shtetëror i Përkujdesjes Sociale (Varet nga Ministria e Punës dhe Çështjes Sociale), e cila ofron shërbim rezidencial shtëpi-familje, në varësi të Shërbimit Social Shtetëror, në ndihmë të fëmijëve në nevojë të moshës shkollore 6-16 vjeç.

Çfarë ofron kjo Shtëpi?

Kjo Shtëpi ofron kushtet e një ambient familjar komod dhe bashkëkohor, mirërritje, kujdes shëndetësor, përkujdesje sociale, edukim dhe arsimim, trajtim psiko-social, vendosjen e fëmijëve në mjedisin e tyre familjar (me përparësi atë të origjinës) dhe kur kjo nuk është e mundur (për shkak të kushteve ekonomike dhe sociale), vendoset që fëmija të kalojë në një familje birësuese sipas gjithë legjislacionit në fuqi.

Kjo Shtëpi –familje është një alternativë e vlefshme ndaj institucionalizimit.

Çfarë nënkupton kjo?

Kjo nënkupton një komunitet edukativ rezidencial me dimensione dhe karakteristika afektive, edukative, funksionale dhe organizative të tipit familjar. Aktualisht shtëpia e fëmijës është transformuar në tipin shtëpi-familje, e konceptuar me katër ambiente të veçanta (apartamente), ku çdo apartament përmban fëmijë të një grup moshe (12 fëmijë kapaciteti për çdo apartament).

Çfarë aktivitetesh zhvillohen në këtë shtëpi?

Një ndër aktivitet kryesore dhe më të dashura për fëmijët janë pushimet verore. Çdo vit fëmijët në periudhën korrk-gusht kalojnë pushimet verore në mal dhe bregdet. Aktivitete kulturoro-artistike, ku Shtëpia jonë ka grupin e saj artistik, ku vetë fëmijët përgatisin programet sipas festave të ndryshme dhe ditëlindjet e tyre. Në ambientet e Shtëpisë zhvillohen kurse të ndryshme si në arte figurative, muzikë, këngë, kërcim qëndistari. Aktivitete sportive si futboll, pingpong, si dhe lojëra të ndryshme tradicionale. Lojëra psiko-sociale, të cilat zhvillohen me qëllim fuqizimin e aftësive personale, emocionale dhe fizike të fëmijëve nëpërmjet metodologjisë lëvizje-lojëra-sport.  Këtu dua të përmend  shkollën “Perform-Fest” të Zana Çelës, e cila na ka dhënë një ndihmë të madhe për krijimin e grupit artistik. Njëkohësisht nuk mund të le pa përmendur kujdestaren Rajmonda Meshini që është bërë si nënë për të gjithë fëmijët.

Cila është mosha e fëmijëve në këtë Shtëpi?

Banorët e Shtëpisë janë të një grupmoshe 6-16 vjeç dhe pavarësisht kombësisë, gjinisë, fesë dhe racës, ata jetojnë së bashku në harmoni në këto apartamente deri në periudhën  limit të arritjes së moshës së tyre. Kjo bashkëjetesë krijon mundësinë e ruajtjes së marrëdhënieve brenda një familjeje (si në rastet kur janë motra dhe vëllezër biologjik) dhe kjo e përcaktuar sipas vlerësimit paraprak në planet individuale që i përket secilës fëmijë, në lidhje me hapësirën e banimit të tyre.

Çfarë strukture organizative ka çdo shtëpi-familje?

Çdo shtëpi-familje ka nga 3 dhoma gjumi me nga 2-3 shtretër, një kuzhinë dhe ambienti i ngrënies, tre tualete, tre ambiente dushi, një dhomë argëtimi për kohën e lirë dhe një dhomë studimi me bibliotekë.

Sa fëmijë ka shtëpia “Zyber Hallulli?

Kjo shtëpi ka 40 fëmijë, kur kapaciteti i saj është 48 fëmijë. Janë fëmijë me target të ndryshëm, fëmijë jetimë social, fëmijë jetim biologjik,  dhe të problematikave dhe të moshave të ndryshme. Është Shtëpi Fëmije e sistemit shkollor që  do të thotë mësimi është në qendër të vëmendjes. Këtu jepet edukimi formal dhe jo formal, që do të thotë edukimi shkollor në një shkollë publike, edukimi  dhe shërbimi shëndetësor. Më tej edukimi se ç’është familja se si përshtaten me jetën dhe detyrat për një familje normale, pavarësisht se prindërit nuk arrijnë të kujdesen për ta. Sfida është integrimi i këtyre fëmijëve në jetën shoqërore, integrimi për të përballuar sfidat e jetës për të ardhmen e tyre pasi të dalin nga institucioni. Gjithë financimi jepet nga buxheti i shtetit, ku llogariten nevojat e tyre bazike, jetike si rrobat, veshmbathjet, ushqimi, shëndetësi, etj…

Ushqimi a është i mjaftueshëm?

Kuota ditore është 330 lekë për çdo fëmijë në ditë. Me thënë të drejtën  nuk është se mbulohet vetëm nga shteti, por për këtë sasi janë bërë llogaritjet e nevojshme për të marrë kaloritë ditore. Por ndoshta harrohet që fëmijët kanë dhe dëshirat e tyre, kanë dhe kërkesat e tyre dhe këtë pjesë ne na e mbulojnë donatorët. Që do të thotë, pijet e ndryshme freskuese, lëngjet, që ne nuk i mbulojmë dot me buxhetin tonë, për tu realizuar, apo dhe ëmbëlsira që kanë qejf, apo pica një apo dy herë në javë gjellë specifike ne i mbulojmë apo i sigurojmë nga biznese, persona fizikë, apo organizata të ndryshme. Janë disa të tilla që na ndihmojnë në raste ditëlindjesh, në raste festash, apo dhe kur bëjmë kërkesa speciale. Mund të themi se kemi dhe dhurata të ndryshme nga persona që as nuk kërkojnë t’ua bëjmë prezent emrin.

Cilat janë problemet kryesore të Shtëpisë së Fëmijës?

Kryesorja është buxheti. Ne thamë më lart që ky buxhet na realizon vetëm nevojat bazike. Ky buxhet duhet të jetë shumë më i madh për vetë nevojat që ka institucioni. Buxheti duhet të jetë shumë më i gjerë pasi është gjithëpërfshirës, p.sh një element jetësor është dhe kaldaja që në dimër  është problematike pagesa e energjisë elektrike, për vetë harxhimin e madh të saj. Problemi i fundit ishte ai i ndërprerjes së energjisë elektrike të gjithë institucioneve  që janë  debitorë në CEZ. Një prej këtyre institucioneve ishte dhe yni. Kjo ndërprerje solli mosfunksionimin në rregull të jetës së përditshme në këtë shtëpi. Solli anomali në gatim, në ruajtjen e ushqimeve në frigorifer (pasi dritat u ndërprenë tre ditë), pasi tek ne janë eliminuar gatimet dhe shërbimet me gaz, pasi është lëng shumë problematik, ku duhet kujdes i madh. Edhe vetë furnizimi me ujë i gjithë institucionit është lidhur me energjinë elektrike, pasi bëhet me pompa thithje me furnizim të veçantë. Imagjino tani 40 fëmijë dhe gjithë personeli të rrinë tre ditë në errësirë, pa ujë, pa ushqim, etj…që përbënte një rast epidemie dhe probleme të ndryshme shëndetësore pa diskutuar që mund të ketë dhe helmime nga ushqimet. Duke trokitur në disa dyer, mundëm që ta shtyjmë për disa ditë pagesën duke bërë një pagesë ekstra nga buxheti i pamjaftueshëm që kemi aktualisht, pasi Ministria nuk kishte të na paguante. Dhe bëhet fjalë që ne të paguajmë për llogari të viteve 2007-2011. Kjo nuk ka ardhur nga keqmenaxhimi i fondit nga ana jonë, por për probleme të mbarsura. Përveç Institucionit të Shtëpisë së fëmijës, kam në vartësi Konviktin e Jetimëve që është në shkollën “Besnik Sykja”.

Çfarë është ky konvikt?

Ky konvikt është një qendër që ka qenë dikur  konvikt tek shkolla e rezervave dhe që është dhënë në vartësinë tonë, ku jetimët që ikin nga institucioni, pra pas moshës 16 vjeç, pasi shkojnë në shkolla profesionale,ata aty akomodohen për të mbaruar shkollat. Një qendër, ku nuk është vënë dorë prej vitesh, ku dritat dhe ujin i paguajmë ne si Institucion. Pra i paguajmë ne që nuk kemi asnjë lidhje me atë buxhet. Debiti i tyre është shumë i madh pasi aty kanë krijuar dhe familje dhe këto pagesa i bëjmë ne sërish. Personali i tyre është nga ne, pra kemi një kujdestar për shumë probleme, si p.sh defekte rrjeti ujor, elektrik, etj…Afërisht 2 milionë e 700 mijë lekë (të vjetra) është fatura mujore e energjisë elektrike e tyre. Aty janë shumë familje, por edhe të tjerë pa familje që lahen, gatuajnë, gjithë pajisjet elektrike që kanë, paguhen nga ne.

A ka disiplinë në këtë Shtëpi?

Sigurisht që ka, pasi personali është ndarë në edukatorë dhe në kujdestarë. Edukatorët janë ata që merren me zhvillimin  mësimor të pasdites, me studimin e fëmijëve, ku të gjithë diskutojnë dhe ndihmohen për mësime të veçanta. Edukatorët bëjnë dhe planin edukativ. Pasi vijnë  nga shkolla, hanë bukë, pastaj kanë 2 orë pushim, kohë e lirë, ku ata bëjnë biseda të lira, si kaluan në shkollë, ku edukatoret zhvillojnë biseda të ndryshme edukative.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Fundit