Data : 15 11 2018
KryeTitujt :

Intervista e fundit me Marash Hajatin

Albert Zholi: INTERVISTA IME E FUNDIT ME MARASH HAJATIN

 

Intervista ime e fundit me Marash Hajatin para se të ndrronte jetë.
                                                                                                                                                               albert-zholi
 E. Hoxha për katër dekada me radhë, udhëhoqi, bëri ligjin, nënshtroi me grushtin e hekurt, qeshi, vajtoi, ngriti e ndërtoi, arsimoi, uli e ndëshkoi. Një histori e gjatë.

Historia-Enver Hoxha para kamerave
Gjithçka vetëm sipas xhirimeve televizive
Rrëfen Marash Hajati, publicist, ish drejtor i Televizionit dhe Drejtor i Përgjithshëm i RTSH

 

Nga Albert Zholi.

Marash-Hajati-150x150

Zoti Marash Hajati, për mbi 20 vjet me detyrë qëndrore në drejtim të shtypit shqiptar e brenda kësaj periudhe, 15 vjet drejtor i televizionit e Radiotelevizionit të vetëm në atë kohë, në mënyrë ekskluzive, do të sjellë para lexuesve të gazetës sonë me realizëm në fushën profesionale të paraqitjes xhirimeve e regjisë televizive:

Zoti Marash, është një sipërmarrje e madhe, bile mund të them artileri e rëndë në fushën e publicistikës, paraqitja e kësaj teme në media. Por, nisur nga përvoja juaj në fushën e gazetarisë, kjo do të jetë me vlera në njohjen e historisë së gjallë dokumentare të shtypit shqiptar. Faleminderit që zgjodhët gazetën tonë.

 Për t’u lënë sa më shumë fushë veprimi mendimit tuaj, ju bëjmë fillimisht një pyetje të shkurtër: Nga do ta nisni intervistën?

 Faleminderit për çfarë thatë. Ky është një obligim për të qenë sa më realist në shtjellimin e kësaj teme vetëm sipas fakteve të ekranit. Fillimisht nisur dhe nga sensi profesional si redaktor i shtypit të shkruar, por edhe si njohës i ekranit, do të jap disa karakteristika të figurës së Enver Hoxhës për të arritur deri tek kamera.
Ka qenë rrjedha e ngjarjeve historike, që përcaktoi fatin e Shqipërisë për të mos u ndarë nga emri i E. Hoxhës për katër dekada me radhë. Si figurë qendrore e një shteti që po ribëhej në drejtime të panjohura, ai udhëhoqi, bëri ligjin, nënshtroi me grushtin e hekurt, qeshi, vajtoi, ngriti e ndërtoi, arsimoi, uli e ndëshkoi…Një rrugë e gjatë peripecish, arritjesh e humbjesh të një shteti e të një populli të tërë. Koha e sundimit të E. H. nuk është as magji, as pa shpjegime. Ai erdhi në krye të vendit në rrethana të ndërlikuara, por të volitshme për ambiciet e qëllimet që i kishte vënë vetes.
Mes flakëve të Luftës së Dytë Botërore, Musolini më 7 prill 1939, hodhi këmbët në bregun më të dobët të Gadishullit Ballkanik, në Shqipërinë e varfër e të rraskapitur për të ngritur më tej urën e pushtimeve drejt Lindjes. Kundër agresorëve, nën flamurin e interesave kombëtare u ngritën krerë, atdhetarë, nacionalistë të rrymave politike nga më të ndryshmet, për të udhëhequr revoltën, manifestimet e qëndresën aktive kundër zbarkimeve italiane. Të mësuar për dhjetëra vjet me radhë nga historiografia shqiptare, se e vetmja forcë organizuese, që solli çlirimin e vendit ka qenë Partia Komuniste me E.Hoxhën në krye, nuk e pengon sot aspak hapjen e rrugës së studimeve objektive për t’i dhënë cilësdo force politike meritën e paraqitjes së kontributit real, që i takon për atë rrethanë apo situatë që u krijua. Por askush tjetër nuk diti e nuk manovroi si E.H. për marrjen e pushtetit dhe vazhdimin e qëndrimit në krye të tij pas luftës së çlirimit. Për të arritur në këtë finale, ai bashkoi më zgjuarsi tytat e armëve të komandantëve trima e të dëgjuar si: M.Peza, H.Lleshi, S. Moisiu, R. Kodheli, M.Shehu etj, që opinioni i asaj kohe i njihte dhe i respektonte. Me taktikën e “ruajtjes fizike” të udhëheqësit dhe rolin e padukshëm, por tepër të fuqishëm të Partisë Komuniste, në kohën kur nazifashizmi ulte kokën i shpartalluar në dyert e Stalingradit e të Moskës, E.H. del i pari në drejtim të luftës, komandant i ushtrisë partizane. I pari në krye të Frontit demokratik, i pari në Qeverinë e Përkohshme. Kudo në krye, kudo në drejtim, kudo i pari. Ai fitoi dhe e mbajti pushtetin me metodat e luftës dhe mbeti zbatues i këtyre metodave, derisa u nda nga jeta.

Po, cilat kanë qenë premisat që e mbajtën aq gjatë E. Hoxhën në pushtet?

 Mendoj se janë tri kryesore. Së pari, ai i përket një plejade udhëheqësish të vendeve të Lindjes, që dolën fitimtarë mbi pushtuesit dhe bashkëpunëtorët e tyre. I gjithë ky brez sundimtarësh e quante veten shpëtimtar të kombeve të tyre, si: Dimitrovi në Bullgari, Georgiu Dezhi në Rumani, Bejruti në Poloni, Ulbrihti në Gjermani, Kim Ir Seni në Korenë e Veriut, Tito në Jugosllavi, pa folur për Stalinin e Mao Ce Dunin, që në vendet e tyre morën gati pamje hyjnish. Të gjithë këta udhëheqës, as nuk mund ta mendonin veten të zëvendësuar. Erdhën në pushtet nga gryka e pushkës dhe vetëm ndonjë luftë e re mund t’i zbriste nga ai post. Gjithçka u shkrua dhe u saksionua në favorin e tyre: ligjet, kushtetuta, vendimet, ngjarjet. Në realitet, asnjë nga këta sundues nuk u largua dhe nuk e dorëzoi pushtetin, sa qe gjallë. Me fronet, ata i ndau vetëm vdekja. E.H. ishte më i riu prej tyre e sundoi më gjatë se të tjerët. Vetëm Kim Ir Seni i Koresë së Veriut ia kaloi me 50 vjet sundim. Imagjinoni tani që të ndodhte kjo në një sistem si ai demokratik perëndimor apo Amerika. Titos do t’i duhej të kalonte 9 mandate në kutitë e zgjedhësve. E.Hoxha do të merrte 10 mandate rresht. Kim Ir Seni do të votohej për 13 katërvjeçarë. Një çmenduri e vërtetë. Në vendet perëndimore sot, apo në Amerikë ndonjë kandidature i bie të zgjidhet për herë të dytë e njerëzit mërziten, derisa ta lërë pushtetin. Natyrisht sistemi i udhëheqjes së përjetshme sot është tkurrur e strukur në pak vende të botës, të cilat janë edhe më të pazhvilluarat.
Faktor i dytë i rëndësishëm, që favorizoi pushtetin e gjatë të E. H. ishte varfëria deri në mjerim e vendit. Shqipërinë e asaj kohe ishte tepër e vështirë ta përcaktoje, se cilit sistem shoqëror i përkiste. Me rreth 90 përqind të popullsisë analfabete, ajo përpëlitej mes grindjesh, pangrënies, gjakmarrjes etj. Të çoje në atë kohë deri në krahinat më të largëta të Shqipërisë, bukën e kripën, vajgurin, veshjen, këpucët etj., ishte njëlloj si të ndërtoje një qytet në shkretëtirë. Të çoje mësuesin dhe shkollën, diturinë deri në thellësitë, ku edhe mushka nuk gjente dot rrugë, ishte një ëndërr. Të shkruanin e të lexonin letra në çdo shtëpi, ishte një përrallë. Të çoje llambën elektrike në vend të pishës, ishte njëlloj sikur të zbrisje në errësirrën shekullore një copë diell. Të gjitha këto për fatin e mirë kanë ndodhur nën sundimin e tij. Këto ndryshime nuk i kupton, as nuk i imagjinon brezi i sotshëm dhe i disa viteve më parë, por s’duhet harruar për asnjë çast se, sëbashku me përparimin ai çoi atje partinë, diktatin, nënshtrimin, që i shërbenin lakmisë për të mos e lëshuar kurrë pushtetin.
Faktori i tretë, që ka ndikuar në jetëgjatësinë e dorës së hekurt të E. H. ka qenë politika e tij e veçantë brenda rrethit të ngushtë të udhëheqjes. Duke folur tri herë në ditë për unitetin, ai kurrë nuk preferoi të jetonte në amulli, pa vigjilencë, pa zbulim kundërshtarësh, pa shtypje e ushtrim frike. Në vetvete kjo metodë drejtimi mbante të tensionuar çdo pjesëtar të udhëheqjes. Për çdo veprim kërkohej maturi e besnikëri. Mjaftonte që ndonjëri nga udhëheqësit e tjerë apo bashkëpunëtorët e afërt të shqiptonte propozime apo mendime më të zgjuara se të tijat, apo të krijohej ndonjë farë dyshimi për rivalitet, që i lartpërmenduri të përfundonte në ndonjë grup antiparti. Nëse grup nuk kishte, ai do të krijohej. Ndarja me të keqen, forconte e çelikoste udhëheqjen. Tani për t’u kthyer tek tema jonë.
Me këto veçori e me këtë karakter, ka ardhur E.Hoxha që në ditët e para të pushtetit, në moshë të burrëruar përpara aparateve dhe kamerave filmike. Me shkathtësi e gjallëri, ai kurrë nuk pozoi i stisur, por qëndroi para objektivit për t’u thënë bashkështetasve se është aty jo për t’i parë, por për të paraqitur plotfuqishmërinë e tij drejtuese. Për rreth 20 vjet me radhë, derisa edhe në Shqipëri hyri televizioni, shtypi, gazetat dhe revistat e më pas dhe filmi dokumentar, kanë qenë vitrina numër një e portretit dhe veprimtarisë së E. Hoxhës. Në çdo festë apo ngjarje përkujtimore, në pritje të delegacioneve, në vizitat nëpër Shqipëri e jashtë shtetit, kudo dhe përherë s’pushonte së shkrepuri aparati. Fotografitë zyrtare, që shumëfishoheshin në disa kopje, kalonin pragun e K.Q. për zgjedhje e për caktim botimi. Në vitet e para të gjitha organet e shtypit vinin të njejtën fotografi. Më pas ato u ndanë sipas tematikës. Deri vonë, viston për t’u bërë fotografitë publike e ka mbajtur E.H. e bashkëpunëtorët e afërm. Më pas e drejta e përcaktimit ka zbritur tek sekretari i propogandës, por asnjëherë pa dijeninë e N. Hoxhës. Popullaritet kanë pasur edhe filmat kronikalë, dokumentarë të Kinostudios “Shqipëria e Re”, që xhiroheshin shpejt dhe shfaqeshin para seancave të filmave artistikë në të gjitha kinematë e Shqipërisë.

 Kemi lexuar e dëgjuar që shumë udhëheqës në botë kanë bërë dhe mjeshtëri artistike për zgjedhjen e portretit fotografik dhe paraqitjen e tyre në mjediset shoqërore e në media. Si është ky raport te E. Hoxha?

 Çeshtja e paraqitjes së sunduesve para qytetarëve të vet ka qenë ka shkolla më e vjetër artistike që njihet. Këtu nuk bëjnë pjesë realizimet e portreteve në pikturë, skulpturë, fotografi, më vonë edhe filmimet, por edhe mësimet e mjeshtërisë aktoreske të lëvizjeve si dhe arti i komunikimit dhe të folurit artistik. Bile e gjithë kjo nuk është “pronë” vetëm e drejtuesve, mbretërve e presidentëve. Ajo është në vetë prirjet njerëzore. Kush nuk do të flasë bukur, rrjedhshëm e në mënyrë të figurshme! Kush nuk do ta paraqesë këtë art me hijeshi, me mimikë e lëvizje të pëlqyeshme! Mirëpo tek udhëheqësit për këtë veprim thonë fjalën e vet specialistë, mësues, piktorë deri edhe në komisione të veçanta merren me këtë punë. Por e gjithë kjo është vetëm pjesa ndihmëse kryesore, është aftësia, paraqitja, filozofia, inteligjenca e pse jo edhe guximi, forca e imponimit të vetë udhëheqësit. Për këtë historia ka shumë shembuj nga më të habitshmit. Por të kthehemi tek tema jonë. Për fatin e tij të mirë E. Hoxha përmbushte në shkallën e lartë tri kërkesat kryesore, që i duhen një prijësi: figurën, portretin e mënyrën e të ecurit dhe kjo është e para. Zërin mikrofonik me intonacionet më të pëlqyeshme për publikun dhe e treta, aftësitë e komunikimit hipnotizues. Këto s’kam pse t’i shpjegoj, sepse ata që kanë folur, biseduar e dialoguar me të më japin plotësisht të drejtë.

Atëherë, ju duhet ta keni pasur shumë të lehtë paraqitjen në televizor?

 Relativisht. Dhe ja pse. Në hapat e parë të televizionit eksperimental në vendin tonë, aty nga vitet ‘60-të, nuk pati ndonjë vëmendje të veçantë për informacionin televiziv. Më vonë erdhi duke u shtuar interesi. Me fillimet e viteve ‘70, televizioni njohu një rritje të dukshme. Me kompletimin e pajisjeve teknike, me zhvillimin e rritjen e krijimtarisë publicistike, krijuese e pasqyruese, ai u bë qendra më e rëndësishme e propogandës. E.H. e vlerësoi lart magjinë elektronike si mjet i pazëvendësueshëm në komunikimin me masat. Televizioni kishte përparësi të jashtëzakonshme për paraqitjen e platformave politike, mitingjeve, takimeve e bisedave “gju më gju me popullin”. Veç figurës, hyri si komponent edhe zëri, që i dha një vërtetësi jetësore, dokumentare, të pakrahasueshme me mjetet e tjera. E.Hoxhës i doli kështu në shteg një dhuratë e madhe, që duke u harmonizuar me talentin e tij si orator, bëri
një epokë të vetën për atë periudhë. Në të gjitha veprimtaritë e manifestimet, sekretari i parë i K.Q-së. do të ishte në qendër të kamerave. Në mjaft raste këto veprime organizoheshin enkas për të treguar se “Partia e shoku Enver ishin të pathyeshëm”.
Televizioni me grupe të veçanta e regjisorë të kualifikuar kishte plane tepër sekrete, ku do të bëheshin filmime. Për to deri në detaje interesohej personalisht R.Alia. Për paraqitjen autoritare të E.H në ekran, veçuar nga të tjerët, gradualisht u përpunua një “skemë” e hollësishme. Në kongrese, data përkujtimore, festime, ai do të hynte i pari në presidium, me hap të ngadalshëm e duke përshëndetur. Kamerat do të xhironin në disa plane me kalime të qeta. Kur brohoritjet e duartrokitjet të arrinin në shkallën më të lartë, atëherë hynte pjesa tjetër e byrosë. Në mbledhje të veçanta, kur nuk parashikoheshin duartrokitje, ai vinte i fundit, vetëm pasi të ishte vendosur një qetësi absolute. Kur ndonjë veprimtari është quajtur e paarrirë, jo në planin e përmbajtjes së ideve, por të cilësisë së figurës, paraqitjes e kjo ka ndodhur, atëherë takimi nuk është lejuar të transmetohej në televizion. Kështu një bisedë organizuar në Korçë me kuadro e veteranë, ngaqë nuk u lejua që të vendoseshin mjetet për ndriçim, kronika doli e zbehtë si pa jetë, vende-vende e errët. Duke mos u dhënë në televizion, ky aktivitet ngjalli shumë dyshime mbi gjendjen shëndetësore të E. H. Si kompesim, për t’u prerë rrugën përgojimeve e fjalëve të armiqve kundërshtarë, mbas pak kohësh E.H. doli para publikut në një manifestim me shokun Pilo Peristeri mes punëtorëve në uzinën “Traktori”. Më pas nuk na sollën aq shumë pengesa për vendosjen e prozhektorëve. Për hir të së vërtetës duhet thënë se E.H. ishte mjeshtër i komunikimit me kamerat. Ai duke depërtuar përballë saj, i jepte objektivit gjerësi manovrimi tepër të natyrshëm. Për atë çka do të pasqyrohej bëhej një konsultim i gjerë duke marrë në mjaft raste edhe pëlqimin e vetë E.H. Telashet më të mprehta krijoheshin në veprimtaritë e mëdha si: Parada, manifestimet e 1 Majit, kongreset etj., sepse mbas xhirimeve kërkoheshin shumë plane me figurën e E.H. për të plotësuar montazhin. Kohët e fundit të jetës së tij është filmuar në një kamera të veçantë, e cila regjistronte gjithë veprimtarinë në objektiv të drejtuar vetëm tek ai. Pastaj bëheshin zgjedhjet e planeve.
Paraqitja më spektakolare e E.H.në kamera, ka ndodhur në vitin 1978 me vizitat në Gjirokastër e Sarandë organizuar me shumë publicitet. Ato, që në fillim morën një karakter çmalljeje, ndjenjash personale, kujtime të fëmijërisë etj. Ishte koha, kur nga sheshi i Çerçizit në një miting të gjerë, ai iu drejtua bashkëqytetarëve:
- Hë, do thoni ju, po ç’u bëre!
Duke shfrytëzuar vendlindjen si arenë filmimesh në atë turne të gjatë, mund të themi se E.H. arriti një pikë kulmore të paraqitjes së tij në televizion. Çdo gjë ishte e programuar dhe e kronometruar, që nga shëtitjet në monopatet, sokakët e kalldrëmet e deri tek kafeja në shtëpinë pranë kalasë. Në tatëpjetën e ndërtesës-muze u çmall me gjitonët. Në Mashkullorë, te Rrapi, recitoi vargje pafund për atdhedashurinë e këndoi labçe me grupin e kooperativës për Çerçizin. Në Grapsh të Jorgucatit pushtoi kamerat duke bërë të ngulen pranë tij mijëra njerëz, që duartokisnin. Shiu nuk pushonte. Ai e filloi përshëndetjen e tij me keqardhje, që s’kish mundur ta mësonte greqishten e bukur në rini, gjuhën e atij populli të lashtë e të respektuar, të një vendi me histori botërore, por për fat të keq e kishte gllabëruar kapitalizmi.
Vizita vazhdoi në Sarandë. Ai vendosi tufa me lule në varrezat e dëshmorëve dhe u përkul me solemnitet përpara bustit të të madhit Hoxha Tasim. Në amfiteatrin e Butrintit bisedoi lirshëm me gazetarë, sidomos me ekipet e televizionit, të cilët mbetën mbas ndenjëseve të helikopterëve.
- More, kur i filmoni, kur i përgatisni e kur i transmetoni të gjitha këto ngjarje! Jeni njerëz shumë të zotë, – u tha ai.
Ishte koha, kur në vendin tonë as nuk mund të bëhej fjalë për transmetim nga vendngjarje. Në Tiranë ajo zotësi mund të bëhej hi e pluhur sikur telekinemaja e “plakur” dhe e vetme, të pësonte ndonjë defekt. Ai aparat transmetonte çdo natë rreth dy orë kronika e reportazhe me film 8 milimetërsh, që kishte mbi 100 ngjitje. Një çudi e vërtetë.

Zoti Marash, bëheshin seleksionime në atë kohë nga bisedat e fjalimet e E.Hoxhës?

 Veç montazhevet për cilësinë e figurës apo të lapsusve, që ishin të paevitueshëm ka pasur raste që xhirimet materiale nuk janë transmetuar për vetë temën e trajtuar. Për shembull, i ndodhur në Ksamil mes banorëve të ardhur nga krahina të ndryshme e, që për hir të së vërtetës, me mundin e djersën e tyre, kishin krijuar plantacione me portokalle, limonë e ullinj të papërsëritshëm, E.H.duket nga frymëzimi, sikur doli jashtë kontrollit të vetes dhe të bashkëshortes, bëri humor dhe i ngacmoi të rinjtë.
- Sa kalamaqër do bëni ju? – e filloi ai dialogun. – nga tre po, se dhe unë tre kam bërë, bile mund të bëja dhe më shumë, apo jo Nexhmije? Kjo bisedë aq sa i takonte dialogut me Nexhmijen, nuk u transmetua kurrë në ekran.
Të rinjtë e gjorë qeshën e nënqeshën, më shumë jo për numrin e fëmijëve që do bënin, por për nuset që nuk i shikonin as me dylbi, mbasi ato të shkretat vajza shtegtonin në qytet, ku mund të siguronin një jetesë më të përshtatshme. Montazhi i atij emisioni do të mbahej mend për numrin pa fund të ngjitjeve.

Është perifrazuar e dëgjohet edhe sot rëndom nga ata që e kanë parë drejtpërdrejt, apo edhe kur shikohet nga sekuenca filmike, se E. Hoxha ka pasur cilësi aktoriale dhe emocione të spikatura. Simbas mendimit tuaj është e vërtetë kjo?
Më lart, kur fola për disa dhunti, që zoti apo fati u jep njerëzve, përmenda veç inteligjencës e kapacitetit mendor, u jep edhe figurën, zërin dhe aftësitë komunikuese që, të gjitha bashkë janë pjesë e aktrimit. Fillimisht dua të theksoj, e citova pak më lart, se s’ka njeri në jetë që të mos dëshirojë të jetë pak aktor, është tjetër gjë sa ia arrin ai për të konfirmuar personalitetin e tij në shoqëri. Ballafaqoni tani liderët me këto kërkesa në raport me njerëzit e tjerë. S’ka dyshim se janë të shkallës më të lartë. Nisur nga përvoja e hulumtimi profesional publicistik kam pohuar, dhe me këtë mendim janë shumë specialistë me mua se Enver Hoxha ka poseduar cilësi të spikatura në fushën e aktrimit. Nuk dua të perifrazoj asgjë për të argumentuar këto mendime. Ndoshta do të krijohet bindje më e saktë për këto teza përmes shembullit që do të sjell më poshtë. Zhvillohej mbledhja e këshillit popullor të rrethit të Sarandës. Raportohej për gjendjen moralo-politike të të gjithë krahinës. Nga diskutimet e faktet, që u sollën për një seri tentativash të të rinjve për të kaluar kufirin e për t’u arratisur në Greqi, E. H. u inatos aq shumë, sa thirri i papërmbajtur:
- Mos doni të vijmë ne e të bëjmë punën tuaj këtu, t’ua ruajmë kufijtë? Punoni keq! Sinori nuk është atje tek piramida. Ai nis këtu, në shtëpi, në rrugë, në zyra e shoqëri. Kundër atyre që duan të tradhtojnë vendin, asnjë mëshirë!
Njerëzit u ngrysën. Salla u nxi. Mirë kjo që ndodhi, por si do t’i vinte halli më tutje vizitës? Takimi u zhvillua ftohtë, pa ovacione e duartrokitje. Çdo gjë u përligj me atë që këto ishin mbledhje pune e s’kishte nevojë për eufori e brohoritje.
Në darkën e po asaj dite ishte planifikuar një koncert mirëseardhjeje, përgatitur nga krijuesit më të mirë të rrethit. Frika se E.H. s’do të merrte pjesë, ngaqë ishte zemëruar, u shtua shumë tek drejtuesit e Sarandës. Mirëpo me ardhjen e forcave të sigurimit në sallë, ata u ngrohën dhe e morën veten. Koncerti u zhvillua pa ndërprerje e pati sukses. Sapo mbaroi koncerti dhe u ul sipari i skenës, E.H. pa biseduar me asnjeri vajti drejt e në prapaskenë. Atje u bë një pështjellim, por ai duke buzëqeshur kërkoi grupin lab të fëmijëve të veshur bukur me fustanellë e kapelet e mëdha mbi kokë. U zu me ta dorë për dore e hodhi valle, e këndoi me shumë kënaqësi.
Shoqëruesit, operatorët e fotografët bënë një rrëmujë në sallë, duke kapërcyer mbi karrike, për të arritur të filmonin diçka nga ai takim i befasishëm. Kur mbaroi kënga e vallja, udhëheqësi i pyeti fëmijët me radhë se të kujt ishin, si mësonin, çfarë dëshirash kishin etj. Kur mësoi nëpërmjet përgjigjeve me atë çiltërsinë fëminore, se atyre u mungonin fletoret, s’kishin çanta të bukura, s’kishin libra të mjaftueshme, se u kërkonin prindërve e ata s’kishin ku t’i merrnin, në sytë e E.Hoxhës u shfaqën lotët. Ashtu u fiksua edhe në kamera. Hajde beso tani, në botën e këtij njeriu! Kujt i përkiste ai? Mbledhjes së mëngjesit me thirrjet për burgosje dhe eliminim të atyre që nuk bindeshin, që thyenin kufirin, apo lotëve e valles që hoqi me vogëlushët! Ai ishte një interpretues i habitshëm i bindjeve të tij në jetë e në kamera.

Gjithëçfarë dëgjuam deri tani ishin fakte nga jeta, nga xhirimet e paraqitja publike e E.Hoxhës përpara kamerave. A mund të na thoni ndonjë gjë shkurt për ato që kanë ndodhur jashtë Kameras?

 Nëse pyetjen e marrim në volumin total të saj, për ato që kanë ndodhur jashtë kameras për Shqipërinë e atyre viteve për udhëheqjen, për E.Hoxhën e lidhur ngushtë me to, vetëm shkurt nuk mund të flitet. Ajo ishte një histori e tërë rreth 50 vjeçare. Aty janë kongreset, plenumet, mbledhjet e Byrosë Politike të qeverisë. Aty janë vendimet. Aty janë grupet armiqësore, devijimet, letrat e hapura, eliminimet të gjitha mbi bazën ideologjike të asaj kohe, çka janë tema të veçanta edhe për historinë e shtypit shqiptar. Megjithatë nga ajo pyetja për E. Hoxhën jashtë kamerave, që lidhet edhe me vizitën e vitit 1978 në Gjirokastër e Sarandë, do të them diçka. Në atë vizitë pati edhe dy ngjarje të pakëndshme. Në to, pa dashur zbuluam një E. Hoxhë tjetër, disi të ashpër e brutal, larg skemave artificiale të jetës zyrtare. Mbas një takimi në lagjen Palorto, bashkë me një kolegun tim, u gjendëm në oborrin e shtëpisë së pritjes. Donim të miratonim urgjentisht tekstin për kronikën. Në hyrje ndodheshin shoqëruesit. Oborri s’kishte njeri. Enveri, që sapo ishte ngjitur lart, kërkonte duke thirrur Nexhmijen, e cila ende s’kishte arritur. Ndonjë vonesë me të afërmit e të shoqit, si në qytetin e gjinisë. Nga dhoma u dëgjuan bërtitje, sharje e fyerje me fjalë të pabesueshme. Nga sa u kuptua ai kishte ngelur i zhgënjyer nga mjedisi. Dhomat nuk ishin ngrohur, orenditë të vendosura pa rregull. Deri poshtë vinte zhurma e përplasjes së karrigeve. S’na mbeti gjë tjetër, morëm hijen me vete dhe u larguam. Tekstin na e dërguan më vonë. E njëjta situatë u përsërit dhe në Sarandë, por me tone më të ashpra e të pakontrolluara. Qëndronim me Sulon, shoqëruesin, kur papritmas u shuan dritat. Kjo e inatosi shumë udhëheqësin. Ishte muzg mbrëmjeje e lart në katin e dytë u bë shumë rrëmujë nga Enveri. Suloja
thirri një shofer dhe e nisi urgjentisht për elektricistin. Ne zbritëm në këmbë deri në breg të detit. Dritat nuk vonuan të vinin.
- Programin e vizitave do t’ua sjell unë gjithnjë, – tha Suloja.
Edhe kjo gjë njerëzore është. Edhe udhëheqësit janë njerëz të dashur, të ëmbël, të sertë, inatçi e brutalë. Tjetër sa ruhen e si ruhen, për të mos i demonstruar anët negative të tyre.
E. H. ishte nga ata që nuk zbulohej lehtë.

Kur ka filluar rallimi i transmetimeve për Enver Hoxhën e cilat kanë qenë arsyet?

 Vizita e parë dhe lodhshme në jug të Shqipërisë 1978, qe e fundit në këto përmasa me regjistrime e takime jashtë në natyrë. Në fillimet e viteve ’80, ai u rëndua dukshëm nga sëmundjet, nga tensionet politike me grupe armiqësore e komplotiste e sidomos mbas rënies ekonomike, si pasojë e prishjes me Kinën. Në atë periudhë, dalja e tij para kamerave shërbente më shumë për të treguar se pushteti dhe sistemi socialist ishin ende gjallë. Në atë kohë veprimtaritë me prezencën e sekretarit të parë të K.Q., për arsyet që përmendëm më lart, u kufizuan ndjeshëm. Paraqitja e tij lidhej me ndonjë mbledhje plenumi, mbrëmje solemne gjatë votimeve e rregullisht në paradën e 1 Majit. Kronikat dhe telereportazhet nga këto veprimtari ndiqeshin deri në imtësi nga R.Alia dhe nga Nexhmija. Megjithatë në veprimtarinë e televizionit të vetëm shqiptar në atë kohë gadishmëria për të sjellë në ekran informacionin apo lajmin më të rëndësishëm të ditës, ka qenë e madhe, aq më tepër kur bëhej fjalë për të parin e vendit. E them këtë, sepse për dy të papritura, që lidheshin me aktivitetin e E. Hoxhës, televizioni mund ta kishte paguar rëndë. E para, ka ndodhur në mars të vitit 1978, kur mbas gjithë veprimtarive të programuara të ditës, Enveri ngarkoi shoqëruesin e përhershëm Sulo Gradeci që menjëherë të niseshin te mulliri, ku punonte këngëtari i famshëm Xhevat Avdalli, sepse do ia marrim me të një herë labçe, por do jemi pa suitë. Po televizioni, kishte thënë Sulua me vete! Dhe papritur, pakujtuar, nxitimthi gjen një operator, teknikun e zërit dhe ndriçuesin e fill e tek mulliri, ku Xhevati ia merrte e Enveri ia priste me iso. Kronika doli mjaft origjinale e njerëzit me njëfarë buzëqeshje thoshin: këndoka mirë shoku Enver!
E papritura e dytë, ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të datës 28 nëntor 1982. Edhe për të gjithçka ka kaluar me komandë të përshpejtuar dhe vetëm nga shoqëruesi. Grupi i xhirimit ndali frymën tek monumenti “Nënë Shqipëri”. Enver Hoxha i vetëm bënte homazhe në varrezat e dëshmorëve të Atdheut. Po të bëhet ndonjë konkurs për realizim lajmi televiziv, ndoshta edhe sot mund të konkurrohej për mjeshtërinë e realizimit. Mbas një ore nga instanca më e lartë e K.Q. kanë pyetur me ankth, nëse u arrit gjë të filmohej.
Me Enver Hoxhën, enkas për televizionin, është organizuar vetëm gjuetia e peshkut në Volorek të Pogradecit. Ka qenë viti i fundit i jetës, i lodhur, i sëmurë, por jo dhe krejt pa humor. Udhëheqja ishte në merak që ta paraqiste në publik përmes ekranit, se ai ishte mirë me shëndet. Kronikën “Enver Hoxha në peshkim” e pati realizuar operatori i talentuar, mjeshtër i kameras dhe i lajmit, Gazmir Shtino. Vetë Enveri bënte mjaft humor me Gazmirin, sepse Feriku, babai i tij kishte qenë shok shkolle me Enverin. Të bëje shaka me kamera në krah si Gazmiri, s’ishte fort e lehtë. Operatori i thoshte se babai i tij kishte qenë nxënës më i mirë se ai. Enveri i tha atë ditë se suksesin e filmimit e keni të garantuar, sepse këtu te kanali me ujë të kristaltë, kanë mbyllur kalimet e peshku jo vetëm mund të zihet me grep, por atë mund ta nxjerrësh nga rrjetat edhe me dorë. Enveri u paraqit në atë kronikë para shikuesve si peshkatar.

Cila ishte porosia e prerë për filmimin e tij?

 Ne, në televizion kishim marrë porosi të prerë, të shmangnim çdo marrje të afërt si portret. Përjashtim bën këtu regjistrimi e transmetimi i Kongresit të 8-të të Partisë në nëntor 1981. Aty janë realizuar veprime nga më spektakolare të punës në televizion ndonjë herë. Kësaj teme do t’i kushtohet një material i veçantë. Ai është kongresi i fundit që marrin pjesë të gjallë E. Hoxha e Mehmet Shehu. Gjithçka në marrëdhëniet e tyre ishte në buzë të greminës. Për 7 ditë ata as nuk folën, as nuk komunikuan së bashku. Mes tyre kishte marrë fund çdo gjë. Por shija e hidhur në kamera për E.H. ka ardhur përfundimisht mbas vetëvrasjes së M.Shehut. Komandanti i partizanëve legjendarë me plumbin e nagantit të tij, hequr vetvetes depërtoi thellë edhe në zemrën e E.Hoxhës, duke e mposhtur atë në mënyrë të pakthyeshme moralisht e shpirtërisht.
M. Shehu me aktin që kreu nuk iu nënshtrua Enverit, i cili donte ta shihte shokun e dikurshëm më të ngushtë të luftës e të jetës, të gjunjëzuar. Kjo nuk ndodhi. M.Shehu me veprimin që bëri, i dogji në duar letrat E.Hoxhës. Kjo i solli një zemërim të jashtëzakonshëm. Atij i mbeti pa mbajtur pretenca përfundimtare: Konkluzionet e Byrosë Politike mbi veprimtarinë armiqësore të poliagjentit M. Shehu. Të nesërmen, nëpërmjet një incizimi të veçantë, i quajtur sinoptika e famshme, E.H. ankohej me zë të mbytur se ai, (Mehmeti) nuk priti ta dëgjonte atë, se çfarë do të thoshte. Pikërisht se e dinte se çfarë do të thoshte, Mehmet Shehu nuk desh ta dëgjojë. Dhe ajo ishte trimëri.
Më 24 dhjetor 1981, një javë mbas asaj vetëvrasjes, sekretari i parë i K.Q., vendosi, apo vendosën të tjerët, të dalë para kamerave. Në televizion nxitim e pështjellim. Disa herë u thirrëm në sektorin e shtypit. “Skenari i xhirimeve” ishte përgatitur nga lart. Enveri me pallto të hapur, shall të lëshuar dhe kapele republikë do të paraqitej duke hyrë në ekspozitën e arteve figurative mes të ftuarish, por jo në plan të parë të ekranit. Ekspozita ishte hapur me rastin e festave të nëntorit dhe me qëllim nuk ishte mbyllur. Pas një kalimi të qetë e të shkurtër, E. H. do të ulej në një kolltuk më mikrofon përpara e me ndriçim të posaçëm. Aty do të zhvillohej një bashkëbisedim me një grup nga inteligjenca e kryeqytetit, artistë, gazetarë e shkrimtarë. Çdo gjë u realizua sipas parashikimit, vetëm se kamerat nuk i dhanë dot jetë asaj skene. Ai fliste ngadalë, me ndërprerje, duke shtrënguar fort duart, që të mos i dridheshin. Bashkëbiseduesit i rrinin përqark si kurorë. E.H. i porositi ata, që të dëgjonte e gjithë Shqipëria, se uniteti parti-popull është i pathyeshëm. Në montazh na u desh shumë punë që kronika të quhej e pranueshme për transmetim.

Zoti Marash, në intervistën tuaj pohuat se gjithçka që lidhej me figurën e
E. Hoxhës për televizionin realizohej përmes një skicë-skenari të paramenduar. Atëherë si ka mundësi që kohë mbas kohe, këto vitet e fundit të ndryshimeve demokratike, keni parë të transmetohen disa filmime të shëmtuara nga ana profesionale të mbledhjeve e takimeve të instancave të larta të asaj kohe me figura të deformuara të pjesëmarrësve, sidomos të E.Hoxhës, Kadri Hazbiut, R.Alisë, S. Stefani etj. Ka ndonjë shpjegim e si qëndron e vërteta?

 Po. Prapa atyre xhirimeve e filmimeve të paraqitura si një gjetje e madhe të siguruar gjoja nga rrugë sekrete është vetëm një mashtrim, që lidhet me ngjarjen që do të rrëfej më poshtë. Në vitin 1980-81, me një akordim fondesh nga ana e qeverisë prej afro 10 milion dollarësh, televizioni shqiptar nisi të pajiset me aparatura me ngjyra të asaj kohe. Kjo ishte një ngjarje e madhe, mbasi ishim të fundit në Evropë që ndaheshim nga kamerat bardh e zi. Pikërisht ato ditë në një takim pune, R.Alia më njohu me një studio të montuar në ambientin pranë sallës së madhe të mbledhjeve në aparatin e K.Q. Aty çdo gjë ishte diletante me magnetoskopë të dalë kohe. Me kamera bardh e zi të vendosura qosheve të sallës e që komandoheshin në distancë nga Murati teknik, punëtor, që kryente shumë punë të tjera, bile ishte edhe fotograf. Funksioni i gjithë kësaj aparature ishte të regjistronte pa pushim për orë të tëra zhvillimin e mbledhjeve të ndryshme. Aty nuk bëhej montazh. Veprimet e kamerave kalonin me ngjitje, siç i thonë me gjuhën teknike. Ramiz Alia në atë takim sygjeroi se edhe televizioni mund
të përdorte këto filmime.
- Për ne, – i pohova nuk kishin vlerë. Le që cilësia e marrjeve ishte shumë e dobët, por ne po ecnim drejt emisioneve e lajmeve tërësisht me ngjyra.
- U mësuat ju vetëm me ngjyra,- tha me shaka, po thjesht, për arkiva nuk mund të shërbejnë ato?
Sa keq që i doli fjala për t’i shfrytëzuar ato si material arkivor, sepse mbas ndryshimeve demokratike të 1990 në disa emisione u përdorën ato filmime si dëshmi të mosmarrëveshjeve të udhëheqjes së Partisë së Punës të diktatit të luftës kundër armiqve të popullit etj. Çdo gjë tjetër lidhur me këto xhirime si: ishin xhirime franceze apo sikur ato i paskësh realizur Sulo Gradeci si kamer e fshehtë janë thjesht trillime e spekullime për të përpunuar opinionin publik në kohë interesi.

Zoti Marash. Sot në mediat televizive është përhapur shumë mënyra e regjistrimit dhe më pas e leximit në monitor apo perde projeksioni të lajmeve, mesazheve edhe fjalimeve të personaliteteve. Duke përdorur leximin drejtpërdrejt, folësit i ecën ligjërata rrjedhshëm, nuk bën lapsuse e në këtë mënyrë pozon më bukur para kamerave. E.Hoxha e ka pranuar ndonjëherë të hyjë në këto struktura teknike televizive?

 Më pëlqen ta nis përgjigjen me idenë e pyetjes, nëse është bërë ndonjë “truk” i tillë televiziv me E. Hoxhën. E them që në fillim se jo, asnjëherë. Dy janë arsyet: E para, në atë periudhë, tek ne njihej fare pak kjo metodë pune, le pastaj që s’kishim as mjete cilësore për realizime të tilla. Ndaj quhej diçka e papreferuar. E dyta dhe kryesorja qëndronte në atë që sapo t’ua bënim instancave lart këtë propozim do të na thonin: Medemek ju do t’i bëni udhëheqjes “dubla” si në filmat artistikë. Pra, nëse nuk na del mirë sinkrona e leximit, ta përsërisim edhe një herë frazën apo paragrafin e fjalimit. E kujt t’ia bënin këtë, E,Hoxhës! Hiqeni nga mendja. Në një shembull diku më lart kam thënë se, kur xhirimet e një takimi me veteranët nuk u quajtën të përshtatshme të transmetohej (figura ishte e dobët për arsye ndriçimi. Enveri nuk i pëlqente fare dritat e forta në sy). Gjithçka u “riparua” me një dalje tjetër të bujshme të E. Hoxhës në një takim me klasën punëtore të uzinës së autotraktorëve. Aty u punua shumë në kamera, por edhe vetë Enveri qëndroi tërë kohën i gëzuar dhe i buzëqeshur për të treguar se ishte i fuqishëm dhe mirë me shëndet. Për të plotësuar diçka nga pyetja juaj do të shtoj. Nëse E. Hoxha nuk pati regjistrime apostafat jashtë kamerave për t’u transmetuar më vonë, ai dhe grupi i tij me Sulo Gradecin e pjesëtarë të tjerë shoqërues kanë përdorur herë mbas here regjistrimet radiofonike për transmetim më vonë. Më i njohuri është regjistrimi në Radio-Tirana i raportit të tij prej disa orësh mbajtur (apo i dëgjuar në kongresin e 8-të të partisë, nëntor 1981. Kjo u justifikua. E para, sepse materiali ishte shumë i gjatë dhe autori do lodhej së tepërmi kur ta paraqiste direkt. E dyta, dhe kjo ishte kryesorja. Enver Hoxha ishte në atë kohë në një krizë tepër të rëndë me Mehmet Shehun. Por për këtë do të flitet diku tjetër. E shoh të domosdoshme të theksoj edhe diçka tjetër për pyetjen që më bëtë më lart e që lidhet me regjistrimet në monitor apo perde projeksioni të figurës, fjalimeve e mesazheve të udhëheqësve e personaliteteve duke bërë edhe “dubla” deri sa gjithçka të shkojë mirë. Televizioni Shqiptar e ka përdorur për herë të parë këtë me Ramiz Alinë e konkretisht në përshëndetjet për festën e Vitit të Ri. Thirrje të ndryshme për zgjedhjet, përshëndetje për Vitin e ri shkollor etj. Sot kjo metodë pune televizive ka zgjerim sidomos në leximin e lajmeve drejtpërdrejt, ku folësi si të thuash lexon me zë ato rreshta që dalin në monitor apo perde projeksioni, përdoret gjerësisht nga personalitete, ministra, deri edhe nga drejtues kryesorë, bile duke folur si në reklamë. (Me të qeshur) Ne në intervistën tone, folëm pa regjistrim as në monitor, as në perde projeksioni.

P.S
Duke mbyllur këtë intervistë, kam dëshirë të theksoj se: Çdo gjë aty është parë në këndvështrimin profesional gazetaresk. Mbi parimin: Asgjë shumë mirë dhe asgjë shumë keq, por gjithçka njerëzore, gjithçka jetësore. Kështu, duke zbritur me këmbë në tokë, bëhemi më të kthjellët se, në tërë ato vite të monizmit është punuar me një idealizëm e shpresë se, vendi ynë do hynte më shpejt në rrugën e gjerë të përparimit. Fati aq desht. Ama, edhe sot, me këtë tranzicion pa fund kërkimesh e sundimesh politike, qoftë djathtas apo majtas, duket aq pak dritë në tunelin e së ardhmes, sa as rrugën deri tek tuneli se gjejmë dot. Sa keq!

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :