Data : 20 05 2018
KryeTitujt :

Ilir Xhakja: Si e vrava Adem Tahirin

download

Me një rrëfim të gjatë, prej gati 1 orë e gjysmë, Ilir Xhakja ka përshkruar momentin e përplasjes me Komisar Adem Tahirin, personin që e vrau në Katund Sukth. Xhakja ka treguar itinerarin e pasdites së 13 shtatorit, nga xhamia në vendin e ngjarjes, ndërsa ka shpjeguar para gjykatës gjithçka që ka pasur të bëje me momentin fatal për jetën e kreut të komisariatit të Shijakut. I konsideruari si i rrezikshmi i Sukthit, Xhakja i tha gjykatës së efektivët, të cilët nuk i njihte, atë moment ishin nën efektin e pijeve alkoolike, ndërsa momentin që ka qëlluar mbi Tahirin, ka menduar se do ta vrisnin ata, ndaj sipas tij, ka qëlluar për vetëmbrojtje. I akuzuari për vrasjen e Tahirit për gjatë rrëfimit të djeshëm ka vënë theksin në ofendimet që i ka bërë shefi i komisariatit, derisa e ka sharë edhe me motër, por ajo që e ka detyruar të përdor armën, ka qenë një shkrehje arme, që Xhakja e ka dëgjuar dhe është trembur se po qëllonin mbi të, pasi pretendonte se pas shpinës së tij ishte i vendosur Kastriot Gosturani. Rrëfimi i gjatë i Xhakes është ndërprerë disa herë nga prokurori, i cili i ka thënë gjykatës se dëshmia e tij është kontradiktore, ndërsa Xhakja ka kërkuar të vijnë sërish dhe të dëshmojnë Fatmir Hoxha dhe Kastriot Gosturani. Ndërsa i pari, që njihej edhe si shofer në atë komisariat që u drejtua nga Adem Tahiri për rreth 1 vit, nuk ka pranuar të dëshmojë, Gosturani nuk dihet ende se kur mund të bëhet pjesë e atij procesi kur në prani të tij u vra Komisari i Shijakut.

Pjesë nga dëshmia:

Në datën 13 shtator 2012 ka ndodhur një ngjarje e rëndë për të cilën ju akuzoheni.

A mund të na thoni ku keni qenë atë ditë, çfarë veprimesh keni kryer?

Dola nga shtëpia në orën 5, pasdite dhe po shkoja në xhami. Më parë kam qenë në shtëpinë time në Katund Sukth. Isha duke punuar në xhami me punëtorë e ustallarë. Qëndrova aty 10-15 minuta. Dola dhe ika drejt lagjes Shëna Pren. Ndalova makinën dhe në pasqyrë pashë një makinë policie 400-500 metra më larg. Ktheva makinën dhe hyra në parcela. Prita derisa ikën dhe u ktheva sërish ku isha, e mandej rrugës për në xhami. Pas 10 minutash u nisa prapë nga xhamia drejt së njëjtës rrugë. Pashë nipin që ishte te berberi duke u qethur. Nipi im quhet Ledian Krasnaj. E pyeta ç`po bën? Dhe i thashë pasi të mbarosh hajde në shtëpi. Më pas jam kthyer dhe kam parë në makinën e nipit tim Fatmir Hoxhën. Fatmiri më kërkoj falje disa herë duke më thënë se nuk e dinte se ishte nipi im. I thashë nuk ka gjë, por pas meje dëgjova dikë që po shante. Ishte pa uniformë dhe nuk e njihja. Ai po vinte nga pas dhe po shante me familje. E pyeta atë personin: ‘me kë po flet ti ore?’. “Me ty”, më tha ai dhe vazhdoi të shante rëndë. Aty ai djali nxori pistoletën. E nxori armën dhe nxitoi hapin drejt meje. Fatmiri u shmang. Ai iu nis drejt atij personit, duke i thënë “Mos! Mos!”. Ai personi i tha të largohej dhe vazhdonte. Po bënte zik-zak që t’i shmangej Fatmirit që i doli para. Ai personi ndërkohë mbushi armën. E kuptova që e mbushi pasi doli një fishek nga foleja e armës. Unë po i shmangesha rrezes së shikimit të tij duke u mbrojtur pas Fatmirit. Në fund fare ai më shau nga motra. Fatmiri duke i bërtitur “mos-mos!” Në atë moment qe një krismë. Ose ka qëlluar viktima, pastë rahmet, ose një djalë tjetër, që ishte nga mbrapa meje. Nuk e dallova se nga erdhi krisma.

Gjykata: Ku ishte ai tjetri?

Xhakja: Ai tjetri (Gosturani) ishte prapa meje. Ishte në pozicion të ulur me një gju në toke dhe kishte pistoletën në dorë.

Prokurori: Po pastaj?

Xhakja: Aty nuk mbaj mend më pastaj. Unë vetëm çova dorën në pistoletën që kisha në brez. Nuk më kujtohet më se ç`kam bërë. Më pas pashë Kastriot Gosturanin që uli pistoletën dhe më tha “O Ilir, më fal, më fal!”. Pastaj hipa në makinë dhe shkova në shtëpi. Isha jerm. Dëgjova sirena policie pastaj dhe u largova nga tokat. Pastaj kanë ardhur dy persona, të afërm të mi, që po më kërkonin me makinë. Filluan të më bërtasin për çfarë kisha bërë. U thashë që desh më vranë. U thashë të shkoja në polici. Armën e dorëzova në polici. Fatmirin dhe Gosturanin nuk i kam njohur më parë. Avokati: Si ishte toni i zërit kur shante ai personi?

Xhakja: Toni i zërit ishte i lartë.

Avokati: Pse e mbaje pistoletën?

Xhakja: Pistoletën e mbaja me vete pasi pas daljes nga burgu më kanë futur në shumë probleme. Jam ndjerë i kërcënuar për jetën.

Avokati: A keni qëlluar me pistoletën tuaj?

Xhakja: Po, kam qëlluar nga drejtimi i viktimës.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :