Data : 20 05 2018
KryeTitujt :

Fule: Zbatimi i paktit, thelbësor

Fule-ok

Për komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Shtefan Fyle, zbatimi i marrëveshjes së 19 prillit mes Kosovës dhe Serbisë është i një rëndësie thelbësore. Në një intervistë për radion “Evropa e Lirë”, Fyle thekson se Beogradi është më i interesuari nga normalizimi i marrëdhënieve me Prishtinën, pasi nga kjo varet integrimi i Serbisë. “Plani i zbatimit është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Është me rëndësi të veçantë për Beogradin, sepse ekzistojnë pritje nga vendet anëtare që në fund të qershorit të hapen negociatat për anëtarësim. Dhe, plani është vendimtar.” I pyetur nëse pas Marrëveshjes për Normalizim Raportesh pritet të ketë lëvizje për njohjen e Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë këtë, Fyle u shpreh optimist, në mënyrë indirekte. “Kjo është një pyetje që duhet t’iu adresohet atyre pesë shteteve. Besoj se secili hap në këtë rrugë të normalizimit do të merret seriozisht nga këto pesë shtete, për ta mbështetur kështu më shumë aspiratën e Kosovës për në BE.” Të mërkurën në Bruksel, ekipet e Prishtinës dhe të Beogradit nuk arritën një marrëveshje për planin e zbatimit të paktit të nënshkruar mes kryeministrave Thaçi dhe Daçiç. Zbatimi i marrëveshjes është kyç për Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë që të avancojnë në rrugën e integrimit europian.

 

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :