Data : 27 05 2018
KryeTitujt :

Federata Botërore e Sindikatave

SINDIKATA-PE16_6

Në ambientet e Parlamentit Evropian në Bruksel zhvilloi punimet, gjatë një konference dyditore, Federata Botërore e Sindikatave. Shqipëria përfaqësohej nga Valentin Macaj. 

Kreu i Sindikatës së shërbimeve policore denoncoi ndër të tjera kundërshtimin nga qeveria, prej vitesh, të Kontratës kolektive të punës dhe mungesën në vend të të drejtave themelore sociale.

“Për shembull, policia e burgjeve ka 6 vite që nuk merr uniformë shërbimi sipas ligjit, ka 7 vite që nuk merr trajtim ushqimor sipas ligjit, ka 8 vite që nuk merr kompensim transporti. Policia e burgjeve nuk paguhet për vjetërsinë në punë, nuk përfiton kompensim vjetor të pagës së 13-të. Pra, mungesa e Kontratës kolektive të punës dhe kontratat individuale iu heqin të drejtat themelore anëtarëve tanë, edhe pse janë të njohura me ligj”, deklaroi Macaj.

Macaj denoncoi edhe trysninë për vota apo pjesëmarrje në fushatë zgjedhore. “Vetëm para ca ditësh kam denoncuar faktin se drejtues të burgjeve kanë filluar të bëjnë presion mbi anëtarët tanë për të marrë pjesë në takime elektorale, për të deklaruar votën dhe numrin e votave të familjarëve. Jo vetëm që zyrtarët përkatës nuk i janë përgjigjur kërkesave tona të ligjshme, por janë kundërpërgjigjur duke na vënë në trysni dhe duke na denoncuar në gjykatë, për të na frikësuar dhe dekurajuar në profesionin tonë”, nënvizoi Macaj.

Përveçse në konferencën e Federatës Botërore të Sindikatave, në Parlamentin Evropian Macaj ndau të njëjtat shqetësime edhe gjatë takimeve që zhvilloi me disa eurodeputetë që ndjekin nga afër zhvillimet në Shqipëri.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :