Data : 15 11 2018
KryeTitujt :

Del nga burgu, pas 22 vjetësh e vrasin për gjakmarrje

 

policia-pas-nje-vrasjeje

Shpërndante bukën në dyqane kur e ekzekutuan. Lulzim Shera kishte vuajtur dënimin me 20 vjet burg për vrasje. Policia: E vranë për të marrë hakun e vëllait, autorë janë dy vëllezërit Altin dhe Skënder Baku   

Anxhela Tato

-Kanuni më i fortë se ligji. Kështu ndodhi në Fushë-Krujë, ku u vra një person i liruar pas dënimit për vrasje. Autorët, sipas policisë, dy vëllezërit Altin dhe Skënder Baku i kishin zënë pritë viktimës, i cili punonte prej pak kohësh si shpërndarës buke. Lulzim Shera në momentin e vrasjes po futej në një dyqan ushqimore për të dorëzuar porosinë. Mësohet se dy personat kanë hapur zjarr me breshëri, duke e lënë të vdekur në vend 43-vjeçarin. Kalimtarë të rastit kanë tentuar t’i vijnë në ndihmë viktimës, i cili ka humbur jetën për shkak të plagëve të marra. Trupi i Lulzim Sherës është dërguar në morgun e spitalit, ku do t’i nënshtrohet ekspertizës mjeko-ligjore. Dyshimet e uniformave blu e lidhën këtë krim qysh në fillim me gjakmarrjen. Lulzim Shera prej një viti kishte lënë qelinë, ku kishte vuajtur dënimin për vrasjen e shokut të dhomës, i cili ishte vëllai i Altin dhe Skëndër Bakiu. Kjo pistë ka vënë në lëvizje blutë, të cilët kanë arritur të identifikojnë edhe dy autorët, të cilët janë shpallur në kërkim. Policia ka ngritur postblloqe dhe është vënë në kërkim të dy vëllezërve Baku, që tashmë janë në arrati.

Ngjarja

Si çdo ditë Lulzim Shera kishte filluar punën e tij, duke shpërndarë bukën nëpër dyqanet e qytetit. Rreth orës 08:00 të mëngjesit ai parkoi makinën në qendër të Fushë-Krujës, në afërsi të rajonit të policisë. Sapo zbriti nga automjeti Shera u drejtua për tek pika ushqimore, ku do të linte porosinë e radhës. Ishte ky momenti kur dy vëllezërit e armatosur kanë hapur zjarr duke e lënë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur vetëm 50 metra larg rajonit të policisë. Dëshmitarë e pyetur nga policia kanë treguar se dy djem kanë qëlluar drejt 43-vjeçarit, i cili ra menjëherë në tokë. Ata u larguan me shpejtësi me një automjet, ndërsa banorët të terrorizuar njoftuan policisë. Nga dëshmitë e kalimtarëve uniformat blu kanë mundur të ndërtojnë identikitin e autorëve, të cilët janë shpallur më pas në kërkim. 

Vuajti dënimin

Lulzim Shera prej një viti kishte fituar lirinë duke dalë nga burgu i Fushë-Krujës. 43-vjeçari nga zona e Niklës ishte shpallur fajtor si autor i një vrasjeje të ndodhur më 1991. Për Sherën gjykata kishte caktuar masën e dënimit me 20 vjet heqje lirie. Viktima ka vrarë shokun e tij të dhomës në qeli, në peiorudhën kur ishte duke vuajtur dënimin për nxitjen drejt vetëvrasjes së një vajze të re. Ndërkohë që në vitin 2008 viktima kishte paraqitur tre kërkesa në Gjykatën e Tiranës në periudha të ndryshme. Bashkim dënimesh dhe ulje dënimi janë dy kërkesat për të cilët togat e zeza kishin vendosur pushimin e procedimit. Vetë i dënuari Shera ishte tërhequr dy herë nga shqyrtimi gjyqësor i pretendimeve. “Kërkuesi Lulzim Shera ka paraqitur para gjykatës një kërkesë me shkrim për heqjen dorë nga kërkesa me objekt bashkim dënimesh, me bazë ligjore nenin 55 të Kodit Kenal. Në rrethanat e mësipërme në bazë të nenit 387/2 të K.Pr.Penale kur mungon ekzistenca e një kushti procedimi duhet vendosur pushimi i çështjes”, thuhej në vendimin e togave të zeza të datës 9 dhjetor 2008. Në të njëjtën formë i janë pushuar edhe dy kërkesat e tjera viktimës. Nga ana e bluve po vijon hetimi për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të detajeve të kësaj ngjarje të rëndë. Paralelisht blutë mësohet se janë tashmë në aksion për arrestimin e dy personave që i morën jetën 43-vjeçarit Shera.

Shera kishte armiq edhe brenda burgut

Sipas uniformave blu, viktima është një person me precedentë penalë dhe emër i njohur në botën e krimit. Përveçse ishte i dënuar për vrasje, viktima ka qenë person shumë problematik gjatë kohës së vuajtjes së dënimit. Burgu i Fushë-Krujës ishte institucioni ku Lulzim Shera do të vuante dënimin. Por, mësohet se gjatë kësaj periudhe ai është përfshirë në konflikte të shumta me të dënuarit e tjerë. Blutë janë duke hetuar edhe në këtë pistë, pra mosmarrëveshjet e vjetra me të dënuar të tjerë në burg. Dëshmia e dy vëllezërve të shpallur në kërkim, por edhe prova të tjera do të ndihmojë blutë që të arrijnë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :