Data : 22 05 2018
KryeTitujt :

Berisha: Pse futa aleatët në listë, na dhanë 11 deputetë

PD-BERISHA-300x244

Kryeministri shpjegon arsyet pse krerët e partive të koalicionit janë në listën e PD. “Na dhanë 11 deputetë në 2009, i mirëkuptoj zemërthyerit”.

Kryeministri Sali Berisha ka folur dje për herë të parë për përfshirjen në listat e Partisë Demokratike të pesë aleatëve në zona fituese. Duke folur në mbledhjen me strukturat e Tiranës, kreu i demokratëve tha se katër vjet më parë PD-ja ka marrë 11 deputetë falë votave të aleatëve.

Sipas tij, Dashamir Shehi dhe Fatmir Mediu, me votat që kanë, mund të merrnin nga tre deputetë me një sistem tjetër zgjedhor. “Kjo formë është më e ndershmja dhe më organikja e koalicionit. Unë e kuptoj që ka njerëz zemërthyer se kanë mbetur jo në pozicionin që meritojnë. Por ka një gjë që demokratët duhet ta dinë, që PD-ja në zgjedhjet e vitit 2009 ka marrë 11 deputetë nga votat e këtyre aleatëve, dhe kjo për shkak të sistemit. Në qoftë se vota do kishte të njëjtën peshë si për Sali Berishën ashtu edhe për Dash Shehin, ai me koalicionin e tij mund të fuste 3 deputetë, Fatmir Mediu mund të fuste 3 deputetë dhe pak më shumë”, u shpreh Kryeministri.

Ai deklaroi gjithashtu se pas dy proceseve zgjedhore, sistemi proporcional rajonal duhet ndryshuar. Dy variantet e kreut të qeverisë janë proporcionali i pastër, ose favorizimi me ligj i partisë që fiton zgjedhjet, si në rastin e Greqisë, ku partia e parë merr një bonus shtesë.

“Ky sistem që e nisëm për mirë dhe tani e qortojmë, duhet modifikuar. Ose të bëhet i pastër proporcional, ose të japë maxhorancë me ligj, siç jep në Spanjë, ku e kemi marrë, siç jep në Greqi. Ose të shndërrohet i pastër proporcional, dhe në këtë mënyrë jep modelin e vendeve të Veriut. Gjërat provohen, u konstatuan pasojat dhe pastaj është në meritën e politikëbërësve. Unë insistova shumë për maxhorancë me ligj, se vendi do qeveri. Nuk deshën. Por edhe kjo që të përjashtosh nga Parlamenti një numër partish të cilat i kanë votat për deputetë, nuk është e drejtë”, theksoi më tej Berisha.

Duke folur për përfshirjen në listat e PD-së të tre ish-deputetëve socialistë, kreu i qeverisë tha se “përveç përgjegjësisë që ndien, nuk pranuan, ose bënë të dështojë një projekt i turpshëm, një projekt që synonte përmbysjen e një qeverie dy muaj para zgjedhjeve”.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :