Data : 26 09 2018
KryeTitujt :

Berisha: Kemi listë fitoreje. Islami, zë i besueshëm në mbrojtje të interesit publik

berisha-kryesi-pd-

Kryeministri deklaron se emrat e kandidatëve janë përzgjedhur pas konsultimeve të gjera.

Pas mbledhjes së Kryesisë së PD-së, Kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar listën e demokratëve si më të mirën dhe që garanton fitoren më 23 qershor. Në një prononcim për mediat, ai tha se lista u hartua pas një sërë konsultimesh të gjera.

“Përfundoi procesi i hartimit të kandidaturave më të mira që zgjedhësit shqiptarë kanë pasur ndonjëherë në ndonjë fushatë zgjedhore. Ka qenë një proces i hapur me konsultime të gjera, por një proces që finalizohet me një listë të shkëlqyer, listë fitoreje. Unë e di se ju keni qarkulluar gjatë gjithë këtyre ditëve, madje edhe pak minuta më parë emra dhe kjo është e drejta juaj. E vërteta është se lista shumë shpejt dorëzohet dhe keni gabuar në shumë e shumë raste nga parashikimet tuaja, por kjo është çështja juaj”, u shpreh kreu i qeverisë.

Sipas tij “Unë jam këtu sot për të komentuar vetëm listën dhe kandidaturat e PD-së që do të bëhen së shpejti të njohura publikut. Ka pasur keqinformime nga mediat, sepse fantazia juaj është e pakufishme. Gjatë ditëve të shkuara kam konstatuar që bëheshin edhe lista personale. Unë i falënderoj të gjithë ata që morën pjesë në këtë proces”. Kryeministri Berisha mbrojti gjithashtu edhe përfshirjen në listën e Partisë Demokratike të tre ish-deputetëve të PS-së, Kastriot Islami, Gjovalin Kadeli dhe Asllan Dogjani.

“Nuk kam asnjë koment të vetëm, sepse kam qenë i zhytur tërësisht në një punë intensive të selisë. Mos harroni se ne kemi edhe aleatët tanë, të cilët janë të vendosur në pozicionet sipas marrëveshjeve. Sa i përket palës tjetër, komenti më i mirë është ‘no comment’. E konsideroj meritë të Islamit praninë e tij në listë, sepse ai u bë një nga zërat më të besueshëm në mbrojtje të interesit publik, për të cilin edhe e përjashtoi kreu i tij”, tha Berisha. Kreu i qeverisë deklaroi më tej se morali qëndron te vlerat e secilit individ.

“Ka të drejtë të pretendojë për moral çdonjëri që mbron vlerat, çdonjëri që përshtat qëndrimin e tij ndaj vlerave. Në rast se marrim qëndrimet e tij, ishte një nga zërat më të fuqishëm për votimin e ligjeve në interesin qytetar, në interes të statusit dhe jo në interes të pazareve. Morali duhet të gjykohet në përputhje me vlerat që mbrohen apo vlerat që shkelmohen. Ai ka mbrojtur të vërteta që kanë qenë dhe janë të rëndësishme për qytetarin shqiptar”, u shpreh Kryeministri.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :