Data : 12 12 2017
KryeTitujt :

Basha uron Merkel: Platforma e qendrës së djathtë, oferta më e besueshme

lulzim-basha-4Basha uron Merkel: Platforma e qendrës së djathtë, oferta më e besueshme

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha i ka dërguar një mesazh urimi Kancelares gjermane Angela Merkel, e cila arriti fitore spektakolare ne zgjedhjet e pergjithshme. “Rezultati i arritur në këto zgjedhje tregon konfirmimin më të fortë që populli gjerman i jep lidershipit vizionar dhe reformator të Kancelares Merkel që e ka fuqizuar më tej ekonominë  gjermane dhe ka përmirësuar mirëqenien e qytetarëve të saj”- shkruan Basha. Ai në mesazhin e tij e konsideron fitoren e zonjës Merkel një mesazh të domethënës dhe nxitës se platforma politike e qendrës së djathtë mbetet oferta më e besueshme për zhvillimin ekonomik dhe mirëqënien në Europë. Kryetari i PD-së shpreh mirënjohje për ndihmën që Gjermania dhe qeveria gjermane i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve.Basha vlerëson ndihmën e Kancelares Merkel dhe atë të CDU-së ndaj Partisë Demokratike, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston mes dy partive.Kryetari i PD shpreh angazhimin për ta zgjeruar dhe konsoliduar bashkëpunimin si në rrafshin dypalësh ashtu edhe në kuadrin e Partisë Popullore Europiane.Basha ka shprehur dëshirën e tij dhe të çdo qytetari shqiptar për ta mikpritur Kancelaren Merkel në Tiranë si një mike të madhe të vendit dhe kombit tonë dhe mbështetëse të procesit të integrimit Europian.

Mesazhi i plote i kryetarit te PD Lulzim Basha drejtuar kancelares Angela Merkel
 

E dashur Zonja Kancelare !

Në këtë ditë të madhe të fitores spektakolare të CDU në zgjedhjet e përgjithshme në Gjermani, kam nderin e madh dhe kënaqësinë e veçantë t’ju përcjell urimet më të sinqerta dhe përshëndetjet më të ngrohta për vazhdimin e udhëtimit tuaj jashtëzakonisht të suksesshëm dhe me shumë arritje në vitet e ardhshme.Unë e kam ndjekur me shumë interes dhe admirim fushatën tuaj të mrekullueshme zgjedhore dhe jam plotësisht i bindur se këto rezultate tregojnë konfirmimin më të fortë që populli gjerman i jep lidershipit tuaj vizionar dhe reformator që e ka fuqizuar më tej ekonominë e vendit dhe ka përmirësuar mirëqenien e banorëve të saj.  Kjo fitore mbresëlënëse është një mesazh domethënës dhe nxitës se platforma politike e qendrës së djathtë mbetet zgjidhja më e mirë për zhvillimin e mëtejshëm dhe modernizimin e të gjithë vendeve tona dhe për një të ardhme më të mirë për qytetarët tanë. Me këtë rast dua t’ju falenderoj me shumë mirënjohje për mbështetjen e pareshtur dhe ndihmën bujare që Gjermania dhe qeveria juaj i kanë dhënë Shqipërisë gjatë gjithë këtyre viteve. Dua gjithashtu t’ju shpreh vlerësimin dhe mirënjohjen time të thellë për ndihmën tuaj personale dhe atë të CDU ndaj Partisë Demokratike, si dhe bashkëpunimin e shkëlqyer që ekziston mes dy partive tona, një traditë e gjatë dhe e bukur, që unë personalisht mbetem i angazhuar dhe i vendosur për ta zgjeruar dhe konsoliduar gjatë viteve në vazhdim, si në rrafshin dypalësh ashtu edhe në kuadrin e Partisë Popullore Europiane.Për këtë qellim, është dëshira ime e madhe, por edhe e çdo qytetari shqiptar t’ju mirëpresë në Tiranë në një kohë të përshtatshme për ju, si një mike e madhe e vendit dhe e kombit tonë dhe si një avokate e vendosur në mbështetje të projektit tonë të kombëtar të integrimit në Bashkimin Europian.

Me urimet më të përzemërta,

Lulzim Basha
Kryetar i Partisë Demokratike të Shqipërisë

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :