Data : 12 12 2017
KryeTitujt :

Barcelona, kamping talentesh në Kosovë

 

barcelona-bambini

Barcelona po bisedon për të hapur një kamping stërvitor në Kosovë, me qëllim zbulimin e talenteve të rinj. Klubi spanjoll ka bërë të njëjtën gjë në Bosnjë Hercegovinë në pranverën e këtij viti dhe një nga drejtuesit e kampingut atje është takuar në Prishtinë me Fadil Vokrrin, president i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Ndërmjetës i takimit ka qenë Fuad Muzuroviç, ish-trajner i Vokrrit në kohën kur ky luante me Prishtinën. Muzuroviç ishte kryetar i një delegacioni futbolli nga Bosnja, i cili ka vizituar Kosovën, duke pasur si anëtar edhe zyrtarin e kampingut të Barcelonës. Vokrri nuk ka preferuar të bëjë komente për këtë çështje, por nuk e ka mohuar zbulimin që është bërë nga gazetarët kosovarë. Një burim që nuk identifikohet ka bërë të ditur se janë zhvilluar bisedime pikërisht për këtë çështje. “Fuad Muzuroviç është mik i afërt me njërin prej organizatorëve të kampit të Barcelonës dhe biseduan me Vokrrin për hapjen e një kampi të tillë edhe në Kosovë, pasi ky vend shihet si burime talentesh”, citohet burimi, i cili shton se shumë shpejt do të ketë edhe takime të tjera për këtë gjë. Ndërkaq, edhe në Bosnjë është shkruar për të njëjtën gjë. Barcelona organizoi kampingun për zbulimin e talenteve marsin e kaluar në Sarejevë dhe tani synon ta bëjë edhe në Prishtinë. Është një praktikë e njohur e klubit katalanas që dërgon emisarët e tij në çdo vend për të zbuluar talente të së ardhmes dhe kohët e fundit ka zbuluar një të tillë në Suedi, i cili krahasohet me Zikon e famshëm për nga aftësitë me topin. Një plus i madh për idenë e ngritjes së kampingut në Kosovë janë edhe lojtarët kosovarë që luajnë me kombëtaren e Zvicrës dhe me ekipe të mëdha, ndonëse ata janë formuar si futbollistë jashtë vendlindjes së tyre.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :