Data : 21 07 2018
KryeTitujt :

Arratisja nga burgu, si u arrestua Ilir Avdillari

AVDILLARI-300x240

TIRANE- Zgjati vetëm 24 orë arratia nga burgu e Ilir Avdillarit, ish-anëtarit të “bandës së Yzberishtit”, i larguar nga Burgu i Fushë-Krujës ku vuante dënimin për vrasje.

Ai tejkaloi lejen e dhënë nga autoritetet e Burgut të Fushë-Krujës, ku po vuante një dënim me 20 vjet burg për “vrasje me dashje”. Mesnatën e së premtes, Avdillari u arrestua nga policia e burgjeve, e cila e ka kthyer më pas në qelinë e tij. Ai u gjet dhe u ndalua nga punonjësit e Policisë së Burgjeve të mbështetur edhe nga ata të Policisë së Shtetit, në një zonë periferike të Rrogozhinës. Lajmi u konfirmua nga burime zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të cilat saktësuan se kapja e Avdillarit u realizua rreth orës 00:00 të datës 10 maj 2013. Moskthimi në qeli i Ilir Avdillarit në përfundim të limitit kohor të lejes së tij alarmoi autoritetet e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Policinë e Shtetit. Kjo edhe prej faktit të veprës së rëndë penale për të cilën ishte dënuar ai, si dhe profilit të tij kriminal, si i dyshuar për përfshirje në 20 vepra penale të rënda të ndodhura në Tiranë në vitet 1997-1998. Për këtë shkak ai u shpall në kërkim nga Policia e Shtetit, ndërkohë që drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve pezulloi nga detyra drejtorin e Burgut të Fushë-Krujës. ARRESTIMI Ende pa u shuar “zhurma” që shkaktoi i dënuari Avdillari me arratisjen e tij pas daljes me leje nga Burgu i Fushë-Krujës, ai është gjetur atje ku nuk pritej. Personazhi i famshëm për disa krime të rënda në Tiranë në vitet 1997- 1998 është gjetur në banesën e një anëtari të komunitetit rom në Rrogozhinë. Gjithçka duket se ka qenë e rastësishme, pasi Policia tha se i arratisuri nga burgu e “kishte kaluar natën” në banesën e shtetasit A. Aliu, 50 vjeç. Ilir Avdillari mësohet se ka qenë bashkë me nipin e tij 10-vjeçar dhe kur është vënë në pranga nga forcat e policisë, pretendohet se ka qenë në gjendje të dehur. “Dyshohet se pas daljes nga burgu ka festuar thuajse çdo ditë duke konsumuar lëndë alkoolike”, thanë burimet e Policisë. Një burim tjetër nga Policia e Burgjeve ka thënë se që pas moskthimit në qeli të Ilir Avdillarit, hetuesit kishin kontaktuar me shokët e tij të burgut e të qelisë. “Informacioni për vendndodhjen e të arratisurit është marrë në rrugë operative nga Policia e Burgjeve”, thanë burimet. Sipas tyre, të dhënat për vendndodhjen e Avillarit u morën nga persona brenda burgut të Fushë-Krujës, që treguan detaje në lidhje me të arratisurin.

Ndaje Artikullin me Miqte e Tu

Artikuj te Ngjashem :